
Mishel dë Montenj – Ese
tre Vëllime me esse të përkthyera nga Gëzim Baruti
Parathënie e botimeve të Londrës
“Esetë” e Montenjit është një nga veprat më të mëdha të kulturës perëndimore. Është një libër që s’ka shok, i shkruar, i korigjuar, i rishkruar gjatë më shumë se dhjetë vjetëve, por që pasqyron një jetë të përshkruar prej vorbullave të vazhdueshme të një epoke të rrëmujshme; një libër që shtjellon gjithçka, që synon të sjellë një opinion të arsyeshëm dhe kritik mbi të gjitha temat kryesore të jetës: edukatën, virtytin, lavdinë, guximin, zakonet, besimin, vdekjen, miqësinë si edhe mendimet për luftën, strategjinë ushtarake dhe marrëdhëniet fizike; ku përfshihen edhe Sonetet e Boetisë.
“Esetë” mund të shihen në dy mënyra: kthim te një vështrim stoik i jetës në drejtësinë e traditës së filozofëve si Seneka, ose përpjekje mahnitëse moderne për të kuptuar Gjendjen njerëzore.
Version i pabotuar i botimit të Londrës
Ky vëllim i parë përmban librin e parë të botimit klasik të “Eseve” të Montenjit, të ashtuquajturin botim të Bordosë, dhe përfshin versionin origjinal të “Eseve” të 1580-s me korigjimet dhe shtesat e bëra nga Montenji, për botimet e ndryshme që panë dritë midis viteve 1580 dhe 1595.
Ky vëllim përmban edhe një version në frëngjishten moderne, ngjizur prej botimeve të Londrës, për të lejuar një lexim sa më të rrjedhshëm të “Eseve”.
Në të vërtetë, kur i pamë “Esetë” arritëm në këtë përfundim: “Esetë” nuk i lexonim më. Dhe duke patur parasysh se bëhet fjalë për një nga tekstet themeluese të kulturës franceze, të kulturës europiane, dhe ka të ngjarë edhe pikënisja e Humanizmit francez, ne pyetëm veten pse, leximi në frëngjishten e shekullit të gjashtëmbëdhjetë është shumë i mundimshëm për lexuesin e sotëm? Pra, kemi bërë inventarin e botimeve ekzistuese dhe vumë re që asnjë nuk na dukej i kënaqshëm: ose ishin shumë të kuptueshëm, por largoheshin nga ritmi i frazës së Montenjit, pra, nuk ishin vërtet të kuptueshëm. Për më tepër, ne përkrahim botimin e Bordosë dhe mendojmë se është ky që duhej punuar. Në këtë version, pra te botimi i Bordosë, ne kemi modernizuar sistematikisht ortografinë, por kemi përkthyer edhe fjalët e vjetra, të pakuptueshme për lexuesin modern, kemi rindërtuar frazat në sintaksën e sotme, gjithmonë në kërkim të ruajtjes së stilit dhe fjalisë së Montenjit.
Për më tepër, botimi ynë lejon krahasimin e versionit modern me atë klasik duke kaluar nga njeri te tjetri me anë të lëvizjes sonë sipas paragrafit, pra duke përdorur shenjat që gjenden midis paragrafeve.
Shpresojmë që ky version i ri i frëngjishtes moderne t’ju pëlqejë.
Modernizimi i frëngjishes së shekullit të Montenjit është një punë delikate, bile prej mjeshtrash pelivanë, që synuan të ruajnë stilin e Montenjit, duke na e sjellë tekstin mundësisht sa më të kuptueshëm. Pas leximit mos ngurroni për të shkruar komentet tuaja në blogun botimet e Londrës.
Në “Esetë”, Montenji zhvillon idetë e tij mbi artin e të jetuarit. Ai nuk pranon të shkruajë një libër filozofie por propozon, ashtu siç thotë në parathënien e tij, të na japë shembullin e vet dhe ndjenjat e tij të pastra. Ky s’është një libër teorie por një paraqitje praktike e filozofisë së tij e stolisur me anekdota dhe shembuj të nxjerrë shumë shpesh nga historia greke e romake.

Gjuha e “Eseve”
Qysh prej dekretit Viler – Koteret më 1539, frëngjishtja është gjuha administrative, por është një gjuhë në një zhvillim historik të plotë. Është pikërisht ajo frëngjishte që Montenji zgjodhi për të shkruar. Le ta citojmë: “Unë e shkruaj librin tim për pak njerëz e për pak vite. Nëse kjo do të kishte qenë një temë e caktuar për jetëgjatësi, do të ishte dashur t’i besohej një gjuhe më të qëndrueshme. Sipas ndryshimit të vazhdueshëm që ka shoqëruar gjuhën tonë deri në kohën e sotme, kush mund të shpresojë që forma e saj aktuale do të përdoret këtu e pesëdhjetë vite më pas? Që kur se jetoj, ajo ka ndryshuar gjysmën.”
Megjithatë është e thjeshtë, në harmoni me projektin e tij, me bindjet e tij. Montenji dëshiron të shkruajë me thjeshtësinë më të madhe. Ai dëshiron të shkruajë siç flet. Pra, ai bën pjesë ndër këta shkrimtarë të gjuhës së gjallë e të thjeshtë si Rabëleja të cilin e kish lexuar, Stendali, Marsel Ajme, dhe jo si ata shkrimtarë që përdorin një gjuhë të huazuar, të izoluar nga bota për të bërë të ringjallet një botë, ose ata që shkruajnë jashtë botës që të sajojnë një botë ndonjëherë me lumturi e shpesh pa të.
“Esetë” fillojnë si një dëshirë për të treguar refleksionet dhe mendimet e tij në letër, edhe njëherë sipas modelit latin. Pas kësaj, nën shembullin e Plutarkut dhe me masën që shkruan ai, kur refleksioni thellohet e kur projekti përsoset ai i përzien shumë refleksione personale dhe anekdota, dhe kapitull pas kapitulli, libër pas libri Montenji tregon edhe më shumë, duke e konsideruar librin e tij të parë si jo fort mjaftueshëm të vërtetë, mjaftueshëm të sinqertë dhe transparent, gjë kjo që e shpie në shtojca dhe vërejtje të vazhdueshme të cilat duan të zbutin, të frenojnë, të pakësojnë apo edhe të kundërshtojnë mendimin fillestar. Gjithashtu, subjektet janë të prirura të evoluojnë me kalimin e kohës, sa më shumë që mendimi çlirohet nga kufizimet e imponuara nga koha e tij për atë që është e denjë për interes e atë që nuk është. Konsideratat ushtarake dhe diplomatike, sigurisht duhej të zinin një vend shumë të rëndësishëm në projektin fillestar, por ato vinë pas shumë refleksioneve vetjake mbi vdekjen, jetën, miqësinë, të cilat zënë një vend të gjerë. Kështu, ajo që gjatë leximit të vëllimit të parë duket pak si e ftohtë, jo mjaft personale, do të kthehet dalngadalë në një shikim të vërtetë brenda vetes, këtë herë në transformimin e njeriut autor që shkruan mbi të gjitha në lidhje me një sistem referimi, një njeri që po kërkon veten, brenda një shoqërie që po kërkon edhe veten e saj, pra, transformimin në një autor të ri, pararendës apo pionier i Humanizmit, i cili do të zbulojë qenien e tij më të thellë duke krijuar një lidhje të fuqishme, të thellë, i përmallshëm me lexuesin, duke kapërcyer kështu brezat (pasi të kapërcehet nga përkthimi barriera gjuhësore). Ajo do të kapërcejë limitet në dukje të rrëgjuara të jetës njerëzore duke kërkuar, kundër dëshirës së tij, të përshkruajë dhe të shpjegojë gjendjen njerëzore, ai do të sjellë një përgjigje, lartësimin e qenies më misterioze, më të thellë, pikërisht nga fenomeni transformues i shkrimit.
Për lexuesin
Ky është një libër me mirëbesim o lexues! Qysh në fillim ai ju informon se nuk kam ndër mend asnjë qëllim tjetër përveçse diçka shtëpiake dhe private. Aty nuk kam menduar as për shërbimin ndaj teje, as për lavdinë time. Forcat e mia nuk janë të afta për një qëllim të tillë. Unë ia kam kushtuar rehatisë së veçantë të të afërmve dhe miqve të mi, që kur të më humbin (që së shpejti do t’u duhet ta mësojnë) të mund të gjejnë në të disa tipare të rrethanave dhe karakterit tim, dhe që me këtë mundësi ushqejnë tërësisht dhe me gjallëri njohjen që ata kanë pasur me mua. Nëse do të kishte qenë për të kërkuar përkrahjen dhe nderin e njerëzve, do të isha veshur e stolisur më mirë dhe do të isha paraqitur me një ecje të studiuar. Unë dua që bota të më shohin në mënyrën time të thjeshtë, të natyrshme, të zakonshme, pa grindje dhe dredhi, sepse jam unë vetë që përshkruaj. Mungesat, të metat e mia do të lexohen shpejt, dhe forma ime është e padjallëzuar aq sa më lejonte nderimi i thellë publik. Se, sikur të kisha qenë mes atyre kombeve që thuhet se jetojnë ende nën lirinë e ëmbël të të parave ligje të natyrës, ju siguroj se me shumë dëshirë do të isha atje i pikturuar i tëri dhe krejt lakuriq. Kështu, lexues, unë dora vetë, jam subjekti i librit tim; e s’është e arsyeshme që ti të përdorësh kohën e lirë për një temë kaq të kotë e të parëndësishme.
Zotit pra, nga Montenji,
Në të parën ditë të marsit, të njëmijë e pesëqind e tetëdhjetës.

Biografia e Montenjit
Michel Eyquem de Montaigne (Mishel dë Montenj, lindur më 1533 dhe vdekur më 1592 në Sën-Mishel-dë-Montenj, në Dordonjë) është një shkrimtar dhe filozof francez i shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Montenji është autori i famshëm i Eseve dhe në të njëjtën kohë edhe një njeri i Rilindjes. Duke lexuar Montenjin kuptojmë njëkohësisht se sa shumë modern, moralist me mend, stoik dhe rilindas është ai. Esetë janë një nga tekstet themeluese të mendimit perëndimor.
