back to top
12.5 C
Tirana
E martë, 23 Prill, 2024

Mbi historikun e Radio Shkodrës… nga Teona Bushati

Gazeta

Teona Bushati
Teona Bushati

Mbi historikun e Radio Shkodrës…

nga Teona Bushati

Për historinë e Radio Shkodrës është shkruar pak deri me sot, ndaj në bashkëpunim me anëtare të grupit Gegnisht mora iniciativën të shkruaj diçka më shumë rreth historisë së kësaj Radioje.
Sipas të dhënave që u mblodhën, rezulton se transmetimi i parë i Radio Shkodrës, ka filluar me 29 Nëndor të vitit 1944, me vënien në punë të një transmetuesi radio-fonik, peng i ushtrisë gjermane në ikje. Me ndihmën e teknikëve ata që ngritën Radio Shkodrën janë Mati Jubani, që punoi aty deri në daljen në pension, Aldo Salvi, inxhinier italian dhe një teknik kroat që nuk figuron si emër.
Më 29 Nëndor 1944, është realizuar prova e parë teknike, me muzikë gramafoni.

Grupi themelues  Radio-Shkodres, 13 Maj 1945
Grupi themelues Radio-Shkodres, 13 Maj 1945

Themelimi zyrtar i Radio Shkodrës, i përket 13 majit 1945, tek shtëpia e Muzhanëve, nën kujdesin e veçantë të shtetit të sapodalë nga Lufta e II Botërore. Me porosi të liderit E. Hoxha caktohet i ngarkuar për themelimin e këtij institucioni Gjovalin Luka. Gjovalini ishte një djalë shkodran, personazh i rëndësishëm i themelimit të Grupit Komunist të Shkodrës, antifashist, i deklaruar i majtë gjatë luftës dhe promovues i literaturës komuniste. I burgosur gjatë monarkisë për veprimtari si anëtar i grupit komunist të Shkodrës, dhe djalë i një familjeje industrialiste, në trashigimi, kurajoz dhe i lexuar.
Gjovalin Luka sëbashku me inxhnierin italian Aldo Salvi, filluan punën për këtë institucion dhe e ngritën atë. Fillimi zyrtar i transmetimeve u bë i mundur me një ekip minimal, të cilët mbulonin programacionin e kohës.

Radio Shkodra
Studio e hershme e Radio Shkodra

Drejtori i parë i Radio Shkodrës ka qene Kolë Luka, vëllai i Gjovalin Lukës, drejtuesi muzikor Ndoc Shllaku dhe spikeri i parë Tef Gjonej.
Repertori muzikor i Radios realizohej nga grupet dhe këngëtarët e kohës në live, për orë të tana.
Pjesë e stafi të parë të Radio Shkodrës, mes zotërinjve ishte një grua zonjë e vetme, gazetarja e pare shkodrane, njohëse e 4 gjuhëve të huaja, Adile Xhabija, ndërsa ndër spikerat e parë ishte dhe Kolë Naraçi.

Dy spikërët e pare, Adile Xhabija e Kolë Naraçi
Dy spikërët e pare, Adile Xhabija e Kolë Naraçi

Pjesë e stafi të parë të Radio Shkodrës, mes zotërinjve ishte një grua zonjë e vetme, gazetarja e pare shkodrane, njohëse e 4 gjuhëve të huaja, Adile Xhabija, ndërsa ndër spikerat e parë ishte dhe Kolë Naraçi.
Pjesë e stafit të parë të Radio Shkodrës ishin Adile Xhabija, Kolë Luka, Alush Çeno, Rifat Dajti, Maksut Basha, Ndoc Shllaku, Shyqyri Alushi, Sheuki Hoxha, Ndoc Bedeni, Gjergj Shabani, Beniamin Todhe.
Në atë kohë katër stacionet radiofonike lokale u orientuan në një strategji të harmonizuar me shtrirjen e zonave shqiptare jashtë kufinjve. Korça mbulonte Maqedoninë; Gjirokastra Çamërinë; Kukësi Kosovën, ndërsa Shkodra zonat shqiptare të Malit të Zi. Për këtë, transmetusit e tyre u fuqizuan dhe studiot u përmirësuan.
Gjatë periudhave të transmetimit me valë të shkurta, audienca e Radio Shkodrës u shtri deri në Skandinavi. Kishte shumë ndjekës që i çonin letra Radio Shkodrës nga këto vende. Ishin radio amatorë të cilët koleksiononin frekuenca dhe transmetime e kërkonin konfirmim nga Radio Shkodra për t’i pasur në koleksionin e tyne.
Një nga miqt e Radio Shkodrës ka qenë edhe Ulmar Qvik, asokohe mësues në moshë të re. Ai mësoi shqip me Radio Shkodrën. U ba kryetar i shoqatës së miqësisë Danimarkë-Shqipni dhe shkrimtar i shquar në vendin e vet.
Një prej teknikëve që kontribuoi në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e stacionit radiofonik ishte Mati Jubani, një zotni shkodran prej të cilit moren mesimet e para të radioteknikës edhe shumë të rinj të tjerë. Teknikë shumë të zot kanë qënë edhe Tonin Fishta, ing. Eqerem Dibra dhe Paç Alimhilli, 28 vite përgjegjës teknike në radio.
Në vitet ‘50, Radio-Shkodra u vendos te Shtëpija e Lumanëve, në krah të teatrit “Migjeni” me qera ndërsa ne vitin 1986, u vendos te ndërtesa që gjendet edhe sot.
Në Radio Shkodra ndër vite kanë punuar e kontribuar shumë gazetare e punonjës të tjerë. Ti kujtosh të gjithë është thuajse e pamundur. Por në menorien e qytetarëve që kontribuan në këtë shkrim janë ruajtur emra te spikatur si Eftali Dini, e cila ka qënë për 30 vjet spikere e Radio Shkodrës, nga 1957-1977. Ajo ka paraqitur lajmet, ka përgatitur emisionin ma të ndjekun muzikor të kohës “Radio Posta”, me kërkesa nga dëgjuesit si dhe ka hartuar të gjithë programacionin muzikor të ditës. Rreth viteve 60, ndër spikeret e Radio Shkodrës kanë qenë edhe Zana Dibra, Diana Zarani, Lirije Paçrami, Mervet Grezda, e cila sot ndodhet në Amerikë, Jalldyz Kastrati, etj.

