back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024

Mbi veprën e Musine Kokalarit: “Dasmë… Sa u tunt jeta” – nga Gëzim Zilja

Gazeta

Musine Kokalari - Vepra 1 &2 - Novruz Shehu
Musine Kokalari – Vepra 1 &2 – Novruz Xh. Shehu

Mbi veprën e Musine Kokalarit: “Dasmë… Sa u tunt jeta”

nga Gëzim Zilja

Në vitin 1944, Musineja botoi veprën e saj “Dasmë… Sa u tunt jeta”. Me një gjuhë të pasur në dialektin e mrekullueshën të Jugut, plot ngjyra hollësira e delikatesë, na shpalos ritet mahnitëse të një dasme gjirokastrite, kryesisht atë që bëhet në shtëpinë e nuses deri në çastin, që ajo del nga shtëpia dhe përcillet për në derën e burrit të ardhshëm. Dasmat zakonisht fillonin ditën e enjte dhe mbaronin ditën e diel. Ditët e dasmës jepen të emërtuara sipas traditës: Dita e Nishanit, (Ç’thanë për mua e për tinë/  Trëndelinë moj trëndelinë/ Dojë të prishnin krushqinë/ Dhanë e dhanë e dot se prishnë/ Kot që vejnë e kot që vijnë/ Se ne kishmë dashurinë.) Dita e Nigjahut, (Moj dora me bezeliqe, / Ç’dolle në udhë e më prite/ Diç më the më porosite/ Për një par’ vëthë nazike/ Në Janinë ç’i porosite.) Dita e Vetullave, (Vetullatë pse tu nxinë/ Sikur ke vënë mazinë?/ Jo, jo, jo për perëndinë/ Po kam vetë bukurinë.) Nata e Brumit, (Uromë baba uromë!/ Gëzomë baba gëzomë!/ Sonte që zëm brumëto/ Me mjalt e me qumështo). Dita e Kënasë, (Erdhi koha për këna/ Xhemile fat madhija/ Shkëputu nga vallija/ Lum babai që të ka/ Vure Xhemile kënanë!/ Se të rri nanaja pranë.) Nata e vajzës, (Dallandushe vogëlo/ Dale, dale ref./ Primë sa të rritemo!/ Të bënem sa shoqeto/ Sa Libohoviteto/ Sa gjirokastriteto/ Të vemi në kasaba/ Të zëm’ shtëpi me qira/ Me xhame e taraba/ Jashtë e brënda me boja’.) Dita e nuses, (Ç’ke moj nuse që mejtone?/ I mejtonem vashërisë/ Se u’ vajzë s’bënem kurrë/ Më thonë grua me burrë.).

Autori Gëzim Zilja
Gëzim Zilja

Këngët e vallet në këto katër ditë dalin nga shpirti i popullit shqiptar, ku vuajtjet ishin të shumta dhe gëzimet e ditët e lumtura të pakta. Në ritet e dasmës përfshihen babai, nëna, vëllai motra, dhëndëri, vjehri, vjehra, fisi e gjithë të ftuarit e tjerë. Motivi kryesor në këngët ku pikon malli për ndarjen e vajzës nga prindërit, janë besnikëria ndaj fjalës së dhënë: (A në prill a në maj/Gjersa vdekja të na ndajë), bukuria e vajzës dhe djalit, shtëpia që do të krijojnë, fëmijët që do të vijnë si bekim për familjen etj. Ditët e dasmës te shtëpia e djalit dhe e vajzës përcillen me valle e këngë popullore, ku krijues e aktorë janë vetë dasmorët, pa përjashtuar as fëmijët, të cilët kanë rolin e tyre. Autorja shkruan: “Niset kënga nga Dita e Shënimit, tek Nata e Brumit me mashalla nëpër udhë me pishë të ndezura nga të vegjëlit në duar, si nga ana e djalit dhe ashtu e vajzës.” Vepra 2, faqe 169 Janë rreth 5.000 vargje të zgjedhur me shumë kujdes, midis mijëra të tjerëve, të vendosur, plot sqimë, me një dialekt jugor, që tigëllon me një bukuri e muzikalitet të rrallë, (Tatëpjetë malit vije/ Jelek verdha veshuro/ Thaçë se vije tek unë/ Dolla duke qeshuro/ Me duar përveshuro/ Ti vajte te kishe punë/ Hira zemëruaro/ Me duar lëshuaro/ Mik në të mbeti qejfi/ Kthenem në të shkuaro) sa është e pamundur ta mos shkëputesh për një çast nga leximi i tyre e të përfytyrosh atë mori njerëzish, që kërcejnë e këndojnë, japin e marrin me njëri-tjerin, (Bota janë vrarë e prerë e janë pajcuaro/ Ne as vrarë as prerë jemi/ Fjalë s’kemi ndërruaro.) plot optimizëm, humor e gëzim, sa ndjen edhe ti dëshirën të bashkohesh me ta, për të kënduar e kërcyer, për të gëzuar jetën, që paraqitet aq natyrshëm, aq thjeshtë e plot dashuri, ku gjithkush ndihet aq mirë, duke lënë mënjanë urrejtjen, mëritë e zënkat e kota. Këngët këndohen zakonisht nga gratë e fisit dhe të lagjes mes humorit, (Juve krushq hai e pini/ Lugëtë mos i fshihni/ Thela në xhep mos vini.) gëzimit, merakut për tu zbatuar me rreptësi gjithë zakonet, duke sajdisur veçanërisht njerëzit e pranishëm, të ftuar e të paftuar. Krahas humorit brilant nuk mund të mos vihet re edhe nepsi për pak birek nga i dasmës për ata që nuk mund të ishin aty për arsye të ndryshme: (Lum ti more birek/ E vë Haxhua nëpër xhep/ E kanë porositurë/ Haxho moj të keqenë/ Birek nga të dasmësë.)

