back to top
13.5 C
Tirana
E martë, 11 Nëntor, 2025

Mbreti Zog – në kujtimet e një diplomati italian – përgaditi Klodi Stralla

Gazeta

Pietro Quaroni dhe gruaja e tij Larisa me kostume shqiptare
Pietro Quaroni dhe gruaja e tij Larisa me kostume shqiptare
Mbreti Zog – në kujtimet e një diplomati italian
përgaditi Klodi Stralla

Pietro Kuaroni ka qenë një diplomat italian i periudhës mussoliniane dhe një vrojtues i mprehtë i personaliteteve politike të kohës të vet. Në librin e tij me kujtime, “Valixhja diplomatike” (1954), të botuar edhe në shqip, ndër të tjera na jep edhe një përshkrim të detajuar dhe interesant për personalitetin e Mbretit Zog, përshkrim që po e postoj, me shumë shkurtime, në përvjetorin e datëlindjes të mbretit dhe të diplomatit të shquar. “Është një histori që shqiptarët kanë qejf ta tregojnë: – Një ditë Zoti zbriti mbi Tokë për të parë se ç’kishin bërë njerëzit me veprën e tij. Kaloi nga njeri vend tek tjetri, pa arritur ta njihte më Tokën që kish krijuar vetë. Këta dreq njerëzish e kishin bërë botën rrëmujë. Sa e madhe qe habia e tij por edhe gëzimi, kur mbriti në Shqipëri! – Më në fund, ja vendi i parë që po e gjej ashtu siç e krijova unë!
Kjo ishte Shqipëria kur unë e njoha për herë të pare, në dhjetorin e 1928-ës, kur Ahmet Zogu posa ishte shpallur “Mbret i Shqiptarëve”.
Zogollët kishin qenë prej shekujsh senjorë të trashëguar të Matit, krahinë malore dhe e varfër. Jeta politike nuk ishte e sigurt dhe vrasja e kundërshtarëve figuronte akoma ndër mjetet e luftës.
Padyshim, Zogu nuk ka patur gisht në të gjitha dramat politike që njerëzit i atribuonin atij, ndonse disa prej tyre nuk i ka përgënjeshtruar. Megjithatë, kur gjendeshe përpara këtij njeriu kaq të thjeshtë, kaq të qetë, kaq dashamirës, e kishe akoma më të vështirë t’i besoje ato. Shpesh, pyesja veten: si dreqin ka mundur të bëhet zot absolut i një vendi kaq të trazuar dhe t’i mbajë pas vetes këta njerëz, njëri më i ndryshëm se tjetri?
Çdo diktator ka një metodë të vetën për ushtrimin e pushtetit; edhe Zogu kishte të tijën. Ai nuk thoshtë kurrë atë që mendonte. Priste që ministrat e tij, bashkëpunëtorët, ta mernin vetë me mend mendimin e tij dhe pastaj t’ia “impononin” atij vetë; nëse nuk arrinin t’ia merrnin me mend idetë e tij atëhere prania e tyre në qeveri nuk do të zgjaste shumë.
Pjesërisht, të gjithë i kishte kundërshtarë; pjesërisht dashamirës dhe shkathtësia e tij konsistonte pikërisht për t’i mbajtur njerëzit dhe punët në një ekuilibër të paqëndrueshëm. Të vetmit, të cilëve u zinte besë ishin besnikët e tij të Matit, lidhur me shekuj me familjen e tij dhe që përbënin gardën e tij personale.
Një ditë, kur ne po e qortonim se po dredhonte dhe nuk po na jepte atë që i kërkonim, ai u shpreh sinqerisht:
-Kur unë do t’u jap atë që kërkoni, ju do të më kërkoni një gjë tjetër. Atëhere, pse dreqin të nxitojmë?
***
Zogu punonte si një i dënuar me punë të detyruar. Nga zyra e tij, nga ora 8.00 e mëngjezit ai nuk dilte veçse në orën 22.00 të mbrëmjes. Mbikqyrte e kontrollonte vetë edhe gjërat më të vogla.
Më kujtohet një mbrëmje në Durrës, ku ai shkonte shpesh të pushonte në fundjavë. Aty më tregoi për jetën e tij të shkuar, për idetë, dëshirat, pasionet e tij. Duke e dëgjuar me vemendje kuturisa dhe e pyeta:
-Përse u shërben kjo që jeni mbret? Ju punoni nga mëngjezi në darkë, nuk merrni asnjë ditë pushimi. Përse të mos zgjidhni një Kryetar të Këshillit, të aftë që t’u japë rrugë punëve të përditëshme? A mund një njeri kaq i ri sa ju të mos ketë dëshirë ta gëzojë pak jetën?
Zogu hodhi vështimin nga deti dhe m’u përgjigj mendueshëm:
-Ke të drejtë, por a e dini ju se çdo të thotë të komandosh?
Kishte tek ai një përzjerje cilësish pozitive e negative, në thelb, plot tërheqje. Metodat e tij më tërbonin, më irritonin, më dëshpëronin, por këto nuk më pengonin të ndjeja simpati ndaj tij. Në njëfarë kuptimi një qenie komplekse, bishtnuese, besëpaktë, por konsekuente me vetveten, shoqëruar me një sens ndershmërie.

Valixhja diplomatike - Pietro Quaroni
Valixhja diplomatike – Pietro Quaroni

***
Ne kishim marrë zotimin ta mbështetnim, ta ndihmonim të bënte vendin e tij një shtet solid e të organizuar. Shqiptarët ishin një popull i vogël, i varfër, me të kaluar torturuese, i cili për të mbijetuar, ka qenë i detyruar të përdorë armët e të dobtëve – të përkulet, të shtiret, të fshihet, por pa haruar të ruajë edhe krenarinë, mikpritjen dhe mosbesimin tek të huajt. Këtu e kanë burimin disa tipare të karakterit të tij, që mishëroheshin aq qartë tek personaliteti i mbretit të tyre”

PS. Pietro Quaroni (3 tetor 1898-11 gusht 1971), diplomat italian i karrierës. Ka shërbyer në shumë shtete: Itali, Turqi, Greqi, Rusi, Argjentinë, Francë, Holandë, Jugosllavi, Gjermani, Angli bile edhe në Afganistan, me detyra diplomatike e konsullore. Në vitet 1964-1969, president i RAI-it. Autor i disa librave me kujtime.
Marrë nga FB, Klodi Stralla 7 tetor 2018

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.