back to top
18.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Mit’hat Frashëri dhe paradokset shqiptare – 50 thënie të gjeniut që kishte 40 mijë libra në shtëpi…

Gazeta

Mit'hat bej Frasheri
Mit’hat bej Frasheri…

Mit’hat Frashëri dhe paradokset shqiptare

50 thënie të gjeniut

që kishte 40 mijë libra në shtëpi…

Portreti i babait të tij,
rilindësit Abdyl Frashëri,
varej në muret e shkollave në Shqipëri,
ndërsa ai, i biri Mit’hat Frashëri,
konsiderohej armik i popullit gjatë komunizmit.

Historia e Mit’hat Frashërit, i njohur më tepër me pseudonimin e tij Lumo Skëndo, është një nga paradokset e shumta të shoqërisë shqiptare gjatë regjimit komunist.
I detyruar të largohet nga Shqipëria në vitin 1944, si kundërshtar i Partisë Komuniste, vdiq në 3 tetor të vitit 1949, në New York të Amerikës. Gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist, veprimtaria dhe jeta e tij u la në harresë të plotë. Kreu i Kongresit të Manastirit, ministër në Qeverinë e Ismail Qemalit, ministër Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në vitet 1923.1925 në Athinë, e më pas një nga themeluesit e Partisë Nacionaliste, nuk u bë pjesë e asnjë kurikule shkollore në Shqipëri.
Por, ai njihet edhe si një nga njerëzit që kishte një nga bibliotekat më të mëdha. Mbas çlirimit të Shqipërisë u vendos sekuestro mbi pasurinë e Mit’hat Bej Frashërit. Një nga objektet e sekuestruara ishte edhe biblioteka personale e tij. Sot, rreth 40 mijë vëllime të kësaj biblioteke ruhen (dhe janë pjesë) e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.
Më poshtë mund të lexoni pesëdhjetë thënie të këtij shqiptari me vlera të mëdha.

1.Shqiptari prej natyre është kotësidashës, plot vanitet dhe egoizëm. Nuk i pëlqen kurrë të shohë dhe të njohë fajin dhe të metën e tij: i pëlqen kurdoherë të ngarkojë një tjetër.

2.Themelin e diturisë dhe të atdhetarisë e përbën gjuha shqipe.

3.Nuk mund të punojmë për vendin tonë, po nuk patëm një dashuri për çdo cep të Shqipërisë.

4.Liria është që të mos të trazojë njeri ty dhe ti të mos të trazosh të tjerët.

5.Cili duhet të jetë ideali ynë? Duhet të jetë madhëria dhe nderi i shqiptarit, njësia dhe bashkimi i kombit, lumturia dhe përparimi i përgjithshëm.

6.Shqiptarët, megjithëse në pjesën më të madhe myslimanë, nuk e kanë konsideruar veten kurrë turq. Në të kundërtën, ata kishin një nocion të qartë për individualitetin e tyre dhe një hendek i thellë i pengonte ata të ngatërroheshin me racën e pushtuesve.

7.Kur merr një detyrë, ki disiplinë e durim. Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit!

8.Shqiptarin e ka prishur mosbindja dhe jo bindja. Nis ti më parë të japësh shembullin e bindjes jo të verbër.

9.Hiqe veten si pak të mençur dhe pak të ditur. Mendjemadhësia na ka çmendur gjer më sot.

10.Mos u hidhëro po të shkojë tjetri para, edhe pse nuk ndenj dot në krye. Zilia na ka lënë të panderuar.

11.Është i lumtur ai që di dhe mund të punojë, që di dhe mund të bëjë edhe të tjerët të punojnë.

12.Që ta zgjojmë frymën e iniciativës, duhet të pushojmë së shpresuari gjë prej qeverisë.

13.Disa njerëz nuk e duan bisedimin, po u pëlqen vetëfjalimi (monologu): ata këmbëngulin në idetë e tyre dhe marrin vrapin mbi tezën që u pëlqen. Në gjuhën frënge ka një shprehje të bukur për të tillët: “U pëlqen të dëgjojnë veten e tyre!”.

14.Bisedimi është një dëfrim shpirti dhe mendjeje, që ndien njeriu duke rrëfyer mendimin e tij dhe duke dëgjuar të tjerët, me pak dëshirë, me çelje zemre, mbase, nga njëherë edhe me pak diplomatëri, si lodra e shahut.

15.Pak njerëz dinë dhe ndjejnë shijen e bisedimit, për të cilin duhet më parë të jemi tolerantë, pa këmbëngulje, të matur dhe pa inat.

Mit'hat Frasheri i ri (1880-1949)
Mit’hat Frasheri i ri (1880-1949)

16.Fatkeqësi e njerëzisë vjen nga mungimi i vullnetit. Ai ndalon perfeksionimin moral dhe s’na lë të korrigjojmë të metat tona…

17.Duhet të kemi kurajo të themi të vërtetën, të bardhës t’i themi të bardhë dhe të zezës të zezë.

18.Është një virtyt i madh të duam të jemi, ashtu si duam, të dukemi ose të rrëfehemi ashtu si jemi.

19.Ena kallajiset së brendshmi.

20.Miqësia s’bëhet kurdoherë me të ngjarë dhe me simpati të karakterit; shumë herë bëhet me të ditur të bëjmë lëshime për mikun, të dimë ta duam ashtu si është, me të mirat dhe të ligat e tij.

21.Të endurit matet me kut, lëndët me okë dhe koha me ngjarje.

22.Që të mund njeriu të jetë kurdoherë i ndershëm, të mbajë kundër çdo ngjarjeje dhe rënieje ndershmërinë dhe integritetin e tij, duhet ta marrë në sy që të mund të rrijë një ditë me këpucë të vjetruara dhe hajë bukë e djathë.