Gjirokastra - Pamje e Qytetit
Gjirokastra – Pamje e Qytetit

Ndërsa dëgjon këto këngë të mrekullueshme ndjen që shpirti të mbushet plot hare e vetvetiu të vjen të buzëqeshësh e të thuash i mrekulluar: Sa bukur! Do të këndoj edhe unë e do të marr një valle se shpirtin e kam plot. E rritur në një shtëpi të pasur për kohën dhe e pajisur me dashuri për vendin dhe kulturën shqiptare, Musine Kokalari nuk mund të mos vinte re krahas të bukurës edhe varfërinë e sidomos jetën e mundimshme të gruas shqiptare për kohën kur jetonte. Kjo bijë e Gjirokastrës, plot ëndërra e dëshira për vendin e saj, krahas përshkrimit të gjallë e jetësor të riteve të mrekulleshme të dasmës gjirokastrite, ku shpalosen gëzimi dhe humori popullor, me të gjitha trajtat, nuk mund të rrijë mospërfillëse e të mos vërejë varfërinë e zakonet e tjera, që shtypin, ndrydhin dhe kufizojnë të drejtat e gruas shqiptare. Pasi shpalos bukurinë e dasmave, në faqet e fundit të librit, krahas trishtimt dhe dhimbjes, Musine Kokalari thurr një himn madhështor për qytetin e lindjes, që nuk e kam parë në asnjë libër të ndonjë shkrimtari deri sot: “…Kush u martua dhe s’u gëzua? Dasmë pa mishra s’bënetë, dasmë pa hatëre të mbetura nuk ka. Gjirokastra bota e madhe pa funt që s’kish shoqe për moshën time të parë. Gjirokastra ime an’e mbanë me shkëmbinjë e udhët plot gurë. Vendi ku ke lerë e je rritur është dashuria e parë që hedh rrënjë në zëmërat tona. E shkuara ëndërr e bukur… Gjirokastra e kujove dhe këngëve që buçitnin një herë e një kohë nga dritaret e mëdha të shtëpive buzë përronjëve ndënë hijen e rëndë të kalasë së Ali Pashës. Sa u tunt jeta, është ëndra e shkurtër e pak ditëve të vajzës gjirokastrite, që pas asaj ajo vihet nën thundrën e vjehrës, rron nën tmerrin e vjehrit, me frikën e burrit, që fjala e tij është urdhër për të…”

Musine Kokalari në kohën e rinisë
Musine Kokalari me veshje popullor në kohën e rinisë

Musineja thekson se kohët kanë ndryshuar për mirë dhe gruaja me guxim po kërkon të zerë vendin e duhur në shoqërinë shqiptare, si në të gjithë kombet e përparuara. Në mbylljen e librit ajo shprehet plot besim për të ardhmen, duke dhënë më vonë shëmbullin e saj, bashkë me pak gra të tjera, që u bënë kurban nga diktatura se kërkuan një rend shoqëroror demokratik, ku njerëzit të ishin të barabartë para ligjit dhe të shprehnin lirisht fjalën. Plot dhimbje e shpresë, plot 80 vjet më parë përfundon: “Gruaja sot nga bota e perënduar e djeshme zuri udhën e saj dhe kërkon të jetë përgjegjëse për vehten e saj dhe të marrë pjesë në të gjitha ngjarjet e kohës, kërkon të dijë se ku rron e përse rron në jetë, për të drejtën që ka si pjesë e pandarë e asaj që është.” Fq. 225-228. Këto bindje të hershme të kësaj gruaje trime dhe të mençur, arsimuar në Itali, që Zoti veç të tjerave e kishte pajisur me një bukuritë mbresëlënëse, do të binin ndesh me pikëpamjet e udhëheqësve komunistë, që pllakosën si murtajë mbi Shqipërinë, duke e mbajtur nën terror për dyzetepesë vjet me rradhë. Pranoi çdo dënim dhe një jetë plot vuajtje, sakrifica e mundime, por nuk u dorëzua dhe nuk kërkoi ndjesë për bindjet e saj. Libri “Dasmë… sa u tund jeta” hyn në veprat më të mira të letërsisë shqiptare për historinë, këngën e traditat e dasmës shqiptare.

Vallja Gjirokastrite
Vallja Gjirokastrite

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.