
Marrëdhënia Nuse-Vjehrrë në prizmin psiko-filozofik
refleksion nga Ervina Toptani
Burrit i takon të jetë ndërmjetësues i drejtësisë dhe mbrojtjes,
jo i heshtjes apo neutralitetit të rremë.
Roli i tij kryesor duhet të jetë: të vendosë kufij të shëndetshëm
mes dy grave më të rëndësishme të jetës së tij
Ka një temë që siç e quan një fqinja ime austriake 85 vjeçare, është një “Weltgeschichte”, pra një histori e përbashkët botërore. Është tema e vjehrrës dhe nuses. Kam hulumtuar në prizmin psikologjik e filozofik mjaft herë për t’i dhënë një përgjigje të pjekur, me kuptim real kësaj marrëdhënieje që me raste kthehet në toksike ku kam njohur raste që familjet janë shkatërruar plotësisht. Mund të flasim me orë të tëra, me ditë, madje dhe nuk do të mundemi të gjejmë përgjigje të sakta për të zgjidhur situata të komplikuara në familje, sepse faktorët janë të shumtë, megjithatë edhe filozofët e studiuesit më të mëdhenj ndër kohëra i kushtuar mjaft seriozitet kësaj teme problematike ndaj dhe unë jam përpjekur të sjell të argumentuara një sërë mekanizmash psiko-filozofikë se përse kjo marrëdhënie degjeneron shpesh në një “luftë” të vërtetë. Me këtë argumentim mekanizmash nuk kam aspak idenë e marrjes në mbrojtje njërën palë përballë palës tjetër. Zoti mos e dashtë të vihem ndonjëherë në jetë në këtë rol, pasi jam bijë, dhe nëna ime vjehrrë, jam nuse dhe kam një vjehrrë e nesër do të jem dhe unë e tillë. Por, marr shkas edhe nga një fjalë që ime gjyshe thoshte kur ishte vetë vjehrrë dhe për të gjithë ata që kanë lexuar kujtimet e mia me gjyshen, kam pasur fatin të kem një filozofe të mirëfilltë për gjyshe. Pra, kjo gjyshja ime e mençur thoshte: “nuk ka nuse të këqija. Të gjitha vijnë me dëshirë, shpresë e dashuri për të ndërtuar familjen e re, por ndoshta herë me dashje e herë pa dashje vjehrrat “pickojnë” e kështu përfundimi më pas është gjithnjë i hidhur.
Inati i vjehrrës ndaj nuses shpesh buron nga ndjenja e humbjes së kontrollit dhe xhelozia emocionale ndaj djalit. Si pikë e parë është ajo e sindromës së humbjes së djalit: shumë nëna që kanë rritur djem të vetëm ose që kanë pasur një lidhje shumë të fortë me djalin e tyre, e përjetojnë hyrjen e një gruaje të re në jetën e tij si kërcënim emocional. Nënndërgjegjja e tyre e përjeton këtë si një “zëvendësim”. Tani dikush tjetër është e rëndësishme, nuk është më vetëm nëna.
Si pikë e dytë është ajo e narcizmit prindëror që shumëkush mundet edhe të mos e kuptojë siç duhet apo ta keqinterpretojë. Po e shpjegoj në vazhdim: disa nëna i shohin fëmijët jo si qenie të pavarura, por si zgjatime të vetes. Kur djali martohet dhe krijon familjen e tij, kjo ndërprerje e varësisë përjetohet si tradhti. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur nëna ka qenë emocionalisht e pambështetur nga burri (gratë që kanë humbur bashkëshortin apo janë divorcuar që në moshë të re dhe i kanë rritur vetë fëmijët) apo ka jetuar gjithë jetën “vetëm për djalin” (këto janë rastet më të vështira që sjellin dhe traumat më të mëdha në jetën e nuses, djalit e fëmijëve të tyre).
