back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Mbi Panairin 2016 dhe Panairet e librit në Shqipëri – përshtypje nga Gëzim Zilja

Gazeta

Panairi i Librit - Tirana 2016
Panairi i Librit – Tirana 2016

Turp gazetarëve të kulturës
që nuk pasqyruan ngjarjet më të rëndësishme të librit në panair…
Turp që nuk lexuan para se te niste panairi
të gjithë titujt e rinj që do të sillnin shtëpitë botuese.
Turp për gazetarët e kulturës që nuk blenë gjithë librat që përbënin
ngjarje për panairin, që t’i lexonin në dy tre ditë e të shkruanin për to.
Turp gazetarëve të kulturës që nuk punuan
për reklamën e titujve të rëndësishëm dhe autorët
që kishin në stendë shtëpitë botuese,
edhe pse këta të fundit mund ta kishin “fshehur” librin.
Ose më e pakta të mos flisnin fare për to…
Ose ose pronarët e shtëpive botuese (sigurisht jo të gjithë)
të kthenin kurrizin që të mos shihnin as në sy gazetarët e kulturës..
turp edhe për këtë e për të gjitha gazetarëve të kulturës.
Kaq hë për hë, se ka plot turpe ky vend e nuk u del për zot njeri…
violeta murati

Panairi i librit 2016
Panairi i librit 2016

Mbi Panairin 2016 dhe Panairet e librit në Shqipëri.

përshtypje nga Gëzim Zilja

Sigurisht që një Panair libri si ai që zhvillohet në Tiranë në nëntor të çdo viti, është një ngjarje e rëndësishme. Serviren aty librat e vitit por edhe libra të botuar më parë. Interesi i publikut vazhdon të ngelet i madh dhe shqiptarët vazhdojnë të blejnë ende libra me ato pak lekë që kanë në dorë. Po çfarë bie në sy në panairet e viteve të fundit?

1.Pushtim i plotë nga libri i huaj, kryesisht ai komercial

D.m.th romanet rozë ose gjysmë rozë, të cilat të “vrasin” sapo ngjit shkallët dhe përballesh me monitorët gjigandë të instaluar në të dy krahët e Pallatit të Kongreseve dhe të tjerëve, brenda tij. Nuk mund të themi se nuk ka libra të mirë, por pjesa dërrmuese e atyre që reklamohen janë për jetën e “princave”, për dashurinë, për tradhëtitë, për kurvëritë, për “legjimitetin” e dashurisë edhe pse mund të braktisësh familjen e fëmijët. E rëndësishme është që dashuria të triumfojë edhe pse mund të lerë pas, një seri vrasjesh fizike apo shpirtërore. Në shumë nga këto romane merr mesazhin: Në emër të dashurisë mund të vrasësh, të mashtrosh, të vjedhësh, të braktisësh familjen, mjafton që ajo të triumfojë. Nuk kam bërë një vrojtim statistikor të mirëfilltë, se në panair ka një pafundësi librash, por ato që reklamoheshin më shumë, ishin të tillë.

2.Dominimi i tregut vendas nga tre autorë shqiptarë.

U bënë disa vjet që me dashje ose pa dashje bëhet një propagandë e tepruar për librat e Fevziut, Blushit dhe Ikonomit. Kjo propagandë deri në marramendje e bombardon lexuesin e pastërvitur shqiptar në një farë “feje” sa e detyron që të shkojë te Blendi dhe dy të tjerët dhe të kërkojë librin. Si është e mundur që libri pa dalë ende në treg, pa u botuar, pa folur një fjalë kritika (ajo që kemi) të ta servirin natë e ditë si një mrekulli, si një risi etj, etj. Dhe albanezët e shkretë të nxitur nga Rudina dhe disa televizione kombëtarë, rendin e rendin të blejnë Blendin e Blushin edhe pse nuk kanë lexuar ende librat e panairit të kaluar. Po boll që të jenë në modë, të mos ngelen prapa!