Mishel dë Montenji lindi më 28 shkurt 1533. Familja Ejkem ishte një familje tregëtarësh nga Bordoja. Ishte stërgjyshi i tij ai që bleu zotërimet e Montenjit. Babai i tij, Pierr Ejkem, është i pari që përqafon karrierën ushtarake. Ai u bë i dëgjuar gjatë luftërave të Italisë, në fillim të shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Në vitin 1519, ai u bë zot i Montenjit. Familja Ejkem, me pronën e saj dhe kalimin në shërbim ushtarak bëhet familje fisnike. Më 1529, Pier Ejkem u martua me Antuanet dë Lup dë Vilnëv që rridhte nga një familje me origjinë spanjolle e që ndoshta vetë ishin me origjinë çifutësh të konvertuar. Nga martesa e tyre do të lindte Misheli, më i madhi ndër shtatë vëllezër e motra. Mishel dë Montenji ndien njëfarë admirimi për të atin ndërsa flet shumë pak për nënën e tij, dhe përveç kësaj tregon fare pak respekt për gratë në këto Ese.
Pierr Ejkem ja beson djalin e tij, Mishelin, një mëndeshe në një fshat të vogël të zotërimeve të tij. Pastaj, përsëri në kështjellë, ai e edukon sipas parimeve humaniste, në atë të ndikuar nga Erazmi, dhe ja beson një mjeku gjerman që i fliste vetëm latinisht, gjuhë që në atë kohë përdorej përsosmërisht nga e gjithë elita europiane. Edhe vetë prindërit duhej të flisnin vetëm në latinisht para tij! Latinishtja bëhet gjuha e tij amtare. Montenji e zotëron pra, përsosmërisht, ndërsa frëngjishten do ta mësonte shumë më vonë. Më pas, qysh kur ishte shtatë vjeç Montenji u dërgua në kolegjin e Gyienës në Bordo, kolegji më i mirë në Francë në atë kohë, ku ai mësoi gramatikën dhe retorikën. Pas ëmbëlsisë së edukimit të lirë në kështjellë, ai mëson disiplinën e fortë dhe kamxhikun. Megjithëse atje, me sa duket, bëri studime të shkëlqyera, përherë të përqëndruara rreth latinishtes, letërsisë, filozofisë, teatrit, leximit të autorëve të mëdhenj latinë si Ovidi, Virgjili, Terenci e Plauti, ai vuan shumë nga këto metoda dhe nga këto teprime në disiplinë. Kjo përvojë do të ndikojë shumë në pikpamjet e tij edukuese. Pas kolegjit të Gyienës, biografët e tij nuk janë shumë të qartë, le të themi që ai humb pak gjurmët e tij, por supozohet se ai studioi për drejtësi, ka të ngjarë në universitetin e Tuluzës.
Më 1556, ai është magjistrat në gjykatën e ndihmave të Perigordit. Më 1557, është magjistrat në parlamentin e Bordosë. Në atë kohë, roli i parlamentit, përveç dhënies së drejtësisë ishte të regjistronte dekretet dhe urdhëresat e mbretit, si edhe të bashkëpunonte me guvernatorin e qytetit, të caktuar nga mbreti, përgjegjës për ruajtjen e rendit publik. Montenji do të jetë i ngarkuar me shumë misione në Paris, në oborrin e mbretit, por nuk do të dëshirojë të bëjë karrierë atje. Thjesht është mirë vetëm për kurtizanët, mund të thoshe për atë vend. Koha në të cilën ai jeton nuk është e sigurtë. Nga viti 1562, dhe gjatë tridhjetë vjetëve që pasuan, kjo “Rilindje” u shqua mbi të gjitha nga njëra prej luftërave civile kryesore në Francë, luftërat e fesë, kulmi i të cilave është Shën Bartolemeu famëkeq më 1572. Ne besojmë se është e vështirë të kuptosh Esetë pa përfshirë tmerret që autori i tyre duhej t’i kish bërë të pranishme. Dhe mund të jenë këto, pra Esetë, madhështia përmes shkrimit, hidhërimi i thellë i atij që ka parë shtrirjen apo madhësinë e tmerrit dhe marrëzisë njerëzore. Në vend që të përshkruante kohën e tij të turbullt, ai ka përfituar duke nxjerrë mësimet e jetesës, sipas mënyrës së Mark Aurelit!..
Më 1559, ai takohet me La Boeti-në. Ajo që ne shpesh harrojmë, është që, së pari La Boeti është tre vjeç më i madh se Montenji, por edhe se ai kishte shkruar tashmë ligjëratën mbi skllavërinë vullnetare kur Montenji sapo kishte mbaruar bukur e mirë kolegjin e Gyienës. Ka shumë mundësi që kjo miqësi, që zgjati jo më shumë se katër vjet, qe idealizuar gjatë gjithë jetës së tij nga Montenji, që përfshiu sonetet e La Boeti-së në vëllimin e parë të Eseve, dhe donte, por hoqi dorë, të përfshinte ligjëratën mbi skllavërinë vullnetare që edhe e dënon me gjysmë zemre, sigurisht për t’u mbrojtur nga kritikat dhe trysnitë politike, meqë “Kundërnjëshi” në atë kohë ishte paraqitur nga protestantët si një pamflet kundër mbretit e që shpjegon çensurën dhe privimin nga të drejtat përgjatë shumë viteve, bile edhe shekujve. Flitet gjithashtu që La Boeti i kumtoi Montenjit entusiazmin e tij për stoicizmin. Nëse La Boeti ka ekzistuar dhe nëse ajo që thotë Montenji për të është e vërtetë (disa ngulin këmbë që La Boeti është një pseudonim i Montenjit, për t’i lejuar atij të shmangë çensurën për disa shkrime si Ligjërata mbi skllavërinë vullnetare), atëhere mekanizmi psikologjik na duket i qartë. La Boeti, është ky më i madhi, ai që admirojmë, më i pjekur, shkrimtar tashmë, është gjithashtu ai, gjenia e të cilit shuhet shumë shpejt e goditur padrejtësisht nga vdekja. Është shumë e mundur që Montenji të ketë idealizuar krejt personalitetin e La Boeti-së, që ai ta ketë çmuar si një vëlla, që ai ta ketë dashur ashtu siç duam një vëlla, dhe që Esetë të jenë pjesërisht një nderim, nderimi ndaj një vetveteje tjetër, njëfarë detyrimi moral ndaj kujtimit të mikut të tij, të cilit, sipas tij, ai i detyrohet gjithçka duke qenë njëherësh edhe trashëgimtari i tij i ligjshëm (shih përfshirjen e Soneteve dhe dëshirën për të përfshirë edhe Ligjëratën).
Duke filluar nga viti 1563, Montenji do të njohë shumë aventura dashurie nga të cilat duket se mban mend vetëm pamjen fizike. Më pas martohet me Fransuazë dë la Shasenjë, martesë interesash e cila me sa duket nuk e mban gjallë dashurinë. Por në kohën e Montenjit, martesa ishte gjithçka përveç dashurisë. Ai, përveç kësaj flet mjaft lirisht për seksin në Esetë, mjaft befasuese kjo për kohën.
Më 1568, Montenjit i vdes i ati. Ky i kish kërkuar që të përkthente në frëngjisht veprën e një teologu katalan, Raimond Sebondi të titulluar “Libri i krijesave”. Montenji do t’i vihet punës me detyrim por nuk do të arrijë të përfundojë para vdekjes së të atit. Ai do ta mbarojë këtë përkthim në vitin 1569. Kuptojmë gjithashtu se në të njëjtën kohë, detyra e tij si magjistrat në parlamentin e Bordosë kishte filluar t’i rëndonte shumë, sepse Esetë e tij janë të mbështjella me shpjegime kritike mbi drejtësinë, mosfunksionimet e saj dhe mizorinë e saj. Përveç këtyre, pasi humbi mikun e tij të ngushtë, pasi humbi edhe të atin, u mërzit nga martesa, duke shijuar në të njëjtën kohë punën letrare (përkthimi, ndikimi i La Boeti-së), më pas trashëgoi nga i ati një pasuri të vogël, dhe më në fund duke mos pranuar një emërim të tij në dhomën e madhe të parlamentit të Bordosë, Montenji heq dorë nga detyra më 1570, duke u tërhequr në tokat e tij në Montenjë. Më 28 shkurt të vitit 1571, ai ishte tridhjetetetë vjeç. Në bibliotekën e tij ai kishte pikturuar një mbishkrim. “Fillon një jetë e re.”
Sidoqoftë, midis viteve 1571 dhe 1580 Montenji nuk bëri jetën e një vetmitari. Ndërsa qëndron në tokën e tij në Montenjë, i pëlqen të takojë njerëzit, të kalërojë në zotërimet e tij, por gjithashtu, ka edhe kohë të lirë të mbyllet në bibliotekën e tij për të lexuar, ëndërruar, për të medituar dhe shkruajtur. Pikërisht gjatë këtyre dhjetë vjetëve ai filloi të shkruajë e redaktojë Esetë për të cilat publikoi botimin e parë, të dy librave të parë, në vitin 1580. Megjithatë, nga viti 1578, ai vuan nga gurët në veshka, herë pas here jashtëzakonisht të dhimbshme dhe që nuk do ta lënë rehat deri në vdekjen e tij. Një tjetër pikpamje krejtësisht e gabuar e mitit të murgut të mbyllur në bibliotekën e tij, Montenji merr pjesë edhe në luftërat fetare. Me kërkesën e mbretit ai është negociator për situatat politike midis mbretit të Francës dhe atij të Navarrës. Një pjesë e tërë e jetës së tij ushtarake dhe diplomatike nuk është zënë në gojë kurrë ballë për ballë, por na arrin vetëm përmes Eseve, nga hapësira e njohjeve të tij ushtarake dhe diplomatike.
Në vazhdim të publikimit të Eseve, Montenji ndërmerr një udhëtim të gjatë. Pikësëpari, ai dëshiron të shërojë sëmundjen e tij dhe beson në të mirat që përmbajnë ujrat termale, dhe më pas ai ndoshta është i lodhur nga dhjetë vjetët e tij të të qenit pothuaj vetmitar dhe, le të kujtojmë edhe një herë, se luftërat fetare tashmë janë tërbuar. Në shtatëmbëdhjetë muaj, nga viti 1580 deri më 1581, ai përshkon lindjen e Francës, Gjermaninë, Zvicrën, mbërrin në Itali, dhe është në Luka kur mësoi se është zgjedhur në bashkinë e Bordosë. Nga ky udhëtim ai ka lënë një ditar me shënime që nuk qenë publikuar fare deri në shekullin e tetëmbëdhjetë.