Drejtori Kolë Luka, drejtuesi i muzikes Ndoc Shllaku e spikeri i parë Tef Gjonej.
Drejtori Kolë Luka, drejtuesi i muzikes Ndoc Shllaku e spikeri i parë Tef Gjonej.

Një ndër spikerat e Radio Shkodrës ka qënë edhe Qazim Berberi, një person shumë simpatik, i cili edhe mbylli karrierën në këtë detyrë.
Ndër vite kanë punuar me pasion Zef Çoba, kompozitor, mbi 15 vite në Radio-Shkodra, ka qenë kryeredaktor për disa vite, gazetar, realizues i disa emisioneve muzikore shumë të pëlqyeshëm. Xhahid Bushati,  15 vite në radio kryetedaktor e gazetar, realizues i emisioneve të kulturës, dhe i disa cikleve me intervista të artistave dhe shkrimtarëve shkodranë.
Arben Zajmi e Merita Ndoka gazetarë të Informacionit, Ramadan, Bigza, Ymer Striniqi, Gaspër Marku, gazetarë të Sportit, Neritana Kraja gazetare kulture etj.
Figurë e spikatur është gjithashtu gazetarja e njohur Merita Sokoli Çoba e cila vazhdon të punojë në Radio. Zëri i saj i ëmbël mbush shtëpitë e shkodranëve me dashuri. Pothuaj të gjitha figurat e spikatura të qytetit janë intervistuar prej saj. Lekë Plani ka punuar mbi 25 vite si gazetar në Radio-Shkodra dhe ka drejtuar emisionin humoristik më të sukseshëm e më të ndjekur “100 fjalë për një pare…!” Adi Basha po ashtu ka drejtuar një emision muzikor shumë të ndjekur nga të rinjte në orët e vona, Live.
Figurë e dalluar gjithashtu e me shumë kontribute në Radio Shkodra është gazetari Adrian Hoti, i cili njihet si spiker fantastik, gazetar radioje dhe televizioni si dhe kryeredaktor i përkushtuar e i talentuar.

Radio Shkodra
Radio Shkodra sot

Ndër vite Radio-Shkodra është drejtuar nga njerëz të apasionuar që e kane bërë Radio Shkodrën kjo që është. Ndër më te spikaturit janë Alush Çeno, Fahri Jukniu, Gezim Podgorica, David Luka, Fatbardh Smaja, Jetmir Shpuza e në vitet 2000 Dashamir Dini. Në këto vite u mundësua dhe futja e te gjitha emisioneve live me fasha orare të përcaktuara.
Falë punës së palodhur e kontributit te gjithë punonjësve e drejtuesve të saj Radio Shkodra përveçse është Radio më e dashur e qytetit, që nga janari i këtij viti, 2022, Radio Shkodra, është transformuar në një Media Audiovizive, e quajtur tashmë RTSH Shkodra, një nga katër degët lokale të Radio Televizionit Publik Shqiptar.
Shkrimi me iniciativën e Teona Bushati është kontribut i grupit Gegnisht e kryesisht i Bep Çobës, Lira Sykja Okaj, Kastriot Krujës, Denata Rrojit, Miriam Cakut, Arben Borshit, Valbona Dema Kalaja etj.

Ps. Ky shkrim sigurisht që ka mangësi, veçanërisht në përmendjen e figurave që me punën e tyre të palodhur kanë kontribuar në këtë institucion, por duke kërkuar paraprakisht ndjesë, ju sërish të vazhdoni ta plotësoni informacionin me komente në vijim, duke na dhënë kështu mundësinë që shkrimi të përditësohet e të marrë formë më të plotë e më të saktë!

.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.