back to top
21 C
Tirana
E hënë, 7 Tetor, 2024

“Moby Dick” – nga Avis Gjyshja

Gazeta

Avis Gjyshja në Tagish Lake - Skagway 2017
Avis Gjyshja në Tagish Lake – Skagway 2017
“Moby Dick”
nga Avis Gjyshja

Ishte një kohë, në Palermon e rinisë time, kur netëve, unë oficeri i nëndetëseve, kishja frikë të shkoja në buzë të detit. Përveç frikës irracionale që vinte nga errësira dhe ujrat e thella, atë kohë mua më kishin terrorizuar dhe historitë reale të ca vrasjeve makabre që kishin ndodhur në ato brigje. Pak para se ne të instaloheshim atje, një vrasës serial, ish efektiv i trupave xhenjere që punonin për hapjen e tunelit të nëndetëseve, vriste dhe hidhte në ato humnera të zeza ujrash, viktimat e tij. Dhe si për ta bërë edhe më të rëndë këtë lloj frike, afërsisht po në atë kohë, mua më kish ndodhur që në një stacion televiziv të huaj, të shihja një film me titull: “Orka – balena vrasëse”, ngjarjet horror të të cilit, fillonin në një natë të errët e në një gji deti, pothuaj të njëjtë me atë të Palermos tonë të asaj kohe.
Ndërsa nga Pasha Limani, të cilin ne e kishim lënë për të ardhur në Palermo, mbaja mend një natë vjeshte kur unë isha me shërbim dhe ca klithma të panjohura terrorizuan të gjallë e të vdekur në atë fund gjiri. Të nesërmen doli se ato kishin qenë klithmat e ca lloj fokave mesdhetare, të cilat një zot e di përse kishin dalë e klithnin në ujrat e cekta përballë kodërzës ku gjendej varri i pashait plak…
E megjithëse të gjitha këto i përkasin kohës së largët të rinisë së ikur, mua më bëhet sikur akoma edhe sot e kësaj dite, shoh larg në horizont, siluetat e vagullta e të hirta të peshkarexhave të vogla e të drujta të asaj kohe dhe ndjej se në shumë mënyra, këto pjesëza të jetës time, ndërthuren edhe me mbresat e një historie tjetër, të largët, të vërtetë e gati të pabesueshme, e cila frymëzoi edhe shkrimtarin Herman Melville që të shkruante novelën “Mobi Dik”.
Shumë nga ne e kanë lexuar librin e tij dhe të tjerë kanë parë dhe filmat me të njëjtin titull, por ajo që më ka habitur mua dhe që u bë shkak i këtij shkrimi, është se Melville, për arsye që nuk i ka sqaruar, ka lënë pa treguar pjesën më të rëndësishme e më dramatike të njërës prej dy historive reale që frymëzuan librin e tij.
Sipas atyre që ka shkruar vetë Melville, ai e mori shtysën nga dy ngjarje të përafërta që lidheshin me gjuetinë e balenave.
E para ishte mbytja e balenierës “Essex”, e cila ndodhi më 20 Nëntor 1820, diku larg, në Paqësorin e Jugut, pasi u sulmua dhe u shkatërrua nga një balenë e bardhë monstër, e quajtur Mobi Dik, e cila i dha dhe emrin novelës së tij.
Dhe e dyta po njëlloj, qe një histori balene, e cila qe vrarë aty nga fundi i vitit 1830, në ujërat afër ishullit kilian Moka, emri i të cilit, kish bërë që atë balenë ta thërrisnin me emrin Moka Dik. Në ato që tregohen, thuhet se të dyja këto balena, të shtyra kushedi se nga çfarë lloj instiktesh hakmarrëse e mistike, ndiqnin dhe sulmonin anijet e gjuetarëve të balenave. Mbase është edhe trillim, por thuhet, se kur u vra Moka Dik, gjuetarët u pataksën kur gjetën në trupin e saj rreth njëzet apo më shumë harpunë të ngulur aty gjatë betejave të shkuara të saj me gjuetarët e balenave…

Moby Dick - Romani Herman Melville
Moby Dick – Romani Herman Melville

…Në korrik të vitit 1852, pak kohë pas botimit të novelës “Mobi Dik”, Herman Melville, hipi në një avullore dhe shkoi për një vizitë në ishullin Nëntaket, rreth 30 milje detare në jug të Kepit Kad, në ujrat përballë Bostonit, një vend ky, historikisht i njohur për lidhjet e tij me gjuetinë e balenave dhe përpunimin e vajit të tyre. Në novelën e tij, ai e kish përshkruar këtë ishull si vendin ku jetonte kapiteni i tmerrshëm Ahab ndërsa portin e tij, si pika prej ku doli në det baleniera imagjinare “Pequod”.
