back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Mision: Kujtesa dhe e Vërteta – Libri, dosja dhe djajtë – nga Visar Zhiti

Gazeta

Shkrimtari Visar Zhiti
Shkrimtari Visar Zhiti

Mision: Kujtesa dhe e Vërteta – Libri, dosja dhe djajtë

nga Visar Zhiti

Qëllimi im, i vepës time, sidomos e asaj që kam veçuar si burgologji, ishte kujtesa dhe të dëshmoja një realitet të rëndë nën diktaturë, posaçërisht persekutimin dhe vuajtjen nëpër burgje, gjithmonë të vërtetën time, atë që u shkrua mbi lëkurën time, duke rrokur aq sa mundesha, duke dhënë dhe atë që pashë përreth.
Do të doja ta kisha veç me dukuritë e së keqes, jo me njerëz të veçantë dhe me emra, por e keqja përhapet dhe ushtrohet nga njerëz dhe emra të veçantë, pra duke qenë e pashmangëshme përplasja, është detyrë të themi të vërtetën, në ndihmë të së mirës së përbashkët e të gjithkujt.
Do të ishte e udhës që ashtu siç e dënojmë së bashku të keqen e përbashkët, ashtu dhe ta njihnim, duke zbërthyer secili pjesën e vet, atje ku ka patur rol. Të persekutuar dhe persekutorë, të mbanim përgjegjësitë, të dënonim të keqen, qoftë dhe moralisht dhe të punohej për normalitetin, për ringritjen sociale.
U punua, por mungoi shumëçka, në këtë rast njohja e thellë, “hapja e dosjeve” dhe trasparenca, drejtësia e mirëkuptimi, prandaj dhe e keqja gjeti rrugë dhe forma të tjera dhe vazhdon duke arritur absurde vrastare.
Së pari është e dëmshme që në zanafillë t’i trajtosh burgjet politike të diktaturës, Spaçin e Qafë Barin, etj, si kampe riedukimi, përkundrazi, ato ishin tmerre, ku ushtrohej dhunë asgjësuese dhe të dënuarit mbaheshin dhe për punë të rënda si ato në miniera duke u shkeluar parimi i parë bazë “shpërblimi sipas punës”, puna jonë grabitej, mbetet ende e papapaguar.
Dhe kush do të riedukonte atje me Makarenkon dhe “Poemën pedagogjike” të tij siç na doli, në burgje s’kishte “të pa edukuar”, ata dinin më shumë se “edukatorët e tyre”, kur së pari në burgje mbylleshin të pakënaqur me sistemin, disidentë e kundërshtarë, deri dhe heronj siç kishte dhe thjesht viktima dhe keqbërës nga ata që po sillte diktatura për t’i degraduar burgjet politike, sa të ishte e mundur më shumë.
Por jemi ende larg këtij debati. Jemi nën sulmet dhunuese, por banale të atyre që kishin profesion dhunën dikur dhe jam i detyruar, jo t’u përgjigjem atyre, as e meritojnë, por t’i shpjegoj sado pak lexuesit.
Ndërkaq janë librat, janë dhe dosjet.
.
Vepra të Visar Zhitit
Vepra të Visar Zhitit
1.Ishte një kohë kur unë isha rob, i burgosur brenda telave me gjëmba dhe dikush më ruante, e kishte punën e policit të mbante mbyllur, madje edhe të më tmerronte, të më bënte të vuaja, të më çonte me dhunë në punë, etj, etj, me vite dhe nëse unë e tregoj këtë sot, që është tjetër kohë, jo e policit por e imja, kjo e shqetëson policin tim, i duket hakmarrje, e tërbon dhe megjithëse ai është tjetër njeri tani, jo polic, vepron po aq dhunshëm si atëhere.
Nuk ka shoqëri normale në botën demokratike, ku të lejohet që persekutorët e dikurshëm të kërcënojnë të persekutuarit e tyre, që shefat e burgjeve të shpifin ndaj viktimave në mbrojtje të krimeve të tyre siç po ndodh së fundmi në vendin tonë.
2.Dialogu me djallin është tejet i vështirë, për të mos thënë i pamundur, prandaj dhe Papa Françesku, lideri moral më i rëndësishmi në botë sot, thotë me të drejtë se me djallin nuk dialogohet, ai është tejet dinak dhe keqbërës pa fund…
3.Në Shqipëri ka bashkëpunëtorë të shumtë të djallit, me dashje dhe pa dashje, të përhapur gjithandej, deri lart, madje dhe të ikur për t’iu shmangur përgjegjësive dhe të vërtetave, duke besuar se mund të jenë fshehur kështu mes atyre që kanë mërguar për një jetë më të mirë apo që nuk kanë duruar dot pikërisht djallin në atdhe.
4.Meqënëse unë kam shkruar libra, ku kam treguar ferrin e burgjeve politike dhe policinë e ferrit, në të cilat kam vuajtur dhe vetë, duke e ndjerë jo vetëm si detyrë të tregoj e të them të vërtetën, por dhe si detyrim për ata që s’janë më apo që nuk tregojnë dot, ndërkaq unë jam dënuar për poezitë e mia, për fjalën dhe kështu ajo u shndërrua në mision.
E di, që krahas admiruesve të shumtë, kam bërë jo pak dhe armiq, madje dhe të rrezikshëm.
Unë nuk kam armiq, nuk dua, ndoca më kanë mua armik dhe jam i detyruar të përballem. Së fundmi ata kanë marrë një revansh të pa skrupullt, duke u dhënë vend mediat e afërta me mllefin e tyre paranojak.
5.Sulmet e tanishme ndaj shkrimtarit Agron Tufa si drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, po dhe ndaj Kastriot Dervishit si ish drejtor i Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Nebil Çikës, kryetar i Shoqatës Antikomuniste të ish të Përndjekurve, etj, deri dhe te qytetarit Urim Gjata, etj, për të mos u hapur në emra të tjerë më parë, jo vetëm që s’kanë asgjë parimore, por veç bëjnë avokatinë e së keqes e janë të pa drejta, vetanake e fyese, shpifje ordinere jo vetëm ndaj atyre që u drejtohen, por ndaj gjithë shoqërisë dhe opinionit qytetar, të dëmshme për të tashmen dhe do të duhej të dënoheshin.
6.Sulmet e këtyre ditëve ndaj bashkëvuajtësve dhe qendrestarëve nëpër burgje, Bedri Blloshmit, Haxhi Baxhinovskit, të sapo vrarë, Kastriot Caushit, Lek Frrokut, Skënder Tufës, etj, si dhe ndaj meje, pa kaluar në emra të tjerë të mëparshëm, janë një përpjekje diabolike për të mbuluar një të vërtetë të rëndë, është tërbimi për të shtypur sërisht revoltën e shpirtrave tanë ashtu si dikur në burgjet e Spaçit e të Qafa Barit, etj.
Përmendja si alibi e emrave të bashkëvuajtësve tanë, ndër më të mirët në burgje si Hajredin Fratari e Sherif Merdani e Namik Ajazi, por dhe Vasil Kati e Nuredin Skrapari e Sokol Ngjela, etj, – që s’janë më, shpërdorimi i mirësisë tonë për mirëkuptim dhe paqe të drejtë, nuk ndryshon gjë në dhunën e padrejtë që u ushtrua ndaj të burgosurve apo në shtypjet e revoltave të tyre duke shkuar deri atje sa të pushkatoheshin njerëz, pra në terrorin shtetëror.
.