23.Çdo njeri që është në mizerje, s’është padyshim kurdoherë i ndershëm, po ai që s’duron dot mizerjen dhe privacionin, s’mund që të mbajë ndershmërinë e tij.

24.Mos e qorto dhe mos e shaj shqiptarin për fajin që ka bërë, se ajo është mënyra më e fortë që ta bësh të këmbëngulë në atë faj. Merre me të mirë dhe shiko ta bindësh, pa pasur as pamjen e të dhënit këshillë.

25.Shqiptari, duke mos qenë i mësuar me jetë politike, dua të them, duke mos pasur gjer më sot shtet, qeveri dhe independencë, s’ka kuptuar dot akoma barrën, detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga një jetë indipendente.

26.Çdo përparim vjen nga idetë e përparuara, nga idetë e reja.

27.Ka natyra të frikshme, të dobëta, që tremben prej realitetit dhe pëlqejnë krimbin e dyshimit. Janë si ata që duan më mirë t’u dhëmbë gjithnjë dhëmballa, se sa ta durojnë një herë dhembjen e të qiturit.

28.Entuziazmi, besimi i plotë te mendimi, dëshira dhe inspirimi i minutës, padyshim na shtie shumë herë në faje dhe gabime.

29.Mësoni të kurseni kohën, mësoni mirë përdorimin e kësaj gjejë të vlefshme që i thonë kohë… Harrojmë se ditët tona janë të matura dhe se gërshëra e shtrigës kohë është gjithnjë gati të presë fillin e gjëllimit…

30.Mbrëmjeve, pa fjetur, shiko hesap e vështro ç’ke bërë ditën dhe, në qoftë se të ka ardhur një mendim i ri, në qoftë se ke ndjerë një gjë të re, mos e këqyr si të humbur atë ditë: je me fitim.

Mit'hat Frashëri (1880-1949)
Mit’hat Frashëri (1880-1949)

31.Partizanët e barazimit s’duan kurrë që i poshtmi të ngrihet sa i larti, po i larti të unjet sa më poshtë. Rrafshimi ndër ta do me thënë prishje dhe rrëzim. Prandaj vjen fatkeqësia.

32.Gruaja na robëron me dobësitë dhe jo me vullnetin e saj. Sa më pak Fuqi të duket se ka gruaja, aq më tepër sipëri ka mbi ne.

33.Patrikularizma, lokalizma dhe ekskluzivizma tek shqiptari rrëfehen me atë mani që ka secilido të marrë emrin e fshatit ose të qytetit si emër familjeje. Kur piqen dy shqiptarë, pas gëzimit të parë, pyetja esenciale është: nga të kemi zotëri?

34.Shumë herë ideali për shqiptarin është të qenët i zoti, me çdo mënyrë që të jetë. Pa dyshim, duke pasur horizontin të ngushtë, nuk mund të kërkojë veç sukseset e lehta.

35.Fatkeqësi që njeriu ka pak ambicie dhe shumë kotësi.

36.Njerëzit që s’gjejnë mjaft interes tek vetja e tyre, merren me punët e botës.

37.Feja, mëmëdheu, prona. Por, jo vetëm mëmëdheu, edhe feja vetë prej frymës së pronës rrjedhin.

38.Fjalët dhe frazat janë kufoma pa jetë: Stili u jep shpirt. Ky shpirt që vëmë në stil, është uni.

39.Vetëm një proverb të mirë di: “Trimi i mirë me shokë shumë”. Por, kur mendoj fjalën e Ali Pashës: “Dy shqiptarë janë shumë!” Atëherë kam dëshirë ta kthej proverbin: “Trimi i mirë me shokë… pak!”

40.Gjithë fatkeqësia vjen kur njeriu kërkon të rrojë pa fituar, të fitojë pa punuar, të punojë pa u lodhur.

41.Dhembja më e madhe është pikëllimi i brendshëm, jo ai qe rrëfehet.

42.Shpeshherë zemërimi ynë vjen jo se kemi të drejtë, po se kemi faj dhe na vjen ligsht që na e shohin të tjerët.

43.Njeriu ka nevojë për dashuri: të dojë dhe të duhet.

44.Komunizma është një sëmundje e tmerruar, si tërbimi i qenve dhe i ujqërve, është një kolerë që nuk shkatërron vetëm trupin, por dhe më tepër akoma, zemrën dhe shpirtin e njeriut.

45.Patriotizma është një egoizëm. Ajo ndjenjë na shtyn të kërkojmë madhërinë dhe nderin e kombit, se tek ajo madhëri e tek ai nder do të gjejmë ne vetë madhërinë, lumturinë dhe nderin e secilit.

Mid'hat Frashëri (Arben Morina)
Mid’hat Frashëri (Arben Morina)

46.Njerëzit e një kombi janë solitarë. E mira dhe lumturia jote, janë dhe të miat. Fatkeqësia jote është dhe për mua. Nderi yt më nderon edhe mua dhe turpi yt më nxin edhe faqen time.

47.Shpëtimi i Shqipërisë do të vijë me anë të vetes tonë.

48.Gjithë vlefta, gjithë fuqia, gjithë virtyti në këtë botë është, puna.

49.Shqiptari ikën jashtë Atdheut me lehtësi, jo se ai emigron, po ai shkon të kërkojë fatin gjetiu dhe është mbase ky eksod që pengon vendlindjen e tij që të kultivohet më mirë.

50.Në punë kije për lavdi të jesh shërbestar. Ji i lumtur kur bën një send të dobishëm, pa le të mos e dijë bota.
Marrë http://botasot.info 31.05.2016

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.