back to top
9.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Mark Gjomarkaj, theror i traditës – nga Ernest Koliqi

Gazeta

Ervina Toptani
Ervina Toptani

Dua të ndaj me ju një dokument të rrallë që nuk gjendet askund.
Në 25 vjetorin e krijimit të Bllokut Kombëtar Indipendent,
Prof. Ernest Koliqi mban këtë fjalë por kjo datë e veçantë
për Bllokun Kombëtar Indipendent përkonte dhe me 25 vjetorin e vrasjes
së një prej shqiptarëve më trima që ka njohur historia jonë e shekujve modernë,
Mark Gjomarkaj. E kam përafruar paksa gegnishten e mrekullueshme
të shkruar nga dora e një prej kolosëve të letrave shqipe,
për miqtë që mund të kenë vështirësi në leximin e tekstit në origjinal,
por fotot bashkëlidhur shkrimit janë marrë prej dokumentit origjinal.
Ervina Toptani

Mark Gjon Marku
Mark Gjon Marku

Mark Gjomarkaj, theror i traditës 

nga Ernest Koliqi

(në 25 vjetorin e vrasjes së tij 1946-1971)

Ka fatosa me fat e fatosa pafat. Të parëve u ngrihen përmendore, u vihet emri në rrugët e qyteteve, përmenden orë e çast në shkrime e fjalime, u kumbon lavdia gojë më gojë, ndërsa të dytëve u zbehet kujtimi padrejtësisht. Janë viktima të rrethanave ndërruese. Historia shqiptare është e mbushur me emra fatosash që u therorizuan (u flijuan) për një ide të lartë, së cilës nuk i buzëqeshi suksesi ose i buzëqeshi shumë vonë, pas vdekjes së tyre. Duke lënë mënjanë Skënderbeun (Scanderbeccu i pafàn, domethënë i pa fat siç thotë De Rada) qe doli ngadhënjyes në 22 beteja por humbi luftën, kemi ndër të tjerë Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, Hasan Prishtinën të cilëve ua shqeu jetën ora e zezë dhe për disa kohë ua mjegulloi vlerën atdhetare një mëri zyrtare prapanike.
Të moçmit na lanë fjalë si: “Dielli me shoshë nuk mbulohet”. E dijmë mirfilli se herët a vonë, në çastin që vjen stina historike vlerat e njimendta dalin në dritë duke i dhënë secilit protagonist në fushë të përparimit dhe të lartësimit të lartë kombëtar vendin përkatës sipas meritave. Por kjo nuk do të na ndalojë të shfaqim një ndjesi keqardhjeje për padrejtësitë si të njerëzve ashtu dhe të fatit përballë disa fatosave tek të cilet spikatën vetitë eprore të gjakut tonë.
Një ndër ta është dhe Mark Gjomarkaj. 
Markun e njoha kur ishte student 24 vjeçar në Romë. Më bëri përshtypje që prej takimit të parë pjekuria e mendjes së tij, një pjekuri ku me zgjuarsi natyrore plot vetëdije për pozitën e veçantë krahinore në shoqërinë shqiptare, shartohej pamja e gjerë realiste e problemeve të kohës dhe kuptimi i nevojës për t’u inkuadruar me qëllime e drejtime në jetën e përgjithshme kombëtare. Kapedani i ri, me moshë e me mendësi, ashtu m’u duk dhe ashtu e tregoi veten dhe më vonë, Mark Gjomarkaj. 
Shumicës së të rinjve të asaj kohe ia ndalonte vegimin e qartë të botës së brendshme e të jashtme ngujimi në rreth krahinor. Nuk ishte faji i tyre. Të gjithë ne, më mirë njihnim qytetet e Europës sesa ato të Shqipërisë. Prej mosnjohjes së natyrës dhe prirjeve të njërës palë prej palës tjetër rridhnin dhe mosmarrveshjet e shpesh dasitë e paarsyeshme në bashkësinë shqiptare.
I rysun prej një mërgimi politik 5 vjeçar që më kishte dhënë mundësinë për të njohur e për t’u miqësuar me persona e personalitete të ndryshme nga mbarë Shqipëria, u përpoqa kur u bëmë miq të ngushtë, me i folë Markut për nacionalistët tonë të spikatur. Në shpjegimin tim ai pëlqeu mbi të tjerë si njeri politik me ide të qarta e të prera, Mustafa Krujën, të cilit ia kishte dëgjuar zërin.
