back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Mbi jetën dhe veprën e shkrimtarit Rexhep Hoxha (1929-2019)

Gazeta

Profesor Prend Buzhala & Rexhep Hoxha
Profesor Prend Buzhala & Rexhep Hoxha

Mbi jetën dhe veprën e shkrimtarit Rexhep Hoxha (1929-2019)

Homazh për shkrimtarin Rexhep Hoxha (1929-2019)

nga Prend Ndue Buzhala

Shkoi në amshim, në moshën 90-vjeçare, edhe një klasik i letrave shqipe të Kosovës: Rexhep Hoxha (1929-2019). Ishte nga brezi i parë i shkrimtarëve shqiptarë në Kosovë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, libri me poezi për të rritur “Gjethet e reja”, u botua më 1953, vit kur botohen “Përrallat e Gjyshit” të Mark Krasniqit dhe “Drejt ditëve të reja” të Sitki Imamit.
Vjersha e parë “Pionieri dhe bylbyli” iu botua në Gazetën e Pionierëve”, në vitin 1947. Botoi vjersha për të rritur në revistën e parë letrare për të rritur “Jeta e Re”, e cila nisi të botohej prej vitit 1949, drejtuar nga poeti i njohur Esad Mekuli.
Është shkrimtar i shquar për fëmijë e i letrave shqipe, me veprat e të cilit, si romani për fëmijë “Lugjet e verdha” (1967), apo libri me poezi “Picimuli” (1956), u rritën gjenerata të tëra.
Përpos poezive, tregimeve e romaneve për fëmijë, ishte dhe polemist e poet satirist, si libri poetik “Vargu idhnak” (1971), “Epo ku jemi”, “Urithi i verbët i Ezopit”, “Shpata e Aliut”, “Sot për nesër”, “Shqipori”, “Kosova dhe Lajkat”, “Për femrën tonë”, “Qetësia pas vdekjes”, “Kritika”, “Moral pa moral”, “Elegji dhe satira”. E thoshte fjalën e tij me guxim në kohë të rënda.
Ishte dhe hartues tekstesh shkollore.
Veprat tjera: “Mbi krahët e fluturës” (1959), “Pika vese” (1966), “Micimiri” (1976), “Lulëzo vendi im” (1973), “Zëri i pyllit” (1974), “Tokë trëndafilash” (1979), romani për fëmijë “Verorja” (1983), “Zogu i qiellit” (1984), “Kënga e Çupërliqes” (1989), “Picimuli në Poroj” (2000), pastaj “Lulet e Frashnjetit”, “Gecatarët”, Pipireku”, “Vjersha dhe poema”, “Agime arbërore”, “Ylli i nënës”, “Ermali” (roman për fëmijë) dhe “Hëna e Zelandës së Re”.
I përjetshëm qoftë emri, jeta dhe vepra e tij!
.
Profesor Rexhep Hoxha (1929-2019)
Profesor Rexhep Hoxha (1929-2019)

Kombi mbeti më i varfër pa profesorin

nga Ymer Halimi

Në shenjë përkujtimi për Rexhep Hoxhën
“Kur nuk keni mundësi ta mbroni të vërtetën, heshtni e mos e mohoni…” e thënë para nxënësve të Normales në Prishtinë më 1964.
Këtë thënie të treguar, nga ish nxënësi i tij D. Rrukiqi, gjithë jetën e kam ruajtë në kujtesë. Ishte i pathyeshëm para çdo stuhie në çdo kohë. Kombi sot është më i varfër kur profesorin dhe poetin nuk e ka më.
.
Rexhep Hoxha - Picimuli
Rexhep Hoxha – Picimuli

Rexhep Hoxha – rikrijuesi ekzotik i përrallave shqiptare

nga Naime Beqiraj

Paska ndërruar jetë sot shkrimtari Rexhep Hoxha. Secili brez në Kosovë e identifikon me librat: Picimuli, Verorja e sidomos Lugjet e verdha; 40 libra e mijra krijime. Tash e 70 vjet krijoi pa u ndalur pothuaj në të gjitha gjinitë letrare. Ligjëroi letërsinë shqipe për fëmijë në Shkollën e Lartë Pedagogjike, udhëhoqi medie letrare për fëmijë si dhe në Radio-Prishtinë.
Në të nëntëdhjetat e tij, ende i qëndrueshëm dhe i kthjellët në mendjen e krijimtarinë e tij, ai do të kujtohet si njëri nga autorët e parë të letërsisë shqipe për fëmijë në Kosovë dhe në ish RSFJ. Ai ishte, si të thuash Rilindës, afirmues, rikrijues nga përrallat popullore për fëmijë duke e ngritur këtë zhanër në librat më të lexuara të letërsisë shqipe për fëmijë.
Rexhep Hoxhën e kam lexuar si voglushe dhe përherë më kanë magjepsur personazhet ekzotike shqiptare në prozë dhe poezitë aq të lehta për t’u recituar e për t’u mbajtur në mend. Profesorin, pata fatin ta intervistoja para 15 vitesh edhe për gazetën Lajm, njëra nga intervistat e tij të rralla të këtyre dekadave. E kam pasë një miqësi të largët, e kam ligjëruar edhe në universitet. Javën e kaluar, në provimin: Letërsi për fëmijë në Kolegji Fama secilën studente që e pyesja për librat e lexuara, asnjërës pothuaj nuk i mungonte në listë romani Verorja, Lugjet e verdha, apo të dyjat. Vendosa që kur të kthehesha nga pushimi t’i shkoja në shtëpi e t’i tregoja. Sa herë jemi takuar kemi bërë humor. Ndonëse shumë i ashpër në kritikat e shkruara për individë dhe fenomene në Kosovë, profesori i përgjigjej humorit me të qeshura, e qeshur që i vinte nga mushkëritë.
Ai ka ditur të rëfuzojë çmime letrare prej mijëra eurosh, thjesht për qëndrimet parimore për të cilat ai mendonte që kishte të drejtë. Nuk kishte pushtet, para, njeri as autoritet që t’ia ndërronte mendjen. I pakompromis në qëndrimet e tij, edhe atëherë kur nuk pajtohesha aspak apo pjesërisht me qëndrimet e tij, si rrallë kujt ia respektoja. Profesori do të mbetet ekzemplar i rrallë i të mos koketuarit më pushtetin, grupet e interesit, me të keqen.
Një lule kujtese e mirësie për Profesorin!

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.