Ai kthehet në Bordo ku qe zgjedhur kryetar bashkie në mungesë, dhe në fillim e refuzon detyrën, por detyrohet ta pranojë me këmbënguljen e mbretit. Madje ai do të rizgjidhej edhe më 1583, një privilegj mjaft i rrallë. Duhet thënë që periudha nuk tregohet fort e gatshme në një jetë politike paqësore: luftërat fetare, pa të cilat nuk mund ta kuptojmë Francën moderne, Francën e sotme, janë tërbuar. Partitë politike janë të copëtuara, në parlamentin e Bordosë, midis Lidhjes, ultrakatolikëve dhe të moderuarve. Gjendja mes protestantëve dhe katolikëve në përgjithësi dhe më tepër arbitrazhi i vështirë që ai duhet të kryejë midis interesave të mbretit të Francës dhe të atyre të Henrit të Navarrës, guvernatorit të provincës, mbeten çështje për zgjidhje. Pak para mbarimit të mandatit të tij të dytë Montenji largohet nga Bordoja për t’iu shmangur murtajës dhe nuk do të jetë i pranishëm në përurimin e pasuesit të tij. Disa shekuj më vonë ai do të përflitet shumë për këtë braktisje të detyrës.
Me kthimin në kështjellën e tij, në Montenjë, ai i kushtohet edhe një herë pushimit, leximit dhe shkrimeve. Ai shkruan trembëdhjetë kapituj të rinj të Eseve të tij që do të jetë libri i tretë i tyre, por mbi të gjitha ai rishkruan, korrigjon, zbukuron veprën e tij me anë të shtesave të tjera. Ndërsa shkruan, jo fort larg mureve të kështjellës së tij bëhet luftë. Vetëm tetë kilometra larg Montenjës ushtria mbretërore rrethon Kastijonin. Atij i kërkohet që të mbajë anën e njërës apo tjetrës palë, gjë që ai shumë herë nuk pranon duke u armiqësuar me të gjithë. Më1588, ai shkon në Paris për të shtypur botimin e ri, të pasuruar dhe të korrigjuar, të Eseve. U arrestua dhe u burgos nga Ligurët, por shumë shpejt u lirua me urdhër të nënës mbretëreshë. Atje ai njihet me atë që do të bëhet gruaja e tij me besëlidhje. Pastaj shkon në Blua për të marë pjesë në mbledhjen e tre rendeve bujare si kleri, fisnikëria dhe borgjezia. Më në fund kthehet në Montenjë ku i rivihet punës për një botim të ri të Eseve, por do të vdesë para se ta përfundonte atë, më 1592.
Kush ishte Montenji?
Një njeri i shquar dhe shumë i ndërlikuar, pa pikë dyshimi! Montenji vuan ndoshta nga mungesa e dashurisë të prindërve ndaj tij; mospërfilljen e tij për gratë ne e shpjegojmë me armiqësinë që duhet të ketë pasur ndaj nënës së tij. Edhe për gruan e tij nuk ndiejmë më tepër dashuri, as edhe për fëmijët e tij pesë nga të cilët i humbi në moshë të vogël. E vetmja dashuri e vërtetë e tij ishte, pa dyshim, ajo që ai ndjeu për La Boeti-në kohëzgjatja e pakët e së cilës, ne e besojmë, qe ndikimi tjetër i madh i jetës së tij. Larg imazhit të të urtit francez që ai përcjell në kohën tonë, imazh që më së fundi është edhe pak i vjetëruar e gjithashtu mjaft pagabueshëm politikisht (provincial, nëpunës i mirë, i përmbajtur, mik besnik, pak fetar, i çmuar…), Montenji është një njeri i ndërlikuar që thotë se për të hapur derën e kopshtit të tij të fshehtë, “Nuk kam asnjë projekt tjetër veç të vizatoj veten”, por në hapat e parë ai e hap përgjysmë këtë derë. Ai ngurron. Ose, më mirë, ai vendos ta hapë gjatë rrugës së tij. Por kjo hapje mbetet e kushtëzuar nga kuptimi i asaj që bëhet dhe i asaj që nuk bëhet. Në fillim, nuk është një pikturë, nuk është një udhëtim në zemrën e vetë atij, është një prapsje në krahasim me realitetet e vendosura të kohës së tij që do të shndërrohet ngadalë në studim të vetëdijes së tij.
Montenji nuk dëshiron të rrëfehet tërësisht, ai dëshiron të rrëfejë kontradiktat e epokës së tij si kullotë për njeriun e ndershëm dhe për brezat e ardhshëm. Ky është ndoshta projekti fillestar. Më pas, sa më shumë që ai shkruan ky projekt fillestar transformohet, përparon e zhvillohet, dhe shohim të shfaqet Montenji i vërtetë, më në fund, që, i çliruar nga detyrimet shoqërore e artistike, do të na flasë. Kështu pra, Esetë do të kenë qenë instrumenti i shndërrimit të një autori që i nënshtrohet epokës klasike greko-romake, në një humanist klasik, i cili u shpëton të gjitha detyrimeve duke na u dukur befasisht kaq i afërt. Në këtë, Montenjit nuk i gjendet shoku; ai shpik një stil origjinal, përdor një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme nga të gjithë. Nëse tek Esetë, dëshira për t’i lënë një dëshmi botës, fillimisht fiton mbi vetvetishmërinë, pra dhe mbi ftohtësinë e asaj që trajtohet, Esetë, ky mishërim letrar i Montenjit, mbeten një tekst që vërtet nuk i gjendet shoku.
