back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Mbi Debatin Letrar – Blloshmi&Leka, Çuli, Tufa e të tjerë – shkruajnë Sadik Bejko, Maks Rakipaj, Rezart Palluqi, Thanas L. Gjika

Gazeta

Genc Leka & Vilson Blloshmi
Genc Leka & Vilson Blloshmi
.
Debati Tufa – Çuli, është debat i vjetër,
sepse kohë më parë janë zhvilluar edhe debati Blloshmi-Petriti,
debati Nela-Laska& Abdiu po edhe plot të tjerë…
Pra, sipas meje, ky është një ciklim i rradhës.
Kësi lloj debatesh, nuk nxjerrin asgjë më vlerë,
vecse thellojnë hendekun social në shoqërinë shqiptare
dhe dëshmojnë gjithnji edhe më qartë se sa i madh
është Mali i Imoraliteteve Letrare Shqiptare.
Në fakt, ky debat ka të tjerë emra dhe mbiemra,
por jo pa qëllim përdoret eskalioni i dytë,
ai i figurave që paturpësinë dhe arrogancën
për format e krimeve të djeshme i kanë modele demostrative…
dhe duke qenë të përditshëm e të përnatshëm në media,
nxisin ato modele morale që duhet të frymëzojnë elozhin e së keqes,
që edhe nëse s’përkrahet, së paku t’u rrijë njerëve ashtu kërcënues,
në kohën e drekave dhe darkave e t’ua zere bukën në fyt!
Beteja me emrat e këtyre figurave, përdoret për të goditur të keqen e mesme,
e për ta anashkaluar të keqen e madhe!
Asgjë më shumë se një metodë e shëndrruar edhe në luftë
për akumulim vlerash dhe credosh politike.
Mendoj se të gjitha palët në debat janë të porositura
dhe në kërkim të flamurit për t’i nxjerrë Imoralitetet Letrare e njerzore sheshit.
Përmes këtyre modeleve të terrorit
duket sikur kërkohet t’u jepen letrave shqipe fytyrë njeriu!
Zot shpëtona prej Diajve!
jozef radi, 7 mars 2017

Sadik Bejko
Poeti Sadik Bejko

Ligësia e zezë e shpirtrave te Letrave

nga Sadik Bejko

Këto ditë ka plasur një debat që kishte rreshtur prej ca vitesh.
Si i moshuar e veteran tashmë, më pwlqen. Por dhe ca si shumë ky debat po me shpon në eshtra si reumatizma. Më dërrmon dhe me intrigon si enigmat kur një zjarr a vatër vullkanore që të duket se u fashit, befas ngjallet si vullkani Etna. Ngjallet dhe fillon e vjell zjarr e flakë e avuj me sulfur ferri, me magmë me tmerr llavë vullkanore përsëri.
A.Tufa, B. Njuma, A. Bardhyli, A. Peci, disa prej këtyre ish studentë të mi, po ngjallin prap për interesa antagonizma, protagonizma, preferencë paresh, bordesh a biznesi, pra, jo nga parime të qëndrueshme e të larta morali jo se u plasi për Vilsonin dhe Genc Lekën, por po debatojnë si egërsirat në errësirë për diçka që unë e kam dokumentuar e kthjelluar. Këta bjerrakohës, këta ish studentë që nuk lexojnë paraardhësit shtiren të ngjiten në qiej për të luftuar me djaj e me engjëj, por për interesa tokësore. Jo parimore. Djajtë janë rrëzuar në ferr prej kohësh dhe përjetë e kanë vendin në ferr.
Diana Çuli nuk është vrasëse. Me keq se një vrasëse, ajo ështe një fantazmë. O është një fantazmë e bukur. Nën teshat e fytyrën e saj të bukur, janë eshtrat e kalbura mishrat e kalbura jo të njerzve.
Jo, Diana nuk ka vrarë Njerez. Njerëzit i vriste Enveri, diktatura.
A. Tufa është i nxituar. Ai thotë se Diana vrau njerëz.
.
Kokat e Poetëve të Librazhdit
Statujat e Poetëve të Librazhdit
Ky i pagdhendur që e quan veten profesor. Madje profesor i studiuar në Moskë. Për mua disa nga këta profet janë fare.
Diana ka vrarë poezi.
A vritet letërsia moj Alda Bardhuli.po ti moj Beti Njuma? A vritet ajo që Genc Leka e Vilson Blloshmi, edhe sikur penalisht të jenë delikuentë, a vriten ata se shkruan poezi.
Çfarë shkrimtareje, çfarë na ishte kjo Diana që vihej në krahë të vrasësve, pa qenë vrasëse?! Pse kjo Diana shkruante fjalë, ekspertiza vrasëse për sivëllezërit që si ajo bënin letërsi? Kush e detyroi Dianën, veç ligësia e zezë e shpirtit të saj, veç Bloza e Shpirtit të Saj, që ajo shpirtërisht e donte diktaturën?! Kjo që ajo ishte bijë dhe pjellë diktature; kjo e detyroi atë që të vriste poezinë e kolegëve të saj, kolegë që në kohë ishin më të talentuar sesa ajo në letërsi. Ky është krimi. Të vrasësh kolegët si letrarë si letërsi, ky është e do të jetë Krim.
Kultura shqiptare nuk do të dliret, pastrohet, pa u shlyer, pa e distancuar veten qartë nga këto Krime.
Krimet, incestet, tradhëtitë me dashnorin a me bashkëshortin një grua (Jo, jo Dianën) mund ta bëjnë simpatike. Kjo Diana Çuli një eksperte policie jo një recensioniste a një estete letërsie, kjo Diana një eksperte gjyqesh inkuzitorësh që vrisnin poetë për arsye politike jo për parapëlqime estetike, kjo Diana është në Burgun e Vlerave Morale. Në atë burg apo vrasje, vrasje ku me dashje a pa dashje, por… u bë. U shpuan, u shpartalluan tej e tej me plumb dy trupa njerëzish realisht, në atë burg e terr moralisht ajo e vuri veten.
Ato që duan ta nxjerrin… Nuk kanë vend tjetër.
.
Perkthyesi Maksim Rakipaj - Tirane Tetor 2016
Perkthyesi Maksim Rakipaj – Tetor 2016

