back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Mbi terrorin komunist ndaj klerit katolik nga Kastriot Dervishi

Gazeta

Studiuesi Kastriot Dervishi
Studiuesi Kastriot Dervishi

Mbi terrorin komunist ndaj klerit katolik

nga Kastriot Dervishi

Letra e 16 shtatorit 1946 që Dom Shtjefën Kurti i dërgon Papa Pio XI

Ardhja e komunistëve në pushtet solli një qëndrim të rreptë të tyre ndaj klerit katolik. Filozofia komuniste ishte e papajtueshme me fenë e në radhë të parë me atë katolike. Një goditje e paparë filloi në mbarë vendin kundër këtij kleri. Dhjetëra procese politike, qindra arrestime, kufizim i aktiviteteve në maksimum ishin masat më të para që regjimi i ri vendosi mbi këtë kler. Por duke qenë se formalisht “garantoheshin” të drejtat fetare, pra feja nuk ishte e ndaluar, të gjitha aktet e viteve të para janë bërë duke u mbështetur në akuza të tilla që lidheshin me “krimet kundër shtetit”, “krijimin e organizatave terroriste, diversioniste”, “përmbysjes së pushtetit popullor me dhunë”, “armëmbajtjes pa leje”, etj. Në muajt e parë të këtij terrori Dom Shtjefën Kurti i shkruan një letër Papa Pio XII të cilën e dërgon ne mënyre të fshehtë.
Kurti, një klerik i pasionuar nga Kosova, i shuguruar meshtar në Romë më 13 maj1921, ardhur në Shqipëri më 6 janar 1930, bashkë me Dom Luigj Gashin e Dom Gjon Bisakun, e shkruan këtë letër më 16 shtator 1946.
Dom Shtjefën Kurti e shkruan këtë letër me brengën e madhe për atë që kishte përjetuar dhe me pasigurinë për atë që e priste vendin. Në fakt një muaj më pas, Dom Shtjefni do arrestohej dhe dënohej me “një grup të madh” duke u dënuar me 20 vjet burg.
Letra pra, që ruhet në Arkivin e Vatikanit përveç të tjerash jep edhe një përshkrim mbi gjendjen e rëndë në të cilën notonte Shqipëria. Letra është prekëse. Atje shihet përkushtimi i tij i sinqertë dhe radikal ndaj Kishës dhe Pastorit madhor të saj, gjë për të cilën nuk do të hezitojë të japë edhe jetën e tij. Kjo letër është një himn e besnikërisë së tij dhe e kishës shqiptare, të udhëhequr nga pastorët e tyre, ndaj Papës, me te cilin ndjehen edhe më afër në çastin e rrezikut, moment që është edhe vendimtar për mbijetesën katolike në Shqipëri.
Përveç kësaj letre po pasqyrojmë edhe letra të tjera drejtuar autoriteteve të kohës, letra që më shumë se sa kanë kërkuar atëherë, na informojnë neve sot për atë që po ndodhte asokohe.

Papa Piu XII (1876-1958)
Papa Piu XII (1876-1958)

