back to top
30.5 C
Tirana
E enjte, 19 Qershor, 2025

Mos zbukuroni Ferrin! – nga Visar Zhiti

Gazeta

Kampi i Spaçit - Vjeshtë 2021
Kampi i Spaçit – Vjeshtë 2021
Mos zbukuroni Ferrin!
nga Visar Zhiti

Ferri nuk zbukurohet! Askush nuk ka të drejtë ta bëjë këtë për ata që ishin në ferr…
Burgu famëkeq i Spaçit, ku vuajtën mizorisht mijëra kundërshtarë të diktaturës enveriste, ku u pushkatuan apo u ridënuan rëndë ata që guxuan dhe u ngritën në revoltën e madhe, tashmë të futur në histori si ndër të paktat dhe më heroiket në të gjithë perandorinë komuniste, por e vetmja ku u ngrit Flamuri Kombëtar pa yllin e kuq, ku u vranë në minierat me kushte primitive, ku punonim si skllevër, ku vdisnim urie e varrezë nuk kishte, banonim në fjetore pa asgjë, me tullat si luspa reptilësh, ku mbi 50 veta ngjeshur flinin në një dhomë-shpellë, me dyshekë kashte me tri radhë njeri mbi tjetrin, dritare të shkatërruara ku futej era e dimrit dhe shiu dhe vëzhgonte policia e çmendur, ku s’lejoheshin rroba të tjera veç të burgut, as këpucë apo orë dore, kuzhina me tym si gazi në kampet naziste, etj, etj, një infermieri pa ilaçe, ku alkoolin e pinin policët me spiunët e tyre, me ata në shërbim të komandës, berberhane, tubi i ujit me vrima nga rridhte uji që ngrinte akull, banjot pa dyer, shkallë dhe zgëqe e thasë, shtylla, altoparlantë që lehnin, kthina e takimeve të rralla me familjarët – e ndarë me hekura në një dhomëz sa kolibja e qenit të komandës, vendi i rrethuar me tela me gjemba një herë, dy herë, tre herë, katër herë, pesë… dhe male, përrenj me ujë të zi që dilte nga grykat e minierës si gojë lubish, kullat e dëndura të vendrojeve me trarë si përbindësha, etj, etj.

Pse?
-Një herë u bë krimi i madh, që u ngrit ai burg politik aq çnjerëzor…
-Së dyti, që e lanë të rrënohej, po prishej një dëshmi, po zhytej në mjegullat e harresës nga qeveritë…
Së voni – po duan ta bëjnë muze, shumë mirë, por jo ta tjetërsojnë, nëse po ndodh, jo ta zbukurojnë siç nuk ka qenë, të lihet ashtu siç e bënë etërit… 

Burgu i Spaçit - Dhoma e Operativit
Burgu i Spaçit – Dhoma e Operativit

Filmi, ende pa zë…
Po ndreqet për një film, po dëgjoj këto ditë të thonë, që do të xhirohet aty…
Skenarin e filmit, “Kryengritje në ferr”, e kam shkruar unë, ish i burgosur i Spaçit, drejtimor i filmit dhe regjisor ështe Namik Ajazin, edhe ai ish i burgosur si unë, edhe babai i tij e mijra shqiptarë, ndërkaq i është kërkuar shtetit nëpërmjet kryeministrit, cilitdo që do të ishte, (se s’e kemi emëruar ne, por doli nga zgjedhjet, e di populli sa të lira ishin…), që të mbeshtesnin filmin, si rrëfim i vuajtjes dhe i qendresës dhe kryengritjes tonë, për një Shqipëri të lirë, demokratike, euroatlantike, nder për historinë dhe krenari për popullin, që s’u gjunjëzua… i gjithë.

Për ata që bëjnë zhurmë
Ndërkaq pa zhurmnajën e dëmshme, nëse bëhen punë për kujtesën, për të vërtetat me rëndësi, vepra, art, kur asgjë s’mund të jetë siç ka qenë, gjithsesi duhet mbështetur e jo penguar, të ndihmojmë për të qenë sa më të arrira, zhurma s’është punë, është e nevojshme dhe higjena akustike, jo kaos, por regull dhe harmoni…

Ku t’i gjejë paratë shteti për filmin e Spaçit?
Shteti e ka për detyrë t’i gjejë, i ka paratë pwr muzeun dhe filmin, janë tonat, qoftë dhe nga ato të punës së papaguar të mijëra e mijëra të burgosurve politikë në dekadat e socializmit real në miniera, tharje kënetash, hapje kanalesh, themelesh, ngritje pallatesh, taracash, stadiumesh e deri dhe aeroportin e kryeqytetit, etj, etj.
Shteti të mos harrojë të dënojë krimet shtetërore të diktaturës enveriste, të nxjerrë kriminelët e saj politikë, t’i sjellë nga ku janë strehuar, afër, larg, jo t’i riciklojë, të ndëshkojë të keqen, Realizmin Socialist dhe të mbrojë të pambrojturit… liritë dhe vlerat e saj, kujtesën dhe ardhmërinë dhe ata që sakrifikuan. Tw mbrojë dhe të mbështesë dhe artin e madh që erdhi nga ferri.
Shteti të mos zvarrisë apo të shmangë kulturën, që ajo të mos jetë viktimë e politikave të çastit, të sfidave ekonomike, e partive dhe e mediokritetit zotërues…

Proteste nga Burgu i Spaçit
Foto-proteste nga Burgu i Spaçit

Si një Aushvic…
Ta ribësh burgun e Spaçit muze, ashtu si Aushvicin bota, si pjesë të kujtesës kolektive, ashtu siç ishte, autentik, nëse s’mundet, sa më pranë të vërtetës, të mos zbukurohet, është vonë tani, le t’ua thoshin etërve atëhere ta bënin siç do të donin, – jo makiazh krimit të madh shtetëror, ferri ishte ferr, ai thjesht duhet të dëshmohet, të kujtohet si një e vërtetë e mynxyrshme, me qëllim që të mos përsëritet, të kthehet në përvojë, edhe në art.
Të mos rrënohet, që të mos rrënohet kujtesa, e vwrteta. Me kulturë. Këtë do të donim të bënim ne me filmin, nderim vuajtjes dhe martirizimit, gjakut dhe qëndresës, ëndrrës dhe së ardhmes… dhe na emocionon që më shumw po na kuptojnë dhe ndjejnë të huajt, se sa tanët… një pjesë e tanëve.
Dhe shqetësohen për çimenton e Spaçit siç nuk janë shqetësuar ndonjëherë për të burgosurit atje… Gjithsesi ai film a tjetër si ai do të bëhen ndonjëherë…
Shteti dhe askush mbi të apo nën atë të mos pengojë, nëse nuk e mbështet dot kulturën, jo vetëm si pasuri kombëtare, por dhe si çështje jete.
Marrw nga Muri i FB Visar Zhiti, 3 qershor 2025

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.