Meshtari i madh, dhe romancieri i parë shqiptar… Dom Ndoc Nikajt (15.6.1865 – 16.01.1951)

Gazeta

Dom Ndoc Nikaj (1864-1951)
Dom Ndoc Nikaj (1864-1951)
Meshtari i madh, dhe romancieri i parë shqiptar…
Dom Ndoc Nikajt (15.6.1865 – 16.01.1951)

Mё 16 janar kujtojmё pёrvjetorin e vdekjes sё dom Ndoc Nikajt (15.6.1865 – 16.01.1951), meshtari i madh, romancieri i parë shqiptar e historiani që s’bënte folklor me patriotizmin. Meshtar, shkrimtar e kronikan, Ndoc Nikaj qe edhe tipograf e rilindas i Shqipërisë.
Ndoc Nikaj lindi në Shkodër më 16 qershor 1865, dhe i mbylli sytë po në vendlindje, më 16 janar 1951. Lajmet më të rëndësishme të jetës ua ka përcjellur ai vetë lexuesve, te vepra e tij “Kujtime të nji jete së kalueme”.
Prej viteve 1888 e deri në prag të Luftës së Parë Botërore botoi me dhjetra vepra origjinale si “Fejesa në djep, ase Ulqini i marrun”, “Bleta nner lule të Parrizit”, ose “Marzia e ksctenimi n’filles t’vet”, pa përmendur këtu edhe tekste shkollore e abetare. Megjithatë, dy veprat që i kushtuan arrestimin prej xhandarmërisë turke qenë “Historija e Shqypnies” dhe “Historia e Turkies” ku shprehej me patos të madh për Gjergj Kastriotin.
Kur vlonte kryengritja e Malsisë së Madhe në vitin 1909, nëpërmjet arbëreshëve të Italisë, Dom Ndoc Nikaj kontaktoi Riccioti Garibaldin, djalin e Giuseppe Garibaldin dhe i kërkoi të zbarkonte armë dhe municion në Shëngjin, por kjo përpjekje nuk pati sukses dhe kryengritja u shtyp.
Në vitin 1910, bashkë me abatin e Mirditës Preng Doçin, të cilin e kishte mik të ngushtë, Ndoc Nikaj qe një ndër themeluesit e shoqërisë “Bashkimi” në Shkodër, e cila nxiti përhapjen e gjuhës, letërsisë, historisë dhe të arsimit në gjuhën amtare.
Shtypshkronja e themeluar prej tij në vitin 1909, mbasi kishte marrë lejen e autoriteve osmane, u bë një nga tipografitë kryesore në Shqipëri. Por aty, meshtari shtypte pa dijeninë e autoriteteve edhe gazeta klandestine që bënin thirrje për liri dhe pavarësi nga sundimtarët osmanë, duke e vënë kokën në gërshërë ditë-natë.
Përpjekjet e tij të shumëfishta për lirinë dhe diturinë në Shqipëri ranë në sy edhe gjatë pushtimit të shkurtër malazez të 1913, e po ashtu edhe gjatë tërheqjes së ushtrive malazeze në korrik të vitit 1915. U arrestua dhe i shpëtoi pushkatimit për pak.
Herën e tretë, Dom Ndoc Nikaj u arrestua nga komunistët në moshë të thyer, mbas Luftës së Dytë Botërore. Ndërroi jetë në Shkodër, duke lënë në dorëshkrim shumë vepra interesante që mbetën të pabotuara deri në vitet e demokracisë.
Përveç se famullitar, dom Ndoc Nikaj qe edhe kapelan i derës së Gjomarkajve të Mirditës, duke kthyer në traditë shërbimin meshtarak personal për bujarët e vendit, traditë që kishte humbur që me rënies e Arbërisë në dorë të osmanëve. Falë tij, njohim shumë nga prapaskenat e politikës shqiptare të viteve 1920-1940, duke nisur që nga kryengritja e Mirditës deri te pushtimi italian.
Përveç këtyre që thamë, dom Ndoc Nikajt i jemi mirënjohës edhe për dokumentimin e disa monumenteve të antikitetit në Shkodër. Kështu, në zonën poshtë kalasë së Shkodrës, në jug, aty ku gjendej fabrika e tij e alkoolit, kishte vënë re një gur monumental kushtuar perandorit romak Septim Severit, bashkë me disa pjesë muresh të periudhës romake që shiheshin ende me sy në fundit e shekullit XIX. Veprat e tij janë paraqesin interes shkencor edhe për fjalorin e shqipes së atyre viteve. Shumë prej atyre fjalëve të vjetra që përdorte ai, janë përfshirë edhe në fjalorin e “Bashkimit”.
Dom Ndoc Nikaj qe vërtetë një apostull i kulturës shqiptare, apostull dhe luftëtar i palodhshëm e i patrembur i idesë kombëtare. Tërë jetën e vet e shkriu në shërbim të ngritjes shpirtërore dhe kulturore të popullit të vet shqiptar. Puna e palodhshme e këtij shkrimtari duhet çmuar edhe më tepër, kur dihet se tërë jetën, talentin dhe pasurinë e shkrini në botimin dhe përhapjen e librave të kulturës shqiptare.
Vatikan News

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit