back to top
13.5 C
Tirana
E hënë, 10 Shkurt, 2025

Morali i Kadaresë te Prilli i thyer ndaj Pashko Vasës dhe Koliqit – nga Artur Shkurti

Gazeta

Artur Shkurti - Drejtor i shkollës "Udha e Shkronjave" - Tiranë
Artur Shkurti – Drejtor i shkollës “Udha e Shkronjave” – Tiranë
Morali i Kadaresë te Prilli i thyer ndaj Pashko Vasës dhe Koliqit
nga Artur Shkurti
Autor i librit në proces “Nëpunësi ëndërrimtar i pallatit”

Copyright: Nuk lejohet kopjimi apo shpërndarja, pjesore apo tërësore me çdo mjet e formë, pa lejen e shkruar të autorit. Përjashtim bën ndarja e linkut që të çon tek ky artikull. Libri “Nëpunësi ëndërrimtar i pallatit” tashmë ka marrë ISBN nga Biblioteka Kombëtare.

Po të pyesësh sot shkollat apo Ministrinë e Arsimit se çfarë do të na këshillonin si letërsinë e duhur për gjakmarrjen ato me shumë mundësi do të vraponin të ofronin “Prillin e thyer”.
Mund të them me një siguri (pavarësisht se me vonesë) se kjo qartësisht është e padrejtë ndaj kulturës sonë kombëtare, që ka shembuj shumë më të mirë edukativ. Nuk jam duke bërë konkurrencën e formës, por të përmbajtjes. Le t’i quajmë të tria veprat që do të shqyrtojmë të barabarta në çështje të formës artistike (pavarësisht se në këndvështrime të ndryshme ato mund të jenë të ndryshme).
Në këtë artikull do të ndalem tek “Bardha e Temalit” e Pashko Vasës dhe “Hija e maleve” të Ernest Koliqit. Kadareja kur ka bërë “Prillin e thyer” (1978) i ka patur duart e lira nga “Bardha e Temalit” përkthimin dhe botimin e të cilës (me vonesë) duket që e kishin në dorë Lidhja e Shkrimtarëve që çuditërisht e boton vetëm në 1987, kur botohet vepra e Pashko Vasës (përkthim i Sotir Casi, vëllim 2).
Ndërsa për Ernest Koliqin dhe Hijen e Maleve as nuk mund të mendohej, meqë autori ishte pjesë e luftës së PPSH-së.
Kështu “Prilli i thyer” i Kadaresë përfitoi nga censura që e organizonte Lidhja e Shkrimtarëve sipas planeve të saj dhe rregullimeve të brendshme për narrativat që u duheshin. Ndërkohë paradoksalisht “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” vinte në qendër censurën e Abdylhamitit, ndërsa pas 1990 u tha “Jo nuk është censura e Abdylhamitit, por është e Enver Hoxhës”.
Jam duke sjellë argumente që mbështesin hipotezën se Kadareja duke shfrytëzuar pozicionin e vet sundues, rikonfiguroi letërsinë duke u treguar qëllimisht “anonimizues” dhe “injorizues” ndaj letërsisë prej të cilës merrte materialin me të cilën ndërtonte veprat e veta. Kështu letërsia jonë pësoi një skoliozë morale të jashtëzakonshme.
Zbulimi personal (pas 46 vjetësh) se pas personazhit Ebu Qerim tek “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” të Kadaresë qëndron Naim Frashëri dhe se i gjithë romani synon të krijojë një koncept “privat” të Kadaresë mbi Rilindjen Kombëtare në injorim “argëtues” e “sfidues” të formës “së lartë” (por në fakt fiktive) ndaj përmbajtjes reale të Historisë dhe Letërsisë së moralshme të Rilindjes Kombëtare më shtyu pak më tej në hetimin e disa veprave të Kadaresë që mbajnë në fokus Historinë e Shqipërisë.
Hija e Pashko Vasës është edhe tek “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” dhe, sipas meje, qëndron pas “rekomandimit” të Ebu Qerimit (Naimit) në “Pallatin e ëndrrave”. Para se të punonte Naimi, duket që ka punuar Pashko Vasa.
Qëndroj i mendimit se Ismail Kadare e ka shfrytëzuar pozitën sunduese që i ka krijuar PPSH-ja, me botimet që kapnin qindra mijë kopje, për të strukturuar letërsinë shqiptare në favor të emrit të vet duke dëmtuar qëllimisht (brenda veprës së vet me tematikë nga historia) produktin ideor të të tjerëve përmes zhvendosjes së vëmendjes dhe të rëndësisë, një dëm që vijon edhe sot. Nuk jemi duke u marrë me PPSH-në apo Enver Hoxhën.
Fabula është “Merr idetë dhe temat dhe anonimizo autorët e tyre”.
Konstruktin ideor të “Nëpunësit të pallatit të ëndrrave” e merr nga “Histori e Skënderbeut” e Naim Frashërit dhe nga faktet e jetës së Naim Frashërit. Ndërkohë për 46 vjet vetë autori nxit komentet se vepra është një akt disidence ndaj totalitarizmit. Tek “Kështjella” është kapur një paragraf që qartësisht nënkupton Naimin si “flutur e qiririt të Islamit” duke ironizuar “Fjalët e qiririt”. Kam shkruar shumë në këtë drejtim dhe nuk po i përsërit.
Sivjet është 200 vjetori i Pashko Vasës, rilindasit tonë të madh (17 shtator 1825-2025). Pashko Vasa ishte 21 vjet më i madh se Naim Frashëri dhe me një karrierë mjaft të spikatur në çështje të shtetit, të shoqërisë shqiptare, dhe pati një reflektim të jashtëzakonshëm ideologjik, poetik e letrar, me përfitime shumë të mëdha për mendimin tonë kombëtar dhe frymëzimin e lëvizjes së Rilindjes Kombëtare. (Kadareja bën sikur nuk sheh, por vetëm në dukje se në veprën e vet gëlon përpunimi i ideve të rilindjes për synimet e tij private dhe të propagandës së PPSH apo narrativave të saj).
Në vitin 1978, me rastin 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, PPSH vendos që të sjellë nga Libani eshtrat e Pashko Vasës dhe ndërkohë të bëjë Monumentin e Varreve të Vëllezërve Frashëri, ku eshtrat e Abdyl Frashërit erdhën nga Stambolli dhe eshtrat e Naim Frashërit u rivarrosën. Ndërkohë Naimi vlerësohej si Poet Kombëtar.
Paralelisht me këtë atmosferë vlerësuese si nga PPSH apo nga Enver Hoxha dhe natyrshëm nga populli (që s’mund të thoshte jo për rilindasit), duket që Kadareja ndërtonte për hesap të vet (lavdinë e vet) me kokëfortësi masterplanin e vet të rishikimit të letërsisë që reflektonte historinë tonë, masterplan kryesor që nga një anë bazohej në “shpronësimin e vlerave të autorëve qofshin këta figura historike” nën parimin e “rolit të masave” (PPSH-së i japim rolin e masave, vetes i japim lavdinë personale përmes rrëmbimit të tematikave dhe ideve), por ndërkohë “ana tjetër e medaljes” ishte fakti që ishte “ai që do të zëvendësonte autorët e vjetër”, me nënkuptimin “Ti ke shkruar mirë, por ja po ta marr unë” (dhe bëj sikur nuk ka rëndësi ajo që ke shkruar) dhe nuk ka pse të “lexojnë edhe ty edhe mua, por ja të lexojnë mua, dhe “ti je në mua”, pra “ideja jote nuk po “humb” por po qarkullon… me emrin tim.
Në kohën që pritej që Kadareja të shkruante romanin e vet për Rilindjen Kombëtare, sepse ajo mungonte, njerëzit thonë “nuk ka vepër për këtë periudhë”. Në të vërtetë Kadaresë nuk i mungon asnjë periudhë me rëndësi historike dhe nuk do t’i mungonte as Rilindja Kombëtare dhe romani është “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”. Ashtu siç punonin botuesit “8 nëntori” e “Naim Frashëri” dhe shtypshkronjat për të shtypur me qindra mijë kopje të Kadaresë, Kadareja duhet të gjente një ritëm kaq të lartë krijimtarie dhe historia ta krijonte këtë mundësi, me teknikat e tij të zhvendosjes, heqjes, shtimit dhe ndërrimit, kompozimit.
Ndërkohë që Kadareja merrej me Naim Frashërin duke e anonimizuar me sa duket kujdesej që monografia për Naimin të mos dilte para se ai të nxirrte në botim “Nëpunësin e pallatit të ëndrrave”. Ky roman fashikujt e parë i dorëzoi në dhjetor 1977, (gjashtë muaj pas vendimit 14 qershor 1977 të KQ të PPSH për festimin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit). Në këtë periudhë është edhe “Prilli i thyer”.
“Bardha e Temalit” (1890) e Pashko Vasës, “Hija e maleve” (1929) e Ernest Koliqit dhe “Prilli i thyer” (1978) i Kadaresë
Romani “Bardha e Temalit” (1890) ka shumë ide të Pashko Vasës, që në kohën e botimit i bie të ketë qenë 65 vjeç. Ka jashtëzakonisht shumë ide të vetat. Shqetësimi i tij kryesore ashtu si tek Vëllezërit Frashëri, por edhe tek të tjerë rilindas ka qenë morali i popullsisë dhe ndreqja e sa më shumë tipareve negative. Nga vetë emri në qendër qëndron figura e femrës shqiptare (Bardha është zgjedhur qëllimisht si emër) dhe se si trajtohet ajo nga burrat shqiptarë, nga babai, nga vëllai, nga bashkëshorti, nga fisi i vet apo fisi i bashkëshortit, si bëhet martesa, të drejtat dhe liritë e saj. Ka aty shumë dashuri e respekt, ka edhe anë negative. Kush e lexon romanin qartësisht e do edhe më shumë Pashko Vasën.
Veçanërisht vajzat shqiptare duhet ta vlerësojnë edhe më shumë Rilindjen Kombëtare dhe rilindasit për këtë arsye. Kur diskutohet për këtë çështje, vihet në plan të parë Haki Stërmilli me “Sikur të isha djalë” (1936), por kjo është shumë vonë (46 vjet), në krahasim me 1890 kur Pashko Vasa ka shkruar “Bardha e Temalit”.
Rilindasit në këtë mënyrë nuk u interesuan vetëm për një çlirim kombëtar por u interesuan për harmoninë e përgjithshme të shoqërisë shqiptare dhe moralin e saj, duke ndrequr çdo gjë që nuk shkonte që nga “harmonia fetare” duke shmangur “konfliktet fetare” dhe deri tek marrdhëniet “djem – vajza” apo “burra – gra” duke dhënë më shumë theks në të drejtat e grave e vajzave. Edhe ndarjet klasore i vendosën në sitën e të drejtave të njeriut, ku as i pari i vendit nuk i shmangej goditjes. Pra nuk mund të merret romani “Bardha e Temalit” si ndonjë argëtim letrar dhe t’ua lëmë vetëm “artistëve”. Në moshën 65 vjeç të Pashko Vasës (1890), nuk mendoj se ishte periudha e duhur për një letërsi të tillë argëtuese. Sidoqoftë romani ka një bollëk me ide dhe linja dhe pikërisht prej bollëkut të madh autori nuk ka patur kohë të merret me formën e ta bëjë “fjalëkryq” veç për argëtim. Romani rrjedh dhe ka një intesitet emocional të madh. Sidoqoftë nuk është kjo analiza, por lidhja me Kadarenë.

