
Marksi dhe Lea Ypi
nga Robert Martiko
Krahasimi i Kantit me Marksin –
vetëm ta mendosh është i Pamoralshëm
Në aspektin e moralit si kriter praktik, krahasimi i Kantit me Marksin nuk është thjesht i gabuar, por moralisht i papranueshëm. Kanti përfaqëson një etikë deontologjike ku jeta njerëzore është e patjetërsueshme dhe pushteti ka kufij absolutë. Ky moral nuk mbeti teori: ai u provua në praktikë, duke ndihmuar në ndërtimin e shoqërive më paqësore, më ligjore dhe më dinjitoze në Evropën Perëndimore.
Në të kundërt, morali historik i Marksit e relativizon vlerën e jetës që në themel. Duke e nënshtruar moralin ndaj “domosdoshmërisë historike”, ai e bën vrasjen të mendueshme si mjet. Praktika e shekullit XX e vërtetoi këtë logjikë me rreth 100 milionë të vrarë. Edhe një i vdekur i vetëm mjafton për ta nxjerrë jashtë loje çdo pretendim moral; miliona e shndërrojnë teorinë në faliment etik.
Lea Ypi mund të flasë gjatë për moral dhe emancipim, por është e qartë se vdekja e një njeriu të vetëm nuk e trazon realisht projektin e saj teorik. Nuk e emocionon. Mbështetja që ajo gjen sot nuk vjen nga forca morale e argumentit, por nga fakti se – pavarësisht katastrofës historike – vijuesit e materializmit historik mbeten me miliona.
Të vendosësh Kantin dhe Marksin në të njëjtën peshore morale është hybris filozofik: është të krahasosh yllin moral me përbindëshin historik, duke harruar se morali ose ndalon vrasjen pa kushte, ose pushon së qeni moral.
Çdo filozofi që nuk merr praktikën si provë përfundimtare të së vërtetës morale, nuk është filozofi, por ushtrim i kotë retorik.