back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024

Miss-i i Burrave – nga Ervin Hatibi

Gazeta

Ervin Hatibi
Ervin Hatibi

Miss-i i Burrave

nga Ervin Hatibi

Një shkrim që të përpin me ritmin dhe trajtimin e problemit;
me ekuilibrin dhe simetrinë e shikimit të botës,
me gjuhën, stilin dhe metaforat e përdorura,
me ballafaqimin elegant të botës së madhe dhe asaj shqiptare…
Një shkrim për të gjithë, po jo i përtypshëm për të gjithë…
Një shkrim, që po aq shumë se shkruesin e tij…
nderon lexuesit dhe seleksionimin e tyre…
jozef radi, gusht 2018
.
Jamie Leigh Bunnies
Jamie Leigh Bunnies
Bota është kthyer në një harem të madh virtual. Ngado të hedhësh sytë, të fton buzëqeshëse ndonjë vajzë e pashme, e vërtetë ose prej letre a drite, e cila të kujton se produkti që i kanë ngarkuar të të shesë vazhdon të mbetet thjesht një justifikim për përballjen me ty. I rrethuar me këto të fejuara anonime, mijëra të fejuara platonike efemere, ti ndihesh më mire, ti ndihesh më keq, pa e kuptuar sepse; vazhdon të ecësh nëpër qytet nën vështrimin përshkues të tyre kudo. Në dyqane e butiqe e dugaja rrobash, ushqimesh, kozmetikash a elektroshtëpiakësh, në postera elektoralë apo komercialë, në faqet e mesme e fundore të gazetës a në ballë të revistës së ilustruar, kur ndjek lajmet apo të dhënat mbi shiun dhe diellin e parashikimit të motit… Kur fut kokën në sportele dhe “hop” po ajo vajza me buzagazin dietik të reklamave. Ti ngre celularin-është zëri i saj pa shumë jetë që të sfidon mashkullsinë duke të kujtuar çdo çast se sa pak impulse ke… Futesh në ëC; edhe aty të pret ajo me buzëqeshjen me tre nënkuptime, e fiksuar në ambalazhin e sapunit, stoike, pa u shqetësuar nga aromat e zhurmat rrethanore e të pafaj; është ajo – goca e të gjitha racave, ngjyrave e përmasave; herë e vockël sa një çakmak në dorën tënde, herë tre metra e gjysëm e gjatë e flakëritëse mbi ndonjë pallat të lartë duke mbajtur në duar ndonjë qelq me parfum të rrallë nën muzgjet ceremoniale të qytetit. Kudo që të shoqëron imazhi i saj, qoftë në reklama pepsikole apo xhipash katër-herë-katër, ajo është e rëndësishmja, ajo më e bukura dhe më e ëmbla se çdo teknologji dhe produkt në shitje; më kot të kujtojnë se është thjesht folje gjysëm-ndihmëse që shoqëron mallin-kryefjalë. Në fakt malli vazhdon të reklamojë atë, ta lançojë. Çdo lavatriçe apo pako kafeje është vetëm piedestali ku ajo lartohet edhe ca më shumë… në miliarda sekonda-dritë telepublicitet, në kilometra të tërë katrorë letër të lustruar revistash… ajo, gjithnjë ajo e shumëzuar në gjithë retinat, vajza e reklamës, shitësja-falas e imazhit të vet…(Por ama duhet pranuar se përditë i bie diçka nga vlera, si çdo pareje që shtypet me tepri. Duhet pranuar se ka gjithnjë e më shumë gra të stampuara në letër e ekran sesa gra të vërteta-gjë që çon në mospërputhje katastrofale të kërkesës me ofertën… Nuk dihet sa lidhje ka ky fenomen me shtimin artificial të numrit të femrave nëpërmjet “klonimit” të kukullave të specializuara prej gome “vetëm për adultë”, si edhe përmes vullnetarizmit të cave që vishen si gra.)
.
Pubilicita -
Pubilicita –
Në Shqipëri, një shoqëri ende disi orientale e sapodalë nga kazermat e centralizimit socialist të erotikës, është gjendur gafil përballë mundësive pafund që ofron liria. Marinarët më në fund kanë zbritur në tokë, në tokat evropiane të kohës së humbur dhe po mësyjnë gjithçka u ishte privuar në ditët e tallazitura të izolimit. Nëpër restorante psh vazhdon të jetë torturuese menuja e rënduar me mishin e munguar të tallonit, dhe nëpër sheshe e media shpërthen bruto në çdo qoshe trupi i femrës, në pjesët e veta më të persekutuara e më të burgosura politikisht nga Partia për dekada me rradhë. Ende veleritja, vegjetarianizmi, feminizmi apo identiteti gjithnjë e më uniseks i shoqërisë perëndimore, nuk ka arritur të na shesë produkte a propagandë përmes trupit të mashkullit. (Shyqyr… Teksa udhëtonim natën duke i dalë jashtë Tiranës nga porta e saj jugore, më erdhën në kokë vizionet madhore të Stambollit nga vizita më e fundit atje dhe nuk u mbajta po i deklarova një mikut tim në timon se sa e shëmtuar do të dukej bota nëse gratë do të kishin qenë raca e arkitektëve. Përfytyro një botë pa kupolat e kubetë e ballkonet e harkadat e epshmëritë rrumbullakuese të kolonave; përfytyroji befas qytetet e mëdha pa këto manifestime urbane të femërores, më të thekshme, e prapë më fisnike se ekspliciti i reklamave e posterave të sotëm seksistë… Bile nuk ke pse lodhesh me kundërpërfytyrime; thjesht vështro pak qytetet moderne gjithë thepa/cepa e pasqyra gjigande për të kuptuar se duam apo s’duam arkitektura e qytetbërja ka rënë sot në duar të grave të të gjitha gjinive…)
 
(Claude Levi-Strauss më kujtohet të ketë shkruar diku se në vendet e kulturës muslimane, fshehja e imazhit të femrës ka kontribuar në sajimin e gjithfarësoj kopshtijeve sekrete, shatërvanëve me ujë të trëndafiltë, në punimin sqimatar të metaleve nëpër kangjella e në sa e sa të tjera mënyra të sofistikuara të botimit balancues të femërores, të jonizimit (yoni) me të të mjedisit publik, mbizotëruar nga mashkulli.)
Në diskutimin për femrën si ajsberg, (thjeshtuar në një imazh impersonal, objekt përballë subjektit mashkullor konsumator), pika e distilimit arrin në fenomenin e konkurseve të bukurisë femërore, të njohura me emrin Miss. Me këtë fjalë deri dje, njiheshin dadot angleze të famshme, zonjusha të përjetshme me rrudha e eksperiencë që edukonin aristokracinë tek kalamajtë e të kamurve nëpër Evropë. Kurse sot termi shterueshëm simbolizon edukatoret e supremacisë maskiliste të kalamanit adult mashkull, i cili hedh para të madhe për të grumbulluar gladiatoret e bukurisë nëpër konkurse, në të cilat ai zgjedh imazhet më interesante për qejfin e vet apo të transaksioneve të veta. Për feministen kontroversiale Luce Irigaray, kënaqësia tek femra qëndron më tepër në të prekurit se në të vështruarit, (Seksi që nuk është i tillë, 1981) e ne rrjedhimisht mund të themi se tek mashkulli është e kundërta. Pra në të vështruarit është kënaqësia e tij. Nga kjo besojmë se shpërthen edhe ajo urgjenca mashkullore në obsesionin optik/erotik me imazhin e seksit tjetër, që shpaloset ekonomikisht dhe politikisht në profilizimin e pushtetit të burrave si një darvinizëm gjinor, i cili imponon seleksionin jonatyral tek femrat. Nuk janë vetëm konkurset e miss-it, organizuar nga pothuaj gjithë grupmoshat, në nivele shteti, qyteti, lagjie, shkolle; janë edhe konkurset e punësimit femëror. Është edhe parada e sforcuar e përditshme me gra dhe vajza që kanë harxhuar disa dekada jetë para pasqyrës, në floktore, në farmaci, në palestra e butikë për t’u dukur konkuruese, gjithë duke u hequr të lirshme e të shkujdesura, thua se as ato e as burrat nuk e dijnë se çfarë industrie e tërë është vënë në lëvizje. Për t’i fabrikuar ashtu. Gjithçka nën shenjën e seleksionit, (apo shqip përzgjedhjes) në bazë të parametrave të ashpër, vendosur nga poetët, piktorët, arkitektët, estetët, stilistët e mëdhenj, të cilët përcaktojnë prej shekujsh bukurinë femërore, në bazë kriteresh gjithnjë e më të ashpra, gjithnjë më atletike e olimpike-gati naziste. (Vëreni ju lutem top-modelet e sotme hollake sa pranë u vijnë në pamje “kampistëve” të Hitlerit në Mathauzen a Treblinka. Vëreni ju lutem, a mund të gjeni dot dallim midis një të sëmure anoreksike, viktimë e modës së përzgjedhjes, dhe një viktime të kampeve të shfarosjes…)
 
