
Mos u merrni me mua, po me planet dhe projektet tuaja
nga Ilir Kulla
Kur më çuan këtë foto timen të varur me një mbishkrim në një kazan plehrash nëpër Tiranë, e mora me pozitivitet dhe ironi. Ndryshe nga ata që mendojnë se kjo gjë që ka nisur është vetëm mes Ramës dhe Berishës. Unë kam qenë i qartë, qysh në ditët e para, është kaotike sigurisht po është kundër një sistemi kundër të gjithë ne që përfaqësojmë brezin e tranzicionit. Tek e fundit, është populizmi që politika nxorri në rrugë e tani s’po e fut dot më në institucione, ka pak rëndësi kush është më shumë apo më pak përgjegjës për këtë situatë.
Sigurisht, unë e fus veten tek ata shumë pak përgjegjës. Kjo foto më kujtoi një ndodhi me familjen time diku te 35 vjet më parë. Kishin filluar ndryshimet dhe po binte sistemi komunist. Babai im, një inxhinjer mekanik ushtarak që ka punuar gjithë jetën në transportin ushtarak ndiqte me shqetësim por dhe me interes ndryshimet që po ndodhnin. Një fqinja jonë e varfër dhe fatkeqe me 5 fëmijë, e vetme dhe pa burrë, Servetja, punonte zetoriste duke mbledhur mbeturinat në portin e Durrësit. Një punëtore e palodhur, ishte bërë në pak ditë një super ekstremiste antisistem, në ato ditë me shumë të drejt, debatonte me babanë tim, duke i thënë: “Juve komunistave do iu varim në litar”. Babai ishte profesionist, njeri teknik e aspak politik dhe me origjinë nga familje antikomuniste, qeshte dhe i thoshte: “Servete, unë kam një zanat që cilado qeveri të vijë unë do punoj, sepse jam vetevetja, por ky shteti komunist me të gjithë të keqijat që pati ty të ndihmoi t’i rrisje fëmijët dhe t’i shkolloi, kështu që në vend të mendosh sesi do të “varem unë në litar”, më shumë duhet të mendosh se si do të jetosh ti në të ardhmen, në një sistem dhe në një shtet që nuk do kujdeset më për të varfërit.”

Parashikimi i babait tim ishte proverbial, ai punoi deri në ditën e fundit në zanatin e tij të nderuar, me shumë miq dhe respekt dhe i qëndroi larg politikës gjithë jeten dhe sot e jeton jetën si një gjysh dhe prind i plotësuar. E ndjera Servete patì një jetë të vështirë dhe një fund aspak të lehtë. Sot kur më dërguan këtë foto mendova: “Të dashur miq të protestës që s’ju njoh osé më qartë njoh shumë pak prej Jush, në vend që të mendoni “sesi do varni dynjanë në litar apo kazane plehrash” është më mirë të tregoni së cilat janë planet dhe projektet Tuaja për Shqipërinë e “Lirë” apo të “Re”, sepse po vazhduat kështu do të ngjani gjithnjë e më shumë me krushqit e “Dasmës së Malos” të Pëllumb Kullës, që sa më shumë kalonte koha aq më shumë pakësoheshin.
Ah, sa për mua s’keni ça bëni do më duroni dhe pak këto 30-40 vitet e ardhshme aq sa Zoti të më ketë dhënë jetë dhe gjithnjë larg politikës së ditës dhe po aq i lirë sa kam qenë deri tani dhe jo vetëm në ZONË E LIRË!
Marrë nga Muri i FB Ilir Kulla, 14 korrik 2026