
“Metamorfoza” ose Hakmarrja ndaj Babait
nga Rezart Palluqi
Unë e admiroj Franc Kafkën për novelën e tij të famshme, “Procesi”. Veçse ky admirim m’u zbeh menjëherë sapo lexova novelën e tij “Metamorfoza”. Kjo novelë i ka shërbyer më së miri misionit të “Princërve të Errësirës” në agjendën e të cilëve gjendet me shkronja të arta qëllimi për të shkatërruar familjen, besimin fetar, dashurinë e njeriut për tokën ku u lind e deri tek zhveshja e njeriut prej çdo prone private.
Franc Kafka vjen prej një familje të shkatërruar. Këtë na e pohon edhe vetë Kafka, kryesisht prej letrave, adresuar babait të tij. Unë ndjej keqardhje për Kafkën dhe çdo shkrimtar apo njeri mbi këtë Tokë që lind dhe rritet në gjirin familjar pa dashuri. E kuptoj gjithashtu edhe faktin që artistët, e në këtë rast, shkrimtarët e llojit të Kafkës, nuk mund ta shmangin zymtësinë/ errësirën e dendur në veprat e tyre letrare. Nëse kraharorin e ke të zbrazur prej dashurisë, edhe veprën, të paktën në aspektin humanitar, do ta kesh boshe. Njohim mijëra shkrimtarë që arrijnë të ndërtojnë romane me strukturë të mahnitshme, mirëpo me shpirt të shtrydhur, me personazhe pa karakter, pa vizion, puthadorës, të paaftë për të përqafuar dritën dhe gëzuar lirinë. Të tillë i hasim kudo, madje edhe në novelat e romanet e I. Kadaresë. Personalisht mendoj, se shkrimtarë të tillë janë të dështuar jo vetëm në rrafshin njerëzor, por edhe në krijimin e letërsisë së kompletuar.
Veprat e tyre nuk mund të përfaqësojnë kurrsesi sjelljen, karakterin e masës dërrmuese të njerëzve mbi tokë. Jo e jo, që nuk mund të shpallen kryevepra. Kryevepra nuk qëndron në këmbë pa dashuri, ashtu siç edhe një kështjellë me arkitekturë fenomenale nuk mund të jetë e plotësuar nëse në të jetojnë njerëz të liq.
Sipas gjykimit tim, “Metamorfoza” është një sulm personal i Kafkës ndaj vrazhdësisë së babait të tij. Është gjithashtu një sulm, ndoshta i pavetëdijshëm, mbi dashurinë familjare; është një goditje e egër ndaj tempullit të familjes dhe marrëdhënieve bir-baba, bir-nënë, vëlla-motër.
Fati i Gregorit përbën fatin e ndoshta 0,1% të bijve në familjen njerëzore. Cili baba do të reagonte aq egër dhe aq pa shpirt ndaj birit të tij, sepse ky i fundit mbeti i papunë, e papritur u shndërrua në një insekt trupmadh? Cila nënë dhe motër do t’i kthente kurrizin të birit të saj, ta linte atë të ngordhte si qen, për arsyet e lartpërmendura? Aq më tepër po të marrim parasysh sjelljen e plogët, pasive, tepër paqësore të Gregorit. Praktika e vërtetë e jetës na ka dëshmuar tërësisht të kundërtën; në raste të tilla njeriu i vjen në ndihmë bashkë-njeriut edhe më shumë.
Kafka dhe çdo Kafkë i shquar, mund ta shmangte/ shmangë, fare lehtë këtë kurth fatal, përndryshe kemi të bëjmë me një novelë dështake, si vetë autori.
Dikush mund të thotë se shkrimtari mund të shkojë shumë larg me fantazinë e tij? Jo, e kanë shumë gabim. Shkrimtari nuk mund të rrënojë dritën më të bukur që ekziston në botë, dritën familjare me pretekstin e lirisë artistike. Drita shkëlqen në miliona ngjyra vezulluese vetëm në mjedisin familjar, teksa nëna ushqen foshnjën me qumështin e bekuar, teksa nëna apo babai mëson fëmijën të hedhë hapat e parë, e kështu mund t’ju jap mijëra shembuj të tjerë magjikë. Në jetën e vërtetë, “Ligësia” në gjirin familjar gjithnjë e humbet betejën ndaj dritës, duke përjashtuar një përqindje fare të vogël njerëzish, si në rastin e Kafkës, i cili dështoi si në jetë si në letërsi të mbrojë dashurinë njerëzore.
