back to top
9.5 C
Tirana
E hënë, 15 Dhjetor, 2025

Monumenti i Pavarësisë ka nevojë të pasurohet – nga Thanas L. Gjika

Gazeta

Monumenti Pavarsisë në Vlorë
Monumenti Pavarsisë në Vlorë
Monumenti i Pavarësisë ka nevojë të pasurohet
nga Thanas L. Gjika

Sa herë vjen 28 Nëntori, më vjen në mendje “Monumenti i Pavarësisë” vendosur në Vlorë te Sheshi i Flamurit. Vepër e rëndësishme, e cila përgjithëson artistikisht përpjekjet e popullit tonë për pavarësi. Mirëpo, pikërisht përgjithësimi artistik i përpjekjeve të popullit tonë për lirinë kombëtare nga zgjedha osmane, le për të dëshiruar. Guxoj ta them këtë sepse ajo luftë ka pasur diapazon shumë më të gjerë sesa përfaqësojnë grupi i katër burrave me pushkë, që përfaqësojnë luftëtarët e lirisë gegë e toskë dhe grupi i dy burrave me mjekra e mustaqe, që simbolizojnë Ismail Qemalin e Naim Frashërin.
Aty mungon përfaqësuesi i klerikëve, të cilët përhapën arsimin shqip në kisha, xhami e teqe; mungon përfaqësuesi i gazetarit, pra figura e atyre rilindasve që përpunuan mendimin politiko-shoqëror shqiptar dhe ideologjinë kombëtare (Sami Frashëri, Faik Konica, etj); mungon përfaqësuesja e trimëreshave shqiptare, të cilat luftuan krahas burrave dhe dhanë jetën në luftrat kundër pushtuesve osmanë (Princesha Argjiro në shek. e XV-të, Nora e Kelmendit në shek. e XVII, burnesha Tringa Smajli e Grudës në shek. e XX-të, etj); mungon figura e femrës që ia kushtoi jetën shkollimit dhe emancipimit të rinisë shqiptare (motrat mësuese Sevasti e Parashqevi Qiriazi në shek. e XIX-të e XX-të dhe nxënëset e tyre që u bënë mësuese).
Pra, ky monument i krijuar gjatë kohës së diktaturës komuniste, si shumica e veprave artistike të atyre viteve, manifeston kufizimet ideore të kohës, kur Tringa Smajli e Grudës, që kishte luftuar me armë kundër pushtuesve turq e pushtuesve të rinj serbo-malazezë, nuk duhej përmendur se u prishej qejfi vëllezërve jugosllavë. Kur shahej e denigrohej Faik Konica, sepse e kishte shpallur që më 1923, komunizmin si regjim të pavlefshëm për Shqipërinë. Kur luftohej feja dhe klerikët dhe më i talentuari midis tyre, Atë Gjergj Fishta, përbuzej sepse e kishte luftuar me talentin e tij poetik shovinizmin serbomadh. Kur Sevasti Qiriazi Dakos pushteti komunist i arrestoi të dy djemtë, me akuzë të rreme se ishin agjentë të të huajve (më i moshuari, kirurgu i talentuar Gjergji Dako, vdiq nga torturat në hetuesi), etj.
Thjesht e shkurt, “Monumenti i Pavarësisë” për rëndësinë që ka si vepër monumentale që pasqyron luftën e popullit tonë për liri kombëtare, ka nevojë të pasurohet dhe me disa figura të reja, sepse kështu si është e pasqyron shumë të thjeshtëzuar e të cunguar Lëvizjen Kombëtare që shpuri te shpallja e pavarësisë më 28 Nëntor 1912. Prandaj sugjeroj që t’i shtohen këtij monumenti dhe disa figura që të na kujtojnë burrneshën Tringa Smajlin e Grudës, për të cilën ekziston dhe fotografia e Marubit, të na kujtojnë poetin e dytë kombëtar, klerikun Atë Gjergj Fishta, dhe ideologun Faik Konica, si dhe mësusen Sevasti Qiriazi Dako…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.