Pjesë nga letra drejtuar Papa Pio XII:
“Edhe pse unë jam veçse një prift i thjeshte, marr lirinë e respektshme të paraqes Shenjtërisë Suaj siç vijon më pas, duke qenë që me është paraqitur mundësia të bëjë këtë gjë: gjë që rezulton absolutisht e pamundur për Shkëlqesitë Ordinarie tona.
O Atë i shenjtë, do të jetë e dhimbshme çfarë do shpjegoj, por është komforti ynë i vetëm që të derdhim në zemrën engjëllore të Atit tonë të Përbashkët hidhërimin me të cilin është i mbushur shpiti ynë i krishtertëdhe meshtar. Kleri shekullor dhe ai i rregulltar jetojnë në një epoke të vërtetë persekutimi dhe të dhunshëm. Të gjitha aktivitetet tona dhe në të gjitha fushat jo vetëm janë eliminuar, por edhe shkatërruar pjesërisht ose i nënshtrohen një vëzhgimi shumë të përpiktë. Seminaret janë mbyllur si seminari Papnor i Shkodrës, si ato të Françeskanëve dhe të Jezuitëve, duke ndjekur udhëzimet shtypëse të sugjeruara nga bolsheviket rusë, të cilat janë theksuar nga urrejtja satanike e udhëheqësve tanë.”
(Pas përshkrimin te situatës shkatërruese që kishte ndodhur dhe po ndodhte, letra vazhdon): “Përveç këtij dhunimi dhe vuajtjeve, Kleri përballet me vdekjen e dhunshme, e cila paraprihet nga tortura të përsëritura dhe të pashprehshme, si të nëntë priftërinjtë, ndërsa 19 të tjerë vazhdojnë të vuajnë neper burgje: çdo ditë na brengosin arrestime të reja. Ndërsa shkruaj arrin lajmi i arrestimit të tre meshtarëve të tjerë dhe i një numri të madh të popullatës, katolike dhe myslimane: njëri nga të tre priftërinjtë zhvilloi Meshën e pare Solemne me 8 të këtij muaji. Secili prej nesh, për më tepër, pret të njëjtin fat duke ju nënshtruar në mënyrë të qetë.
Ne dhe popullata katolike nuk mund të shpresojmë të gëzojmë të drejtat e të gjithë qytetarëve, për arsye se ne quhemi si të lidhur me Vatikanin. Çdokush që merr mbrojtjen tonë, pas një kohe të shkurtër, vetëm për këtë fakt futet në burg. Kush është me Selinë e Shenjtë konsiderohet me siguri si një reaksionar dhe një armik i qeverisë komuniste.
Vazhdimisht në botimet e përjavshme, në fjalime publike, revistat humoristike, në transmetimet radio, dhe përmes çfarëdo mjeti tjetër, merret ne loje dhe torturohet feja, liturgjia, Vatikani dhe Personi Juaj i Shenjte, ngjarje të përjetuara me ankth nga të gjithë katolikët dhe shpirtrat e ndershëm të besimeve të tjera. Çdo gjë do jemi te gatshëm të durojmë, por tallja e Vikarit të Jezu Krishtit mbush shpirtin tonë me dhimbje të madhe dhe përkeqëson plagët e dhimbjes tonë të pafund…
Nuk ekziston asnjë lloj lirie: as të shprehjes, as të mendimit, as të shtypit. E gjithë kjo është në duart e qeverisë ateiste dhe askush nuk mund përgënjeshtroje gjerat e rreme qe ajo përhap. Kush do të guxonte te kundërshtonte do të zhdukej nga shoqëria njerëzore pa ditur as ku do te përfundonte…
Shenjtëri, shumë gjëra mbeten për t’u thënë, por po kufizohem vetëm me këto me sipër, duke hedhur me nxitim këto rreshta, nga frika se mos kapem në aktin e të shkruarit.
Përsëri shpreh pikëllimin qe po hidhëroj zemrën e ëmbël së Shenjtërisë Suaj, në këtë mënyre të rrënimit të jetës. I përgjunjezuar te këmbët e Shenjtërisë Suaj, qe puth me respekt (reverencë), me modesti kërkoj Bekimin Atëror Apostolik te Juaj për mua, për Klerin e Tiranës, per Kryedioqezën, për popullin dhe për të gjithë.
Urimet më të mira për të ardhmen dhe sidomos për mbështetjen në këtë luftë te tanishme pa humbje te besimit tonë te palëkundur për Personin Tuaj të Shenjte.”

Dom Shtjefen Kurti (1898-1971)
Dom Shtjefen Kurti (1898-1971)

Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare – Tiranë
Në burgun politik të Tiranes gjinden afër 100 vetë të Besimit Katholik. Tue kenë se janë nën përgjegjsinë tonë fetare dhe mbasi për katholikët ka një rëndësi të madhe shejtnimi i ditës se diellë, i nënshkruemi, ka nderen me kërkue prej Asaj Komande te Përgjithshëm, lejen me muejtë me shkue vetë personalisht atje, ose me çue ndonjë Prift tjetër, për çdo muej me thane Meshe me rrfye e me zhvillue vetëm e vetëm çka asht shërbim fetar.
Njëkohësisht, kërkojmë një autorizim prej asaj Komande të Përgjithshme me shkue në burgun politik çdo here qi caktohet vendimi i Gjyqit për vdekjen e një katholiku. Këtë leje e kërkojmë për të pasë mundësinë me i dhanë te dnuemit që me kohë shartet e ngushëllimit e fes.
Kryetari i Komunitetit Katholik të Tiranës
Don Shtjefen Kurti

***
Tiranë, 29 .07. 1945
Zyra Famullitare Katolike Komandës së Përgjithshme të Mbrojtjes së Popullit – Tiranë
Dje para pak orës 23 njerëz të panjoftun të cilët e quejshin vehten policë kanë trokite me insistim ke porta e motrave Stigmatine, rruga “Muharrem Karapici” nr.16. Tyj pa se kërkush nuk ju përgjigj, filluan me shtye portën me forcë dhe motrat e frikësueme nga ky gjest i i kanë pyet nga mbrenda se kush ishin. Ata (të cilët mbas gjaset ishin katër persona të veshun si partizane) ju përgjigjen motrave: “Jemi policia dhe hapnije portën”
…Prandaj vjen pyetja ne se ata persona kane qenë me të vërtetë të dërguem nga Autoriteti por kanë qenë njerëz të papërgjegjshsme mbasi as nuk duken te kjo zyrë famullitare as nuk trokitnë ma te Motrat Stigmatine…
Me nderime
Kryetari Komunitetit Katholik
Don Shtjefen Kurti

***
Tiranë, 14. 11.1945
Zyra Famullitare e KishësKatolike Tiranë
P.T. Kryeministrisë së Qeverisë Demokratike Tiranë

I nënshkruemi, Kryetar i Komunitetit Katolik të Tiranës dhe Famullitar – Dekan, ka nderen me i parashtru Atij Digasteri të Naltë sa vijon: Selia e Shenjte e Romes, ka pas dërgue si Misionare të ritit oriental ne Vienë, dy Eten Konventual dhe nandë murgesha “Pikola Opera del Sacro Suore di Gesu”. Tani si konventualeve dhe Murgeshave u asht caktue qe me 25 te ketij muaji te lane Shqiperine
Pose kesaj, policija e qytetit me anën e Komisarit të Bataljonit u ka dhanë urdhën mos me guxue me shite asgjë-send dhe as mos me u largue nga shtepia. Gjithashtu po këtë urdhën, ua ka dhënë Keshilli Ekzekutivi N/Prefekturës, e tue shprehe, se për atë mase kishin marre udhëzime nga Ministrija e Arsimit.
I nënshkruemi, i ngarkuem me mprojtë të gjitha pasunitë e Misioneve te Jugut, të tundëshme dhe te patundëshme, lut ate Digaster të Kryeministrisë që të napin urdhënat e duhuna, ku duhet që gjithçka të na dorëzohet si nga Konventualet si dhe nga Murgeshat dhe qe askush tjetër mos të ndërhyjë për çka me sipër.

Kryetari Komunitetit Katholik te Tiranes
Dekan Dom Shtjefën Kurti

***
Shkelqësise së Tij Z. Dr.Ymer Dishnica
Ministër i Shëndetësisë Personale,
dt.31.1.1946 – Tiranë
Hera e fundit, tesh një jave po bahet, ju banë një vizite Imz. Vincens Prenushi, Arqipeshkev i Durresit dhe Administrator Apostolik për Mision te Jugut dhe Unë, dhe ne bisedim verbal, parashtruem nji kerkese me të cilin ju lypnim që të lejoheshin pese murgeshat italiane të cilat shërbejnë në spitalin civil të Gjirokastrës, të bashkohen me shoqet e tjera për t’u riatdhesuar, neqofte se Shkëlqesia Juaj, nuk do t’ishit në gjendje tu siguroni shërbim fetar si e kishim më parë.
Shkëlqesia Juaj na tha qi të prisnim pak dite dhe se dotë na jepshej një sadisfaksionnga ato dy posibilitete që na parashtruam. Tani, u lutemi që të merrni një përfundim, Zoti Ministër, me qene se ato motra nuk mund t’i lame ma gjatë larg çdo ngushëllimi fetar.
Po mundem, Zoti Ministër,të përfitoj nga ky rast, për t’iu parashtruar nderimet e mija ma te shqueme dhe ju tregoj konsideratën teme të naltë që ushqej për Ju
Famullitari – Dekan Don Shtjefën Kurti

(Marrë nga Gazeta 55)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.