Ndërsa për mua ato ujra dhe ai ishull, ishin si ca “të njohur të vjetër”, me të cilët isha “prezantuar” që në Pasha Limanin e vitit 1981, kur kishja lexuar një material tronditës për katastrofën e nëndetëses bërthamore amerikane “Thresher”, katastrofë e cila kishte ndodhur diku pak më në lindje të Kepit Kad.
Shumë nga shënimet e Melville kanë kohë që kanë humbur, por midis të ngelurave janë edhe ato që tregojnë se në atë ishull, ai takoi një njeri të vetmuar e të mbyllur në vetvete, i cili shtynte pleqërinë duke punuar si roje nate në portin aty pranë.
Kish kohë që njerëzit pothuaj e kishin harruar se ai plak ishte Xhorxh Pallërd, ish kapiteni i balenierës “Essex”, e cila qe sulmuar dhe mbytur nga një balenë e bardhë, ngjarje kjo që do të shënonte fillimin e njërës prej historive reale më rrënqethëse e më të pabesueshme të tragjedive të detit.
Pallërd dhe Melville nuk kishin pasur rast të takoheshin ndonjëherë më parë, por Melville, kishte pas lexuar kujtimet e Ouen Çeis, ish Oficer i Parë i “Essex”, të titulluara “Narrative of the Most Extraordinary and Distressing Shipwreck of the Whale-Ship Essex” dhe mbi bazën e tyre e kishte përdorur figurën e Pallwrd, si modelin mbi të cilin kish ndërtuar karakterin e kapitenit Ahab, personazhit kryesor të romanit “Mobi Dik”. Duke qenë i mirë informuar nga kujtimet e Ouen Çeis, Melville i dinte mirë vuajtjet e pa imagjinueshme të të mbijetuarëve të balenierës “Essex” dhe megjithëse ato ja u kalonin pafundësisht atyre të Odisesë së Homerit, në librin e tij “Mobi Dik”, ai nuk i përmend fare. Unë nuk e di arsyen, por mendja ma thotë, se ndoshta, nga që ato që kishin ndodhur ishin aq të jashtëzakonshme, ai pati frikë se ato mund të dukeshin si jo të besueshme për lexuesit e tij. Megjithatë, sipas kujtimeve të tij, ne sot dimë se kur ai e pyeti Pallërd për këtë pjesë të jashtëzakonshme historie, ky i fundit gati ju lut që të mos e shtynte të kthehej mbrapsh në atë botë kujtimesh të errëta e të tmerrshme të jetës së tij.
Pas këtij takimi, Melville, do të shkruante se “ndryshe nga banorët e ishullit që mendonin se ai plak i panjohur e i heshtur, ishte një njeri fare i rëndomtë, ai mendonte se Pallërd ishte më mbresëlënësi, më i thjeshti e më i përuluri, midis gjithë njerëzve që ai kishte njohur për gjatë gjithë jetës së tij”.
Ky vlerësim i tij, ruhet edhe sot i ekspozuar në Muzeumin e Gjuetisë së Balenave në Nëntaket.
………………….
-Por cili qe në të vërtetë Pallërd dhe cila qe historia që e tmerronte e që ai mundohej ta mbante larg kujtesës së tij?!
…Kjo histori, fillonte në vitin 1819, plot 33 vjet para takimit të tij me Melville, kohë kur pronarët e balenierës “Essex”, e emëruan Pallërd, si kapiten të saj.
-Vetë “Essex” ishte një anije e prodhuar në vitin 1799, dhe që ishte riparuar e bërë pothuajse e re, pak kohë para se të vihej nën komandën e Pallërd. E megjithëse me tre direkë, 27 metra gjatësi, 21 veta ekuipazh, rreth 239 ton peshë, me katër varka balenash që shkonin nga 6 deri në 9 metro gjatësi, plus një të pestë rezervë poshtë kuvertës, me vela, mjete ndihmëse etj, përsëri ajo konsiderohej një anije e vogël për gjuetinë e balenave.
Sipas planit, “Essex” do të nisej për gjueti në ujrat e jugut të planetit, një lundrim ky që nga nisja deri në kthim, zgjaste zakonisht dy e gjysëm deri në tre vite kohë. Ndër anëtarët e rëndësishëm të ekuipazhit ishin edhe Ouen Çeis, i cili bënte detyrën e Oficerit të Parë si dhe Mateo Xhoi në detyrën e Oficerit të Dytë. Në ekuipazh u përfshi dhe shtatëmbëdhjetë vjeçari Ouen Kafin, djali i Nensi Banker Kofin, tezes së Pallërd, e cila ja besoi kujdesin dhe mbrojtjen e tij, nipit të saj, Pallërdit. Ndërsa më i riu nga të gjithë në ekuipazh, ishte Tomas Nikersan, një 14 vjeçar, i cili u punësua si “djalë kabine” siç quheshin në ato kohëra djemtë e vegjël që punësoheshin për t’ju shërbyer kapitenëve të anijeve e që edhe pastronin apo bënin ndonjë punë tjetër të vogël vërdallë nëpër anije.
