Ministri i Drejtësisë Thoma Orollogai refuzoj firmën për Zogun Mbret nga Klodi Stralla

Gazeta

Mbreti Zogu i I dhe Kontesha Geraldina Appogny
Mbreti Zogu i I dhe Kontesha Geraldina Appogny
Ministri i Drejtësisë Thoma Orollogai refuzoj firmën për Zogun Mbret
nga Klodi Stralla

Thoma Orolloga (1888-1947) – Ministri i Drejtësisë nuk pranoi të firmosë “Projekt-Ligjin” për shndërrimin e Shqipërisë nga Republikë Presidenciale në Monarki Kushtetuese, më 1 shtator 1928, pra për t’u bërë Zogu – Mbret.
Thoma Orolloga lindi në vitin 1888 në një familje të mesme, atdhetare dhe arsimdashëse korçare. Studimet fillore dhe të mesme i kreu në gjimnasin grek të qytetit, ndërsa studimet e larta për Jurisprudencë i përfundoi me sukses në Athinë. Kthehet në Atdhe dhe punon si avokat në qytetin e Korçës dhe mandej në Tiranë, duke u aktivizuar edhe në jetën politike të vendit, si deputet dhe ministër drejtësie. Shpallja e Shqipërisë: Monarki Kushtetuese në 1 shtator 1928, e gjeti atë Ministër Drejtësie i Republikës Presidenciale të Zogut, (1925-1928)
Kujtimet e mia për të i kam nga im atë qe e njihte atë personalisht, si korçarë të vjetër, po njëkohësisht edhe si kolegë profesioni, ndonse ai ishte dy dhjetvjeçarë më i madh se im atë. Si Ministër Drejtësie, Kushtetuta e kohës (1925) kërkonte që Projekt-Ligji për ndryshimin e formës të regjimit, nga Republikë Presidenciale në Monarki Kushtetuese (pra, Zogu të bëhej mbret), detyrimisht duhej të firmosej edhe nga vetë Ministri i Drejtësisë, përndryshe ndryshimet kushtetuese nuk kalonin dot.
Ja si e tregon me pak fjalë vetë Thomai refuzimin që i bëri Zogut për të firmosur ndryshimet kushtetuese: (kujtimet janë të babait):

Ali Këlcyra - Mit'hat Frashëri - Thoma Orollogaj - Berat 1942
Ali Këlcyra – Mit’hat Frashëri – Thoma Orollogaj – Berat 1942

Aty nga fillimi i gushtit 1928, Ahmet Zogu, asokohe President i Republikës, e thërret Thomanë në audiencë dhe i paraqet Projekt-Ligjin që duhet të firmoste. Njëkohësisht i dha edhe sqarime se pse duhej bërë ky ndryshin në formën e qeverimit (nga Republikë Presidenciale në Monarki Kushtetuese, me Zogun Mbret), në funksion të konsolidimit të shtetit shqiptar, prestigjit të tij në arenën ndërkombëtare, si edhe faktit që fqinjët tanë: Jugosllavia, Greqia dhe Italia ishin të treja Monarki Kushtetuese. Zogu u befasua kur Thomai refuzoi, duke argumentuar se: “forma republikane e qeverimit ishte më e mira për Shqipërinë, në kushtet kur vendi për shekuj ishte udhëhequr nga sulltanët autokratë…”
Sigurisht duke bërë një refuzim të tillë njëkohësisht dha edhe dorëheqjen si Ministër Drejtësie, gjë që Zogu natyrisht e pranoi për t’i hapur rrugën ligjore ndryshimeve kushtetuese. Pas këtij refuzimi parimor prej njeriu me bindje të caktuara, ai hapi në Tiranë Zyrën e vet avokatore, ku punoi edhe gjatë pushtimit italian të vendit. Duke parë rrezikun e instalimit pas Lufte të Komunizmit dhe dorës serbe që fshihej pas idealeve të Luftës Antifashiste, u përzje në politikë me Ballin Kombëtar, duke qenë ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Mit’hat Frashërit. U kap nga komunistët pas luftës dhe vdiq në hetuesi nën tortura, në vitin 1947.
E solla këtë status, në vigjilje të një date historike si 1 shtatori 1928, për t’u treguar se shqiptarët kanë patur edhe ministra me integritet që vinin parimet mbi interesat pragmatiste personale, një standart që sot as mund të përfytyrohet.

Ps. Në foto, nga e majta në të djathtë: Ali Këlcyra, Mit’hat Frashëri dhe Thoma Orollogai.
Marrë nga Muri i FB Klodi Stralla, 31 gusht 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit