back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Mos e injoroni Përbindëshin Kohë…! – Robert Martiko refleksion mbi shkrimin “Idhuj të Zgavërt” i A. V.

Gazeta

Shkrimtari Robert Martiko
Shkrimtari Robert Martiko

Mos e injoroni Përbindëshin Kohë…!

Robert Martiko refleksion mbi shkrimin “Idhuj të Zgavërt” i A. V.

Elementi më fatal për njohuritë e kufizuara të një shkrimtari nuk është Koha, z. Ardian? Dhe po të ishte se koncepti i gabuar i Kohës, do të kufizohej vetëm te personi që shkruan, nuk do të kishte asnjë problem. Pasi thjesht do të thuhej se nuk u prish dynjaja, që personi A ose B nuk kupton, (jo XY, siç shkruani ju, pasi në matematikë janë madhësi variabël, si Koha). Tragjedia më e madhe, ajo që matet me gjak, kaos e tragjedi të përjetshme në shoqëritë jo të rilindura shpirtërisht, si Shqipëria, ajo që bën nënat, në shekuj, të derdhin lot të zinj, për bijtë e gjithë familjen e tyre, është pikërisht Koha në Histori, në kuptimin që ofron në mënyrë më thelbësore, Filozofia e Historisë. Është tjetër gjë se sa kuptohet koncepti i Kohës sot nga akademikët, shkrimtarët, poetët, me origjinë njohurish të vdekura, nga Materializmi Dialektik e Historik, të matur në botë me 100 milionë të vrarë. Dhe, kryesorja, e keqja më tragjike, konsiston se vetë mendimi intelektual mbeti gërmadhë e kaluar gërmadhës.
Është fakt që profesorëve, akademikëve, shkrimtarëve, as që iu bie fare ndër mend. Të paktën… Edhe kur ua vë dukje, karakteri i sipërfaqshëm klasik, shqiptaro-ballkanas, vijon i pathyer të mos hajë pyka në tru, duke mbuluar në këtë mënyrë paditurinë më të madhe. Për të tillë inteligjencë qesharake gërmadhash mendore bëhet fjalë.
Për të qenë akoma më konkret z. Ardian, e keni parasysh praktikisht idenë e Kohës në shoqëri? Pasi nuk jam unë i vetmi që jam befasuar me shkrimin tuaj të titulluar: “Idhuj të Zgavërt”. Sepse ju duke dashur të bëni vërejtje për Et’hem Haxhiademin, mos vallë injoroni Kohën Përbindësh, të pranishme sot në shoqërinë shqiptare, historikisht, në nevojë më shumë se kurrë? Nuk u kthye Koha shekuj të tërë pas, nga ushqimi shpirtëror i helmuar i Luftës së Klasave? Pasi më bën shumë përshtypje që në vend të përballoni këtë të vërtetë thelbësore, fatale, me protagonistët-gërmadha, më kryesorë, të Realizmit Socialist, që mbyllën Kohën e shoqërisë nëpërmjet Njeriut të Ri që krijuan, merreni me Haxhiademin e Skironë që u përpoqën që Hapnin Kohën e shoqërisë shqiptare. Si do të mund ta shpjegonit këtë lloj kontradikte të madhe në shkrimin tuaj? Ju nuk e dini se Skiroi e Haxhiademi jetuan ose vinin nga shkolla perëndimore, me racionalizmin e Dekartit në tru, dhe jo me idenë e shkatërrimit marksist të kulturës perëndimore, siç vepruan ata, të cilët ju nuk i zini në gojë?

Disa nga veprat e Et'hem Haxhiademit
Disa nga veprat e Et’hem Haxhiademit

Është e mundur z. Ardian, të shkruhet pa pasur as njohuritë më të vogla nga Filozofia Perëndimore, por vetëm çka mbeti gjallë nga rudimentet e materializmit fals nga Koha e Diktaturës? Nëse pranoni një këshillë nga unë, merrni leksione filozofie të shumta, të pandërprera, për të kuptuar gjërat në thellësi. Nuk mund të konceptohen gjigantët më të mëdhenj të botës, që ndikuan në Rilindjen Shpirtërore të shoqërisë, duke filluar nga Dantja, Da Vinçi, Mikelanxhelo, Shekspir, Gëte, Hygo, e deri te shkrimtari më i fundit me vlerë, pa njohuri filozofike perëndimore. Merreni me mend se çfarë ndodh me ish shkrimtarët e Realizmit Socialist, që nuk kanë idenë e Filozofisë Perëndimore. Është sikur zbulon jo një Amerikë, ku banoni ju sot, por sikur zbulon 10 Toka të Zjarrta Shpirti e Mendimi…
Ju nuk mund të mos dini se shkrimtarët e Diktaturës nuk ndoqën yllin e fisnikërisë shpirtërore, burrërinë e një Lasgush Poradeci. Ata zgjodhën vëllavrasjen, d.m.th. instinktet më kafshërore, duke kthyer kohën shqiptare shekuj pas. Ju shkruaj sa më sipër duke pasur parasysh edhe librin tuaj me titull “Castigat”, të bazuar në thënien latine se Njeriu mund të korrigjohet duke qeshur. Jepni ju i pari shembullin nëpërmjet kësaj maksime të famshme, pasi një nga mësimet elementare të filozofisë Perëndimore thotë se nuk kanë kuptim librat dhe gjithçka tjetër njeriu shikon në jetë, pa e brendësuar në shpirtin e tij. Kështu filloi të ndryshojë njeriu duke dalë nga Mesjeta, nga Ferri i Pakuptuar i Vetvetes. Të tilla sekrete të vogla, jetike njihnin individë si Zef Skiroi apo Et’hem Haxhiademi, të cilët sigurisht, nuk ishin nga ajo lloj paste e paditur fatale, që prodhoi Njeriun e Ri Socialist, sot të pranishëm kudo. Pa brendësim shpirtëror intelektuali, edhe kur gjendet në Metropolet më të mëdha të botës është një i verbër, kaluar të verbrit. Është thjesht një i gjallë i vdekur.
Libri juaj, me titullin “Castigat”, edhe pse nuk e kam lexuar, duhet të jetë mjaft premtues, pasi vetë e qeshura konsiderohet në filozofi një element i mrekullueshëm, në kuptimin individual, të hapjes së Kohës së mbyllur.
25 korrik 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.