Më 12 Gusht 1819, baleniera doli nga porti i Nëntaket dhe më 14 gusht 1819, vetëm dy ditë pas nisjes, një stuhi e beftë në Atllantik, i shkatërroi velën kryesore dhe e la anijen me vetëm tre varka për gjueti balenash. Me “Essex” të dëmtuar dhe dy varka të humbura, Pallërd deklaroi se dëmi ishte i madh dhe mendoi se ata duhej të ktheheshin në Nëntaket për riparime. Por Çeis dhe Xhoi, duke qenë supersticiozë, e konsideruan kthimin mbas si shenjë të fatit të keq dhe kështu që e bindën Pallërd që të shkonin përpara drejt ishujve Azore me shpresë se atje do të mund të riparonin dëmet dhe do të zëvendësonin edhe dy varkat e humbura të balenave. Megjithëse ekuipazhi filloi të kërkonte për balena që ditën e parë kur dolën në ujra te hapura, balenën e parë ata e panë dhe e vranë vetëm pas dy muajsh, gjë kjo që ndodhi diku në ujrat në jug të Rio de Zhaneiros.
Në janar të vitit 1820, “Essex” kaloi Kepin Horn dhe hyri në Paqësorin Jugor. Për një kohë të gjatë, pavarësisht përpjekjeve të ekuipazhit, gjuetia vazhdoi të ishte zhgënjyese gjë kjo që ndryshoi për mirë vetëm kur anija arriti në ujërat e Perusë, ku ata gjetën dhe vranë diçka më shumë se 10 balena. Kohë më parë, një kapiten spanjoll, ju kish treguar njerëzve të “Essex”, se rreth 2000 milje larg në veri – perëndim të Kepit Horn, ishte një zonë që kishte shumë balena, por spanjolli edhe i kishte paralajmëruar që të bënin kujdes sepse atje gjendej dhe një balenë e madhe e bardhë e shumë agresive, e cila kishte sulmuar dhe shkatërruar anijen e tij, duke vrarë edhe gjashtë nga njerëzit e tij të ekuipazhit. Por historia e balenës së bardhë, ju duk njerëzve të “Essex” si një përrallë nga ato që tregoheshin rëndom nga gjuetarët e balenave dhe me shpresën e një gjuetie më të mirë vendosën që të merrnin rrugën e gjatë për në zonat e largëta të ujrave të Paqësorit. Në përgatitje për këtë lundrim, në shtator të vitit 1820, “Essex” u ndal në Atakames të Ekuadorit, ku mori furnizime dhe bëri edhe ca riparime të vogla, por ku u përball edhe me një ngjarje të papëlqyer pasi një nga anëtarët e ekuipazhit i quajtur Henri Djuit, u arratis. Edhe pse me një njeri mangut, anija vazhdoi rrugën dhe qëndrimi tjetër qe në ishullin Hud të Galapagos, ku përveç se riparuan një rrjedhje në kallumën e anijes, kapën e morën për ushqim edhe ca breshka të mëdha që jetonin në ujrat e atij ishulli. Nga fundi i tetorit të atij viti anija arriti në ishullin Çarles ku qëndruan përsëri dhe shtuan në rezervën ushqimore edhe ca breshka të tjera të llojit Floreana. Prej këtu u detyruan që të largoheshin me urgjencë për arsye të një zjarri, i cili pasi i doli nga kontrolli njërit prej antarëve të ekuipazhit, u përhap pothuaj menjëherë në gjithë ishullin. Njerëzit e “Essex” shpëtuan, por që nga larg në det, ata panë zjarrin që zgjati dhe dogji gjithë ishullin. Shumë vite më vonë, ishulli Çarles, ndryshoi emrin në Floreana, por ai ngeli përgjithmonë një djerrinë e djegur dhe shkencëtarët e sotëm besojnë se ishte pikërisht ky zjarr ai që zhduku përgjithmonë breshkën Floreana dhe një zog të rrallë me emrin shkencor Floreana Mockingbird, të cilët nuk ekzistojnë më asgjëkundi në botë.
