Misto Marko, nip i Kutelit dhe doktori i Lasgushit – nga Kreshnik Mersinllari

Gazeta

Misto Marko (Mirosh Markaj)
Misto Marko (Mirosh Markaj)

Misto Marko, nip i Kutelit dhe doktori i Lasgushit
nga Kreshnik Mersinllari
(mjeku dhe dramaturgu pogradecar)

Në Pogradec dhe Mokër, emri i Dr. Misto Markos është thirrur jo vetëm si mjek, por si shok, si njeri i qytetit dhe si krijues. I lindur në vitin 1926, ai ishte nipi i një prej figurave më të mëdha të letrave shqipe, Mitrush Kutelit. Fëmijëria dhe rinia e tij u lidhën ngushtë me këtë trashëgimi: gjatë studimeve të mjekësisë në Tiranë, ai qëndroi shpesh në shtëpinë e dajos së madh, duke e dëgjuar, duke parë librat dhe duke u ndezur nga pasioni për fjalën e shkruar.
Nxitjen për të shkruar e mori edhe nga një tjetër figurë e shquar, profesori i tij i gjimnazit, Skënder Luarasi. Ishte Luarasi që, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit, i kërkoi nxënësit Misto të bënte një poezi për poetin kombëtar. Ishte kjo shtysa e parë që do të çelte një rrugë të gjatë shkrimi krahas profesionit të tij si mjek.
Por rruga e jetës nuk ishte vetëm romantike. Në shtëpinë e Kutelit, Misto ishte i pranishëm edhe atë ditë të errët kur sistemi arrestoi shkrimtarin. Ai pa me sytë e tij dramën e një kohe të ashpër.
Në vitin 1954, pas përfundimit të studimeve të mjekësisë (fillimisht në Beograd dhe më pas në Bukuresht), Misto Marko u emërua mjek në Pogradec. Ishte mjek i përgjithshëm, por shumë shpejt u bë mjeku i gjithë qytetit. Gjatë epidemisë së fruthit mbuloi me përgjegjësi zonën e Mokrrës, një terren i vështirë dhe shpesh i lënë pas dore, ku shërbimi i tij la gjurmë të thella.
Paralel me mjekësinë, ai kultivoi letërsinë dhe dramaturgjinë. Krahas dramave të njohura historike dhe komedive që u vunë në skenë në Tiranë e Prishtinë, Misto shkroi edhe ciklin e dramave të Mokrrës, duke e kthyer zonën ku shërbeu si mjek në një arenë artistike dhe historike. Në këtë mënyrë, Mokra nuk ishte vetëm një hartë shërbimi për Dr. Miston, por edhe një hapësirë frymëzimi për krijimtarinë e tij.
Kirurgu, shkrimtari, humanisti, Misto Marko mbeti gjithmonë i thjeshtë dhe i afërt. Ai ishte mjeku i Lasgush Poradecit për gati 40 vjet, por edhe miku i qindra familjeve pogradecare. Miqtë e përshkruajnë si simbol të qytetarisë, si një njeri që buzëqeshte edhe kur jeta nuk buzëqeshte.
Kreshnik Mersinllari – Gazeta Pogradeci

Misto Marko (Mirosh Markaj)
Misto Marko (Mirosh Markaj)

Gazmend Mullahi
Doktori Misto Marko kam përshtypjen se është libretshkruesi i Operas “Zgjimi” kompozuar nga Tonin Harapi, por me emrin Mirosh Markaj. Nëse bëhet fjalë për të njëjtin person, mund të them se shkrimi i këtij libreti me motivet e një tregimi të Naum Priftit “Mulliri i Kostë Bardhit” ishte mjaft profesional. Çdo varg i saj ishte lehtësisht i muzikueshëm dhe mjaf i zgjedhur dhe i mençur. Dëshmi e një pune serioze, por edhe njohës i mirë i kërkesave që ka vokali për t’u kënduar. Kompozitori Tonin Harapi e çmonte shumë dhe kishte përshtypje të mrekullueshme për mënyrën e shkrimit të tij.
Respekt për këtë njeri që e kam njohur virtualisht vetëm nëpërmjet shkrimeve pa u takuar asnjëherë. Nderim kujtimit dhe veprës.

Mihal Kutali
Gazmend Mullahi jini shumë i saktë. Doktor Misto shkruante me pseudonimin Mirosh Markaj. Ka shkruar edhe triologjinë “Skënderbeu” dramën “Besa e madhe” etj. Nuk ka qënë kirurg, por kardiolog shumë i mirë. Do mbetet i kujtuar dhe i paharruar si mjek e krijues.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit