back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 26 Prill, 2024

Meti Fidani: Kalvari i Familjes Zhuli (tregim i jetuar)

Gazeta

Meti Fidani
Meti Fidani i ri

 Meti Fidanin nuk e njoh…
Prej disa kohësh, edhe përmes miqësisë që kemi në fb, kam lexuar disa shkrime të tij… dhe jo vetëm më kanë prekur ngjarjet që ai rrëfen, por edhe mënyra se si ai rrëfen… Meti e ka paraqitur edhe kohën, edhe vendin, edhe personazhet për të cilët ai flet me mjaft vërtetësi, bile mund të them se ai të tërheq dhe të fut sa në botën e personazheve të tij, aq edhe në tmerrin e asaj kohe për të cilën ai shkruan…
Sigurisht te ky shkrim shfaqet makabriteti i dhunës së Shtetit ndaj nji familjeje fshatare, me motivin e thjeshtë të arratisjes së një djali… Edhe ferri dantesk do ta bënte nji hap mbrapa mbas këtij rrëfimi… E megjithatë njerzorja dhe antinjerzorja në këtë shkrim janë bashkë… Prandaj falenderoj shumë Meti Fidanin, për këtë ngjarje të treguar kaq rrënqethshëm… dhe i kërkoj i ndjesë lexuesve nëse ndjehen keq përballë kësaj së vërtete… që Meti nuk besoj të ketë shtuar asgjë nga vetja… e kundërta, ka ndodhur sigurisht… sepse ai prek vetëm atë që ka parë syri i tij…

Mbas kësaj, Meti Fidani sigurisht do të vazhdojë të meritojë edhe falenderimet tuaja…
Jozef Radi 24 shtator 2013

Kalvari...
Kalvari…

Kalvari i Familjes Zhuli (tregim i jetuar)