Pas gjithë këtyre historive dhe pas muajsh të tërë lundrimi e gjuetie të begatë, më 20 Nëntor 1820, “Essex” u gjend në një zonë rreth 1500 milje detare në perëndim të ishujve Galapagos. Në një moment, kur dy nga varkat e balenave e bashkë me to edhe kapiteni Pallërd, ishin shkëputur si zakonisht për gjueti rutinë në zonat përreth, ndodhi diçka e papritur e cila u bë shkak që historia e “Essex”dhe ekuipazhit të saj të mos harrohej më kurrë…
Në një moment Oficeri i Parë, Ouen Çeis, i cili kishte ngelur në anije bashkë me ca burra të tjerë që po bënin riparime e pastrime, pa papritur një balenë të bardhë, po aq të madhe sa dhe vetë anija. Çudia qe se megjithëse pak larg, balena doli mbi ujë, pa drejt anijes dhe pas dy apo tre çfryrjesh, u sul drejt saj…
Përplasja qe e tmerrshme dhe të gjithë njerëzit në bordin e anijes u rrëzuan.
Pas përplasjes së parë, balena kaloi poshtë anijes dhe pasi u çfaq përsëri në anën tjetër, filloi të rrotullohej rreth saj.
-Unë – do të kujtonte më vonë Çeis – munda ta shihja qartë kur ajo përplaste nofullat si e tërbuar nga inati apo urrejtja.
Pas kësaj balena u zhduk në ujrat e thella. Nga goditja e balenës, në anije qe hapur një vrimë nga e cila po futej ujë, kështu që njerëzit që ishin në bordin e “Essex” vrapuan të mbyllnin çarjen dhe të thanin ujin që po futej.
Kur papritur një nga ekuipazhi e pa përsëri dhe klithi:
-Po vjen përsëri! Ja ku është!
Çeis tregon se e pa balenën, kur me kokën gjysëm mbi ujë, u nis drejt “Essex” më shpejt e më fort se herën e parë. Një “dung-bam!” i rëndë poshtë bashit dhe anija u shkund, njerëzit dhe gjërat e palidhura fluturuan në ajër dhe menjëherë pas kësaj u dëgjua gurgullima e frikshme e ujit që po futej në anije.
Uji vërshoi shpejt e në sasi të madhe dhe njerëzit e ekuipazhit, duke parë se çarja ishte e pa riparueshme dhe se “Essex” u anua dhe po fundosej, ulën shpejt në det të vetmen varkë të ngelur në anije dhe filluan me nxitim ta mbushnin me mjete të nevojshme lundrimi e mbijetese si bukë, ujë dhe furnizime të tjera.
Nga larg, Pallërd e pa anijen që filloi të anohej dhe i trëmbur e pa kuptuar se çfarë po ndodhte, nxitoi të afrohej.
-O perëndi…! Po çfarë ndodhi për hatër të zotit?! – pyeti Pallërd me zërin që i dridhej.
-Na sulmoi një balenë. – ju përgjigj Çeis që po nxitonte të nxirrte gjëra nga anija e ti fuste në varkë.
Pas pak u kthye dhe varka e tretë dhe burrat e pataksur ngelën pa gojë dhe pa ditur se ç’të bënin. Disa prej tyre, mbase nuk e kishin idenë se sa dëshpëruese ishte situata në të cilën ndodheshin.
I pari që u shkund qe vetë Pallërd, i cili u përpoq të dilte me një plan. Ata gjendeshin në një zonë të largët të oqeanit, rreth 1500 milje detare në perëndim të ishujve Galapagos me vetëm tre varka druri dhe pak gjëra të tjera për mbijetesë. Puna e parë që duhej të bënin ishte të shpëtonin sa më shumë gjëra nga anija që po mbytej dhe të përgatisnin varkat për rrugën e largët.
Anija po batohej ngadalë në njërën anë dhe ekuipazhi pati dy ditë kohë për të shpëtuar çfarë të mundte nga rrënojat që po zhyteshin ngadalë. Të njëzetë marinarët e ekuipazhit, të vetëdijshëm për furnizimet e pamjaftueshme në ushqim dhe në ujë të pijshëm filluan përgatitjen për më të vështirën rrugë të jetës së tyre. Puna e parë, duke patur parasysh shoqëritë dhe aftësitë e gjithësecilit, ata u ndanë në të tre varkat të cilat u vendos që të komandoheshin nga oficerët Pallërd, Çeis dhe Xhoi. Pasi ndanë në mënyrë të barabartë ushqimet dhe ujin e pijshëm, njerëzit ju kthyen varkave të cilave ju shtuan dhe ca dërrasa anash për t’i mbrojtur sa të mundnin nga goditjet e dallgëve si dhe i pajisën me ca direkë të improvizuar e me copa velash që i morën nga “Essex”. Midis gjërave të rëndësishme që mundën të shpëtonin, ishin dhe dy palë pajisje naviguese e bashkë me to edhe dy kopje hartash detare të Pacifikut të Jugut. Këto pak materiale u ndanë midis Pallërd dhe Çeis ndërsa varkës së Xhoit do t’i duhej të ndiqte dy varkat e tjera. Duke studiuar hartat, oficerët panë se tokat më të afërta nga pika e oqeanit ku ata ndodheshin, ishin ishujt Marquesas dhe Society, ca ishuj vullkanikë që i takonin Polinezisë Franceze dhe në këto kushte Pallërd propozoi që të niseshin drejt tyre. Por në një nga vendimet më të pa llogjikshme të historisë detare, Çeis dhe pjesa tjetër e ekuipazhit, duke insistuar se ata ishuj ishin vënde kanibalësh, e bindën Pallërd të mendonte se shansi më i mirë për mbijetesë do të ishte lundrimi drejt Amerikës së Jugut, një rrugë kjo dy herë më e gjatë se sa ajo drejt ishujve të sipër përmendur.
