
Mid’hat Frashëri (25 mars 1880-25 mars 2026)
146 vite nga lindja e iluministit, politikanit, përkthyesit, publicistit, filozofit, atdhetarit të madh, veprimtarit të çështjes sonë kombëtare, Mid’hat Frashëri.
Mid’hat Frashëri lindi më 25 mars 1880, në Janinë, pinjoll i familjes së shquar të Frashëllinjve (djali i patriotit Abdyl Frashëri).
Mid’hat Frashëri i ka shërbyer kombit si veprimtar i Rilindjes Kombëtare, pjesëmarrës dhe bashkëkryetar i Kongresit të Manastirit,
Firmëtar i Pavarësisë së Shqipërisë dhe pjesë e kabinetit qeverisës së Ismail Qemal Bej Vlorës si ministër, diplomat i shtetit shqiptar, mbrojtës i flaktë i interesave të Çamërisë dhe Kosovës, kryetar i organizatës së Ballit Kombëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore, organizator dhe drejtues i Konferencës së Mukjes/Marrëveshjes në Mukje gusht 1943, (fatkeqësisht e shkatërruar nga serbët Popoviçi/Mugosha dhe vegla e tyre E. Hoxha), dhe kryetar i Komitetit ‘Shqipëria e Lirë’, krijuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbas Luftës së Dytë Botërore.
Mid’hat Frashëri si kryetar i Komitetit ‘Shqipëria e Lirë’ vendosi kriterin e vetëm se ky bashkim ishte i hapur për çdo antikomunist, por nuk do të ishte anëtar askush që kishte bashkëpunuar me fashizmin apo nazizmin gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në botën e letrave, i njohur me emrin Lumo Skëndo, ka kontributin e tij si publicist, shkrimtar, përkthyes dhe albanolog, qysh nga viti 1900.

Nga gjysma e dytë e viteve ‘30 ishte shqiptari me bibliotekën (dhe librarinë ‘Lumo Skëndo’) më të madhe në Shqipëri. Gjithë koleksionin e bibliotekës së tij private, përmes një testamenti të kohës vendosi t’ja dhuronte Institutit të Albanologjisë.
Korpusi i plotë i veprave të tij në mbi 10 vëllime, është mbledhur e përgatitur nga studiuesi i apasionuar i historisë dhe politikës Prof. Uran Butka dhe është botuar nga Instituti i Studimeve Historike ‘Lumo Skëndo’. Prof. Uran Butka ka botuar dhe librin mbi jetën dhe veprimtarinë e Mid’hat Frashërit: ‘Gjeniu i Kombit’ si dhe ‘Mukja – shansi i bashkimit, peng i tradhëtisë’.
Në vitin 2006 kisha nderin dhe privilegjin, në cilësinë e Ministrit të Kulturës të krijoja çmimin e bibliofilisë me emrin letraro-publicistik të Mid’hat Frashërit, çmimi ‘Lumo Skëndo’, çmim, i cili falë emrit të madh, Lumo Skëndo i ka rezistuar kohës.
Gjithashtu në këto vite, Ministria e Kulturës mbështeti botimin e veprës ‘Gjeniu i Kohës’, si dhe në një ambient të veçantë të Muzeut Historik Kombëtar u hap biblioteka ‘Lumo Skëndo’, e cila fatkeqësisht u mbyll nga ministrat pasardhës.
Figura e tij e madhe kombëtare, poliedrike u është imponuar në ditët e sotme dhe pasardhësve të kundërshtarëve të tij politik ‘41-’44 & ‘44-’90.
I paharruar Mid’hat Frashëri (Lumo Skëndo), Gjeniu i Kombit, apostull i shqiptarizmës dhe Shqipërisë!