back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Mili nga Agim Xhafka

Gazeta

Agim Xhafka
Agim Xhafka

Mili

nga Agim Xhafka

Mbase është i burgosuri i vetëm në botë që u dënua 25 vjet dhe nuk e mësoi shkakun. Askush nuk i tregoi Milit një fakt, një provë. Vetëm i lexuan togfjalëshin “agjent i rusëve” dhe me nxitim e çuan në disa burgje… Deri sa në vitin 1991, doli nga ai i Burrelit. U lirua se kështu deshi historia e vendit, se ndryshe do qe varrosur në oborr të kampit, mbase në rrënjët e ndonjë kumbulle ku bënin ajrimin të dënuarit.
Mili hyri në birucë kur mbushi 25 vjeç, dhe dritën e diellit, pa roje mbi kokë, e pa kur kaloi të 50-tat.
Ishte i fejuar dhe do martohej sa të bënte nja dy vjet punë, që të mblidhte ndonjë lekë, por e celebruan me prangat.
Ishte natë vonë kur i trokitën tek dera.
Pandehu se e kërkonin nga miniera, do kishte ndonjë defekt, e Mili si inxhinier elektrik thirrej shpesh. Por jo. Ia behën tre burra të rinj, veshur njësoj, me dok bezhë dhe i thanë se në “emër të popullit” arrestohej…
Nuk arriti të nxirrte fjalë. E tërhoqën shpejt sikur të ishte zog dhe mund t’u fluturonte. Pastaj e akuzuan spiun të rusëve. Mili e mohoi përherë, po dokëbezhët këmbëngulnin se ata e dinin shumë të saktë…
Ende pa u dhënë dënimi, i erdhi Klara, e fejuara dhe i kërkoi një deklaratë divorci. E firmosi në çast pse e kuptoi që kërkesa e saj, nuk ishte zgjedhja e saj!!
U ndanë, dhe qysh atëhere nuk u panë më. Ajo u martua me Çome bojaxhiun, se quhej si njeri me cen në biografi. Mbas lindjes së fëmijës së dytë, Klara vdiq nga një hemoragji e rëndë.
Ndërsa Mili, mbas burgut, kërkoi punë dhe pati fat. Nga që kishte kërkesa për shtëpi ai u pranua nga Nesti në firmën e tij të ndërtimit… dhe paguhej mirë. Jeta po e shihte qeshur. U njoh me Brunën, një vejushë te pallati i ri. Kishte një çun, por ishte emigrant në Gjermani. Pra, Mili u bë me grua dhe me shtëpi. Bruna i sillte mjaft gëzim, ishte e qeshur dhe shumë amvisë e mirë. Por mërzitej kur Mili nuk i tregonte pse u dënua.
-Agjent të rusëve, – më thanë – kaq!!
Ajo i thoshte se nuk dënohet njeriu kaq kollaj e kaq shumë vite. Mili edhe nervozohej, por sërish i qeshur i thoshte:
-Kaq më thanë. Kaq të thashë!!
Pas ca vjetësh Mili doli në pension. Iu njohën dhe vitet e burgut e mori një pagesë të mirë. Kishte mbledhur dhe ca kursime nga puna në firmën e ndërtimit. Duke u mplakur e duke u lidhur më shumë me Brunën. Dukej sikur kishin një jetë bashkë. Natyra ka ligje kompesimi. P.sh të ikën shikimi, por të rritet dëgjimi. Edhe Milit i iku Klara, por gjeti dashuri dhe paqe me Brunën.
Kur kaloi 75 vitet, i trokiti dera bash atë natë të ditëlindjes. Ishte postieri i DHL-së. I solli një pako nga… Moska, nga Rusia!!!
U trondit se ato emra i krijonin një gjendje turbullire e shock-u të paparë. Me duart që nisën t’i dridhen e hapi dhe brenda gjeti një libër…!! bashkë me të një letër e shkruar me kompjuter… e firmuar nga Olga Nesjamila.
-Olga?!? – pyeti e habitur Bruna. Mili nuk foli. I tha gruas të vishej shpejt se do shkonin tek Bozhi, ai malazezi që kishte dhënë mësimin e rusishtes në shkollën e qytetit, tashmë në pleqëri të thellë, por mbahej mirë. Për fat e gjetën zgjuar, (se moshat e mëdha flenë kohë e pa kohë). Mili ia dha letrën në fillim dhe ai nisi shqipërimin:
Pesha e së Padrejtës
Pesha e së Padrejtës
-I dashur miku im i shtrenjtë, Mili.
Mbase nuk më kujton, por jam Olga, gruaja e Nestit, komshiut tënd. Sa të lexosh kaq, do të sjellësh ndër mend se si mblidheshim te shtëpia jonë e ti na recitoje poezitë e tua të mrekullueshme.
-Poezitë? – u çudit sërish Bruna.
-Poooo, kam shkruar shumë dhe i kam botuar grupe-grupe në gazeta atyre viteve. – i tha Mili.
Kur unë u largova nga Shqipëria, bashkë me fëmijët, mora me vete dhe mjaft poezi të prera nga gazetat që t’i na i dhuroje asokohe. Sa erdha në Moskë më mori shumë malli për Nestin, për dashurinë time dhe u nxita të përkëthej poezitë e tua. I çova në një shtëpi botuese… dhe ata e nxorrën vëllimin tënd që po ta dërgoj kaq vonë se e kam çuar dhe para shumë vitesh, por më është kthyer!! Poezitë e tua ishin të vetmet që më lidhnin me atë vend.
Të përqafoj, Olga.
 
Mili u nguros. Mori librin ndër duar dhe e lëshoi mbi një kolltukun pranë, sikur e dogji, e pervëloi. U ul dhe vetë e nisi të lotojë. Më pas nisi të flasë me vete:
-Po si mund të dënohet njeriu 25 vjet burg se i botohen poezitë në Moskë?! Po si mund të shkelmohet jeta e njeriut kur është kaq e shtrenjtë. Vijmë një herë në jetë dhe duhet ta jetojmë çdo sekondë me dashuri e mirësi, ta pertypim si nektar e të gjallojmë mes pasioneve, dashurive, punës, miqësisë e rregullave. Po kujt i vjen e keqja nga një liber? Po ai nuk është kallashnikov, poezitë nuk janë plumba, poeti nuk është agjent…
Dhe Bruna e hutuar mësoi të vertetën që pandehte se Mili ia fshihte. Dhe nisi të lotojë edhe ajo. Po jetonin një shfajësim konkret, se atë ligjor kishin kohë që e kishin fituar. Po iu ndriçohej shikimi mbi një enigmë ndërtuar mbi shpifje e rrena. E dinin që kishin jetuar në errësirë, por tani mësuan sa e errët ishte ajo kohë. Si një hon që nuk pati mëshirë e dhimbje, që gëlltiti këdo pa ndjerë as pendesë as frikë. Mili mbante librin në gjoks dhe e shtrëngonte me duar fort nga paniku se mos ngjallej sërish kuçedra dhe ja rrëmbente jetën së dyti… I hyri frika, por edhe ndjeu një lehtësim të madh.
Ia vlen! Të dënohesh si poet, ia vlen! – i thoshte vetes duke shtrënguar librin që ishte i tiji…
Marrë nga gazeta Minerva online

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.