back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Masakrat greke në Çamëri u mbështetën nga britanikët – nga Dalip Greca

Gazeta

Genocidi ndaj çamëve gjatë Luftës së Dytë Botërore
Genocidi ndaj çamëve gjatë Luftës së Dytë Botërore

Masakrat greke në çamëri u mbështetën nga britanikët

nga Dalip Greca

-Masakra greke ndaj çamëve është e njohur edhe nga amerikanët: Sipas kreut të Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Jozef Xhejkobs (Joseph Jacobs): “Në Vjeshtën e vitit 1944 dhe në muajt e parë të vitit 1945, autoritetet në Greqinë veriperëndimore, kryen me egërsi dhe brutalitet dëbimin e rreth 25 mijë çamëve nga shtëpitë e tyre…
-Deputeti i Parlamentit anglez z. Hutchinson, kishte denoncuar masakrat greke në Çamëri dhe kishte takuar refugjatët çamë në Shqipëri. Ai i kërkoi Komision Ndërkombëtar mbrojtjen e çamëve.
-Shoqata “Çamëria” në SHBA, i kërkoi Imzot Nolit që t’i përfaqësonte në Londër për të kërkuar bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë. Noli ia delegoi Misionin Dervish Dumës…
.
Dalip Greca
Dalip Greca

Shqipëria vazhdon të fshihet si struci përballë Greqisë për çështjen Çame. Në 30 vite demokraci askush prej ministrave të Jashtëm, askush prej kryeminsitrave, Ministrave, Kryetarëve të Partive kryesore, nuk kanë arritur ta artikulojnë qoftë edhe në mënyrë diplomatike, kërkesën për të drejtën njerëzore elementare të pronës, të shtëpisë, të varreve, pa lë që të guxojnë të kërkojnë hapur njohjen e gjenocidit të ushtruar nga Forcat e Lidhjes Kombëtare Greke ndaj popullsisë së pambrojtur. Askush nuk mund ta mbulojë e ta fshehë një masakër të përgjakur që nën tymin dhe flakët e Luftës së Dytë Botërore, vrau, përdhunoi, përzuri me dhunë mijëra shqiptarë çamë nga trojet e tyre. Fatkeqsisht masakrat e grekëve, sipas studiueses Miranda Vickers, patën edhe e mbështetjen dhe autorizimin e britanikëve (Miranda Vickers” The Cham Issue – Where to Now”, botuar nga Defence Academy of the United Kingdom, Jannuary, 2007, dhe sjellë në gjuhën shqipe nga Xhevdet Shehu).