Çdo të mendojë një student nëse lexon “Metamorfozën”? E aq më keq se përpara se ta lexojë do të ketë parasysh se ka të bëjë me një kryevepër? Në nënvetëdijen e tij do të ruajë dritën më të zezë njerëzore që u gjend në trurin/ zemrën e babait, nënës, motrës së Gregorit. E kjo dritë e zezë do të ndikojë më vonë negativisht në marrëdhëniet e tij ndërnjerëzore.
Mbrapa Gregortit, sipas mendimit tim, fshihet vetë Franc Kafka. Nëpërmjet tij ai hakmerret kryesisht ndaj babait duke e ekspozuar atë në ekranin e skëterrës. Është e drejta e tij ta bëjë këtë. Veçse do të kish bërë mirë që novelën ta kish titulluar “Metamorfoza shpirtërore e Franc Kafkës”. Personazhin kryesor do të duhej ta kish emëruar “Franc” dhe jo Gregor. Kjo do të na kish ndihmuar që tempullin më të shenjtë, “Familjen” të mos e identifikonim në nënvetëdijen tonë me familjen kafshërore të Franc Kafkës. E rrjedhimisht, kjo dramë do të përfaqësonte jetën personale të tij. Ose në rastin më fatlum, Kafka duhej të na kish shpjeguar arsyet psikologjike të egërsisë që tregon e tërë familja ndaj fatkeqësisë së Gregorit. Po ta kish bërë këtë, ajo familje do të rezulonte plotësisht e sëmurë shpirtërisht dhe mendërisht, ndaj edhe një herë do ta gjykonim këtë histori barbare, si një ngjarje të izoluar, e jo siç ka ndodhur mbasi ky libër u botua, ku kritika, kryesisht ajo në Perëndim, tenton të na bindë se njeriu është aq i lig saqë në situata të caktuara kryen krime brenda-familjare, për shkaqe tejet banale, siç i ndeshim në novelë.
Për fat të keq Franc Kafka dështoi ta mundte errësirën me dritë. Ai iu hakmor errësirës personale me errësirë, e këtë e vërejmë edhe në ditët e sotme në djepin e popullit të Izraelit, të cilët, sot ndjehen edhe më të palumtur se ç’ishin në vitet ‘40 në kampet hitleriane, paçka se SOT ata zotërojnë atdhe, flamur, liri dhe begati të pamatë.
Pa dyshim që “princërit e errësirës” e kanë përkrahur mbrapa perdeve pafundësisht këtë novelë e shumë novela të tjera të ngjashme me të, siç është edhe “I huaji” i Kamysë, ku personazhi, edhe pse siç na e skicon Kamyja, njeri normal, çuditërisht, nuk shpreh asnjë grimë keqardhje për vdekjen e nënës së tij. Ai ishte ky personazh ndoshta modeli i parë i “Njeriut të ri” të shekullit të njëzet e një?
Siç e thashë në fillim të kësaj analize, “Princërit e errësirës” kanë të paktën dyqind vjet që punojnë për të mbytur dritën e shpirtit njerëzor me errësirën e tyre. Është ai pesë përqindëshi që zotëron nëntëdhjetë e pesë për qind të pasurisë materiale botërore. Ky pesë përqindësh ama, e di fort mirë, se njeriu shtyhet drejt errësirës vetëm nëse i shkatërron së pari familjen, e më pas i heq llokmën e bukës.
“Metamorfoza” e Franc Kafkës është një dramë personale, ndaj dhe duhet e parë si e tillë. Mirëpo, edhe nëse e pranojmë si të tillë, ligësia që ai shfaq ndaj babait të tij i kalon çdo kufi. E them këtë, nëse do të bazoheshim në të dhënat që Kafka na jep për babanë nëpërmjet letrave për të. Familja e Kafkës, sado e ligë të ketë qenë ndaj tij, ajo nuk e ka merituar këtë hakmarrje gati-gati të paprecedentë. Po, e përsëris, këtë e bazoj në letrat e Kafkës, e nëse ai na ka fshehur një pjesë të dramës së tij familjare, atëherë çështja mund të ndryshonte disi, gjithsesi, novela në fjalë, nuk do ta justifikonte kurrsesi fundin e saj përbindshëror, përveçse ajo do të luhej në hapësirën e ndonjë psikiatrie të madhe, ose do të kishim të bënim me konflikte serioze trashëgimie pasurish apo shuma marramendëse të hollash ndërmjet: babë-bir, nënë-bir, motër-vëlla, e një gjë të tillë nuk e hasim në novelë.
Marrë nga Hejza