Duke u përpjekur të përfitonin nga rrymat e erërave, varkave do t’ju duhej së pari të lundronin për rreth 1000 milje drejt jugut derisa të zbrisnin poshtë paralelit 30 gradë, ku frynin erërat me emrin “uesterlais” të cilat janë tipike për gjerësitë gjeografike midis 30 dhe 60 gradë dhe që fryjnë në mënyrë të pandryshueshme në drejtimin perëndim – lindje. Dhe pasi të arrinin në atë zonë do t’u duhej të kthenin për në lindje, gjë që kërkonte edhe rreth 3000 milje të tjera për të prekur tokën.
Kështu pra, pa asnjë zgjidhje apo ide tjetër, të trija varkat u nisën për në rrugën e gjatë të mbijetesës…
…Por shpejt natyra do tregonte se nuk e përfillte sfidën e atyre varkave të mjera. Më e vogla dhe më e para gjë që ndodhi, ishte njomja e bukës nga ujrat e kripura të detit gjë që pruri dhe dehidratimin e njerëzve që në racionet e tyre të para të ushqimit.
Më 20 dhjetor, fiks një muaj pas sulmit të balenës, mbaroi dhe uji i pijshëm. Pë fat, vetëm pak orë para se ekuipazhi të fillonte të vdiste nga etja, varkat panë në horizont ishullin e pabanuar Henderson, një ishull i vogël koralor i cili gjendet brenda territorit të sotëm britanik të ishujve Pitcairn dhe të cilin të mbijetuarit e morën gabimisht për ishullin Ducie që ishte një tjetër ishull shkëmbor i ngjashëm me ishullin Henderson, por gati 220 milje më në lindje.
Ashtu si ne në Palermon e rinisë time, duke ndjekur pëllumbat e egër gjetëm një burim uji të pishëm, i cili zbulohej pjesërisht vetëm gjatë zbaticave, edhe ekuipazhi i “Essex”, po duke ndjekur zogjtë, gjeti poshtë nivelit të baticës, një burim të vogël me ujë të ëmbël. Për vetëm një javë, ekuipazhi i uritur i “Essex” vrau dhe hëngri të gjithë zogjtë endemikë që mundën të kapin, të gjitha gaforret e vezët që gjetën dhe ca barishte të rralla që mundën të mblidhnin nëpër shkretëtirën për rreth, duke i dhënë kështu fund njëherë e mirë të gjitha burimeve ushqimore të ishullit. Më 26 dhjetor, duke parë se në ishull nuk kishte ngelur më asgjë për të ngrënë, ata u mblodhën, diskutuan dhe arritën në përfundimin se nëse do të qëndronin më gjatë aty, do të vdisnin nga uria. Ndërsa shumica e ekuipazhit filloi të përgatitej të hipte përsëri nëpër varka, tre nga burrat e ekuipazhit, përkatësisht Uilliam Rait, Sith Uiks dhe Tomas Çaple, të lodhur për vdekje nga lundrimi i deri atëhershëm, zgjodhën që të qëndronin e të vdisnin në ishull…
Ndarja qe e vështirë, por askush nuk mund t’i ndalonte ata të zgjidhnin vdekjen që donin…
Duke kuptuar se do t’u duhej të lëviznin, pjesa e mbetur e ekuipazhit u kthye përsëri tek dy hartat e tyre të lundrimit dhe përcaktoi se gjendeshin rreth 3000 milje larg Kilit dhe rreth 1000 milje larg ishullit të Pashkëve. Më 27 dhjetor, të shtatëmbëdhjetë anëtarët e mbetur të ekuipazhit të “Essex”, të riorganizuar në të trija varkat, rifilluan lundrimin, këtë radhë me synim për të arritur në ishullin e Pashkëve. Megjithë racionimin e rreptë, problemi i ushqimit u ndje menjëherë pas tre ditësh kur mbaroi gjithçka që ata kishin mundur të grumbullonin në ishullin Henderson. I gjithë ushqimi i ngelur ishte vetëm një rezervë e vogël buke nga ajo që kishin marrë që më parë nga “Essex”. Për akoma më keq, më 4 janar 1821, ata kuptuan se erërat dhe rrymat detare i kishin shtytur shumë më në jug të ishullit të Pashkëve dhe në një plan të ri atyre ju desh të vendosnin që të përpiqeshin për të shkuar në ishullin Mas a Tierra, i njohur ndryshe edhe si ishulli i Robinson Kruzoit.