Tregim nga Meti Fidani

Atë fundvere të vitit 1975, qe shkelur kufiri…
Që nga Arrëza, në Nikolicë e deri në Qafë të Kazanit e Kozel, patrullonin ushtarë, forcat vullnetare të mbrojtjes, oficerë… etj…
Dikush kishte kaluar kufirin.
Më në fund i doli tymi… Qe arratisur, Et’hem Zhuli, i treti nga djemtë e Sabriut… I dyti Bashkimi, kishte vite që kishte ikur dhe, për këtë familja Zhuli u… internua në malsitë e Librazhdit… Mbas internimit ata u kthyen përsëri në Nikolicë, por Et’hemi nuk u kthye, ai punonte sharrave gjysëm i internuar… Njerëzit e diktaturës kishin frikë se po ta kthenin Nikolicë, ai mund të ikte një ditë, jashte shtetit… Por ja… ai iku… Thanë që mori edhe një inxhinjer pyjesh me vete, dhe i kaloi telat me gjëmba…
Unë e mora vesh ç’kishte ndodhur, edhe pse kisha vite që isha larguar nga fshati, për t’u shkolluar… Në vazhdim, asokohe punoja në N.SH.N. e Korçës, mbasi kisha mbaruar shkollën e ndërtimit në Tiranë.
Një të dielë, kur ndodhesha në fshat, më thërret kryetari i këshillit, Gëzimi, e më thotë që, nesër s’do shkosh në punë, mbasi na njoftoi Dega e Brendshme, nëpërmjet kufirit, se Meti Fidani, duhet të paraqitet në Degë! Të hënën në mëngjes…!
Atë natë duke u gdhirë e hënë, nuk fjeta fare. Vetëm nënës i thashë, dhe ajo u tremb shumë… Ku s’na shkonte mendja. Para disa vitesh me nënën kishim bërë ankesë në Komitetin e Partise, bile ajo kishte folur ashpër edhe me Mihallaq Ziçishtin, sekretarin e parë, duke i kërkuar me ngulm një bursë studimi për mua, bazuar në dëftesën time… me nota të shkëlqyera, bile për këtë i dërguam letër edhe Enver Hoxhës. “Ftesa” e Degës nuk ishte dhe kaq e mirë! Mos vallë për disa poezi të viteve të shkuara, që m’i quanin pa frymë partie!? Mos vallë për një shkrim në revisën “HOSTENI”, ku ironizoja disa kuadro…??
Këto duhej të ishin arsyet që më kërkonin…
Ora 9-të më gjeti në Degën e Brendshme të Korçës..
Dridhesha nga frika… Pas formaliteteve më ngjitën në katin e dytë.
-E sollëm – i thanë njeriut që ishte brenda, me portën gjysëm të hapur. – Futeni – u tha ai.
U ula në një kolltuk dyvendesh, por ndjehesha si i ulur mbi gjemba.
-Ne i dimë të gjitha – ishte fjala e parë e tij… Unë jam operativ i kufirit… dhe ty të kemi njeriun e Partisë. Duhet të na ndihmosh… se edhe ti di shumë gjëra!
-Nuk po të kuptoj – i thashë, – më fal… por…
-Çfarë di ti? – më pyeti
I thashë: Di të lexoj libra, (për hir të së vërtetës i thashë që “Lexoj dhe veprat e E. Hoxhës”), shkruaj ndonjë poezi, kur kam kohë, dhe di të ngjis llaç me mistri në tavan… gjë tjetër nuk di!
-Po që është arratisur Et’hem Zhuli, a e di?
-Vetëm e kam dëgjuar nga të tjerët, goj’ pas goje, sa është e vërtetë nuk e di!
-Me cilin ka ikur ky – më tha – e di?
-Jo, as këtë jo, nuk e di!
-Ne – tha – kemi të dhëna që ti je takuar me këta persona, në vendin e quajtur “Kalidhet e Boboshticës” dhe në një letër shënonte shigjeta, që nga zbrisja unë, që nga ngjiteshin ata të deklasuarit, armiqtë, dhe diku tregonte që këtu më lart ishte Koçua, rojtari, ai ju ka parë ju.. Aq bukur ma bëri atë skicën sa unë që nuk kisha parë asgjë, po mendoja, se mos i kam takuar vërtet dhe kam harruar! Skicë si me magji m’u duk…
-Jo, për kokën e babit, ju betova, jo! – Një çast vetja m’u duk sikur s’isha shkëputur akoma nga adoleshenca. Me orë të tëra ndenja aty, herë vetëm në zyrë, herë hynin e dilnin të tjerë… Unë vetëm jo… Jo… Si të thosha kot, të gënjeja…
Më në fund më lanë të lirë, dhe më dhanë një vërtetim justifikimi për ta treguar në ndërrmarje, ku tregohej arsyeja e mungesës sime
Me letrën e Degës në dorë, u paraqita në ndërmarrjen e ndërtimit, që ishte afër shkollës Sotir Gurra! Aty, shefja e kuadrit Rudnie Agolli, një grua e qeshur, që vishej gjithnjë me të zeza më thoshte:
Kemi nevojë që të shkosh në sektorin e Bofjes, mbasi po ndërtojmë rrugën Moglicë-Dushar, dhe duhet të punosh atje.
-Mirë – u them, megjithëse si i ri, nuk më vinte mirë të punoja larg qytetit. Të nesërmen pas një udhëtimi mbi 2 orë, me një makinë të ndërrmarjes, arrita në sektor, aty kisha dhe të njohur nga shkolla dhe nga ndërrmarja, me të cilët kishim punuar, nëpër objektet e tjera.
Brigada ime punonte në Dushar… Aty në një kasolle sollën të internuar, familjen e Sabri Zhulit, vetëm disa javë mbas ikjes së Etemit. Xha Sabriu, një burrë kokulur, punëtor, që mbante 6 fëmijët e tij duke shitur qymyr e govata, bile ishte një mjeshtër i gdhendjes së drurit për govata, me emër në Devollin e Sipërm dhe Kolonjë. Dita, një grua nga Gostivishti i Kolonjës, nga nje familje me tradita, Muhameti djali i madh, njeri që nuk i dëgjohej zëri, Bashkimi dhe Etemi, tashmë që të dy të arratisur. Bujari, djali i vogël, në atë kohë ishte ushtar, tek Ura e Beshirit, në Vaqarr, në repartin e xhenjos, buzë Erzenit… Kisha shkuar dhe e kisha takuar, disa herë gjatë kohës që isha konviktor në Tiranë.
Fatikua, vajza e madhe e Sabriut, ishte martuar në Lubonjë, me Sadik Kuqon, një familje patriote, dhe me njerëz të mirë, por të goditur nga pushteti. Kurse Vera, vajza e vogël, nuk ishte më shumë se gjashtëmbëdhjet vjeçe…
Për çudi, aty na mblodhën dhe mjaft nikolicarë të tjerë, bashkëfshatarë të familjes së internuar…
Kryetar kooperative, sollën djalin e xhaxhait të mamasë Ilmi Zhuli, që ne i thërrisnim dajo, në të njejtën kohë shofer të kryetarit sollën prapë një nikolicar, Kujtim Tahiri… Rastësi të ishte kjo, apo ndonjë kurdisje planesh, nuk e kuptoja dot lehtë! Një krahasim desha të beja… Na ka rastisur që të marrim familjen e të shkojmë në plazh dhe ditën e parë e të dytë, nuk ambjentohemi dot… Po Sabriun, që e muarën dhe e flakën në atë kasolle, pa veshje e mbathje, pa shtresa e mbulesa, pa ngrohje, pa bukë, nuk kishte të drejtë as ta hapte gojën… Ai kërkoi nga pushteti që të shënohej në listat e bukës, se duhej të rronte, të lejohej të bënte dru, t’i jepnin një kafshë samari, se të tijën ja shtetëzuan, etj…
Përgjigja ishte: -Aty të ngordhesh si qen, ti, dhe familja jote
-Ah, po këtu është qelbur peshku nga koka – u kishte thënë Sabriu! Kaq duhej… koka e peshkut, Enveri, Byroja… Operativi u bë tym… Rrëmbeu litarët e samarit nga një kalë. Kockat e mavijosura të xha Sabriut kërciten, kyçet e duarve nuk duronin dot më, ato duar që kishin ushqyer 6 fëmijë, u bënë aq të vogla si doçka fëmijë, ato duar që kishin shtërnguar atë sqeparin e madh të govatave, ato duar i shtrëngonte tani ai litar i përdredhur samari…
Muhameti nuk mundi ta shihte të atin ashtu, thirri, mallkoi, shau… Po litar kishte me bollëk.. Dhe duart e Muhametit e provuan atë shtërngim. Baba e bir të lidhur… Litar kishte akoma… E koklavitën në kocaqet e samarit. Dikush hipi në kalë… Kafsha u nis me zor… Nuk desh të nisej… Ajo kafshë e urtë kishte mbajtur dru në Bofje, në Ostrovicë… kishte mbajtur grurë, kishte tërhequr branën për të thyer plisat, por kurrë, kurrë nuk kishte tërhequr njerëz zvarrë… Akoma më kafshe ishte ai që kishte hipur tani mbi atë kalë, dhe tërhiqte ata njerëz zvarrë, prapa atij kali të urtë
Ne, që po shtronim rrugën me kalldrëm… ndaluam… Dy trupat po tërhiqeshin zvarrë, në kalldrëmin tonë të pashkelur… Kur kalldrëmi u skuq nga gjaku, na u prenë krahët, pak më tej niste balta, dhe balta… ishte fati tyre, në baltë nuk vriteshin dhe aq, gurët, ah… gurët të dërmojnë kockat… Aty nëpër baltë, dy trupat rrëshqisnin pa u dëmtuar, Muhameti kishte mbetur si një kërcu! Xha Sabriun e dëgjuam që kërkonte ndihmë nga perëndia
-Aman Allah, aman… Ja Ali Baba, ja Ali Baba… Këto ishin fjalët që dëgjuam… dhe sytë i mbetën nga i biri, që nuk po jepte fare shenja jete… Filma mesjetarë… Ç’po them! Edhe film po të ishte, do të shkruhej në ekran: “Për moshat mbi 18 vjeç!”
Po ajo që po shihnim nuk ishte film… Oh, sa mirë sikur të qe film, por ata ishin njerëz të gjallë, njerëz me shpirt, si gjithë ne… Morën kthesën për në Vrepckë, në qendrën e kooperativës dhe nuk i pamë më…
Aty në Vrepckë, kishin thirrur Kujtimin, shoferin e kooperativës, edhe ky nga Nikolica, bashkëfshatar i tyre… Shtëpitë e tyre, në Nikolicë, një urë druri i ndante, Adem Tahiri, i ati i Kujtimit, ishte moshatar me xha Sabriun, me atë plak të lidhur, që duhej ta shpinte në qeli… Po urdhëri është urdhër, dhe vëlla ta kesh… Me tej nuk u mor vesh ku i shpunë, as ndonjë gjyq nuk u bë…!
Në ditët në vazhdim, mendjen e kisha tek ata dy njerëz, ku çuan, mos i vranë gjë, mos… mos… mos… Dëgjova që i shpunë drejt e në Spaç…
Poshtë rrugës që në shtronim me kalldrëm, fare pak metra larg, ishte ajo kasollja tyre e internimit… Mbasi morën dy burrat, mbetën dy gratë e ngujuara, mendja ime kishte ngelur aty. Aty brenda… një nënë, dhe një vajzë 16 vjeçare… Mendja më rrinte aty, si mund t’i ndihmoja.. Ishin njerzit e mi, po mbi të gjitha ishin njerëz… Akoma pa rënë gjethet e ahut, Bofja u zbardh nga dëbora, dhe oxhaqet e Dusharit nisën të tymosnin, vetëm ajo kasollja e internimit, nuk jepte shenjë jete…
Skodat ngarkoheshin me dru dhe niseshin drejt Korçës, njëra pas tjetrës… Tanimë të gjithë e dinin historinë e asaj kasolleje, por askush s’merrte guximin t’i ndihmonte ato gra… Ato ishin armike!! As mirmëngjes nuk guxoje t’ju thoshe dot atyre!!
Mua më grryente përbrenda… Doja t’i shihja, o t’i takoja ato gra fatkeqe… qoftë edhe ashtu rastësisht, sepse t’u hyja brenda në kasolle kisha frikë. Po, dikur e vendosa!
Një ditë dërsa punoja i vetëm aty në rrugë, dhe po ngrinim një mur mbajtës, mora guximin dhe hajdutçe trokita te ajo derë e mbështjellë me copa plasmasi dhe thasë linaci… E shtyva pak, se nuk hapej e gjitha… Brenda qe errësirë… gurët e nxirë nga një blozë e vjetër, të kallnin frikë. Ndoshta aty kishin nxjerrë më parë edhe raki, se veç tymit dhe blozës që kishin marrë muret, vinte dhe një duhmë thartire bërsi kumbullash… Poshtë një rrogoz mbi një truall balte, disa enë guzhine përballë… në qoshen e djathtë dy qenie njerëzore, ngrohnin njëra-tjetrën me fyromat e tyre. As u trembën fare… vetëm se Dita, bëri një lëvizje të lodhur të kokës dhe po më shihte e habitur, nuk ia priste mendja të ndodhesha aty!! Sytë i kishin hyrë aq thellë në zgavra, sa thua ti kishte fshehur vetë! Nuk kishte fuqi as të fliste, as të ngrihej… filloi të qante me logërimë, sikur qanin ndonjë të vdekur… Vera nuk e ngriti kokën fare… Flokët e dredhura dhe me onde, ia kishin mbuluar fytyrën ashtu siç rrinte kutullaç
-Teze Dita, – kështu i thërrisnin gjithë fëmijët e fshatit – mos qani, burrat do vijnë, nuk kanë bërë asgjë, do t’i lëshojnë… Edhe ti Vera, mos u mërzit…
Jashtë, nga mbrapa kasolles, lart në rrugë, dëgjova që frenoi një kamion i madh… U tremba… Nxorra vetëm pak kokën fshehtas. Një Skodë e ngarkuar me dru kishte qëndruar aty më lart, buzë të rrugës, goma e jashtme thuajse ishte në ajër, jashtë rruge… Shoferi, një thinjosh, hipi në majë të druve, pa njëherë këtej njëherë andej, dhe me shpejtësi u dha një të shtyrë druve, ato që ishin në majë ranë dhe u rrokullisën tatëpjetë, drejt e mbrapa kasolles, një pjesë mbeten në pllajë… copëza dëbore të ngrirë, ishin ngjitur pas druve të ftohta… Kur dola unë, shoferi u tremb.
-M’u hap spondi duke ikur – më tha – dhe më ranë drutë, por nesër do t’i ngarkoj, se sot u vonova e kam frikë se më zë dëbora – më gënjeu shoferi!
– Të pashë – i thashë unë, por a t’i afroj dhe këto të pllajës në kasolle…
-Jo tani – më tha – hajde të ikim shpejt, shpejt, shpejt…
Hipa dhe unë… Shoferi lëshoi frenat e dorës. Mjeti u nis dhe u ndez pak më tutje, zinxhirat e spondeve tërhiqeshin zvarrë, nuk duhej të qëndronte… Ikte aq shpejt sa unë u frikësova, dru të shkalafitura, binin ku e ku rrugës… Nuk fliste fare. Nuk më njihte, vetëm e dinte që punoja në rregullimin e rrugës. Edhe unë si emër, Tomorr i thoshin… I vareshim spondeve si majmunë mëngjeseve, për të shkuar në punë, më këmbë ishte 1 orë larg… “Tomorr kokbardhi” i thoshim, sepse kishte ca flokë aq të bardhë sa unë nuk kisha parë ndonjëherë… Kur u afruam në sektor, aty te kthesat e Zerecit, qëndroi, mori frymë pak si i lehtësuar… Zbritëm dhe lidhëm zinxhirin e akullt…