Genc Leka, Vilson Blloshmi dhe të tjerë…

nga Maks Rakipaj

Para ca ditësh qe një debat në fb për një aktivitet organizuar nga ministria e kulturës në përkujtim të poetëve të pushkatuar të Librazhdit Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Por klyshët e komunizmit ndyjnë gjithçka që prekin. Në atë aktivitet që mesa kuptova do të drejtohej nga një gazetare e njohur e Top Chanel, Beti Njuma, qe ftuar edhe ekspertja e letërsisë që bashkëpunoi me shtetin në pushkatimin e poetëve, Diana Çuli(!). Agron Tufa, me cilësinë e drejtorit të ISKPK, sapo mori vesh këtë gjë organizoi një aktivitet paralel për Poetët duke bërë të dështojë aktiviteti i Betit dhe ministrisë në fjalë. Gjatë debatit midis tyre kuptova se kjo Diana bëka pjesë në disa OJF (zaten, me të tilla janë mbushur shumica e OJF-ve). Beti e mbron Dianën, “e ç’bëri Diana, një copë recension letrar…?” si rrjedhojë s’ka faj në dënimin e Poetëve. Diana ka qënë e njohur si spiune e Sigurimit qysh në vitet ’70, do të flas edhe për këtë. Lidhja famëkeqe e shkrimtarëve kishte jo vetëm këtë Dianë që vinte në shërbim të ministrisë së brendshme sa herë duheshin dënuar poetë dhe shkrimtarë që burgoseshin ose pushkatoheshin dhe këta lloj “recenzentësh” legjitimonin burgosjen ose dënimin me vdekje të poetëve. Ose heqjen e së drejtës së botimit. Kjo ndodhi, më kujtoi një bisedë në Spaç me shokun tim të burgut Visar Zhiti dhe të ndjerin Zydi Morava: “Në verën e vitit 1977 kur isha me lejën e zakonshme, më ftoi një të dielë poeti dhe miku im Agim Isaku në plazhin e Patokut. Shkova me qef sepse e dija se do takoja atje edhe të tjerë miq të mitë nga poetët e Lezhës. Gjeta në plazh bashkë me Agimin edhe Rudolf Markun, Preç Zogajn, Ndoc Gjetjen etj. U gëzova shumë kur pas pak atje erdhi edhe Ismail Kadareja. Vura re se i besonin të gjithë njeri tjetrit, bisedonin hapur, thoshin çka mendonin edhe gjëra që nuk mund të thuheshin para cilitdo. Ismaili pat qënë në Francë dhe po fliste për jetën atje. Kur beftas Agim Isaku i foli pa zë, vetëm duke lëvizur buzët: – Po vjen Dianaaaa! 
Ismaili pa e prishur terezinë vazhdoi serioz bisedën: …kurse në Indi e dini si i tredhin elefantët? U kapin bolet e elefantëve me një palë pinca të llahtarshme… Diana që kapi fundin e bisedës përshëndeti lehtë me kokë dhe u largua. 
Diana Çulin e kishte frikë edhe Ismail Kadareja.
 