Kur rreshtuam llojet e konkurseve-miss, veç miss-shkollës, miss-studentit, (tek ne ka edhe miss-pallati, miss-shkalla) harruam të përmendim edhe miss-burgun, një iniciativë tepër interesante që na vjen nga Lituania. Në këtë konkurs morën pjesë bukuroshet e përtej hekurave, dhe organizatorët treguan se ideja e tyre kishte zgjuar interes edhe në burgje të tjerë anë e mbanë Evropës. Pjesëmarrëset në konkurs, gjarpëruan gjithë finesë përmes gardianëve të veshur si reporterë para një publiku që kinse shijonte të ndaluarën. Jo sipas zakoneve të mira në kësi rastesh, konkurentet nuk dhanë asnjë të dhënë tjetër personale veç moshës dhe emrit. (Nuk u pyetën fjala vjen për pasionet, hobin etj. “Hobi im janë armët e zjarrit”.) Afërmendsh, të burgosurat nuk deklaruan as krimin apo gabimin për të cilin i kishin mbyllur brenda. Metafora e reduktimit të femrës në imazh të përplaset shqeto pas fytyrës. Kurse burgu si vendngjarje e miss-it të rradhës, mund të futet pa mundim në skenografinë e feministes të njohur anti-islamiste Fatima Mernissi, e cila në librin e saj “Haremi dhe Perëndimi” sheh se shoqëritë lindore përpiqen të largojnë gruan nga mjedisi publik, duke përdorur kështu hapësirën kundër saj; ndërkaq që shoqëritë perëndimore përdorin kohën dhe dritën kundër gruas, duke përkufizuar si të denjë për publik vetëm femrën e bukur në një periudhë të limituar kohe, adoleshencë-rini, duke syrgjynosur në errësirë kështu të moshuarat dhe “jo të bukurat”…
.
Playboy 2018
Playboy 2018

Miss për burra

Muhabeti komplikohet shumë në momentin kur dimë se veç miss-eve për gra ka edhe miss-e burrash: konkurset e bukurisë femërore tashmë po bashkërendohen me ato të hijeshisë mashkullore. (A mundemi të veshim me të njëjtën fjalë bukurie edhe mashkullin edhe femrën njëherësh? Lasgushi i ka thënë dikujt se si për hir të purizmës, me dhimbje shkuli nga një vjershë e njohur e veta fjalën e huaj {jabanxhije/ arabe* nur për ta zëvendësuar me atë “të ftohtën” shqipe hir; gjithsesi në rastin e parë haptas kemi të bëjmë me bukurinë-amë {femër*, kurse në të dytin hir, me një bukuri-mashkull-mbi kalë, apo maksimumi me një homazh për territoret e ndonjë femre të vdekur.)
Për këtë pjesë të dytë të konkursit, autori e ndjen veten të detyruar të strehohet krejtësisht në paragjykimet e veta kulturore. Ai në fakt nuk sheh ndonjë dallim thelbësor midis konkurseve të grave dhe atyre të burrave. Përveç bukurisë të jetuar si ves dhe zeje, e përbashkëta që ndajnë përmidis burrat me gratë e konkurseve të bukurisë fare pa mundim të zbulohet tek silueta e njëjtë, truku, xhestikulacioni, aroma, fjalorthi, kostumografia. Revista e mirënjohur e blegtorisë erotike “Playboy”, ekuivalenti burrëror i “Si të gatuajmë”, duke shfrytëzuar kompetencën dhe arkivin e vet më se gjysëmshekullor, vinte re në një studim të ribotuar edhe në shtypin tonë ditor, sesi modeli fizik femëror gjatë këtyre dekadave është duke u njëtrajtësuar ca nga ca me atë mashkullor, duke tentuar po njëlloj drejt të njëjtave kuota në shpatulla, gjoks dhe kudo në muskuj. Hiq atë tendosjen po aq militare të ekspozimit burrëror “gatitu”/”arm’mbërthe” të gjoksit tek veshja e femrave misse dhe të gjenitaleve tek veshja e meshkujve miss, kusuri është e tëra ecejake e njëjtë vashërore, me po atë sheqer-pudër mbi faqkat e buta pa qime, me gjithë po atë buzëqeshje, po ato nojma e po atë bel, me gjithë po atë muskulaturë të njëjtë posteriore (siç thotë edhe “Playboy”), pas të cilës zhgënjehet me një pahitje të kuqe faji e turbullimi vëzhguesi i përhershëm primitiv mashkullor. Çapitja me nge tutje tëhu e vajzërisë-miss në monopatin imagjinar të skenës, në fakt është tëpkë ajo sfilata sfilitëse e fshatit shqiptar, ku qafëngrirë, po jo aq nga emocioni e pesha e vështrimeve, sesa nga pesha e bucelës, vajzëria sypërdhe, me sebepin e mbushjes së ujit në krua, u ofrohej përditë si trup dhe si informatë, në pritje për t’u bërë grua, trimave që valëvisnin nga pas shkrepave e shkurreve shamitë me djersën toksike të beqarnisë ballkanike etj. etj. ndërkaq që kjo renditja bashkëkohore e pafjalë e trimave një për një në të njëjtin itinerar marketingu me ujësjellësin vajzëror, na duket se çon ujë në mulli të hasmit… (Për hollësi të mëtejshme konsulto fletoren e fundit zyrtare, lidhur me një vështrim kreativ mbi martesat e ligjshme në vendin tonë.)
.
Publicita
Publicita
Vërtetë natyra dhe historia na ofrojnë të shkrira në konsensus harmoninë e luanit-diell me luaneshën-hënë pa krifën e tij zjarr-e-tym; të gjelit-baba-diell me të shoqen-nënë-hënë pa lafshën e tij një pëllëmbë gjak të gjallë mbi kokë; atë harmoni të një dynjaje të tërë me kafshë e kafshëza e shpendë meshkuj ku e ku më ekzibicionistë se gratë e veta; atë të shefit indian të kuq me një ekspozitë të tërë pupëlnaje mbi krye, dhe të shefes së tij mrekullisht pa to; harmoninë e gjithë kulturave të hershme që kanë jetuar brenda tre monoteizmave të fundit semitë ku burri ka shpalosur mbi krye imitacione tempujsh në forma kapash e turbanësh, ndërsa gruaja këto tempuj nuk i shfaq, por i ka mbuluar me vello. Krejt thjeshtë, ajo që na ka mësuar shqisa e posaçme njerëzore, tregon se në fakt veçori ceremoniale e publike ka mashkulli shumë më përpara femrës; se edhe sipas një krahasimi që më vjen në mend periodikisht, jo më kot shenja seksuale e mashkullit është shfaqje, teksa shenja femërore është fshehje. Duket si kundërshti me miss-in. Por në fakt, ndonëse zhvendosur jashtë harmonive të traditës, ndonëse me një artific ekspozimi, konkursi i bukurisë femërore përdor gjuhën e fshehjes pas perdeve; ai është thjesht një formë e shoqërizuar dhe publike e shijimit të asaj çka qëmoti ngjërohej në intimitet, tek e tek. Vini re sesi pika më e nxehtë dhe shkencore e konkurimit është kundërvënia kontradiktore kur gratë parakalojnë në publik me të brendshmet, që janë në fakt uniforma e kthinës më të fshehur të botës, dhomës së gjumit, atelierit tipik ku për kohë e kohëra me rradhë bukuria në fjalë shpalosej, duke konkuruar vetëm me atë përballë-me të burrit, për të fituar kështu përherë; se ajo është në fakt bukuria femërore, harkore, bukuri natyrore, pra e dhuruar, bërë nga lart, bukuri që për të qenë e tillë nuk mban dot përsipër kontribute njerëzore- pelerina, dekorata, helmeta. Është hiri këndor i burrit ai që, duke qenë në thelb jo natyror, por kulturor, ka nevojë të mbahet në këmbë me mjete të jashtme, me pupla e pendë bie fjala, apo me pushkë e pendë me që ra fjala.(etj,etj)
 