Visar Zhiti
Visar Zhiti

7.Sulmet e herëpashershme ndaj meje, shpifjet vrastare, bëhen me qëllim për të na rrëzuar, jo vetëm mua, por të vërtetën që ne mbartim, janë hakmarrje e kërcënime për ato që janë shkruar për përndjekjet, dënimet dhe burgjet dhe posdiktaturën, me qëllim që, duke na nëpërkëmbur ne, ata do të janë më të justifikuar.

Bënë detyrën, thonë. Edhe ne bëjmë detyrën, themi.
Për mua po shpif tani mbas 30 vjetësh ai që ka qenë shefi i polisë së tmerrshme të burgut të Qafë-Barit, se, sipas tij tani, unë paskësham qenë “veshi i partisë së tij në burg” dhe për ketë më paskëshin çuar të punoja në ofiçinën e burgut në Qafë Bar(?!). Kurrë. Jo! Unë asnjë ditë nuk kam punuar në ofiçinë, gjë që vërtetohet jo vetëm nga ish të bashkëvuajtësit e mi, por dhe nga dokumentacioni i mbetur i brigadave të punës në burg. Që edhe sikur të kem punuar atje, në ofiçinë, kjo s’përbën ndogjë gjë, i burgosuri shkon ku e detyrojnë, zvarrë, dhe në pushkatim. Në ofiçina kanë punuar dhe të burgosur të ndershëm, që kishin zanat mekaniku.
Në të gjitha vitet e burgut tim, gati 8 vjet, unë vazhdimisht, pa ndërprerje kam punuar si skllav nën tokë, me turne, me kazmë e lopatë në terr, kam shtyrë vagona si i mallkuar. Kjo është e vërtetueshme kollaj dhe nga shumëkush dhe regjistrat e punës në burg janë ende.
Dhe përsëri një tjetër uniformë e dikurshme ushtarake, e spërkatur me piklat e gjakut tonë, e thotë fare lehtësisht, pa përgjegjësi si i papërgjegjshëm, pa një provë a dëshmi, edhe pse ish punonjës i lartë i diktaturës, mjafton që t’i duhet atij kështu, që unë paskësham qenë bashkëpunëtor i tyre. Jo, asnjëherë. Kurrë. Përkundrazi! Dhe s’kam dalë ndonjëherë dëshmitar. As për atë vetë nuk dua të dal, s’kam kohë për djajtë, është libri, po e deshën, duhet të veprojë shoqëria…
Ua kujtoj dhe atyre që kanë qejf të jetë kështu siç i fanitet kryepolicit, se në dosjen time është gjetur e është bërë publike kartela e refuzimit tim (me neveri) e bashkëpunimit me Sigurimin e Shtetit dhe ajo është e vitit 1989, pra deri atëhere s’kisha pranuar, pastaj diktatura u zhbë dhe ata s’bënin dot më spiunë të Sigurimit.
I jap të drejtën kujdo të interesuari të rrëmojë në dosjet e mia, kudo që të jenë dhe e siguroj që s’ka për të gjetur një gjë të tillë, se s’ka.
Megjithatë unë e përsëris prapë që për bashkëpunëtorët e tyre, spiunët, faji dhe përgjegjësia dhe dënimi së pari duhet të bjerë mbi ata që i thyen njerëzit me hir dhe pa hir dhe i bënë ashtu siç ata nuk deshën dhe pasi i shtrydhën, tani i flakin duke u bërë shumë më të ulët se ata.
Kryespiunëve të lartë, meqënëse u duhet të dalin kundër atyre që u qëndruan, shpifin për të kundërtën, duke lenë fshehur ende bashkëpunëtorët e tyre realë, me të cilët dhe u mbajtën.
Kurse ëndrra që sheh kryepolici, që ia mbathi në Gjermani, sikur i paska shpëtuar “veshët e mi” në burgun e Qafë-Barit, është një tjetër shpifje neveritëse dhe e dënueshme. S’kam patur kurrë rreziqe të tilla dhe rreziku i vërtetë në burg ishte ai dhe policia që drejtonte, përpjekja për të na bërë si vetja e tyre. Ç’provë ka ai kundër meje përveçse poshtërisë së vet?
Unë madje kam gjetur në dosje se jam denoncuar dhe në burg dhe përgatiteshin për ridënimin tim, patjetër dhe prej rrjetit policor të tij…
8.Burgologjitë e mia “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë” do të jetojnë më shumë se ai e ata që ngritën dhe mbajtën burgjet tona me dhunë dhe hekur. I kam shkruar pas burgut si vepra të kujtesës, kurse në burg kam shkruar poezi fshehurazi, kam dëshmitarë shumë miq besnikë, po përmend nga të gjallët, Hasan Bajo e Maks Rakipaj, Lek Mirakaj e Dine Dine, Esat Çoku, Astrit Xhaferri e Kujtim Prendi, e ku s’i kemi fshehur së bashku, që janë një tjetër sfidë se si arrita t’i shpëtoj kthetrave të policisë së tij, që të paktën shpirti është i pa asgjësueshëm.
Nga shkaku i poezive klandestine, në burg rrija pa bërë rebelin, as heroin, poetin jo e jo, ishte e pamundur dhe e ndaluar rreptësisht. Në heshtje i besoja një të ardhmeje, që dhe po të mos ta arrija unë, ajo do të vinte me doemos. Flisnim kundër diktaturës dhe diktatorëve me miqtë e mi besnikë dhe mirënjohës që më mbrojtën mua dhe poezitë e mia, se ato ishin më të shtrenjta se jeta ime, kështu më thoshte bashkëvuajtësi Hasan Bajo.
Ne nuk kemi shkruar nga urrejtja, e përsëris, por nga dhëmbja dhe detyra për kujtesën dhe të vërtetën, në nderim të vuajtjes njerëzore, të atyre që qëndruan fuqishëm deri në martirizim, kemi shkruar kundër së keqes, kundër dukurive të saj, dalin emra e bëma të rënda, që sot nuk i durojnë dot ata që i kryen, i kuptojmë dhe duhet të na kuptojnë, rruga më e mirë është distancimi nga vetja e tyre e dikurshme, shpjegimi, nëse duan, ndjesa nëse duan, por jo, jo sulmi i ri ndaj viktimave, për të ridënuar të dënuarit, për të rivrarë të vrarët. Shkrimet tona janë dhe apel që të dënojmë së bashku të keqen, të kaluarën kriminale, se siç thotë Papa Françesku që ne duhet të jemi kundër mëkatit, por jo mëkatarit.
.
Papa Françesku dhe Visar Zhiti
Papa Françesku dhe Visar Zhiti
9.Edhe pse flasin dhe veprojnë si ateistë të pandreqshëm, kujtojnë ndonjëherë Zotit, sikur këto janë pësime prej tij, hedhur mbi ne. Jo! Zoti na mbron, na mbron prej së keqes së tyre, por është djalli ai që na sjell dëme e mynxyra, tragjedi vetanake dhe vendit. Prandaj dhe zgjedhin më mirë në qiell se sa mes baltës me djaj. Të shpëtohet ç’mund të shpëtohet.
10.Për një higjenë sa më të pranueshme mendore e shpirtërore, që në trutë e atdheut të mos ketë kaq shumë qelb e në gjak kaq shumë helm. Që dhe armiqtë t’i bëjmë vëllezër. Me drejtësi dhe dhëmbje. Por dhe armiqtë të mundohen të mos mbeten të tillë, se dëmtojnë vendin, po aq dhe veten, në mos më shumë.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.