Por pas aq shumë javësh në det, forcat po i linin, varkat kishin filluar të merrnin ujë dhe ndërkohë edhe disa balena vrasëse kishin filluar të ndiqnin varkat. Racionet e pakta ushqimore dhe rezervat e ujit të pijshëm po mbaronin dhe ky ishte dhe momenti kur uria e tmerrshme filloi të jepte efektet e saj. Kjo ishte dhe koha kur burrat filluan të vdisnin një e nga një…
Gjendja shëndetësore e Oficerit të Dytë, Mateu Xhoi, i cili kishte qenë i dobët që para se “Essex” të nisej nga Nëntaket, po përkeqësohej vazhdimisht. Më 10 Janar, Xhoi vdiq, duke u bërë kështu anëtari i parë i ekuipazhit që vdiste në varkë. Në bazë të traditës, trupin e tij e hodhën në det, ndërsa Hendriks mori drejtimin e varkës.
Të nesërmen, varka e Çeis, në të cilën gjendeshin Riçard Piterson, Isak Kale, Benjamin Laurence dhe Tomas Nikersan, u nda nga të tjerat gjatë një stuhie të papritur. Shpejt pas kësaj, më 18 janar vdiq Pitersan, i cili ishte dhe anëtari më i vjetër i ekuipazhit. Ashtu si edhe trupi i Xhoit, edhe trupi i Petersan u hodh në det.
Ndërsa më 8 shkurt, vdiq Isak Kale…
Vdekja e Isakut ishte dhe momenti për të cilin Çeis në kujtimet e tij të mëvonëshme të përmbledhura si “Narrative of the Most Extraordinary and Distressing Shipwreck of the Whale-Ship Essex”, do të shkruante se “njerëzimi duhet të dridhet nga ajo që do vinte më pas…”
“Ndamë gjymtyrët nga trupi – shkruan Çeis – ndamë gjithë mishin nga kockat, pastaj i hapëm gjoksin, i nxorëm zemrën dhe pasi e mbyllën përsëri ashtu si mundëm – pjesën e ngelur, e hodhëm në det.”
Burrat e ngelur gjallë vendosën të hanë shokun e tyre të vdekur. Ata hëngrën mëlçinë dhe veshkat e tij, por patën vështirësi kur hëngrën mishin e muskujve.
Furnizimet në varkën e Hendriks mbaruan më 14 janar. Në atë varkë përveç Hendriks ishin edhe Uilliam Band, Lauson Tomas, Çarls Shorter, Isaiah Shepërd dhe Jozef Uest. Pallërd afroi bujarisht të ndante me ta ato pak furnizime të mbetura në varkën e tij, por kjo ndihmoi vetëm për dy apo tre ditë. Tomas vdiq më 20 janar dhe shokët që nuk kishin asnjë zgjidhje tjetër vendosën që ta hanin edhe trupin e tij.
Ndërsa në varkën e Pallërd, gjendeshin Samuel Rid, Ouen Kofin, Barzillai Rei dhe Çarls Rëmsdell. Ushqimi i tyre zgjati diçka më shumë. Ndërkohë vdekjet po shpeshtoheshin. Më 23 janar vdiq Shorter, më 27 Shepërd dhe më 28 Rid.
Të vdekurit nuk po hidheshin më. Të mbeturit gjallë po hanin shokët e tyre të vdekur.
Racionet e mishit të të vdekurve nuk zgjatën shumë dhe të mbijetuarit, sa më shumë që hanin, aq më shumë ndiheshin të uritur. Në të dyja varkat, burrat qenë dobësuar aq shumë sa nuk mund as të flisnin më. Ishte e qartë se pa ushqim së shpejti do të vdisnin të gjithë.
Më 6 shkurt 1821, nëntë javë pas mbytjes së “Essex”, Çarls Rëmsdell, një adoleshent që ishte në varkën e Pallërd, propozoi që të hidhnin short për të përcaktuar se kush do të hahej më pas.
Në mungesë të çdo mundësie tjetër, burrat në barkën e Pallërd e pranuan idenë e Çarls Rëmsdell dhe hodhën short. Shorti për t’u ngrënë, i ra Ouen Kofin, djalit të tezes të kapitenit Pallërd, i cili i kishte premtuar nënës së tij se do të kujdesej për kushëririn duke dhënë edhe jetën për mbrojtjen e tij.
-Oh, mos djali im! – klithi kapiteni – Nëse nuk ju pëlqen fati juaj, unë do të qëlloj të parin njeri që do t’ju prekë.
Por edhe kur Pallërd propozoi që të hanin atë vetë në vend të tij, Ouen nuk pranoi të këmbehej.
-Nuk ankohem – tha Kofin me zë të ulët. -Mua më ra shorti si ç’mund t’ju binte edhe të tjerëve – dhe u kthye nga krahu tjetër duke pritur se kujt do t’i binte shorti për ta qëlluar.
Rëmsdell hodhi përsëri shortin dhe këtë radhë i ra atij vetë që të vriste shokun e tij të ngushtë. Ai vari kokën dhe ngriu për një kohë të gjatë, derisa pa Kofin që mbështeti kokën në anë të varkës duke pritur vdekjen dhe atëhere drejtoi armën dhe tërhoqi këmbëzën.
…Si të tjerët edhe trupi i Kofin u hëngër dhe shpejt nuk ngeli më asgjë.
……..
Më 18 shkurt, pas 89 ditësh në det, tre burrat e mbetur në varkën e Çeis, panë një velë në distancë. Ishte anija angleze “Indian” që u afrua dhe i mori në bord. Të mbijetuarit e kësaj varke ishin Çeis, Benjamin Laurence dhe i riu Tomas Nikersan.
Një javë pas gjetjes së varkës së Çeis, më 23 shkurt, njerëzit e anijes amerikane “Dauphin” vunë re në sipërfaqe të detit, varkën e Pallërd. Në atë varkë kishin ngelur gjallë vetëm Pallërd dhe Rëmsdell, të cilët pas vdekjes së Barzillai Rei dhe ngrënjes së kufomës së tij, dukeshin krejt të mjerë e të hutuar. Duket se ata nuk kuptuan asgjë për shpëtimin e tyre, por duke tmerruar njerëzit e “Dauphin” vazhdonin e merreshin me eshtrat e Bërzillai Reit të ngelura në fund të varkës, të cilat i thyenin dhe përpiqeshin t’ju hanin palcën.
Të pestë të shpëtuarit e gjetur u nisën për në Valparaiso të Kilit, ku pasi u morën dhe u mbajtën nën kujdes mjekësor intensiv për një kohë të gjatë, i nisën më në fund për në Nëntaketin e tyre të largët.
Ndërsa varka e Hendriks nuk u pa më kurrë. Të tre burrat që gjendeshin në të u menduan të vdekur. Shumë vite më vonë, në brigjet e ishullit Ducie, u gjet një varkë me tre skelete brenda. Varka ishte një nga ato që përdoreshin për gjueti balenash dhe u mendua se skeletet brenda saj mund të ishin të Hendriks, Band dhe Uest, por për arsye të pamundësive që ekzistonin në atë kohë, as varka dhe as skeletet nuk u identifikuan dot kurrë.
Kohë më vonë, Kapiteni Raine i anijes tregëtare “Surry”, e cila transportonte grurë nga Valparaiso për në Port Jackson të Australisë, dëgjoi për tre anëtarë të ekuipazhit të balenierës “Essex”, të cilët kishin zgjedhur të qëndronin në ishullin Henderson. Si një detar i mirë, duke besuar se detarët duhet gjithmonë të ndihmojnë njëri tjetrin, ai vendosi të sakrifikonte dhe të shihte nëse ata burra mund të ishin akoma gjallë në atë ishull të shkretë. Dhe më 9 prill 1821, anija “Surry”, duke ndjekur kursin drejt Ishullit të Pashkëve dhe Tahitit, ndaloi në ishullin Henderson, ku çuditërisht i gjeti gjallë të tre të mbijetuarit.

Moby Dick - Romani Herman Melville
Moby Dick – Romani Herman Melville

Unë kam lexuar librin e Nataniel Filbrik “In the Heart of the Sea: The Tragedy of the Whaleship Essex”, të botuar në vitin 2000, dhe atje kam parë se ai thotë se Pallërd e kishte treguar vetëm njëherë historinë e plotë të “Essex” dhe se kjo kishte ndodhur gjatë një darke pak kohë pas shërimit të tij. Kishte ndodhur para ca kapitenëve dhe një prifti të quajtur Xhorxh Benet. Sipas Filbrik, misionari Benet i pranishëm në rrëfim, tha më vonë, se ajo që kishte dëgjuar nuk ishte një përrallë, por një rrëfim i një të vërtete të tmerrshme para një prifti. 92 ditë dhe netë, në det, pa gjumë, pa ushqim, pa ujë, në një varkë që fut ujë e me shokët që çmëndeshin e vdisnin një nga një, pastaj kanibalizmi dhe po ashtu dhe fati i tmerrshëm i djalit të tij të tezes Ouen Kofin…
-Por unë nuk mund të tregoj dot më shumë – i tha Pallërd priftit duke e ndërperë tregimin e tij të kobshëm – Më digjet koka nga tmerri dhe kujtimet.
