
Masakra e Tivarit – “Nata e Shën Bartolemeut” serb mbi shqiptarët.
nga Klodi Stralla
Sot kafen e mëngjesit e pijmë së bashku me mikun tim – Bardhyl Adem Selimi, i cili posa ishte kthyer nga Tivari, i Malit të Zi, ku ishte i ftuar në një Simpozium shkencor kushtuar një ngjarje shumë të veçantë në historinë e popullit tonë, e mbajtur fshehur për mëse 45 vjet nga autoritetet shtetërore dhe studimore të Shqipërisë dhe të ish Jugosllavisë – Masakra e Tivarit.
Bardhyli më informoi për kumtesat e shumta që u mbajtën aty nga autorë vendas dhe nga diaspora, kushtuar kësaj ngjarje në përmasa gjenocidi. Të gjithë ishin në një mendje se duhet bërë më shumë për ta zbardhur këtë ngjarje më në detaje dhe për ta përkujtuar siç e meriton, edhe për faktin që “dashuritë” e sotme të ish komunistëve shqiptarë me serbët e Vuçiçit, i kanë rrënjët që nga koha e Luftës të Dytë Botërore dhe parandjellin pasoja të ngjashme nëse nuk i njohim sa duhet për t’i parandaluar.
Kanë kaluar plot 81 vjet nga 1 prilli 1945, kur u masakruan mbi 4300 djem të paarmatosur shqiptarë nga Kosova, nga strukturat ushtarake serbe të kohës, në dijeni edhe të drejtuesve të brigadave partizane nga Shqipëria, realizuar sipas një skenari të paramenduar gjenocidal, me qëllim shfarosjen e tyre dhe pastrimin etnik të Kosovës të pasluftës prej shqiptarëve. Një masakër e ngjashme me “Natën e Shën Bartolomeut” në Parisin e vitit 1573, e katolikëve mbi protestantet francezë. Ndërsa në Francën e shek. 16-të masakra u motivua nga besimi i ndryshëm fetar, në ish Jugosllavinë e shek. 20-të, u motivua edhe nga etnia e ndryshme, ndonëse propaganda titiste proklamonte me të madhe “Bashkim-Vëllazërimin” e popujve në Jugosllavinë e re të pasluftës.
Është fatkeqësi kombëtare që për këtë masakër nuk ka asnjë shënim në librat e Historisë të shkollave tona, bile edhe universitare, dukuri e cila nuk mund të arsyetohet me asnjë shkak tjetër. Andaj ka ardhur koha që Historia jonë të rishkruhet dhe të thuhet e vërteta, duke eliminuar qasjen ideologjike e pranishme ende në ditët tona.
Kujtuam edhe 2 Prillin tonë, atë të 35 vjetëve më parë, kur nostalgjikët e Diktaturës hapën zjarr dhe vranë 4 të rinj shkodranë te pafajshem në sheshin para Komitetit të Partisë në qytetit të Shkodrës. Kemi shumë data të tilla që fatkeqësisht më të shumtat prej tyre janë të shqiparëve kundra shqiptarëve!