Bardha de Temal, - Pashko Vasa
Bardha de Temal, – Pashko Vasa

Besoj dhe do të mundohem të argumentoj që Kadare për të krijuar “Prillin e thyer” (1978) është bazuar në idetë dhe informim nga “Bardha e Temalit” (1890) dhe nga “Hija e maleve” (1929) e Ernest Koliqit.

Do të bëj disa hipoteza.
Si monografia e Naim Frashërit (Dhimitër Shuteriqi, 1982) ashtu edhe e Pashko Vasës (1979) e Vebhi Balës janë bërë nën mbikqyrjen e Dhimitër Shuteriqit. Karakteristikë për të dy veprat është se Kadareja është 1 vit para botimit të monografive, në veprat “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (konceptuar me material nga vepra e Naim Frashërit) dhe “Prilli i thyer” (1978) konceptuar me material edhe nga Pashko Vasa (Bardha e Temalit, 1890) edhe “Hija e maleve” e Ernest Koliqit. Në këtë mënyrë “shpronësimi ideor” ishte me ritëm të lartë. Naim Frashëri shpronësohej direkt nga faktet për jetën e vet, ndërsa Pashko Vasa, Ernest Koliqi shpronësohen nga reagimi i tyre ndaj dukurisë së gjakmarrjes. Do të ishte e moralshme që Kadare një herë të vetme të thoshte “Mua më kanë drejtuar ose frymëzuar në veprat e mia rilindasit ose shkrimtarët misionarë”. Ai nuk e thotë këtë. Bën sikur vlerëson. Do të shohim që kjo “indiferencë” e ka bazën tek “rrëmbimi tematik dhe ideor”.
Shumë kompozitorë krijojnë muzikë me “tema të autorëve të tjerë” por e vënë në krye titullin “tema nga filan autor dhe filan vepër” (pra vepra është e tyre, por ata ndërtojnë një marrëdhënie të deklaruar me një vepër të një autori tjetër pa të cilën vepra e tyre nuk do të ekzistonte.
Unë mendoj që “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” nuk do të ekzistonte pa Naim Frashërin dhe Rilindjen Kombëtare dhe “Prilli i thyer” nuk do të ekzistonte pa “Bardhën e Temalit” të Pashko Vasës dhe “Hijen e maleve” të Ernest Koliqit.
Ndryshimi ndërmjet Pashko Vasës, Koliqit dhe Kadaresë është morali i veprës. Si Pashko Vasa dhe Ernest Koliqi qëndrojnë përballë popullit të vet pa ndonjë “filtër” tjetër, pa një parti nga pas që t’ua diktojë narrativën. Kadareja e ka mbushur “Prillin e thyer” me të gjitha detyrat e PPSH që më saktë i gjejmë në këtë thënie të Enver Hoxhës, më 1946, kur Kadareja ishte 10 vjeç, pra 33 vjet para se Kadareja ta shkruante romanin “Prilli i thyer”. Citojmë Enver Hoxhën.
“Gjithë Shqipëria ka vuajtur të zitë e ullirit, por veçanërisht malësorët tanë të Veriut. Ndër ato vende kaq bujare, mbi ata malësorë kreshnikë, sundonte forca e bajraktarëve dhe e feudalëve, sundonte ligji gjakatar i tyre. Populli për këta bajraktarë hajdutë ishte skllav, ishte kafsha e punës dhe e mundimeve, ishte plaçka e tregut. Bajraktarët dhe bejlerët shtypës, priftërinjtë dhe hoxhallarët që u shërbenin krimit, vrasjeve, intrigave dhe vjedhjeve, sundonin mbi të mjerin shqiptar të Veriut. Çdo familje ishte në mëshirën e kanunit barbar, të intrigave të priftërinjve që bastardonin çdo ndjenjë të pastër, çdo zakon të vyer, që shkatërronin familjen, nderin e saj, ekonominë e saj.” (Enver Hoxha, Letër drejtuar të rinjve vullnetarë të rrugës Kukës – Peshkopi, 27 tetor 1946, botuar në Letra të Zgjedhura, 1, 1985, Instituti i Studimeve Marksiste – Leniniste, fq.19)
Që të mos keqkuptohemi, pra të mos e kthejmë vetëm në një analizë politike bardhezi, pavarësisht formës së regjimit, të gjithë bien dakort, që shteti shqiptar, cilido qoftë (mbretëri, komunist, demokraci) ka përgjegjësi që dukuria e gjakmarrjes ndërmjet shqiptarëve që në ligj quhet “vetëgjyqësi” të marrë fund. Në këtë kuptim, nuk mund t’i tolerojmë vetes ndonjë ide që shteti komunist, meqë ishte komunist, nuk duhet të luftonte gjakmarrjen, apo nëse e luftonte e kishte keq.
Ajo që duam të themi është se Kadareja nuk e kishte këtë problem realisht. Ai po shkruante në një kohë kur përgjithësisht shteti e kishte bërë atë që donte (pra si kofini pas të vjeli). Kadareja po synonte të instalonte mendimin se në çështjen e gjakmarrjes romani i tij duhej të bëhej si romani “Nëna” i Gorkit, pra një pikë referimi për letërsinë e kohës, me nënkuptimin se para tij kjo punë nuk ishte kushedi çfarë, kur realiteti tregon të kundërtën.
Pashko Vasa dhe Ernest Koliqi e kanë udhëhequr mendimin në këtë çështje dhe nuk janë udhëhequr. Po të jetë për merita të Kadaresë, i bie më shumë të ketë PPSH dhe Enver Hoxha, për të cilët punonte Kadareja dhe që i detyronin edhe narrativën edhe bazën ideore të propagandës që duhej të synonte letërsia.
“Bardha e Temalit” (1890) e Pashko Vasës një pasuri e madhe idesh për dukurinë e shpagimit, gjakmarrjes, besës, përveç humanizmit ndaj femrës shqiptare
Ata që analizojnë “Bardha e Temalit” të Pashko Vasës, duke u tërhequr nga tema kryesore (mbrojtja e lirive e të drejtave të femrës shqiptare), kanë anashkaluar rëndë trajtimin e dukurisë së gjakmarrjes. Edhe Dhimitër Shuteriqi që ka bërë parathënien, nuk përqëndrohet. Kjo është shenjë se ai e di se kush po “përqëndrohet” tek Gjakmarrja (100 vjet pas).
Më poshtë do të bëjmë paralelizma që besoj do të ndriçojnë procesin krijues të “Prillit të thyer” të Kadaresë dhe do të hapin edhe diskutime morale mbi mënyrën se si vepronte Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve me letërsinë para viti 1945.
Gjakmarrja tek Pashko Vasa është një fill që shoqëron të tërë veprën. Shkodra, Temali, Shllaku janë mbushur plot me akte të tilla. Historia e Jak Kolës, është një histori e plotë e gjakmarrjes, në kontekstin e miqësive, të vrasësve me pagesë, të rregullimeve zakonore (kanunit) të ndërhyrjes së shtetit osman sipas interesit të shtypjes shtetërore, por edhe të përçarjes fetare, të rolit të gruas, nënës, të kuvendit të fshatit. Pra, ka kaq shumë aty për gjakmarrjen. Ndërkohë djali i Mhillit të Vlashajve vret një të katolik dhe një musliman dhe përsëri trajtohet çëshja në këndvështrimin e gjakmarrjes dhe sillet kaq shumë informacion.
Tek Pashko Vasa, propozimi i Anulit, kushëririt të Bardhës ndaj Aradit se vetëm nëse është vrasës dhe kërcënohet mund të hyjë “në besë” në Temal dhe t’i jetë afër Bardhës është përsëri një këndvështrim i rregullave të kanunit për “besën” për “mikun” etj. që Kadareja i shfrytëzon kaq shumë tek “Prilli i thyer”. Kur Aradi (tek “Bardha e Temalit”) vret Sulejman Cafin, dhe kur po e ndiqnin ai strehohet për besë në një shtëpi që nuk e dinte se ishte një shtëpi e kushërinjve të atij që kishte vrarë, por ata përsëri ruajtën zakonin e nuk e vranë, dhe i lanë porosi që brenda 24 orësh nuk të gjen gjë, por më pas, po të gjetëm do të vrasim.
Aradi thotë (Pashko Vasa, fq. 226) “Po lyp strehim dhe jam në besën e të Zotit të kësaj shtëpie”. Në fakt, aty ishte vetëm e shoqja e të zotit që ishte lehonë. Kur erdhën xhandarët për ta kërkuar pikërisht aty, ajo e fsheh (në shtrat) dhe ata nuk kuptuan gjë. (Rojat u turpëruan dhe u trembën. E panë se e kishin shkelur duke dhunuar shtëpinë e një shqiptari, në mungesë të tij, dhe u tërhoqën të koritur e me frikë në zemër). I shoqi (Hysen Cena) kur vjen e merr vesh i thotë të shoqes “Ke vepruar mirë, Fatma, e ke ruajtur nderin e shtëpisë sime. Ti je një grua e mirë dhe trimëreshë e jam i kënaqur prej teje”) Është e qartë se Pashko Vasa po ndan dilemat morale ndaj lexuesit rresht më rresht. Dilemat morale janë kaq të vërteta tek Pashko Vasa.
Kur Aradi e falenderon Hysen Cenën që e shpëtoi dhe e përcolli në mënyrë të sigurt aty ku ai donte, Hysen Cena i thotë:
“Kur po ndaheshin, Hyseni i tha me ton solemn: “Njeriu që ti e ke plagosur për vdekje, është kushëriri im. Ishte detyra ime të të nxirrja shëndoshë e mirë nga shtëpia, por dije mirë, o Aradi i Vlashajve, se, pasi të kalojnë njëzet e katër orë, po të takova, do të të vras, pasi, pas kësaj kohe, lidhjet e mikpritjes që të bënin të shenjtë për mua nuk ekzistojnë më”. (Pashko Vasa, Bardha e Temalit, 1890)
Kadareja qartësisht e ka motiv këtë fabul të Pashko Vasës këndvështrim tek “Prilli i thyer” (1979).
Kadare: “Miku për shqiptarin është gjysmëperëndi” Kadare arrin e tallet kur shkruan tek “Prilli i thyer” duke e trashur (argëtuar) muhabetin në këtë drejtim “O cjap i këmborës, i thuaj tët zoti se, po më gjeti gjë pa kaluar qafën e kodrës përtej, ta dijë se jam prerë mik” (fq. 242) Tjetër arsyetim që qartësisht është i ndikuar nga fabula e Pashko Vasës, Kadare shkruan: “Fakti që ky divinitet fitohet befasisht dhe rastësisht, brenda një mbrëmjeje, vetëm me një të trokitur në portë, e bën atë edhe më të vërtetë”. Pa lexuar “Bardhën e Temalit” të Pashko Vasës Kadareja nuk do të shkruante dot me kaq siguri. Mirëpo shkollat sot kanë siguri për Kadarenë dhe nuk dinë as për Pashko Vasën as për Koliqin.
Pashko Vasa tek “Bardha e Temalit” po të ishte Kadareja do të kishte bërë me të njëjtin subjekt 10 romane, por detyrat e Pashko Vasës nuk kanë qenë “biznes letrar” por orientim kombëtar dhe nuk kishte nevojë të rriste produktivitetin në mënyrë fiktive (idetë nuk janë petulla që të lindin aq shpesh). Produktiviteti i madh i Kadaresë duhet parë edhe në këtë këndvështrim.
Brenda “Bardhës së Temalit” ka aq shumë e aq thjeshtë dhe aq vlerë kombëtare, të cilën ai nuk e ngre në mënyrë fiktive, por aq sa është. Populli i Pashko Vasës janë i njëjti popull që përshkruan Gjergj Fishta apo Koliqi, nuk janë artificialisht më heroik, siç ndodhi me romanet e kohës së PPSH-së, ku “masat popullore bënin namin”, aq sa ua kalonin edhe liderëve (që anonimizoheshin). Kështu “Kështjella” e Kadaresë ia hëngri kokën vetë Skënderbeut, dhe “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” Naim Frashërit, “Prilli i thyer” Pashko Vasës dhe Koliqit etj.
Mirëpo “Bardha e Temalit” e Pashko Vasës botohet (duket qëllimish) 9 vjet më pas. Pra pas një shekulli Kadareja ia kalon Pashko Vasës në trajtimin e dukurisë së gjakmarrjes. Ato që përshkruan Pashko Vasa qartësisht kanë lëngun e jetës së përditshme.
Është Pashko Vasa që përshkruan imtësisht disa ngjarje gjakmarrje dhe ceremonitë që pasojnë (ta zemë çjerrjen e fytyrës së burrave në mort). Kadareja e ka këtë përsëri (fq. 188 “Gjëmëtarët erdhën nga larg, duke grisur fytyrat e duke shkulur flokët, sipas zakonit”). Pashko Vasa e përdor aq shpesh tofjalëshin “pas zakonit”. (Kadareja “Zakoni e kërkonte që ata të mos i lanin fytyrat” fq. 190). Mëhillin që Pashko Vasa e ka një qytetar shkodran, qendër, Kadareja e ka emrin e vëllait të vdekur të Gjorgut.