Meti Fidani në Sinicën e braktisur
Meti Fidani në Sinicën e braktisur

-Unë dhe ti – më tha në konfidencë, – se është me zarar… Sido që të jetë puna, mua më ranë drutë vetë, s’i kishin ngarkuar mirë punëtorët… Ç’të bëj, – më tha, – më vjen keq, nuk kalohet dimri pa dru në Dushar, pastaj unë jam nga Kolonja dhe e njoh atë familje!
-As ti Tomorr, mos trego që unë kisha hyrë atje!
-Unë s’pashë gjë – tha, dhe qeshi, atëhere ja pashë dhëmbët, njërin të veshur e të tjerët si rruaza të mëdha… Sytë e bardhë i ndritën edhe pse po binte muzgu…
Mori kthesat e Moglicës, kurse unë hyra te barakat e sektorit. Dritat ishin ndezur. Desha të qetësohem pak… kisha parë shumë atë mbasdite të ftohtë nëntori… Të paktën askush s’më kish  parë… Dru do të kenë për disa kohë, ato dy gra të vetmuara… mendova – Tomorri u kish bërë një dhuratë… As ato vetë s’e dinin nga u kish ardhur ajo e mirë: drutë m’u te dera…
Të nesërmen zu një shi i madh… dhe malet përreth u zbardhën… Makinat e druve nuk shkonin dot më lart se te kthesa e Zerecit… Xhironin aty, xhironin e xhironin… dhe shoferët ktheheshin të dëshpëruar… Ne nuk punuam fare, gjithë ditën domino, gjithë ditën në klub, pas zjarrit!
Ditën tjetër u nisëm më këmbë për në punë: Makinat e druve nuk po vinin… kalonim përpara zyrave të kooperativës… Kur dajë Ilmiu me pa, ose më mirë të them po më priste…
-Nipçe, ja hajde pak!
E pashë që s’ishte mirë. U fut i pari në zyrë, u futa edhe unëpas tij… Sa nuk më ra të fikët, nuk e kisha parë dajon ndonjëherë ashtu!!
-Ku ishe pardje, në mbrëmje? – më pyeti
Nuk arrita as të kurdisja ndonjë gënjeshtër, se pëllëmbë e tij e trashë dhe gishtat e lëmuar të dajos, kërcitën mbi faqen time të ciknosur nga thëllimi i mëngjesit… dhe një shpullë tjetër… edhe një tjetër, unë vija duart për t’u mbrojtur… Nuk kisha provuar ndonjëherë të më rrihnin, e sidomos dajua, që e doja aq shumë!!
Një çast më zuri për flokësh… Bobo m’i shkuli fare mendova… Ai më tërhoqi pas vetes, dora e tij tërë tul, nuk po më tërhiqte më prej flokësh, as po m’i shtrëngonte… papritmas filloi të më ledhatonte… kur befas nisi edhe të qante, edhe po më puthte në faqen e djathtë, e cila me lëshonte ende xixa nga pëllëmbët e tija…
Lotët e dajos e lagën faqen time!
-Mos e kishe bërë për mua, – më tha – më fute në dhe të gjallë… Më fal që të godita nipçe… Më fal… më faaaal – dhe e zgjati zënë me ngashërim – por më mirë unë, se ai Buçkua (e kishte fjalën për operativin e zonës)… Besoj se do mbyllet me kaq… Kujdes… Kujdes!!
-Punë të mbarë – më tha – dhe ruaju, që të ruaj perëndia… se këto janë gjëra me zarar.
Ajo ishte dita ime e fundit aty… Sektori ynë u shpërngul në Moglicë, se lart në Bofje nuk punohej më… Dimri kish hyrë, për të mos u larguar më…
S’e di ç’u bë me atë kasolle, ku dëbora patjetër që do ta mbulonte murin e sipërm, aty ku kishin mbetur drutë, që Tomori ua kishte hedhur… ndoshta e dinte që ajo ishte rruga e fundit për në Bofje… ndoshta edhe Tomorri, ashtu si unë e kishte ngulitur mendjen te ato dy gra të ngujuara; te ato dy gra të mavijosura, pa dru në mes të druve… Nuk e di se ç’u bë më tej… Për burrat thoshnin që ishin në Spaç, por asnjeri s’e dinte të saktë…
Bujarit i erdhi dita për t’u liruar nga ushtria…
Ishte shumë i gëzuar… Dy vjet pa parë njeri… Eh sa mirë! – mendonte… Do të mblidheshin të gjithë, dhe do festonin vitin e ri, në atë shtëpi të ngrohtë, aty në fshatin kufitar, Nikolicë…
Kaçkat kishin bërë shumë atë vit… Dita me Verën do thurnin atë bakllavanë me 100 petë, pastaj do dilnin për vizita… Ai me moshatarët, do dilte për gjah. Këto mendonte Bujari, duke ngjitur përpjetën e Bigllës, që kishte 1 metro dëborë… Në majë të Bigllës, takon disa fshatarë nga Arrëza… U takuan, nga që njiheshin!
Ku po shkon o Bujar? – e pyesin
Bujari i shkrete u çudit nga pyetja, se s’dinte asgjë çfarë i kish ndodhur, pse s’kishte pasur asnjë lidhje me të familjes…
-Në shtëpi, ku të vete tjetër?! Sa u lirova nga ushtria!
-Nuk ke njeri – i thanë, – shtëpia jote është bërë magazinë për patate, – dhe ja treguan çfarë i kish ngjarë…
Kaq ishte. Deri aty ishte Bujar, deri aty ishte njeri, pastaj ngriu.. mbeti statujë për një çast… pastaj këmbët e tradhëtuan, u përthyen, dhe ra mbi dëborë! E ngritën… po ai nuk ishte më njeri… iku nga kjo botë, mendimet ju mblodhën kapicë në mendje, mendja nuk i duroi dot, kaq ishte.
Ashtu e shtyu jetën dhe për pak kohë… Iku në moshë të re, atëhere kur duhej të niste ta ndërtonte jetën…