Xhelozia femërore është një tjetër pikë e rëndësishme në këtë marrëdhënie. Ndonëse tingëllon e dhimbshme, ka raste ku vjehrra e përjeton nusen si një rivalitet femëror, një përzierje xhelozie, ndjenjash të papërpunuara dhe kontrolli. Projektime dhe trauma të pazgjidhura që shumë njerëz i mbartin mbi vete gjatë jetës dhe papritur ia shkarkojnë ato njeriut të parë që mendojnë se është rival i tyre.
Nëse vjehrra ka pasur marrëdhënie të vështira me gratë e tjera në jetën e saj (nënën, motrat apo vjehrrën e vet), mund të projektojë mbi nusen të gjitha konfliktet e paadresuara të jetës së saj.
Në këndvështrimin filozofik, veçanërisht filozofia ekzistenciale dhe ajo që merret me etikën, e sheh këtë lloj marrëdhënieje si një përplasje të egos, të lirisë dhe të identitetit.
Jean-Paul Sartre në “Tjetri si ferr” thotë: “jo pse njerëzit janë të këqij, por sepse të jetuarit nën gjykimin e tjetrit na bën të ndjehemi të huaj në vetvete. Në marrëdhënien me vjehrrën, ti mund të ndihesh e pafuqishme, sepse ajo të sheh jo si je ti, por si ajo dëshiron të të përkufizojë shpesh si armike, si kërcënim, si pushtuese e dashurisë së djalit të saj”.
Simone de Beauvoir, filozofe imja e preferuar, në lidhje me rolet gjinore, ka shkruar shumë për mënyrën si gratë formohen në role sociale që shkatërrojnë lidhjet mes tyre. Në vend që gratë të jenë aleate, shpesh bëhen rivale, sepse sistemi patriarkal i ndan e i vë përballë në “garë” për vëmendjen e burrit, në këtë rast djalit. Në këtë kontekst, vjehrra mund të ndihet si “gruaja që po zëvendësohet”, dhe kjo e shtyn në veprim agresiv.
Hannah Arendt në “Banale e së keqes” thekson se shpesh e keqja ndodh jo nga ligësia e vetëdijshme, por nga mosreflektimi. Njerëzit bëjnë keq sepse nuk ndalojnë asnjëherë të kuptojnë veten.
Shumë vjehrra sillen keq jo se urrejnë me të vërtetë, por sepse janë të kapura në rrethin e vetë-justifikimit, traditave dhe dhimbjeve të papërpunuara. Ka nuse që kanë zgjedhur të largohen për të mbrojtur veten, bashkëshortin dhe fëmijët ose si mënyrë për të provuar të shpëtojnë martesën duke treguar forcë e mençuri edhe kur nuk e dinin nëse mund t’ia dilnin.
Kur kjo ndodh tregon se vjehrra nuk ka qenë e aftë të pranojë një realitet të ri, përkundrazi e refuzon me forcë ta pranojë që djali i saj tani është bashkëshort, baba dhe se roli i saj si nënë duhet të transformohet. Ndoshta ajo nuk ka pasur mjetet emocionale apo shpirtërore për ta përballuar këtë situatë të re. Ndoshta e shohin lumturinë e nuses si pasqyrë të dhimbjes së tyre apo vjedhje të asaj lumturie që ishte e saja. Por, asgjë prej këtyre nuk e justifikon dhunën emocionale që përjeton një nuse, një grua për faktin e vetëm se ka dashuruar dhe zgjedhur të martohet me djalin që dashuron.
Po cili është roli i burrit në këtë rast sipas psikologëve? Burrit i takon të jetë ndërmjetësues i drejtësisë dhe mbrojtjes, jo i heshtjes apo neutralitetit të rremë.
Roli i tij kryesor duhet të jetë: të vendosë kufij të shëndetshëm mes dy grave më të rëndësishme të jetës së tij. Duhet t’i bëjë nënës së tij të qartë se ai tani është burrë dhe bashkëshort, jo më djalë që duhet të “bindet” pa kushte. Familja e tij (gruaja dhe fëmijët) është prioritet absolut.
