
Meritojmë vlerësime edhe ne, studiuesit e krijuesit e diasporës së sotme
nga Thanas L. Gjika
Pashë mbrëmë në Televizioni shqiptar ceremoninë e organizuar me kujdes për vlerësimin me dekoratën/ medaljen e lartë “Gjergj Ksastrioti Skënderbeu” të shumë shqiptarëve që janë shquar gjatë jetës në punën e tyre si ushtarakë, arsimtarë, studiues, mjekë, albanologë, etj.
U tha se këtë medalje e kishte krijuar 100 vjet më parë shteti shqiptar më 10 dhjetor 1925, dhe Kryeministria e Presidenca e sotme po e gjallërojnë duke e ripërtërirë formën e saj.
Mirëpo nuk u përmend fare emri i Presidentit Ahmet Zogu, i cili e krijoi dhe e aplikoi këtë medalje/ dekoratë, dhe ua dha mjaft shqiptarëve të shquar, albanologëve dhe miqve të Shqipërisë.
Studiuesi Aurel Plasari në fjalën e tij përshëndetëse pasi e mori medaljen e përmendi faktin se Faik Konica në bashkëpunim me Aladro Kastriotin si sponsor dhe Theohar Gjinin si piktor zbatues, krijuan çmimin/ medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” të cilin ia akorduan shkrimtarit e studiuesit Dom Ndoc Nikaj për hartimin e “Historisë së Shqipërisë”.
Mirëpo ata që ia servirën problemin Kryeministrit ishin njerëz me bindje të thella komuniste dhe si të tillë manifestuan alergji ndaj personaliteteve të dënuar prej regjimit komunist, si Ahmet Zogu, Faik Konica, Dom Ndoc Nikaj, emrat e të cilëve nuk u përmendën fare. Për më tepër anëtarët e atij komisioni kishin pasur alergji dhe ndaj krijuesve e studiuesve të sotëm albanologë, shkrimtarë e gazetarë, që punojnë në diasporën e re. Krahas vlerësimit të studiuesve Françesko Altimari, Mateo Mandala, Ernesto Madeo, bij të diasporës së lashtë arbëreshe (Itali) vlente të vlerësoheshin dhe disa bij të diasporës së re, si shkrimtari Visar Zhiti, që ka marrë shumë vlerësime nëpër botë, gazetari Frank Shkreli, që drejtoi për dekada departamentin e Euro-Azisë në Zëri i Amerikës dhe vijon të botojë në SHBA dhe në atdhe shkrime për dënimin e krimeve të komunizmit; poliedriku Lek Pervizi, që drejtoi me sukses 193 numra të revistës politike dhe enciklopedike “KUQ E ZI” (Bruksel, Belgjikë) revista më jetëgjatë shqiptaro-atlantike; gazetari, poeti, analisti Jozef Radi, editor i revistës prestigjoze “Radiandradi” (Itali); studiuesi e stilisti i shquar i gjuhës shqipe, editor i revistës “Peisazhe të fjalës” (New York) Ardian Vehbiu, studiuesi e gazetari Fatmir Terziu (Londër, Angli), autor i 50 librave me studime e analiza; Ilia Karanxha (Firence Itali), studiuesi më i mirë i humanistëve tanë të shek. XV-XVI, e mbi të gjitha biograf i Marin Beçikemit, Nikolla Leonik Tomeut, etj; Fotaq Andrea (Strasburg, Francë) studiuesi e botuesi i përkushtuar ndaj jetës e veprës së Faik Konicës e Gjergj Kastriotit Skenderbeut, autor i 100 librave me studime e përkthime letrare; Ilia V. Ballauri (Selenik, Greqi), përkthesi i variantit enciklopedik të poemave madhore “Iliada” e “Odisea” dhe studiues i thelluar i Voskopojës; studiuesi i shquar Ilir Ikonomi, shkrimtari e poeti i talentuar Luan Rama (Paris), autor i 60 librave; Ylli Demneri (Paris), shkrimtar e studiues i talentuar; studiuesi i lashtësisë sonë Aref Matew (Paris); shkrimtari i talentuar Faruk Myrtaj (Canada) e mjaft të tjerë.
Më falni për mungesën e modestisë, por po përrmend dhe veten time: Thanas L. Gjika, vlerësues i krijimtarisë së të përndjekurve dhe biograf i thelluar i jetës e veprës së Shën Palit, si dhe korrigjues i shumë shënimeve sqaruese dhe i hartave të “Dhiatës së Re” me botime monografike në shqip e anglisht, vlerësuar prej studiuesve amerikanë e shqiptarë. Në këto studime përmes argumenteve historike, gjuhësore, toponopmastke, etnologjike, teologjike, etj kam vërtetuar punën e misionarit Shën Pal në troje ilire, pra krijimin e bashkësive të para të krishtere, në Sardë (Shurdhah), Lissus (Lezhë), Dyrrach (Durrës), Apolloni e Adriatikut (Pojani i Fierit), Buthrot (Butrint), Nikopol pranë Prevezës, etj.
Me një fjalë i sugjeroj Kryeministrit, Z. Edi Rama, dhe Presidentit, Z. Bajram Bega, që ta krijojnë grupin e punës, që u sugjeron se kujt t’ia akordojnë dekoratën e lartë, me njerëz të zhveshur nga politizimi, të cilët do të sugjerojë që kjo dekoratë/ medalje e lartë t’u jepet dhe studiuesve e krijuesve të tjerë të shquar që punojnë në diasporën e re shqiptare, pa marrë asnjë lloj pagese nga shteti shqiptar. Lënia në hije/ harresë e vlerave të punës sonë ju dëmton juve e jo neve që punojmë me pasion e sakrifica për të ngritur prestigjin e popullit dhe të shtetit shqiptar.