Ky ishte kalvari i një familjeje nikolicare, kalvari i familjes Zhuli…
Më falni, që u zgjata pak, por nuk dua që pluhuri i kohrave t’i mbulojë vuajtjet, lotët, nderin e atyre njerëzve që provuan thikën e regjimit enverian. Desha dhe unë të kontribuoj sadopak, ndoshta fare pak…
Kjo është vetëm një grimcë e atij terrori.. Mjerë ata që e kanë kaluar… Ne duhet të krenohemi me ata që i rezistuan kohës edhe pse e kundërshtuan atë… ne duhet ta njohim historinë me pluset dhe minuset e saj…
Ky është detyrim i brezave!

 

Related Images:

More articles

3 KOMENTET

  1. E kam njohur nga larg këtë familje… por kam njohur nga afër Bujarin e gjorë…
    Djalë i drojtur, itrembur… mbante përherë një buzëqeshje në buzë, sikur desh të tregonte se sa i pafajshëm ishte…
    Kur më thanë se vdiq i ri më erdhi shumë keq për të…

  2. Shumë histori e dhimbshme… Të duket sikur nuk janë histori njerëzore… E megjithatë kanë ndodhur…
    Ndjeva shumë dhimbje kur e lexova këtë histori… Nuk është e drejtë që ata që na dënuan dje pafajsisht, sot flenë e të jetojnë rehat… Do të lutesha ta lexoni…
    Eshtë me të vërtetë një ngjarje prekëse e rrënqethëse!!

  3. Treguar thjesht por me zemër për njerëz të thjeshtë me ngjarje makabre si ato qindra të tjerat të kohës së regjimit terrorist enverian dhe, të mendosh se ndodhën në shekullin e 20të! Tregimin e lexova me një frymë dhe më kujtoi një tregim rrënqethës dhe tronditës nga Selamiu, dikur edhe ai i internuar në Savër, i cili më duket me fillimin e demokracisë shkoi në Belgjikë ku i kishte vdekur i ati, një nacionalist i arratisur pë shkak të komunizmit okupator: Me tregoi me gisht një ish oficer sigurimi i sapo dale ne pension,në Lushnjë. Ky pale burrë, tha Selamiu, kur pat qenë pas lufte operativ ne rrethin e Kolonjes(Korçë) një kulak e përdorte si gomar për t’i hipur e për t’a shpurë fshat më fshat, tamam si në kohën e plebejve dhe patricëve në Francën skllavo-pronare. Dhe me gjithë këto turpe kanë sot guximin të thonë se: i shërbyen shteti. Po kujt shteti, se ai vetëm i popullit nuk ishte, pra i shërbyen shtetit të kriminelëve duke shkelur edhe gjakun e të afërmëve të tyre me këmbë. E përgëzoj autorin, por edhe ju Jozef që, e ndatë me ne kë tregim rrënqethës.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.