back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Më vjen keq që asgjë s’ka ndryshuar – nga Marjana Bulku

Gazeta

Marjana Bulku
Marjana Bulku

Më vjen keq që asgjë s’ka ndryshuar

nga Marjana Bulku

Duket se koha ka ecur mbrapsht kur shoh se si ende duartrokitet me ekzaltim, servilizëm dhe nënshtrim udhëheqja e kujtdo krahu qoftë ajo.
Është fatkeqësi kur sheh se si udhëheqja ulet sërish këmbëkryq mbi hallet e popullit duke numëruar suksese imagjinare.
E çuditëshme pra që populli ende duartroket në vend që të dëgjojë, serviloset në vend që të kërkojë llogari, hesht në vend që të revoltohet dhe ngrejë zërin.
Është e dhimbshme teksa sheh se si demokracia vdes sa herë që ekranet pushtohen nga udhëheqja që çdo shërbim e reklamon si “fitorje” kur në fakt e ka për detyrë shërbimin për sa kohë që është në atë detyrë.
Vdes demokracia sa herë që populli manipulohet, hesht, dorëzohet.
Pamje jo pak e njohur kjo për ne që u lindëm dhe u rritëm nën atë lloj kulture nënshtrimi ndaj fuqisë.
Dhe kur fuqia u dorëzua, guxuam të urrenim pa cak të këqijat, por edhe të mirat që prodhoi sistemi i kultivuar keq.
Lindte demokracia sa herë që logjika njerëzore zgjohej nga tulatja e gjatë.
Dhe zgjimi popullor nënkupton vetdije qytetare, të drejta, liri dhe përgjegjësi… por edhe detyrime, kreativitet, rregulla.
Kështu demokracia do të rritej duke i dhënë popullit frymëmarrje e peshë përballë pushteteve që edhe më të përgjegjshëm i bën qytetaria aktive…
Duket sikur asgjë nuk ka ndryshuar që kur pretenduam se e prekëm Demokracinë.
A e prekëm vallë?!
Pyes veten teksa shoh se asgjë nuk paskërka ndryshuar.
Nuk ka ndryshuar asgjë as në sjelljet qeveritare që riciklojnë të njejtat mëkate, as në reagimin popullor që di vetëm të nënshrohet apo të reagojë kur partia ia do, as në kulturën individuale të nënshtrimit ndaj të keqes.

1990 - Ndryshimi i sistemit
1990 – Ndryshimi i sistemit

Tabloja shqiptare e vitit 2022, me puçe e grushte pushtetesh që synojnë jetgjatësi a ndoshta edhe përjetësi dhe popull i nënshtruar që në dukje është i çorientuar, por në thelb është i njëjtë; fajtor i pa faj.
Është fajtor sepse hesht, pse duartroket, pse serviloset dhe paradoksalisht është pa faj sepse menuja e detyruar që ka përpara është vështirë të ndryshohet.
Duket se asgjë nuk ka ndryshuar kur sheh se si zhvlerësohet puna e ndershme.
Vlerën e saj (dikur e zinte ajo kolektive) sot e ka dhunuar mania kolektive për t’u pasuruar padrejtësisht dhe me çdo mënyrë, madje pa punuar!
Asgjë nuk ka ndryshuar kur sheh një popull që është në ikje permanente nga trojet e veta, në një proces braktisje si me dhunë (të padukshme) nga vendin i vet.
Asgjë nuk ka ndryshuar kur ndjek se si ikjet ndjekin njëra-tjetrën zinxhir (gjyshi im u arratis në vitin 1959 duke thënë “nuk rri dot në një shtëpi me stola dhe oxhak”, ndërsa unë/ne u larguam në 6 korrik 2011, kur mbeta pa punë në vendin dhe kohën ku kishim investuar aq shumë).
Të vjen keq për fjalën që nuk u tha, mbeti peng ndërkohë që ajo kullonte drejtësi edhe pse ajo gjithmonë e drejta pritet në mes, të vjen keq që folëm aq pak për lirinë, për idhujtarët e saj, të vjen keq që i lamë në vetmi dhe pa rrugë produktet tona të nderit dhe dinjitetit që sillte puna me nder, por të paktën ato ekzistojnë përsa kohë ka kujtesë.
Është fjala dhe vetëm fjala ajo që e mban gjallë mendimin, qëndrimin dhe të drejtën.
Jo prapë burg asaj! (Fjalës).
Asgjë nuk ndryshon nëse nuk kuptohet se Demokracia është një guidë të drejtash jete, një lloj vetqeverisje që porsi trupi njerëzor, prej të cilëve ajo funksionon, mat, kalkulon, krahason, analizon dhe gjykon gjithçka që evidentohet në procesin e gjatë dhe të pandalshëm që quhet jetë.
4 korrik 2022

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.