Hija e Maleve - Ernest Koliqi
Hija e Maleve – Ernest Koliqi

Paraja tek Pashko Vasa dhe taksa e gjakut tek Kadareja
Paraja tek Pashko Vasa (Bardha e Temalit) në çështjen e gjakmarrjes bëhet pjesë ose e vrasjes me pagesë, ose dëmshpërblimit, ose e korrupsionit. Tek Kadareja “taksa e gjakut” ka një qendër dhe ajo është Kulla e Oroshit. Në Kanun 500 grosh përmenden në rast se kjo familje do të impenjohej në ndonjë pajtim gjaqesh. Kadareja e paraqet këtë në mënyrë indirekte si “vonesë për të marrë taksën”, që në fakt do të jetë vonesa për të pranuar nëse do të ndërhyhej apo jo për pajtim, pra kishte apo jo shanse dhe të mos merrej një gjë që nuk do të kishte kuptim. Kadareja synon ta nxjerrë sa më shumë të mundet gjakmarrjen në kontekstin e luftës së klasave, ndaj gjithçka e eksporton në Kullën e Oroshit dhe “taksa e gjakut” është gjetje për këtë, që ai e monitoron vazhdimisht e vazhdimit që të ushtrojë vazhdimisht presionin e duhur aty ku do të godasë.
Tek Pashko Vasa Aradi kërkon Bardhën. Tek Kadareja Gjorgu kërkon Dianën.
Si Bardha si Diana janë të martuara. Situata ideore e Pashko Vasës është krejt tjetër dhe Bardha realisht përfaqëson një frymëzim.
Diana e Kadaresë thjesht konceptohet si një prostitutë sepse ajo e ka burrin. Por meqë Kadareja ia ka vënë synë ta turpërojë “intelektualin e mbretërisë” për synimet diabolike të tijat dhe të propagandës PPSH-së në atëherë këtë e bën përmes turpërimit të të fatit të të shoqes. Pashko Vasa nuk ka detyra propagande kur shkruan “Bardhën e Temalit”. Ai ka para një popull të të mesit të shek. 19 (1842) dhe që kërkon ta analizojë realisht. Bardha e Temalit vritet nga vjehrra dhe arsyeja e vërtetë (pa u shkruajtur kjo në vepër) duhet të jetë se ajo nuk po bënte fëmijë me Lulin. Situata e Kadaresë është krejt tjetër, por qartësisht “brumi ideor edhe pse i përmbysur” është i Pashko Vasës.
Diana e Kadaresë ka mbaruar Institutin Femëror.
Nushi i Koliqit (tek Hija e maleve) ka mbaruar Kolegjin Murgeshave.
Llogaritë e gjakut të Pashko Vasës dhe të Kadaresë
Pashko Vasa (Bardha e Temalit” “Po kjo punë s’ka mbaruar me kaq, – u hodh e foli një temalas plak. – Sipas asaj që po thua, or djalë, njerëzit e fisit të Mazrekës kanë pasur një të plagosur, kurse kundërshtarët nuk e kanë. Pra, ata të Rrjollit kanë borxh akoma një plagë dhe duhet ta paguajnë.”
Kadare (Prilli i thyer) “Në rastin e fundit, pra në qoftë se Berishajt nuk paguanin gjobën, por e fusnin plagosjen në llogarinë e gjakut, ata nuk kishin të drejtë më të vrisnin një njeri nga Kryeqyqët, sepse gjysma e gjakut ishte larë. Ata kishin të drejtë vetëm të plagosnin një njeri”.
Sasia e gjakmarrjes tek Pashko Vasa dhe tek Kadareja
Nëse bëhen llogaritë e ngjarjeve që ndodhin si pjesë e një zinxhiri gjakmarrje është kaq e madhe tek “Bardha e Temalit”. Tek Mhilli i Vlashajve, Aradi ka vrarë dy. Tek fisi i Shllakut janë vrarë dy, e kanë vrarë dy. Në Temal është vrarë dikush në përcjelljen e Bardhës (pranë shtëpisë së saj në Shkodër). Ndryshe nga Pashko Vasa, Kadareja bën “zhveshjen e popullsisë nga çdo ndjenjë njerëzore” dhe vetëm veshjen e gjakmarrjes dhe derisa arrin aty sa t’i krahasojë me trungje. Kjo vërtetë e ka bërë romanin më goditës, por bashkë me goditjen e fenomenit u godit rëndë edhe popullsia. Pashko Vasa qartësisht ka moral tjetër.
Pashko Vasa dhe Koliqi e kanë shqetësim të vetin gjakmarrjen.
Ndërsa Kadareja e ka shqetësim të propagandës jo të vetin ose më mirë të themi se më përpara sesa Kadareja ishte Enver Hoxha dhe PPSH-ja. Pashko Vasa dhe Koliqi janë më përpara se sa shteti shqiptar në këtë punë (në kohën e Pashko Vasës as nuk kishte shtet shqiptar), ndërsa Kadareja është në bisht të shtetit komunist, por mpreh “tehun e kritikës” si kofini pas të vjeli. U provua që luftën nuk e bënte Kadareja, por ishte vetë natyra e shtetit komunist që si çdo diktaturë kudo në botë i bënte punët më shpejt.
Pashko Vasës dhe Koliqit u vjen keq për personazhet e veprave të veta që e pësojnë nga dukuria e gjakmarrjes. Kadareja është “i pamëshirshëm” dhe tepër i ftohtë me personazhet e veta. Kjo vjen sepse ai e di që gjykimin duhet t’ia lërë partisë dhe jo të bëjë gjykimet e veta. Ai i përcëllon me “Prillin e thyer” me nëntekstin “pa shpresë”. Të dy të parët Pashko Vasa dhe Koliqi japin kontekstin real të dukurisë dhe qartësisht mbajnë qëndrim kundër gjakmarrjes.

Kadare, Koliqi, Pashko Vasa
Kadare, Koliqi, Pashko Vasa

Është paradoksale që Kadare kujton me ironi (si reflektim të Mark Ukaçjerrës) se gjakmarrja ka qenë më e ulët në 1878, 1879, kur në këtë kohë pikërisht Pashko Vasa ishte në udhëheqje të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kadareja merr nga “Bardha e Temalit” çfarë t’i pëlqejë dhe me nënkuptim por edhe me ndikim të drejtpërdrejtë anomizon dhe vonon letërsinë dhe rëndësinë e veprës së Pashko Vasës. Duhet analizë shtesë se në çfarë mënyre rëndia e “Prillit të thyer” merr më shumë vëmendje se “Bardha e Temalit” e Pashko Vasës apo “Hija e maleve” e Koliqit.
Si Pashko Vasa si Ernest Koliqi shkruajnë me shqetësimin e mësuesit të popullit, pra janë të vetëm para lexuesit. Ndërsa Kadareja shkruan mbi bazën e plandetyrës që vendosur nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve detyrë që e konceptonte vetë në mënyrë kreative. Kadareja kishte njohurinë e fuqishme mbi ndikimin e propagandës dhe ai do ta shfrytëzonte në maksimum aftësinë e vet për t’u botuar në qindra mijë kopje nga PPSH-ja. Këtë do ta bënte duke e bindur PPSH-në që romani do të realizonte shumë objektiva: duke zbatuar luftën e klasave, duke luftuar fenë, duke bërë luftën ndaj së shkuarës së paaftë, por edhe duke vënë në një mënyrë nën presion psikologjik veriun.
Kadareja e koncepton veten si të parin që shkruan kundër Gjakmarrjes. Në fakt është një paraqitje tepër e devijuar. Pashko Vasa e ka në qendër të veprës së vet luftën ndaj gjakmarrjes (Shqiptarë, me vllazën jeni tuj u vra, në një qind çeta jeni shpërnda…)
Hija e maleve (1929), novela “Gjaku” nga Ernest Koliqi dhe “Prilli i thyer” i Kadaresë
Ndërkohë tek novelat “Hija e maleve” (1829) Koliqi ka një novelë “Gjaku” që bën reflektimin e duhur mbi gjakmarrjen. Koliqi ve në qendër të novelës Dodën që vjen nga malësia në Shkodër, që ka kryer shkëlqyeshëm shkollat dhe është punësuar mësues filloreje diku në fshat. Ai është fejuar me Nushin dhe i thotë asaj dëshirat e veta që ai të ndikojë psikologjinë shqiptare përmes botimit të letërsisë dhe në mënyrë të veçantë të trajtojë “shpagimin” dhe “besën”, vesin dhe virtytin dhe të gjejë mënyrën se si pa u zhveshur nga zakonet e mira ata të luftojnë me zakonet e këqia. Në këtë gjë, ai ka mbështetjen dhe frymëzimin e kulturës që ka marrë jashtë vendit. Në këto e sipër, pikërisht Dodës i vritet vëlla Zeka dhe ai vihet nën trysninë e familjes për të marrë gjakun e të vëllait. Pjesë e trysninë bëhet me pak fjalë e gjithë shoqëria (katundi, shteti, me evazivitetin e saj edhe Kisha, njerëzit e nuses (Drandja). Megjithëse ai nuk donte, ose donte të zgjidhte një rrugë që ishte sipas pikëpamjes së tij, më në fund dorëzohet dhe, kur e lajmërojnë që hasmi ka ardhur në Shkodër, merr një revolver dhe e vret hasmin. Por ndryshe nga çfarë të tjerët bëjnë, në të tillë rast, ai dorëzohet në xhandarmëri dhe aty thotë që dua të marr dënimin dhe të them se jeni pikërisht ju autoritetet që jeni përgjegjëses.
Citoj fjalët e Dodës: “Kam mujtë me ik e… U dorzova pse due me pasë ndëshkimin për faj qi kam ba e për me diftue para gjyqit se fajtorë ma të mëdhaj në kët vrasë, jeni ju, autoritetet!”
Koliqi ka reflektime të jashtëzakonshme për plagën e gjakmarrjes dhe të gjitha i ka mjaft metodike dhe edukative. Unë po i citoj:
(Doda) “A ka send mâ të mrekullueshëm në kët botë se me i sjellë qytetnimin nji kombi zhytë n’errsin e padijes?” “Ai qi kalon nëpër popull tue hjedhë farën për nji jetë mâ të mirë, ai qi e ndriçon me nji dritë mâ të bukur tokën qi na ushqen, ai qi bân me ngadhnjye agimet në muzgun e pacaktuem të shpirtnave; shkurt: kush i difton popullit nji udhë të re qytetnije të vërtetë, â i denjë me qênë i nderuem si gjymsë perendije.” “Tashti e kupton vetë misjonin e madhnueshëm qi duhet të kryej çdo Shqiptar i kulturuem përgjithsisht e, në mënyrë të veçantë, nji mësues si un.” (Doda të shoqes Nushë) “Ndigjo nji gjâ të çuditeshme. Baras me dashuni ka ardhë tue m’u shtue edhe deshiri me qenë dikush, me ba diça për kët Shqipnin t’onë.” (Doda për misionin e vet si mësues) “A e zên besë qi më përqethet shtati në nji mënyrë të çuditëshme kur shof në klasë para meje tridhet kalamâj qi, pa bâ zâ, rrijnë e ndëgjojnë fjalën t’eme? E shumta e tyne vijnë prej maleve e janë djelm krenësh e bajraktarësh. E kanë shpirtin virgjën. Më shkon mendja, shpesh, tu bora e pashkelun mbi të cillën inâ e vogla gjurmë lên shêjin e vet. Thom me vete: “Kurrgjâ s’dijnë: presin prej meje zhvillimin e sendeve mâ elementare të jetës”. E tue pa syt e tyne të gjallë qi hapen në mue, plot kureshtë, ku më duket se dalloj edhe kureshtën e pashueme t’etënve, të gjyshave e të stërgjyshave qi nuk dijtën ç’â shkolla, më kapin të dridhunat. Âsht përgjegjsi e madhe, pasha Zotin. A po jo?” (Doda) “Âsht përgjegjsi e rreptë. A bâjmë mirë na qi i ushqejmë ata kalamâj me ide të marruna pà shqyrtim nga okcidenti? Due me thânë: a âsht e arsyeshme t’u napim mësim si t’ishin djelm Evrope? Âsht e para herë qi gjaku i tyne, mbas qinda e qinda vjeç, po vjen në përpjekje me kulturë. A ka me mujtë me u hy për palcë shpirti i ksaj kulture? A por njohtunitë e ndryshme kanë me i veshë me nji lustër të sypërfaqshëm, me nji lëvore të ligësht qi bjen me të parën rasë? Ndoshta kështu rrisiin nji brez të rijsh gjymsakë të cillve kultura u shlyen ndiesitë e freskëta primitive tue u lânë, në vênd të tyne, nji ndërgjegje të ndriçueme për gjymsë, pezull ndër parime të panguluna…” (E shoqja Nushë nga Shkodra) “Po, atëherë, a me i lânë në trashamaninë e tyne a? Vetëm kultura i bân njerëz. Edhe ti…” (vijon) “Edhe ti djalë malesh je. Asnji prej gjindve të tú, atje në Malsi, s’din me këndue e me shkrue. Ti je mâ i pari i fisit tând qi kapë libra e pêndë me dorë. Por… ke pak qytetas qi mund të krahasohen me ty. Edhe ata kalamâj, pra, qi po thue, mund të qytetnohen si ti. Ti je shembull i gjallë për ta e për kê ushqen ksi dyshimesh.” (Doda) “Kush e di? Ndoshta na qi jemi ulë prej malesh e kemi bâ shkollët rregullisht, mâ parë në vend e mandej përjashta, s’jemi krejt si tjerët. Diça na mungon… ase diça kemi mâ tepër…” (Doda) “Mos mêndo se un jam kundra kulturës okcidentale: asnjifije; jam vetëm kundra disa parimeve të saj qi na pranojmë pa kontroll e qi, më duket, ligshtojnë cilsitë origjinale të rracës shqiptare. Un jam i mêndimit qi, ndër shkolla fillore nemose, duhet të marrim parasysh prirjet e mira e të këqija qi ç’do kalamâ shqiptar ka trashigue, bashkë me gjak, prej të parve. Mbi to duhet të punojmë, tue u përpjekë me shrranjosë të këqijat e me drejtue përdorimin e të mirave kah nji qëllim njerzuer.”
(Doda) “Çdo kalamâ shqiptar, në shpirtin e njomë të tij, ndër sa tjera, ushqen dy ndiesi qi janë karakteristike në gjith popullin t’onë: ndiesin e shpagimit edhe atë të besës.” (fq. 27)
(Doda) “Pardje, në të parin pushim, ndërmjet dy lekcjoneve, shof dy nxânsa qi kapen fytafyt në nji kând t’oborrit. Ngas, i daj e i pyes. Njâni thotë: “Më ka rá shputë, zotní”. Sillem prej tjetrit: “Po ti pse i ke rá ?”. “Kam marrë uhán t’eme: ai ma i pari m’a ka hjekë nji partinë!”. “Po, zotní, – ia pret i pari – e vërtetë, por kanë kalue tri javë prej asaj dite e un e kam pasë harrue, bile, krejt…” Nejse… mbasi i pyeta të dy mirë e mirë, nxora këtë prej tyne: i kishte rá flakaresh njáni tjetrit; i fyemi s’kish mujte ta lajë aty për aty koren, sepse nji shok i tretë má i madh e kishte marrë fyesin në besë. Por at ditë ai i madhi, bestari, kishte ndjehë i smuet e kishte ndëjë rát, kështu qi i fyemi kishte gjuejtë rasën me shpague shputën qi hangri.” (E shoqja i thotë): “Shqiptari asht dreq: s’e harron kurrë të fyemen” (Doda më tutje tregon se ai që kishte dhënë besën dhe ishte sëmurë ishte ndjerë keq nga kjo ngjarje. Kishte bërë be që sapo të shkonte, do ta mbyste së rrahuri atë që i kishte pre mikun në besë.) E shoqja (Nushë) “Mbet i koritun me ndejë pa ba gja. – tha vajza, – Shqiptarish e ka arsye edhe ai…” (I shoqi (Doda) ia thekson se as shkolla e murgeshave nuk ta paska ndërruar mentalitetin. “Edhe ti, Nushë?! Shkollët qi ke mbarue ndër Murgesha s’ta paskan qortue aspak at mentalitet?! Vajza përgjegji pak e sticueme: “Pyet kë të duesh: të gjithë kanë me të thanë kështu…” (fq. 28) “Nejse… – bani Doda e vazhdoi: – N’incidentin e nxansavet na shofim një ves e një virtyt. Të parin që a ndiesija e shpagimit, prirja e gjakmarrjes, duhet ta shrranjosim prej shpirtit të kalamajve, pse damton kombin e po faron fiset malsore. Duhet qysh në vogjli t’ua mbushim menden, t’ua ngulim në zemër se a një turp, një barbarizëm. Kaq sa qi… (vijon) për me kallzue prapsinë t’onë, të huejt e qesin gjakmarrjen si provë kryesore.” (vijon) “Prirjen e gjakmarrjes duhet m’e bà të zhduket prej shpirtnave të njomë, më sa qi ato të besës, të burrnis, të mikpritjes etj. lypet me i forcue tue u dhànë nji drejtim të mbarë, sepse shpesh edhe këto cilsi të mira Shqiptari i vën në shërbim të nji qëllimi të mbrapësht.”
Vajza pyeti: – Qa do me bà ti për me i a shkulë rrànjët të parave e me zhdrivillue të dytat? – Ça bàn mà tepër përshtypje në trutë e njoma të foshnjevet, në vjetët e para të shkollës? Libri i leximit; asë? Pra un kam qitë cekën me përpilue nji libër leximi, pesë vëllimesh – aqë sa janë klasët e shkollës fillore, – ku metodikisht, me tregime të gjalla, do t’orvatem të zhvilloj nji ideal jete vërtet shqiptare, bazue mbi prirje të mira qi trashiguem nga të parët. Natyrisht aty prirjet e këqija do t’i stigmatizoj në nji mënyrë qi të mbesë e pashlyeshme në trùt e…
Ernest Koliqi e ka vërtet shqetësim qytetar të vetin gjakmarrjen dhe qëllimisht ka bërë qendër mësuesin dhe përmes mësuesit shkollën dhe sistemin edukativ. Ernest Koliqi qartësisht e gjen përgjegjësinë edhe tek shteti, që në vitin 1929. Në këtë kuptim, Ernest Koliqi nuk mund të bëjë asgjë më shumë sesa të drejtojë gishtin nga Sistemi Edukativ dhe Sistemi i Drejtësisë. Në sistemin edukativ ai përfshin “librat e letërsisë” që e dimë që janë gjaku i programeve mësimore që janë “program shtetëror” por janë edhe punë konkrete me familjet e fiset shqiptare.
Sami Frashëri, Pashko Vasa, Ernest Koliqi
Tek Ernest Koliqi shpaloset plotësisht shqetësimi dhe reflektimi mbi një problem që Sami Frashëri do ta thoshte kështu: “Opinioni publik edhe pse në pamje të parë mund të duket i dobët është në gjendje të shkatërrojë çdo forcë materiale”. Në fund të fundit, mësuesi Dodë megjithëse i drejtë e i arsyeshëm në reflektimet e veta, udhëheqës për opinonin “e ardhshëm” publik, bie viktimë e opinionit publik që e kërkonte medeomos “gjakmarrjen”. Vrit i thoshte familja, vrit i thoshte katundi, prifti që duhej të ishte me të ishte evaziv, por qartësisht jo mbështetës, e vjehrra…. me nënkuptim edhe stafi i shkollës. Pra, Ernest Koliqi qartësisht i ka shërbyer luftës ndaj gjakmarrjes.
Pashko Vasa jep disa herë “kuvendet e parësisë” që ose japin gjykime të drejta, ose japin gjykime të padrejta, por sidoqoftë janë “pleqësi” krahinash që mbrojnë zakonet e tyre. Tipik është djegia e shtëpisë së Jak Kolës apo vendimi i bajraktarit Lulit për të bërë luftë vëllavrasëse me banorët e Pejës, pavarësisht se atë Radovani e këshillon ndryshe. Pra, Pashko Vasa nuk kursehet as ndaj bajraktarëve, nëse drejtësia e do ashtu.
Kadareja e bën këtë, por në mënyrë të tillë që “rrufeja mbi krahinën të bjerë nga klasa sunduese”, pra orë e çast në shërbim të propagandës.
Zemërimi i të atit të Dodës së Koliqit dhe Zemërimi i të atit të Gjorgut të Kadaresë
Është krejt e qartë se Koliqi ka bërë një paraqitje me vërtetësi, besueshmëri dhe origjinalitet që buron nga vetë përkatësia ndaj komunitetitit të veriut dhe sidomos pjesës katolike kur paraqet mërzitjen dhe arsyetimin e të atit të Dodës dhe reflektimet e tij aq origjinale kulturore dhe zakonore. Kadareja thjesht paraqet ftohtësinë detyruese të të atit të Gjorgut. Kadareja duket i sigurt, por në të vërtetë sigurinë ia jep Koliqi dhe jo vetja. (Kadare, fq. 215: “Ti po vonon shumë Gjorg – vazhdoi i ati. – nderi ynë, por sidomos i yti…” “Je i lirë të mbash burrërinë tënde, je i lirë të zhburrërohesh”) Tek Pashko Vasa afërsisht të njëjtën gjë e dëgjojmë tek arsyetimi i të ëmës së vajzës që pi helmin. Vini re Pashko Vasën (Bardha e Temalit): “Në atë shishe të vogël aty mbi tryezë të pret vdekja me nder; jashtë kësaj dere, – dhe ia tregoi me gisht, – të pret jeta, por me turp dhe me çnderim. Zgjidh vetë, bija ime e dashur!…”