Montenji filozof
Qysh në fillim Montenji u ndikua nga stoikët. Në këtë duhet të kemi parasysh sa edukatën latine, pa dyshim, po aq edhe Senekën, i cili po ashtu jetonte në një kohë të pamundur dhe luajti një rol të rëndësishëm në formimin e Montenjit, por edhe ndikimin e La Boeti-së.
Po ç’është stoicizmi? Për t’i rënë shkurt, mënyra më e mirë për ta shtënë në dorë është ta përfytyrosh si një farë budizmi laik i stilit perëndimor; më seriozisht stoicizmi është, para së gjithave, mospranimi i pasioneve dhe vullneti për të jetuar i qetë në harmoni me njerëzit dhe me natyrën. Dhe që në fillim, Esetë, duket si një vepër stoike, veçanërisht Libri i parë. Dhe modeli i tij është Seneka stoicizmin e të cilit do ta kuptojmë mjaft mirë kur kemi parasysh kohën në të cilën ka jetuar Kaligula dhe Neroni…
Me kalimin e moshës, mendimi i Montenjit u kthye drejt epikurianizmit. Epikurianizmi është paksa një stoicizëm i shthurur dhe i zhgënjyer, më pak një sistem shpjegues i botës dhe një dëshirë për të jetuar sipas një sistemi në harmoni me botën sesa vullneti për të përfituar prej tij, për sa kohë që ai është atje, por pa bërë dallgë. Nëse stoicizmi është post-racionalizëm i një kohe mizore apo të turbullt, epikurianizmi është stoicizmi i kaluar nëpër mullirin e një sëmundjeje të pashërueshme.
Por ajo që nuk do të harrojmë nga Montenji, pa ngurruar është skepticizmi. Po, është e vërtetë, Montenji është një skeptik. Kështu, ne shpjegojmë kontradiktat e shumta të jetës së tij, pavarësinë e mendimit të tij, mospranimin e detyrave plot përgjegjësi, guximin për të marrë përsipër disa nga zgjedhjet e tij, kërkesën që ai ka për të mbrojtur jetën e tij (bile edhe sjelljen e tij gjatë murtajës së Bordosë në fund të mandatit të tij të dytë) dhe përbuzjen e tij, mospërfilljen e tij absolute për të gjithë ideologët, dhënësit e mësimeve. Montenji do t’i kishte urryer mësimdhënësit e kohës sonë po aq sa ata që shkumonin gjatë kohës së tij, por që sigurisht do të kishte vlerësuar dhunën e kontrolluar fizike, këtë ndryshim e dallim të madh që na ndan nga Rilindja.
Rilindja dhe epoka moderne
Mbi të gjitha duhet të dimë që Montenji jetoi në një epokë tjetër. Ta harrojmë Rilindjen ashtu siç e mësojmë në shkollë, është një post-racionalizëm i epokës moderne. Koha e Montenjit, po, është kthimi i edukimit përmes të të mësuarit të shkronjave dhe letërsive klasike, greke e latine, është një shpërthim artistik, një rritje e sigurtë ekonomike, është shpikja dhe çapet e para të përhapjes së shtypshkronjës, që s’duhet ta harrojmë. I dashuri Fransua i I-rë (po, ai i kështjellave të Luarës, miku dhe mbrojtësi i Leonardo da Vinçi-t) u përpoq të ndalojë për të shmangur përhapjen e ideve protestante, pothuajse siç përpiqen të bëjnë në kohën tonë politikanët tanë vegimtarë duke kërkuar, gjatë shumë vjetësh, të frenojnë internetin në mënyrë që të ngadalësojnë përparimin e ndikimeve të këqija që vjen nga Shtetet e Bashkuara. Por koha e Montenjit ishte gjithashtu koha e luftërave të tmerrshme fetare, një nga tri epokat e mëdha të luftërave civile që goditën Francën, me revolucionin (Blu dhe Shuan), dhe pushtimin (Franca u nda më dysh, dhe një pjesë e Francës demaskon, padit dhe ja shet pjesën tjetër pushtuesit i cili e dërgon nëpër kampe), këto janë masakra të padrejta që trondisin arsyetimin njerëzor, është imponimi i frëngjishtes si gjuhë zyrtare më 1539, këto janë rivalitete politike dhe përçarje pa emër, është përherë i njëjti shfrytëzim i të dobëtit nga më të fortët, këto janë epidemi murtajash, sëmundjesh, një vdekshmëri foshnjore gjithmonë po aq radikale; atëhere, si mund ta gjykojmë njeriun, shkrimet, pa njohur ndikimin e një epoke mbi ndjeshmërinë njerëzore?
Duke lexuar Montenjin kuptojmë se Rilindja nuk është një periudhë historike por një etapë historike, një pikë e madhe këputjeje midis mesjetës dhe epokës klasike. Ashtu siç epoka jonë nuk do të mund të kuptohet si një tërësi koherente por ashtu siç është në të vërtetë, një periudhë e pamasë këputjeje. Po sikur, roli i Montenjit, i cili gjithashtu jetoi në një botë jokoherente, të pasigurtë, prè e të gjitha dyshimeve, po sikur roli i tij të ishte gjithashtu për të na ndihmuar të kuptonim epokën tonë?

Dy fjalë nga përkthyesi
Me përkthimin në shqip të këtij libri të tretë të eseve, të nëntitulluar “Apologji e Raimond Sebondit”, ravijëzohet e gjithë binaja madhështore e ndërtuar prej Montenjit mjaft mundimshëm, por plot pasion e dashuri, lartësuar nëpërmjet eseve të tij të famshme me bazë filozofike të kuptueshme thuajse nga çdo lexues.
Askush deri sot nuk e mori mundimin ta përkthejë këtë vepër monumentale. Ajo çka kemi mundur të lexojmë në shqip prej Montenjit ishte përkthyer qysh në kohën e mbretit Zog. Pra, gjithësej kishim të përkthyera dy-tri ese argëtuese që nuk i prishnin shumë punë obskurantizmit të kuqërremtë; e kjo për shumë arsye, sidomos në vendet me diktaturë gjakatare si kjo që kaluam ne…
Gjuha frënge, në Francë është bërë gjuhë zyrtare më 1539, duke zëvendësuar gjuhën latine, që ishte gjuha zyrtare deri në atë kohë. Pra, Esetë u shkruan në një frëngjishte të palatuar, të palimuar dhe arkaike. Gjatë katër shekujve e deri në ditët tona frëngjishtja e Eseve ka ndryshuar deri në njëfarë mase, por pa arritur të shpëtojë prej arkaizmit, i cili e ruan me shumë fanatizëm leksikun e gjuhës. Është kjo arsyeja që shkalla e vështirësisë, gjatë përkthimit të kësaj kryevepre, nuk pati ulje prej fillimit e deri në fund.
Gjatë leximit të Eseve në frëngjisht hasa në qindra fjalë që nuk gjendeshin në fjalorët tanë e as në fjalorët e gjuhëve të tjera europiane, madje shumica e tyre nuk figuronte as në “Petit Larousse”. Megjithë vështirësitë që njoha gjatë leximit në origjinal, vendosa dhe iu futa punës për sjelljen në shqip të kësaj kryevepre të Montenjit, pra, këto ese që renditen të shkruara në afro 1400 faqe të ndara në tre vëllime.
Përkthimi është një lojë, thonë, e unë them se është një proces, një punë e lodhshme dhe e mundimshme, që kërkon me ngulm gjer edhe vendosjen në vendin e duhur të një morfeme apo lidhëseje.
Ky libër është një ndër veprat më të mëdha të fondit të letërsisë filozofike në Europë e në botë. I shtyrë edhe nga ky fakt, veç të tjerash, punës time me përkthimin i kushtova rëndësinë e duhur në mënyrë që lexuesi të lumturohet nga stolia që arrijnë të krijojnë fjalët kur vendosen në vendin e duhur, si edhe nga forca me të cilën shprehet mendimi i autorit nën një përkthim profesional e plot përkujdesje. Jam munduar që të bukurën, të hijshmen, të lartën, njerëzoren t’i sjell në shqip me sa më shumë vërtetësi, për të pasqyruar më së miri mendimin artistik e filozofik të autorit, dhe shpresoj se lexuesi i zakonshëm, si edhe lexuesi sqimëtar, do të dinë të shprehen për këtë. Në të tre vëllimet e Eseve jam rrekur të qëndroj sa më afër autorit, pra jam munduar të jetoj me ndjenjat e tij, të shprehura aq lirshëm e bukur nga Montenji, duke përkthyer dhe shpesh herë, sipas rastit, përshtatur dhe shqipëruar, për të qenë sa më besnik ndaj mendimit artistik të autorit, përvojës së tij jetësore dhe shprehjes së stilit të tij sa dinamik e komunikues aq edhe filozofik. Për sa u shpreha më sipër le t’ia lëmë lexuesit të meditojë, të gjykojë, e të vlerësojë.

Dy fjalë për lexuesin
Në nisje të punës sime me përkthimet nga frëngjishtja, tridhjetedy vite më parë, nuk pata menduar se me çfarë autorësh do të përballesha. Kisha shumë dëshirë të përktheja diçka nga Shatobriani e Hygoi. Me përhapjen e frymës së perestrojkës dhe gllaznost-it, pelerina e frikës, që e mbaja mbi supe qysh prej pesëdhjetë vjetësh, kish filluar të grisej dhe unë mora guximin për të shkruar. Isha i mirëinformuar për autorët e famshëm të letërsisë frënge madje kisha edhe dy-tre libra të vjetër në frëngjisht, me poezi nga autorë të ndryshëm francezë botuar para kohës së pushtimit komunist. Qëlloi që mes tyre të ishte edhe një libër i vogël me poezi e tregime të zgjedhura, shkruar prej vitit 1540 e deri më 1920. Përzgjodha prej tij disa poezi e tregime të cilat u botuan në një antologji të titulluar “Klasikë dhe romantikë francezë”; dhe këto përkthime ishin mjaft të nevojshme, sepse prej letërsisë franceze të viteve 1500 deri 1700 nuk ishte përkthyer pothuajse asgjë, me ndonjë përjashtim të vogël. Më pas vendosa të merrem me përkthimin e dy korifejve të romantizmit, krejt të panjohur tek ne, pra, të Shatobrianit dhe Lamartinit, duke botuar një antologji poetike të titulluar “Nga Shatobriani dhe Lamartini” e duke lënë për më vonë përkthimin e “Ese”-ve të Montenjit, që ja ngarkoja vetes si një detyrim gjithë ëmbëlsi.
Nuk ka qenë një punë e lehtë përkthimi i këtyre eseve. Edhe shkrimi i tyre në origjinal ka qenë mjaft i vështirë për Montenjin, sepse gjuha zyrtare frënge daton më 1539. Pra, frëngjishtja e shkruar nga Montenji nuk ka qenë kjo frëngjishte që shkruhet e lexohet sot. Editorët e botimit të Eseve, të Londrës dhe të Bordosë, kanë bërë një punë shumë të mirë për të na i sjellë ato në gjuhën e sotme frënge edhe pse mund të hasim në të meta, sidomos në shenjat e pikësimit. Më është dashur të jem edhe korrektor letrar njëherësh me përkthimin. Edhe redaktimi i bërë gjatë përshtatjes në gjuhën moderne frënge prej editorëve të Londrës, linte shumë për të dëshiruar. Pra, shkurt, ka qenë një përkthim vështirësitë e të cilit nuk i kisha parashikuar.
Vepra e plotë e Eseve është e shkruar në tre libra. Do të duhej një kohë mjaft e gjatë për t’i përkthyer të gjitha; ndaj vendosa që të bëj një përzgjedhje nga libri i parë i tyre për t’ia bërë të njohur lexuesit të etur për dije e ëndje estetike e artistike. Nga ky libër kam përkthyer afro dyzet kapituj duke lënë pa përkthyer rreth njëzet të tjerë. Mendova që përzgjedhjen tjetër të Eseve të mbetura, nga të tre librat, ta bëj pak më vonë nëse koha e mosha do të ma krijonin volinë e duhur. Nuk ndihem mirë që nuk arrita ta bëj të plotë këtë përzgjedhje; është njësoj si të përgatitësh një buqetë me shumë lloje lulesh të bukura e erëmira, duke lënë pa vendosur në të edhe shumë lule të tjera, lila e trëndafila plot aromë.
Esetë e Montenjit kanë ndikuar tek shumë shkrimtarë, poetë e filozofë të ardhshëm si Dekarti, Rusoi, Niçja e Cvajgu madje edhe te Shekspiri. Stili i tij është herë i natyrshëm, i thjeshtë, pa zbukurime e stolisje, e herë i lartë, shumë i bukur e gjithë madhështi, plot figura, me një ritëm që bie fort në sy në arsyetimet e tij të shkruara aq gjatë e plot hijeshi. Nuk mungon tek ai as stili i përkorë si urë lidhëse mes stilit të thjeshtë dhe stilit të epërm. Stili i lartë i këtij shkrimtari filozof na zbulon individualitetin e tij të veçantë dhe udhën nëpër të cilën merr zhvillim arti i tij.
Esetë janë një formë e re e shprehjes letrare. Ato shprehin përherë vetëm përshtypje të rastit, janë refleksione të sakta mbi gjithçka që rrethon autorin. Mirëpo megjithëkëtë, këto observacione tregojnë gjithë thellësinë mendore të personalitetit të tij të lirë, jodogmatik dhe të papenguar. “Sipas Montenjit njeriun nuk e ngrejnë mbi kafshët as arsyeja, as sensibiliteti, as gjuha, por veç fakti se ai është “kafshë e pakufizuar”. Kafshët e tjera janë të kufizuara nga nevojat e tyre instinktive, kështu që realizmi i tyre reduktohet në atë nga i cili nuk munden dhe nuk dëshirojnë të dalin. Njeriu, ndërkaq, nuk ka kufij dhe ligje të obliguara, kështu që vazhdimisht kërkon dhe hulumton, dhe ky jostabilitet i përhershëm është natyra e vërtetë e njeriut.” – thuhet në jetëshkrimin e tij.
Megjithë vështirësitë që kam hasur gjatë përkthimit të këtyre eseve, edhe pse shumë i lodhur, ndihem gjithë shend për sjelljen në shqipen tonë të bukur të një poeti e shkrimtari filozof siç prezantohet Montenji nëpërmjet leximit të këtij libri. Siç e kam përmendur më sipër, midis dy varianteve të eseve të shkruara në frëngjisht zgjodha të përkthej ato të shkruara në frëngjishten moderne. “Vetë përkthimi është një lojë, një lloj fjalëkryqi.” – thotë studiuesi dhe përkthyesi bashkëkohës italo-gjerman Werner Menepace. Natyrisht që çdo fragment e fjali është një ekuacion sipas skemës e përcaktimit të autorit. Ëndja e përkthyesit duhet të jetë vullneti që çdo fjalë të jetë në vendin e saj derisa kjo skemë të plotësohet. Dihet që përkthimi nuk është një riprodhim ad literam por një punë krijuese ku vihen në përdorim të gjitha mundësitë për t’i qëndruar sa më afër e plot besnikëri ndjenjave e mendimit të autorit pa mëtuar t’i zërë vendin atij. Jam munduar shumë për të arritur po aq. Ja lë në dorë lexuesit të më gjykojë.
Përkthyesi, Gusht 2022