back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Mos t’ishte nana, isha ba Da Vinçi! nga Roland Gjoza (Ese për piktorin Kel Kodheli)

Gazeta

Piktori  Kel Kodheli (1918-2006)
Piktori Kel Kodheli (1918-2006)

Mos t’ishte nana, isha ba Da Vinçi!

esse nga Roland Gjoza

 (për piktorin Kel Kodheli)

Nana nji dhe grueja dy.
Mos ishin të dyja, isha ba përnjimend piktor i madh.
Tash s’di ç’jam. Jam vesh e mbath e pres nji grue. Kostumi asht shik, dhuratë nga ambasadori italian Paolo Foresti, këpucët i kam ble në Milano me paret e nji grueje, që m’i dha paret pa e ble pikturën. Unë nuk shes piktura.
Ishte nji zadrimore me nji sy të madh, si italiankat e nxehta të shkallueme të Karavaxhios. Ajo ia vuni synin e s’iu da dy ditë, po as ditën e tretë kur ia bana të qartë se unë isha Kazanova i grave të pikturueme në kanavacat e bleme lirë, se nuk i shisja pikturat. Ajo, megjithatë m’i dha paret. Me to bleva këpucët me majë dhe kravatën vishnje. Këmishët, nji dyzinë i pata prej nji nudoje (uli zërin) që asht grueja eme, e bana vjedhtas në gjumë, se ajo s’donte kurrsesi që unë të vizatojsha nudo. E quente marrè, i vinte turp, i skuqshin faqet e i merrej zani. Kel, më thoshte, pupupu, je tu m’fut në dhè të gjallë. Ta dijshe këtë mbrapshti s’kisha për të marrë, kaq ta bajshe dhambin. E kisha keq me gruen, s’donte e delira që unë t’i hiqsha petkat e kurmit. Po unë e bana atë tradhti, e pikturova në gjumë. Ç’grue ishte, pse o zot e more atë ma parë e më le mue, që te qes kësi marrëzinash.
E kujt i duhem unë qyqari? Për pak mbush 80 vjeç. Prita sa më vdiq grueja dhe qysh atëherë e deri sa të vdes do të baj vetëm nudo, gra të zhveshuna, çipillak, me tanë hirin e hireve, si një pemë që s’ka turp kur mbushet me kokrra të fryme e shkëlqen me ngjyra të ndezme.
.
Kel Kodheli - Grua Shkodrane me Ombrelle
Kel Kodheli – Grua Shkodrane me Ombrelle
Kel Kodheli qesh me mahi, nën mustaqet ala Mopasan, me një pamje prej dashnori klasik të operave të tetëqindës. Në dhomë mungon një fener antik dhe ajo shtëpia e stilit barok me mezoninë, ku jep shpirt Mimia. Mungon vërtet, po megjithatë ndjehet.
Ai pikturon me pastel nudo në ujë. Po pse me pastel dhe pse në ujë? Pasteli është një laps i dylltë, që krijon velaturë të dridhshme, që ai ka qejf ta quajë pahu i krahut të fluturës. Ai pah i ndritshëm dhe ajo terratisje e imtë që krijohet mbi kurmin e femrës në ujë, shpikur nga përsosmëria dhe ideali i poetit, të lënë një mbresë të çuditshme, hem e pëlqen si formë, hem ndjen zili, se nuk e ndesh aq shpesh në jetë. Kjo ndjehet në tërë atmosferën e apartamentit, në faqet e mureve mbushur përplot me piktura. O zot, nuk kam parë askund një dyndje të tillë tablosh nga tavani gjer poshtë në dysheme. Mbi njëmijë a më shumë piktura, një botë e trazuar, një kaos gazmor, ku një beteje të Skënderbeut i jep hir të çuditshëm një Madonë seksapile e Kelmendit, rrugicave të Shkodrës i sjell paqe një grup grash dukagjinase me veshje të krahinës, që megjithëse shtrënguar me rripa e mbërthecka, format nazike nuk i fshehin dot. Betejat epike dhe gratë e shëndetshme, peisazhet baritore dhe portretet krejt shqiptare mbushin me një muzikë pagane sui generis, si me orkestrinën popullore të Ndue Shytit, apartamentin e këndshëm në Rrugën e “Durrësit”, ajo muzikë fantastike ndjehet gjer te dhoma e gjumit e te kuzhina, ku nusja e djalit po gatuan e rrethuar nga kanavacat e vjetra. Një sy kureshtar shikon me çudi se pas dyerve rreshtohen dhjetra tablo, mbi to në varëse duken veshje, në një vend tjetër një varg me qepë e hudhra, kusi, tigan, rafte, poshtë në kornizat prej druri të bëra vetë flenë në këmbë pikturat pesëdhjetëvjeçare.
.
Kel Kodheli (1918-2006) - Malsori
Kel Kodheli (1918-2006) – Malsori
A e dini ç’janë pastelet, zotnij? Mbi treqind lapsa me ngjyra e nuanca pa fund, tanë pasqyrlinat e nji xhungle. Atje në atë metropol bimësh i gjen tanë grimat e ngjyrave ma të freskëta. Me u marrë me pastel të quejnë femen. E dojsha pa masë pastelin, po edhe për nji arsye intime. Kisha nji profesor në Itali, D’amato. I gjori plak! S’kishte provue sukses. Vetëm me pastel punonte. Nga fundi i jetës hapi nji ekspozitë. Me pastel. Vetëm femna. Ai plak i vetmuem, beqar, kishte ba në njifarë mënyre kompensimin e vet moral. Kishte pasë 500 dashnore. Se aq femna kishte pikturue tanë jetën e vet. 500 dashnore, që u blenë për tre ditë. Mbreti mori pesë më të bukurat. Ta shikonit o zotnij si mbeti në mes të sallës së zbrazët, si sillej rrotull si budallë, si nuk donte me u largue prej andej, priste t’i ktheheshin dashnoret. U ba i famshëm, por ishte njeriu më i trishtuar në botë, sepse i kishin marrë dashnoret. I shkova në papafingon ku jetonte bashkë me ca pëllumba që çukisnin në çati, ku dukej qielli dhe kambanoret. Ai s’punonte më. Nuk më foli. Më priti me bukë të zezë dhe verë, po nuk më tha asnjë fjalë. Ishte tejet i trishtuar. Kambaleci, telajo, paleta e bojërave, përparësja e flakur përtokë dhe ajo e përjetshmja gugugu e pëllumbave që, gjithsesi, është një grimë shprese për të mbledhur fuqitë e fundit dhe për të pritur. Besonte vërtet se duhej pritur? Kutia me pastela, lapsa gjithkund, nga hutimi shkela një të kuq dhe u trondita. Ai plak vdiq të nesërmen. D’amato. E kisha dashur shumë.
Më parë se të flas për atë që më donte më shumë, nanën, e cila më mori më qafë, dua me ju tregu si u bana dhe unë njiherë i famshëm, jo në vendin tim, po në… Australi.
.
Kel Kodheli - Portret Vajze
Kel Kodheli – Portret Vajze malsore

Na erdhi nji australian që merrej me tregtinë e demave. Kishte fermë të pafundme në shkretinat e atij vendi. Ishin vitet ’80. Fjeti në hotel “Dajti”. Na pa në mur nji pikturë: dy qe. Nji malsor kelmendas grahte dy dema që tërhiqshin nji parmendë druni. E pëlqeu pa masë. Demat e mi, tha dymetroshi, due ta blej këtë pikturë. Nuk shitet, iu përgjigjën. Po ai bani namin, e due se s’ban. Ajo pikturë kushtonte 5000 lekë në atë kohë, pra 3 dollarë. Kur e mori vesh prej meje këtë çmim qesharak, vendosi me më marrë në Australi. I rregulloi vetë të tana punët. Shkuem. Për tre ditë pikturat e mia u mbushën me shenjën e kuqe, pra ishin shitë. Unë e kisha sqarue se nuk shitsha piktura. Ai s’besonte, a don me u mahitë, burrë i dheut? Po unë e kisha me gjithë mend. Do fitosh 200.000 dollarë, më tha. Unë ngulsha kambë si mushka. Ku ta dinte i shkreti njeri që shoqëruesit e mi ishin… ashtu… Atëherë më mori, më çoi në nji vend shumë të bukur dhe më la me punue. Bana 35 tablo me gjithfarë temash shqiptare. Ato po, u shitën, po unë s’mora gja, se 1 milion dollarët (O zot, sa të pafat na bane!), ia dorëzuam shtetit komunist kur u kthyem. Ai dymetrosh i mirë kujtoi se më bani të lumtun. Ai kishte gjak shqiptari dhe donte me ndihmu nji shqiptar që i pikturonte si të gjallë demat e tij.

Tash vijmë te nana eme. Më ka dashtë shumë. Aq sa nuk duhen nana Mari me Krishtin në krahë. Kur kam ikë me studime në Itali, zuni shtratin. Unë isha njeri i qejfit, zotnij. Nuk e vritsha fort. I rashë kryq e tërthor Italisë, punojsha si i marrë, profesorët më dojshin. Aq shumë më pëlqeu ai vend i bekuem, sa nuk dojsha me u kthye ma. Mos bana gabim që ju thashë të vërtetën? Po kështu ka qenë. Ai asht vendi i piktorëve ma të mëdhenj të botës. Atë natë isha në nji kinema me një kaush kikirika dhe po shifsha me nji mike nji film të Grifit, më duket “Intolerancën”, kur më thanë se po më vdiste nana. Unë indiferenti u bana si budallë. Ishte avioni i fundit, se kishte filluar lufta. Me atë avion u nisa. Mezi i majsha lotët për nanën dhe për Italinë. Adio Italia! Unë që s’dojsha me u kthye kurrë, i kisha ba hesapet pa hanxhinë. U ul avioni në pistë dhe pashë nji grue me nji tufe lule. Kush ishte ajo zonjë e veshur aq bukur, që buzëqeshte me një ndrojtje që i shkonte? Nana eme. Me kishte rrejtë. Më mori në krahë dhe më puthi duke qarë. Filloi Lufta e Dytë Botërore dhe unë mbeta në Shqipëri.
Mos t’ishte nana, isha ba Da Vinçi!
(Marrë nga gazeta RD) 20.12.2008

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.