Një nga kapitenët e pranishëm, shënimet e të cilit do t’i përdorte edhe Nataniel Filbrik më vonë, i tronditur nga tregimi i Pallërd, u ngrit dhe shkroi gjithçka që dëgjoi duke e quajtur atë rrëfim, si më të tmerrshmin që kishte dëgjuar ndonjëherë në gjithë jetën e tij.
Lajmi për kthimin e të mbijetuarëve të “Essex” në Nëntaket bashkë me historinë e tyre u përhapën shpejt në gjithë Amerikën e asaj kohe. Kanibalizmi që kishte ndodhur, u arsyetua, dhe u gjet pothuajse i arsyeshëm në rrethanat në të cilat ishin gjendur të mbijetuarit. Sipas kujtesave të rasteve të tjera të ngjajshme, të mbijetuar të tjerë kishin refuzuar të hanin mishin e shokëve të vdekur, por e kishin përdorur atë për të kuar grepat e për të kapur peshk. Por Filbrik me të drejtë shkruante se varkat e “Essex” lundruan në ujëra ku nuk kishte peshk në sipërfaqe.
Kapiteni Pallërd, megjithatë, nuk u fal kurrë dhe kjo sepse ai kishte ngrënë djalin e tezes së tij. Megjithë këtë një nga studiuesit e më vonëshëm të kësaj historie, e quajti rastin si një “inçest gastronomik” dhe tha se Pallërd duhej konsideruar i pafajshëm.
Por Pallërd nuk mund të gëzonte më dhe u mbyll në vetvehte. Ai ju shmangej njerëzve dhe pjesën tjetër të jetës së tij e kaloi duke punuar si roje nate në depot e portit të ishullit Nëntaket. Thuhet se një herë në vit, në çdo përvjetor të mbytjes së “Essex”, ai mbyllej në dhomën e tij dhe agjëronte për nder të ekuipazhit të humbur.
Pallërd vdiq më 7 Janar 1870, dhe varri i tij gjendet në varrezat Prospekt Hill të ishullit Nëntaket. Historia e jashtëzakonshme e mbijetesës së tij në Oqeanin Paqësor, por dhe fakti se ai ishte dhe njeriu që Herman Melville e përdori për të krijuar figurën e kapitenit Ahab, kanë bërë që varri i tij të kthehet në një vend pelegrinazhi.
Ndërsa për Ouen Çeis duhet thënë, se kujtimet e asaj përvoje të tmerrshme, e vranë ngadalë shpirtin e tij. Katër muaj pas kthimit në Nëntaket, ai shkroi dhe librin e kujtimeve të quajtur “Narrative of the Most Extraordinary and Distressing Shipwreck of the Whale-Ship Essex”. Pas kësaj, me kalimin e viteve, ai filloi të vuante nga dhimbje të tmerrshme koke dhe ankthe të pafund. Më vonë, Çeis filloi të kishte iluzionin e të qenit në varkë dhe filloi të merrte e të fshihte ushqime në papafingon e shtëpisë së tij deri sa përfundimisht u detyruan ta izolonin dhe ta mbyllnin për 8 vjet në një spital të çmendurish.
Çeis vdiq më 7 mars 1869. Sot, në Varrezat e Veriut, në ishullin Nëntaket të Masaçusets, duket edhe një gur pak i shtrëmbër e i nxirë nga koha, në të cilin me pak vështirësi mund të lexohesh emrin e tij.
Midis atyre që shkruan kujtime lidhur me këtë histori, qe edhe djaloshi Nikersan, i cili e bëri këtë gati 50 vjet më vonë, në një përmbledhje që e titulloi “The Loss of the Ship Essex Sunk by a Whale and the Ordeal of the Crew in Open Boats”.
Vlen të theksohet se kujtimet e të gjithë të mbijetuarëve përputhen saktësisht me njëri tjetrin gjë kjo që vlen edhe si një provë vërtetësie e rrëfimeve të tyre.
……………….
Sot, në Shtetet e Bashkuara, ka rrugë, sheshe e biznese që mbajnë emrat e Meleville dhe të personazheve të tjera kryesore të novelës “Mobi Dik”. Ndërsa emrat e njerëzve realë që frymëzuan novelën e Meleville, shumë pak i dinë. I vetmi vend ku mund të gjesh diçka edhe për ta, është Muzeu i Gjuetisë së Balenave në Nju Bedford të Masaçusets.

USA 2021

Marrë nga Avis Gjyshja – 24 nëntor 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.