Kisha dhe prifti tek Koliqi dhe Kisha, prifti e murgeshat tek Kadareja
Koliqi pasqyron një bisedë të mësuesit Dodë që për të zgjidhur dilemat morale të veta në çështjen e gjakmarrjes bisedon me Dom Shjefnin. Mendja na thotë që ky duhet të jetë referim (qoftë dhe letrar) ndaj Shtjefën Gjeçovi që mblodhi Kanunin e Lekë Dukagjinit. Qartësisht Koliqi është kritik ndaj evazivitetit të gjuhës që përdor Dom Shtjefni, duke e parë këtë kritikë nga pikëpamja e mësuesit Dodë. Ciladoqoftë qasja, debati duket i vërtetë, pra autori paraqet këndvështrimet reale të një kohe dhe që të dyja palët prej fërkimit të ideve synojnë të gjejnë çfarë vlen.
Kadareja në këndvështrimin e kohës (të PPSH-së) qartësisht është goditës ndaj priftit, kishës, murgeshave.
Kadare, fq. 218, “Prili i thyer”: “Atëherë prifti që ndodhej atje, si ndërmjetësi kryesor i pajtimit, bëri një shenjë me dorë “Atëherë gjaku vazhdon”, tha ai”. Qartësisht propagandë.
Edhe në këndvështrim të kuvendit të murgeshave Koliqi ka ndonjë shpoti, por në sensin e diskutimit të Nushit të shoqes të mësues Dodës. Ky i thotë “Edhe ti, Nushë?! Shkollët qi ke mbarue ndër Mungesha s’t’a paskan qortue aspak at mentalitet?!” Kurse Kadareja e trash më shumë duke kujtuar vetëm thashetheme se ndërmjet priftërinjve të rinj dhe murgeshave ka marrëdhënie. Më tutje thekson “prifti s’bie në gjak”, me synimin e përkeqësimit të marrëdhënieve me Kishën. Në fakt, Kanuni thotë se prifti s’bie në gjak, por njerëzit e familjes së tij bien, po kështu edhe për parësinë. Pra, ka edhe devijime të së vërtetës.
Kadareja ka nevojë për fjalor, informacion (doke, zakone) dhe shtrime ideore dhe këto qartësisht ia siguron Pashko Vasa dhe Ernest Koliqi. Pasi krijon veprën e vet dikush kujdeset që romanet e Kadaresë (1977, 1978) të dalin në qarkullim pak më parë se të prodhohet interesi prej monografive për Pashko Vasën (1979) dhe Naim Frashërin (1982).
Kadareja nuk e ka problem të informohet e të shtojë më shumë duke u nisur pastaj edhe nga Kanuni i At Shtjefën Gjeçovit, as të krijojë realisht një subjekt të vetin, por pa këtë material të Pashko Vasës dhe Koliqit ai nuk mundet të ndërtonte dot një vepër nga e para.
Lekë Binaku i Koliqit dhe Ali Binaku i Kadaresë
Në krijimin e emrave përsëri Kadareja duket që ka frikë t’i largohet atyre që e njohin më mirë situatën. Koliqi ka një personazh “Lekë Binaku” tek “Hija e Maleve”. Kadareja ndërton emrin “Ali Binaku” për një personazh të vetin tek “Prilli i thyer”.
Mbiemri Kryeqyqja i Kadaresë dhe Marku i Dodës së Ernest Koliqit
Mësuesit Dodë i vjen Marku t’ia kujtojë gjakun e të vëllait dhe është po Marku që i kujton se hasmi i tij ka ardhur në Shkodër. Është Marku që i kujton Dodës se nëse nuk e merr dot gjakun, të paguajë dikë tjetër (ndoshta atë vetë) pesëdhjetë napolonë që ta bëjë vrasjen. Doda është në kontraditë me Markun.
Kadareja për të ndërtuar një marrëdhënie me veprën e Koliqit, një personazhi negativ që menaxhon gjaqet për llogari të kullës së Oroshit ia vë emrin Mark Ukaçjerra (Çjerrja që vjen nga riti i mortit të burrave) dhe një fisi hasëm me Berishajt ia vë emrin Kryeqyqja dhe është pikërisht mbiemri që zbulon lidhjen me novelën “Gjaku” nga Hija e Maleve e Ernest Koliqit, sepse koncetimi i mbiemri “rri mbi krye si qyqe” qartësisht niset nga një situatë reale e Koliqit, por Kadareja e përdor për qëllimet e veta përgjithësuese dhe aty ku do ai.
Koliqi më 17 maj, Kadareja nga 17 marsi në 17 prill
Vrasjen e vet mësues Doda e bën më 17 maj duke dalë nga dera e shkollës. Kadareja përdor përsëri 17, por nga 17 marsi në 17 prill.
Kadare ndërkohë në “Prilli i thyer” e përshkruan klasën intelektuale si të dashuruar pas këtyre zakoneve dhe kur ka një zë kundërshtues “të mekur” sa për të thënë e vë në gojën e një mjeku që ishte i punësuar nga njerëzit që merreshin me llogaritë e gjaqeve dhe i degraduar në profesion. Pra synimi i vërtetë i Kadaresë nuk është aq plaga e gjaqeve, sesa të godasë me të aty ku ai dëshiron.
Besoj që ky artikull do të përmirësohet edhe më shumë, por konstrukti kryesor ky është.

19 January 2025

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.