Panairi i Librit ... dhe vdekja e lexuesit
Panairi i Librit … dhe vdekja e lexuesit

3.Ç’dua të them?

Dua të them që nuk mund të manipulohet një Panair i përmasave Kombëtare në mënyrë kaq të hapur dhe të turpshme. Ndërsa panairi vazhdonte, disa TV kombëtare (e theksoj këtë) dhe gazeta vazhonin të tridhnin mendjet e shqiptarëve ditën, natën dhe pas mesnate: Janë shitur deri tani kaq mijë libra nga Fevziu, aq mijë nga Blushi, kaq qindra-mijë nga Ikonomi, shpejtoni se botimi është i kufizuar etj. etj. Nuk i hyj fare vlerës reale të librave, megjithëse kam lexuar ndonjë nga ato paraardhëse dhe sipas meje nuk kalojnë vlerat e një libri të zakonshëm. Por nuk jam dakord me paturpësinë dhe pabarazinë, thënë ndryshe me standardet e përdorura në panair.
Juria dhe dhënia e çmimet ishte një tjetër paturpësi dhe mëndjelehtësi deri në tallje. Juria çdo vit është e fshehtë ose e panjohur. Po ajo që të çudit edhe më shumë është se juria e ngritur, pranon libra edhe një javë para Panairit! Kjo të bën të mendosh se Juria (Kush vallë ishte kryetari? A ka shkruar ndonjë libër vetë?) nuk i lexon fare librat dhe çmimet i jep me opinion. Nëse tre autorët fatlumë të përmendur më sipër patën mbështetje nga ajri, toka dhe deti (nuk u hynte në punë çmimi) këta që morën çmim, mënyra sesi ua dorëzuan dhe propaganda që iu bë, nuk e kalonte promovimin e një libri me poezi, të një nxënësi në shkollat e mesme të qytetit. Shumë keqardhje për fituesit!

Promovimi i letërsisë shqipe.

S’ka dyshim që krahas dukurive të shëmtuara ajo më skandalozja ishte promovimi dhe reklamimi i autorëve shqiptarë, me përjashtim të tre muskëtierve, që u kishte pjellë kokoshi. Asnjë titull në monitorët e mëdhenjë, asnjë libër me poezi, tregime, drama, romane, studime, letërsi për fëmijë etj, etj. Nuk jam për promovimin e letërsisë pa vlerë, por kurrë nuk kam besuar dhe nuk besoj se veprat e autorëve shqiptarë janë të gjithë të tilla. Pastaj një Panair i këtyre përmasave e ka për detyrë të jetë i vëmendshëm edhe për autorët shqiptarë. Po pse në botë vetëm kryevepra prodhohen? Ama ndiqen politika shtetërore që ruajnë raportet, që letërsia vendaset mos venitet e fiket. Madje një Panair i promovimit vetëm për librin shqip, është plotësisht i mundur. Ajo që të trishton veç të tjerash është që edhe në letërsinë për fëmijë prodhohen e shiten vetëm libra të huaj. Më është dashur që nipit tim t’i shpjegoj e shqiptoj disa minuta emrin e personazhit të një libri (nuk dua të përmend emrin e shtëpisë botuese) për fëmijë, se atij i dukej si fjalë e turpshme dhe i vinte për të qeshur.

Dhe së fundi: Mënyra sesi janë zhvilluar panairet e këtyre viteve, të le përshtypjen e një pazari fruta-perimesh, që reklamon mall, që prodhon para, por kurrsesi dituri e kulturë. Kredoja e gjithë botuesve ditët e panairit ishte: Si dolët? A bët ndonjë lek? Nëse ky është qëllimi i një panairi të përmasave të tilla dakord! Qëllimit i është arritur plotësisht.
Botuar ne gazeten ”Mapo”‘date 17.11.2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.