Sami Milloshi: Sepse është mbesa e Sofo Lazrit, o Maks. Dhe Sofo Lazri mbante pincat për “elefantin” Ramiz…
Ja kjo është e vërteta pse Kadareja ruhej edhe nga Diana, o Maksi! Po prandaj, Sofo Lazri ishte më i fuqishëm se Ramiz Alia.
Kjo është përshtypja ime. Edhe e disa pak të tjerëve, bile, burra me mend.
.
Shkrimtari Rezart Palluqi
Shkrimtari Rezart Palluqi

Dy pështjellime për debatin, Tufa-Çuli

nga Rezart Palluqi
Regjimi post-enverist me në krye Edi Ramën, do të shpenzojë një pjesë të parave të drogës për të mbajtur gjallë figurat soc-realiste. Në fushën letrare do të jenë në krye Agolli dhe Kadareja.
Mirëpo regjimi diktatorial e di mirë, se paratë dhe propaganda mediatike nuk mjaftojnë. Duhen edhe persona fizikë, kryesisht shkrimtarë.
Dy prej tyre, jane Blushi dhe Tufa. Blushi, përdoret si rebel politik dhe fetar. Ai bën disidentin me brekë leshi në fushën e politikës dhe atë fetare, duke përcarë bashkëjetesën fetare ne Shqipëri.
Blushi luan rolin, gjoja të pavarur, duke mbajtur një qëndrim ndaj yjeve enveristë, që tingëllon, as mish, as peshk. As mik, as armik.
Pasardhësi i dytë i regjimit dhe engjëlli mbrojtës i Kadaresë është Tufa. Ky, vdiq moralisht, para ca muajsh, kur na bëri apel të mbyllim sytë ndaj krimeve morale të Kadaresë. Mjafton të marrim vetëm poezinë e tij, “Pashallarët e kuq” poema më barbare që ka shkruajtur ndonjë shkrimtar në të gjithë botën komuniste botërore.
Mirëpo, si regjimit, si Kadaresë i leverdisin, kukulla disidente, si Tufa. Kjo, sepse regjimi i ka ata, nën kontroll, dhe Kadaresë i leverdis lufta që ai do të bëjë për ta mbrojtur atë pas vdekjes.
Sic e dimë, regjimet diktatoriale, janë një laborator, ku lindin edhe heronjtë, edhe tradhtarët. Kështu, regjimi enverist i Ramës, ka krijuar dy ushtri: ate të Njumës, Bardhylit dhe Çulit nga njëra anë. Këto janë dashnore partiake dhe bori që mbrojnë haptas yjet socrealiste. Sepse turma budallaqe, arrihet, depërtohet, vetëm kur i flet shkoqur, sic bëjnë gazetarët e lartpërmendura. Jo me kot, ato po bëjnë një propagandë enveriste, kryesisht në Tiranë.
Kurse Tufa dhe Blushi, përdoren për të infiltruar qarqet letrare shqiptare, për t’i bërë ato filo-enveriste, filo-agolliane, kadareane.
Regjimi ka një leverdi të madhe, sepse këta lloj shkrimtarësh do të ruajnë modelin e shkrimtarit oborrtar, dhe fshijnë nga faqja e dheut krimet e shkrimtarëve soc-realiste. Dhe po u fshinë ato, dosjet enveriste nuk do e hapen kurrë.
Përvec kesaj, regjimi krijon përshtypjen se ujërat nuk po flenë, ka përplasje ideore, në emër të lirisë.
Tufa bën kuptohet punën e tij, i shërben karrierës personale, duke bërë trimin, ndaj hardhucave si Çuli, dhe vajisur borinë mashtruese dhe kriminele të Kadaresë.
Rezultati: Shqipërinë e pret një shekull i ri, ku shkrimtarët bëjnë trimin nga brenda barkut të krokodilit!
Thanas L. Gjika
Studiuesi Thanas L. Gjika