Citoj: Kolonel Kris Udhauz (Chris Woodhouse), shef i Misionit Ushatark Britanik në Greqi, njoftonte: “I inkurajuar nga Misioni aleat që kryesoja, Zerva i shpërnguli çamët nga shtëpitë e tyre…”
Masakra më e përgjakur ishte ajo që ndodhi me 27 qershor 1944, në qarkun e Paramithisë, kur forcat e Lidhjes Kombëtare Republikane Greke (EDES) të gjeneral Zervës hynë në qytet dhe vranë rreth 600 shqiptarë çamë, burra gra dhe fëmijë. Të nesërmen një tjetër batalion i forcave zerviste u sul në Pargë dhe vrau 52 shqiptarë të tjerë. Më 23 shtator 1944, një tjetër masakër u bë në Spatar, ku përveç reprezaljeve, grabitjeve e shkatërrimeve, u vranë 157 vetë, gratë e reja dhe vajzat u përdhunuan, bashkë me burrat që ishin gjallë, u syrgjynosën në brigjet e Egjeut. Sipas statistikave, gjatë sulmeve mbi qytete e fshatra në vitet 1944-’45, u vranë 2771 shqiptarë çamë dhe u përzunë dhunshëm 28 mijë çamë, që u vendosën në Vlorë, Durrës, Tiranë, Lushnjë etj.
Masakra është e njohur edhe nga amerikanët: Sipas kreut të Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Jozef Xhejkobs (Joseph Jacobs): “Në vjeshtën e vitit 1944, dhe në muajt e parë të vitit 1945, autoritetet në Greqinë veriperëndimore, kryen me egërsi dhe brutalitet dëbimin e rreth 25 mijë çamëve nga shtëpitë e tyre. Ata u përzunë matanë kufirit pasi u ishin grabitur tokat dhe pronat e tyre. Qindra meshkuj çamë të moshës 15 deri në 70 vjeç, u internuan në ishujt e detit Egje.102 xhami u dogjën.(M.V. F 13).
Me 17 Tetor 1945, komuniteti çam i përzënë barbarisht nga trojet e shtëpitë e veta, kërkonte ndihmën e Shqiptarëve të Amerikës.
Në një letër drejtuar shqiptarëve të Amerikës, firmosur nga Këshilli Antifashist Çam, kryetar Vehip Demi dhe sekretar Dervish Dojaka, pasi denoconin masakrat greke, pasi përshkruanin Shën Bartolomeun e masakrimeve greke për më shumë se 22 mijë shqiptarë, kërkonin: Në emër të foshnjave të mjeruara, në emër të grave të lebetitura nga tmerri dhe të mbetura pa burra, në emër të një popullate të martirizuar prej shovenëve katilë grekë, ne emër të Zotit, dëgjojeni zërin tonë për një ndihmë të menjëhershme dhe të shpejtë prej jush, vëllezër shqiptarë të Amerikës (Dielli tetor 1945). Me 12 Dhjetor 1945, Dielli botonte në Faqe të parë shkrimin “Çamët masakrohen nga monarko-fashistët grekë. Çamët kërkojën mbrojtje ndërkombëtare…”
Bashkëpunëtori i Dielli dhe një nga miqtë e Vatrës, Dervish Duma, raportonte nga Londra se gazeta Daily Mail botonte një shkrim special nga Tirana prej korrespondentit të saj special Alexander Clifford, që shkruante “25 mijë çamë, muhaxhirë europianë në gjendje më mizerabël, kërkojnë përsëri të kthehen në shtëpitë e tyre në Çamëri, në Veri-Perëndim të Greqisë. Ata thonë se nuk guxojnë të kthehen pa mbrojtje ndërkombëtare. Të gjithë këta muhaxhirë janë muhamendanë nga feja, shqiptarë nga gjuha, subjekte (shtetësi) greke.
Korrespondenti shkruante: Në qershorin e vitit të kaluar u sulmuan prej ushtrisë greke monarko-fashiste të Gjeneralit Zerva, një shumicë e madhe u masakruan. Të tmerruar i tërë grupi kapërceu kufirin e Shqipërisë. Disa prej tyre u kthyen në Greqi vjet në mars, por përsëri u goditën prej grekëve. Shumica e refugjatëve janë gra, fëmijë të vegjël e pleq. Gjendja e tyre këtë dimër do të jetë shumë e tmerrshme.
.
Genocidi mbi çamet gjatë Luftës së Dytë Botërore
Genocidi mbi çamet gjatë Luftës së Dytë Botërore

***

Shoqëria Çamëria në SHBA, me 26 Shtator 1945, mbajti një mbledhje të posaçme, ku një komision u ngarkua me detyrën që të shkonte në Boston dhe të takonte Imzot Nolin dhe t’i propozonte atij që të përfaqësonte Çamërinë pranë Konferencës së Londrës për t’i kërkuar bashkimin e Çamërisë me shtetin shqiptar.
Me 10 tetor 1945 Komisioni urdhëroi të mbahej një mbledhje tjetër, nën kryesimin e Hysni R. Sejko dhe reporter të takimit R. I. Didani. Kjo mbledhje pati dy qëllime
1.Kryetari z. Hajredin Çeço të jepte hollsitë për udhëtimin e tij dhe të sekretarit pranë Imzot Nolit dhe
2.Zgjidhjen e një komisioni të posaçëm për organizimin e një fushate që synonte të ndihmonte financiarisht refugjatët çamë.
Mbledhja vendosi: nëse Imzot Noli për shkak të ngarkesës nuk do ta pranonte Misionin, ishte i lutur që të ngarkonte një person të aftë që mund ta kryente misionin. Dhe kështu ndodhi; Noli propozoi patriotin Dervish Duma, që ishte në Londër për të ndërmjetësuar për kërkesën e shoqërisë Çamëria.
Siç i shkruante gazetës Dielli të 19 dhjetorit 1945, z. Dervish Duma, deputeti i Parlamentit anglez z. Hutchinson, kishte denoncuar masakrat greke në Çamëri. Deputeti laburist kishte shkuar edhe në Shqipëri, ku ishte takuar me popullsinë çame të shpërngulur.
Gazeta londineze “News Chronicle” botoi deklaratën e deputetit me 11 dhjetor 1945 nën titullin. “Grekët vranë 2500 shqiptarë dhe shpërngulën me maskra 25 mijë”. Deputeti anglez nga zona Rusholm të Machesterit, kishte vizituar Shqipërinë dhe ishte i revoltuar nga barbarizmat greke ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare. Ai paralajmëronte se në sesionin e Parlamentit do të kërkonte me forcë e zë të lartë ngritjen e një Komisioni Ndërkombëtar për përkujdesjen dhe mbrojtjen e refugjatëve shqiptarë, të cilët u zbuan forcërisht prej vatrave të tyre.
Përse i sollëm këto kronika? Thjesht për të treguar se çështja çame egziston, askush s’mundet ta mohojë.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.