back to top
17.4 C
Tirana
E diel, 14 Qershor, 2026

Mimoza asht shkrimtare që i ka kalue tana stadet me sukses – Muç Nano bisedon me Primo Shllakun

Gazeta

Shkrimtari Primo Shllaku
Shkrimtari Primo Shllaku
Mimoza asht shkrimtare që i ka kalue tana stadet me sukses
Muç Nano bisedon me Primo Shllakun për Mimoza Ahmetin…

Nji personazh tjetër, që e përmenda në krye të herës, është edhe Mimoza Ahmeti, e cila është një program televiziv, në një Reality show, dhe ka provokuar shumë bujë. Ka nxitur një lloj interesi për ta ndjekur, por shoh një Mimozë tjetër. Unë nuk e ndjek, me thënë të drejtën, pse e refuzoj formulën televizive, s’kam asgjë me personazhet që janë brenda. Nuk do e ndjek, edhe po të më fusim burg e të më lënë me një televizor me një kanal të vetëm, që e transmeton kët program. Unë e fik televizorin, nuk e shoh si program, e refuzoj kulturalisht.Ashtu do bëja edhe unë, bile unë s’shoh ma, as gjana të bukura në televizor.

Ok, tani vijmë te Moza. Do të doja një konsideratë edhe nga ty nga ky protagonizëm i Mozës, le ta themi, për shkaqe joletrare. – Atje është një mini xhungël, e nxitur edhe e projektuar si e tillë, ku për hatër të rritjes së ritmit të agresivitetit, jo të agresivitetit me vra e me pre, por prej agresivitetit të pjesëtarëve krijohet edhe shoshitja e atyre që duhet të largohen njeni mbas tjetrit dhe mbetet ai që është fituesi. Kjo është e gjitha.

Shpikësi i formulës ka qenë gjenial simbas meje. Por si formulë televizive, impakti i saj mua më duket, si këto rrjetet sociale. – Kështu është! Një gjë shumë pasagjere, një gjë stinore, pra zgjat aq sa zgjat fizikisht e nuk zgjat ma tepër. Dikush hidhnohet, dikush merr nji shpërblim, etj., etj. unë nuk e di shumë mirë kët punë, po aty Mimoza s’asht thirrë si poete, sepse unë kam njëfarë shoqnie me të, edhe si poete edhe si bashkëbiseduese ajo ka qenë dhe mbetet interesante. Ajo të befason me kandvështrimet e saja, po më fort të befason me guximin për t’i shprehë ato pa pyetë nëse ti je dakord a s’je dakord. Pra, Mimoza asht nji planet, që atmosferën e saj e ka prej landës së vet, toka e saj asht shkamb edhe dhè, edhe baltë, po atmosferën e ka prej ajri. Ajo e ka atmosferën prej së njajtës landë që asht e përba ajo vetë, dhe kjo gja e ban nganjiherë ate edhe goditëse, e ban edhe të pakuptueshme, po gjithsesi e ban edhe misterioze, sepse njerëzit aty s’kanë shkue për shkencë! Ata kanë shkue për t’u surprizue, o për t’u solidarizu me diçka që për çudi po u pëlqenka.

Ka dy lloje, dy kategori intelektualësh. Njena kategori që sidoqë prerjen intelektuale e mban, nuk gjen vështirësi për t’u axhustuar edhe për të zbritur nivelin e njerëzve të tjerë për të qenë në kontakt me njerëzit e thjeshtë e të zakonshëm; edhe një kategori tjetër intelektualësh që e kanë të pamundur të përshtaten në mjedise të tjera që s’janë të natyrës intelektuale, dhe unë supozoj që ai mjedisi aty brenda s’është i natyrës intelektuale, sepse është diçka e përgjithshme.  – Aty s’asht as bibliotekë, as studio as teatër, as opera… Aty asht Fermë! Edhe kjo s’do me thanë se asht fermë s’ka vend për njerëzoren. Se na, shpirtin e mbajmë prej atyne fermave prej atyne tokave! Po nga kjo pikëpamje aty asht çfarë qëllimi i ke vu vetes, si do ti me e jetue nji tremujor? Do me jetue me bindjen se ndoshta mbasi të kesh krijue nji eksperiencë krejt të re, me u riasocue me njerëz që s’i ke njoftë kurrë, mundet të keshë edhe beneficin financiar në fund, si shpërblim shtesë, jo si qëllim. Kështu e mendoj unë, tipin e saj. Po unë nuk ndihem shumë i lumtun, që nji kolegen time, që asht poete, që asht shkrimtare, ta shoh në rolin e nji predikatoreje ku ata që i ka imediatësisht afër e kuptojnë ma pak se ata që janë mbas ekranit…

Ok, kjo është edhe arsyeja që e hodha për diskutim këtë gjë, sepse aty ti je i detyruar të vendosesh në situata, që ti jashtë atij habitati nuk e vendos veten, ti i shmang dhe aty nuk i shmang dot. – Po, pra. Ti aty ke hyrë me nji qëllim që ti s’e ke përdorë ndonjiherë në jetën tande. Ti je bezdisë, bile hajde të shkojmë se qenkan ca njerëz që s’i kuptojnë. Tash, hajde të hyjmë se janë njerëz që s’më kuptojnë ose që s’i kuptojmë. Kjo asht puna, kjo asht sfida.

Primo Shllaku s’mund të bëhet pjesë kurrë e këtij lloji eksperimenti televiziv, apo jo? – Shiko, deri në kët moment që po flasim s’më ka tundue kjo ide! As çmimi që mund të jetë edhe substancial. Po unë kam punë të tjera me ba, me thanë të drejtën kam shumë punë të tjera me ba dhe kam frikë se ajo eksperiencë atje ato punët e tjera s’do më lenin. Sa herë shkoj diku edhe shkëputem nga puna për një javë me marrë malli edhe vij me oreks? Do të më dukej sikur kam shpenzue shumë ma tepër se sa kam fitue.

E megjithatë Mimoza aty ka thënë diçka, me cilën ti mund të biesh dakord. “Ismail Kadare – e tha – është një shkrimtar i mbivlerësuar!” Unë vetë nuk bie dakord. Po i them edhe publikut unë nuk bie dakord. – Dakord, dakord. Mimoza asht shkrimtare, po aq e padiskutueshme sa ç’asht edhe Ismail Kadare. Pra, është shkrimtare. Mandej a asht ma e mirë, a asht ma keqe; a asht ma e gjanë, a asht më e ngushtë; a asht ma e randë, a asht ma e lehtë – ky asht nji problem që s’e bajmë dot këtu. Edhe bisedat midis homologëve, janë të pacensurueshme.

Jo, kjo s’ka diskutim. Ajo është legjitime ta thotë. Nuk diskutohet kjo, është legjitime ta thotë gjithë ditën dhe është një mendim që ajo mund ta ketë. – Tashti nëse me këtë ide, unë jo bie dakord, po unë jam brenda frymës që shkrimtarët e mesëm (mesatarë e poshtë) me vdekjen e tyne u mbyllet çështja! Si nuk flet kush fjala për Sterjo Spassen, për Ali Abdihoxhën, për Haki Stërmillin, si nuk flet kush s’po them emna të tjerë, sepse janë veshë me imunitet etern, të përjetshëm. E vetmja mënyrë, që nji shkrimtar me jetue mbas vdekjes asht me u diskutue. Po jo me u diskutue se a i kishte çorapet njilloj këtej të bardhë e andej të zezë, a e kishte pantallonin ma i shkurtë? Problemi asht se Ismail Kadare në botën shqiptare s’asht kritikue, s’asht pa kurrë me sy kritik. Pse s’ka pasë sy kritikë?! Në sistemin që e realizoi kët figurë ose që e polli kët figurë, strukturat sociale të gjitha llojeve, të të gjitha niveleve, kanë qenë piramidale. Pushteti politik kishte nji piramidë, pushteti ekzekutiv kishte një piramidë tjetër, pushteti ideologjik kishte nji tjetër. Pushtetet lokale kishin nji piramidë, edhe pushteti letrar e artistik edhe ai ideologjik kishte nji piramidë. Pozicioni që ka ky artist te ne, asht nji pozicion i analogjisë politike. Nuk po them se ai ka pasë funksione politike, po i analogjisë politike. Dhe kur strukturat ndërtohen në formë piramidale për secilin në majë të piramidës, fillon dhe endet kulti i individit.
Enver Hoxha ishte gjinokastrit, edhe mori pranë vetes një gjinokastrit të cilin thonë se edhe paska durue, ai na e paska sha edhe socializmin e tij, dhe ai ka ndejtë urtë e paska thanë: “Jo, jo, në rregull, lejeni këtë se s’është kështu.” Janë gjëra që unë s’mund t’i besoj. Nuk mund t’i besoj. Pra, Ismail Kadare s’e ka sha socializmin, në asnji mënyrë s’e ka sha. Ka sha, ka stigmatizue sistemet e tjera, me idenë që në mendjen e lexuesit shqiptar të vinte socializmi i Enver Hoxhës, si antipod dhe të ndihet diferenca e madhe morale, shpirtnore, humane, edhe çka të duesh ti tjetër.

Edhe pse s’kemi kohë, se ka disa minuta që po më thonë që koha ka mbaruar. Unë kam pritë vitin ’90 me kërshëri, përveç të tjerësh, edhe për të testuar, le të themi, famën e Kadaresë. – Ai ishte nji produkt i propagandës totalitare, sepse kishte nevojë për një ikonë që ta shiste bukur në Perëndim, apo në substancë ishte njeri që vlente.

Edhe viti ’90, kur Shqipëria u hap dhe ne patëm mundësi të lexonim edhe autorë të tjerë, megjithëse edhe në komunizëm disa autorë u përkthyen. edhe pati disa përkthime të mira. Mua më rezultoi, të paktën për shijet e mia, që ky e kaloi testin, edhe mbas vitit ’90 ky mbeti. Unë mbeta me respektin që kisha për të si shkrimtar, jo për qëndrimet politike që kam mbajtur nëpërmjet librave.  – Vepra e tij, në pjesën më të madhe, fjala vjen, vepra të mrekullueshme, nga ana e estetikës, estetika asht amoralitet. Siç janë “Shqiponjat fluturojnë lart”, “Përse mendohen këto male?” Janë të shkruara me një dashuri, me një ekstazë, me një ndjenjë mirënjohje të pafundme. Unë kam lexuar “Eneidën”, e cila asht gjithkund lavd për Oktavian Augustin, pavarësisht se aty flitet për Enean, që kishte jetue, e nëqoftëse ka jetue, ka jetue 800-900 vjet para Oktavianit.

Po, Kadare ka “Pallatin e Ëndrrave” edhe “Prillin e thyer,” “Kush e solli Doruntinën”Dakord, dakord, po vepra e tij ka nji të metë jashtëzakonisht të madhe e të përgjithshme, që i asht imponue nga realizmi socialist. Ai s’ka faj. Këtu po i vëhet në dyshim merita. Vepra e tij asht nji vepër etnocentriste. Që vë në qendër problemin e kombit. Tash, për të njajtën gjà na kritikojmë Fishtën dhe themi që Fishta në 1912-tën e pau Shqipninë se doli vend i pavarun. Ça don ma tashti me shkrue jo, flamuri, jo trimnia, jo kjo jo ajo. Dhe aty ne na pëlqen Migjeni, i cili e kthen komutatorin e vet nga etnocentrizëm në policentrizëm, çka do me thanë ven qytetin në qendër e jo ma kombin. Edhe ai asht me të vërtetë nji paraardhës i modernizmit te ne, dhe asht autentikisht Migjeni nji shkrimtar ekspresionist. Pavarësisht se ekspresionizmi triumfoi edhe na dha ma tepër shfaqje, u shpërfaq ma tepër në artet figurative si në pikturë, e në letërsi ma pak, edhe shkoi shkurt.

Tashti u futëm në një bisedë që unë e di që ti ke shumë gjëra për të thënë edhe unë kam qejf të dëgjoj, por jemi në fund, në qoftë se do të më jepje kështu një punchline për ta mbyllur.Unë due me thanë që të gjithë shkrimtarët e kanë ndì, unë nuk kam qenë shkrimtar i realizmit socialist, unë nuk e kam ndi. Unë e kam ndì që ai e ka dominue skenën e shkrimtarëve, e theksoj: e ka dominue. Prej aty ku shihja unë, e shihja si dominim. Pastaj, ata që kanë qenë shkrimtarë t’asaj metode dhe kanë qenë pjesë e asaj piramide, janë ata që duhen pyetë. Edhe ajo që ka folë, asht dëshmitare e saktë. Unë po thashë që më ka dominue edhe mue, unë gënjej, sepse s’më ka dominue aspak. Unë kam shkrue ç’ka kam pasë qejf. Edhe e kam marrë riskun vetë. Ata që ishin të së njajtës mencë letrare, janë të vetmit njerëz që mund të jenë të besueshëm, si të vetmit dëshmitarë. Dhe unë e besoj, sepse Mimoza asht nji shkrimtare që i ka kalue tana stadet, edhe i ka kalue me sukses. Dhe s’ka pasë nevojë me u shprehë kot!

Mimoza s’është se e shpjegoi, ajo thjesht dha një konsideratë. Unë do të doja ta shpjegonte edhe pak pse mendon ashtu. – Kur të mbaroj atje në “Fermë”, thirre ta ndigjojmë.

Sigurisht është një ide. Faleminderit dhe qe kënaqësi për këtë bisedë që bëmë. Një bisedë që nuk mund ta bëja me të gjithë, madje s’mund ta bëj me asnjë, vetëm me Primo Shllakun. Ju faleminderit shumë.
Biseda u zbardh nga Jozef Radi, nga Programi “Arnautistan”, 23 maj 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.