Mbi debatin letrar Tufa – Çuli, Blloshmi, Leka etj

nga Thanas L. Gjika
Mendoj se hapja e debatit për takimin letrar organizuar nga z. Agron Tufa, fletorja Radiandradi dhe në gazetën Panorama është i drejtë, por jo me sensin e duhur. Thelbi i çeshtjes nuk është se me çfarë stili e bëri Agron Tufa takimin dhe se me çfarë fjalësh e cilësoi ai Diana Çulin, rëndësi ka që ai në detyrën që është, përpiqet të vlerësohet vepra e krijuesve të përndjekur nëpër ceremoni artistike. Kurse krijuesit që i kanë dëmtuar këta krijues duhet të marrin pjesë në të tilla takime dhe të kërkojnë hapur e publikisht të falur. Nuk duhet ecur më në rrugën e Dritero Agollit që nuk guxoi të bënte një akt të tillë qytetarie, jemi pas vdekjes së tij…
Zonja Diana Çuli bëri gabim që e anuloi takimin poetik në atë sallë ku z. Agron Tufa thirri disa poetë për të recituar poezi të poetëve Vilson Blloshmi e Genc Leka, të pushkatur prej regjimit komunist për disa poezi jo socrealiste. Ajo duhej të shkonte atje me kurajo bashkë me personat që ishin ftuar nga të dy palët dhe pasi të dëgjonin recitime të poezive të poetëve të pushkatuar, të ishte ngritur dhe me zemër në dorë të kishte kërkuar të falur për recensionin ekspertizë që i kishte bërë veprës së poetit të pushkatuar.
Pa kërkuar të falur publike nuk mund të këtë pajtim kombëtar.
Dhe kjo e falur duhet bërë me gjithë zemër. Shkrimtarë si Diana Çuli është mirë që si person ose edhe me mirë bashkë me shokë, të shkruajnë e të kritikojnë veprimtarinë e tyre kundër letërsisë jo socrealiste për mbytjen e së cilës ata u bënë vegla të pushtetit. Do të ishte një gjest qytetarie sikur të tillë krijues të shkonin në shenjë pendese me tufa lulesh tek monumenti i dy poetëve në Librazhd dhe te varri i poetit Havzi Nelaj që e vari diktatura komuniste në Kukës.
Në Shqipërinë e sotme ka një përpjekje për të reabilituar gjithçka që u krye gjatë regjimit komunist. Në emisione televizive po këndohen të quajturat “100 këngët e shekullit”, ku riprodhohen këngët që u hartuan e kënduan për të ngritur lart jetën socialiste si jetë të lumtur plot bukuri, përparim, dashuri, etj, kur dihet se fshatari shkonte në punë me një kavanoz me ujë e pak sheqer për të ngrënë atë copë misërnike. Në revista e gazeta botohen shkrime për të lavdëruar letërsinë dhe artet e krijuara gjatë regjimit komunist, kur dihet se pjesa më e madhe e asaj krijimtarie u krijua për të droguar popullin sipas porosive të partisë. Asnjë poet, piktor, skluptor, kompozitor, kineast etj nuk doli publikisht të kërkojë të falur për pjesën e sëmurë të krijimtarisë së tij të asaj kohe.
Natyrisht kjo frymë, që tregon se nuk punohet për korrigjimin e ndërgjegjes, shkakton nervozizmin e krijuesve që u dëmtuan prej atij regjimi.
Shumë ish komunistë e ish sigurimsa kanë vite që në këtë klimë po maskohen si të përndjekur e të shpronësuar edhe pse dikur ata vetë morën pjesë në aktet e përndjekjes dhe të shpronësimeve.
Në Bashkimin Europian nuk mund të hyjmë duke mbajtur inate dhe qëndrime të vjetra përçmuese ndaj të përndjekurve e të shpronësuarve, na duhet pendesa… dhe bashkimi që vjen pas saj.

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. E bukura e asaj kohe diktature, është e përlyer me aq shume dhimbje, vuajtjen e gjak, sa nuk mund të quhet më e mirë.
    Përpunimi i diktaturës komuniste në Shqipëri, akoma nuk ka filluar në Shqipëri! A nuk ishin Lidhja e Shkrimtarëve e Artistëve, Radio Televizori, Kinostudio, Gazeta Zëri i Popullit e gjithë organet ekzistuese, buritë shurdhuese te shpirtit të Partisë? Të gjithë hodhën vallen e frikës, sipas muzikës së dhunës? Këtë debat pati Gjermania, pas luftës së dytë botërore. Jo, vetëm Hitleri e Enveri, jo vetëm disa persona janë fajtorë, por të gjithe drejtuesit deri tek ushtari më i thjeshtë… Se mendoni për një moment është luftë, po asnjë, asnjë nuk prek armë me dorë, a do të vriteshin dot miliona njerëz?!
    Gjermania e ka përpunuar dhe e vazhdon përpunimin e së shkuarës. Një shembull, një spikere, Eva Mattes tha midis të tjerash, Hitleri ka bërë edhe pozitive, ka ndërtuar gjithe autostradat e Gjermanisë. Qysh të nesërmen u pushua nga puna… Përpunimi i diktaturës nuk mbaron kurrë… se cdo moment ekziston mundësia e ringjalljes e kjo fillon gjithmonë me përmendjen e grimcave të së “mirave” të saj…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.