Historia e natyra shpesh janë bërë bashkë për të na dëftyer se nuk është e vërtetë që gratë nuk barabiten me burrat për të bërë çudira të shkencës, arteve e teknikës e sporteve. Ata që mendonin të kundërtën kanë mbetur me gisht në gojë kur kanë parë sesi gruaja ka shpikur ndonjë ilaç shpëtimtar, apo ka shkruar ndonjë roman të pavdekshëm apo ka dhënë ndonjë grusht që të lëshojnë sytë xixa. Problemi është se ajo paralelisht me këto, nxjerr nga barku edhe kalamaj, dhe këtë çudi burri nuk e bën dot. Pasi që ia ka provuar njerëzimit se mundet të bëjë mrekulli edhe jashtë edhe brenda vetes, femra është dhe e bukur. Trishtimi ka kapluar rracën e burrave; shumë syresh kanë vendosur të përpiqen seriozisht për të fituar kohën e humbur të kultivimit të bukurisë natyrore, atë kohë që në anën tjetër të peshores e fitoi gruaja duke triumfuar përmbi patriarkalizmin, dhe duke ndarë pastaj në bazë të frymëve monopolin e vjetër të kulturës. (Për më gjerësisht, hidhi një sy prirjeve të përgjithshme të diasporës mashkullore dyqind vitet e fundit, duke filluar që me autosugjestionin e përditshëm të fshehjes së leshrave burimorë të faqeve, për të kaluar përmes një universi galopant të paparë më parë locionesh, aksesorësh vanitozë dhe cohërash e revistash të specializuara e konkursesh, për të arritur deri në padurimin për t’u unifikuar sa më parë me femrën edhe proporcionalisht, me anë të përcaktimit të modeleve të bukurisë femërore sa më të arritshme prej mashkullit, në pikat e nxehta të shpatullave, gjoksit dhe kudo në muskuj.)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.