Marrëdhënia me nënën nuk ndërpritet kurrsesi, por ndryshon në njëfarë mënyre. Një burrë duhet ta njohë e ta mbrojë të vërtetën. Nëse ai e ka parë që nëna e tij është abuzive emocionalisht, e padrejtë, xheloze apo agresive, nuk duhet të bëjë sikur nuk ka kuptuar apo nuk ka ndodhur asgjë, për të ruajtur paqen sipërfaqësore.
Neutraliteti në raste padrejtësie është bashkëpunim me padrejtësinë.
Është djali ai që flet me nënën e tij që në fillim dhe jo nusja. Shpesh burra të tillë thonë: “rregullojeni e flisni vetë ju të dyja, unë s’kam punë. Këto janë çështje grash”. Ka dhe prej atyre që thonë: “ti je më e mençur, rregulloje vetë me mamin!” Por, kjo është shmangie totale. Ai duhet të përballet vetë me nënën dhe ta edukojë, nëse ajo e tejkalon kufirin.
Çfarë bëjnë shpesh burrat gabimisht?
Heshtin nga frika ose fajësia, mendojnë se po e “tradhtojnë” nënën nëse e kritikojnë. Marrin anën e nënës për të shmangur konfliktin, sepse është më e lehtë të heshtësh ose të kritikosh gruan që jeton me ty sesa të përballesh me nënën që të ka rritur.
Justifikojnë sjelljen e nënës: “Po ajo ashtu është, nuk e ka me të keq”. Pikërisht kjo quhet sindroma e “gaslighting”, që do të thotë: të mohosh realitetin që një grua po përjeton dhunë emocionale, me qëllim që të shmangësh përballjen.
Filozofikisht burri është “porta e kalimit” mes dy familjeve. Në shumë kultura (përfshirë atë shqiptare), është nusja që vjen në familjen e burrit. Por, kjo nuk ndodh në mënyrë të barabartë pa ndërhyrjen e burrit. Është ai që duhet të hapë derën për gruan e tij dhe ta bëjë të ndihet e pranuar, e mbrojtur dhe e respektuar. Nëse nuk e bën këtë, ai në thelb e dorëzon gruan nën mëshirën e një strukture tradicionale që e sheh si “të huaj” dhe jo si pjesë të familjes. Një burrë dhe bashkëshort i vërtetë, sipas zgjedhjes që ai vetë ka bërë duke zgjedhur si bashkëshorte të tij pikërisht atë grua dhe jo një tjetër duhet ta mbrojë nderin dhe dinjitetin e gruas së tij qysh në fillim. Të flasë qartë me nënën e tij, duke mos lejuar që dikush në familje ta trajtojë keq nusen apo t’i nëpërkëmbë dinjitetin në emër të xhelozisë. Të mos kërkojë nga nusja durim të pafund, por të kërkojë ndryshim edhe nga ajo. Dhe mbi të gjitha, të bëjë një zgjedhje të vetëdijshme: të jetojë me gruan dhe jo mes gruas e nënës.
Sigurisht nuk është lehtë për një burrë të jetë mes dy dashurive të mëdha, nënës që e ka rritur dhe gruas që ndan jetën me të. Pikërisht këtu matet burrëria dhe maturia: kur merr guximin të mbrojë drejtësinë, jo komoditetin. Nëse një burrë nuk e bën këtë, nusja ka të drejtë të ndihet e zhgënjyer dhe e lënduar, e për pasojë dhe të largohet duke drejtuar një pyetje të vetme përpara se të mbyllë përgjithmonë derën e shtëpisë që e mendonte si të sajën: po ti ku ishe kur mua më nevojiteshin kufijtë dhe mbrojtja jote!? Ku ishe ti kur përpiqesha mes lotësh, stresit, durimit të çmendur që duhet të gjeja për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin tim brenda shtëpisë që mendoja se kisha vend edhe unë?