Kurrë, në bisedat e shpeshta me mua, Marku nuk mbivlerësonte prejardhjen e tij nga një Derë eprore – Dera e Kanunit të Lekë Dukagjinit – si e njohur gjithkund dhe e nderuar sidomos ne Gegni. Mua më është dukur se kjo prejardhje disi e shqetësonte, ndoshta kishte frikë se nuk do të mundej të tregonte në lartësinë e duhur kur t’i vinte rradha e prijes si trashëgimtar i Kapedanëve të Mirditës. Shihej qartas se ndjenjën e detyrës së prijes e kishte të rrënjosur thellë në shpirt. Ajo ndjenjë nuk ishte për të shkak i zbrazët krenarie, por shtysë për t’u lartësuar në vepra të mbara për fis.
i paharrueshmi eksponent politik i nacionalizmit shqiptar, Ali Këlcyra, disa herë m’i ka përsëritur fjalët që Marku i tha në Prefekturën e Shkodrës në takimin e fundit që pati me të. Aliu, pasi lufta e nacionalizmit kundër fuqive shkatërrimtare mund të quhej e humbur e këshilloi të dalë në mërgim për t’i vazhduar jashtë orvatjet për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha sllavo-komuniste. Ai u përgjigj: “Jam edhe unë i mendimit që nacionalistët duhet të dalin dhe ta vazhdojnë jashtë veprimtarinë për të shpëtuar Shqipërinë nga robëria e rëndë mizore që po i kërcënohet. Shkoni ju e do t’ju jap me vete babën që është në moshë të thyer dhe një vëlla që ta përcjellë. Sa për vete, mendoj se vendi im është këtu. Nuk mund t’i le mirditasit vetëm tani që një shuplakë e rreptë po përplaset mbi të gjithë ne. Kam vendosë me nda fatin me ta. Juve ju qoftë udha e mbarë e bëfshi punë të mbara në atë anë!” 
Këto fjalë m’i tha Ali Klissura e ia ka thënë edhe të tjerëve. 
Qëndresa e Mark Gjomarkajt në malet e Shqipërisë së Veriut mbështillet me rreze epopeje. Në krye të një çete luftëtarësh të lirisë, rrethuar nga dashuria e mbarë popullit me përjashtim të disa kapulajve të pavlerë, tërbuar nga dëshira për t’u rritë duke shqyer njerëzit me vlera, Ai dha provën e gjallë se s’ka fuqi, sado e tmerrshme, që i shkulë rrënjët e traditës. Tradita më e kulluar shqiptare lulëzoi në Të me trimëri epike, në vetitë e kreut që e dallonte e shpirt therorizmi i cili vë nderin e detyrat njerëzore e kombëtare mbi jetën.
U vra në një pyll të Perlatit më 14 qershor 1946. Sivjet u mbushën 25 vjet të vrasjes së tij. Pranë Markut vdiq Nikollë Perpjetri, një djalosh 17 vjeçar. Ky duke rënë pikë gjallë bri Prijësit, i cili vërtetoi duke vdekur meritimin për të ushtruar të drejtën e udhëheqjes dëshmoi vërtetimin e besnikërisë, të një besnikërie vullnetarisht të pranuar që nuk i shmanget rrezikut të vdekjes por shugurohet me gjak të derdhur. Edhe kjo është dëshmi e gjallë e traditës shqiptare. 
E nëqoftëse këto flijime jete nuk njihen si shkëlqim lavdie shqiptare, nuk di ku duhet ta varim krenarinë e kombit tonë.

Ernest Koliqi & Mustafa Merlika - Kruja, në një foto të rrallë
Ernest Koliqi & Mustafa Merlika – Kruja, në një foto të rrallë

Shqiptarëve u shkon për piri trimëria. Për shumë kohë, sidomos në motet më të errëta historike, ajo ishte produkti më i njohur i vendit tonë, s’ka vis e trevë jo vetëm në Ballkan por edhe pëtej, që nuk çuditi njerëzinë mënyra sesi shqiptari e bënte vdekjen si me lindë. Mjerisht shpesh bijtë e shqipes shkrinë jetën për gjëra krejt pa rëndësi, nxitë nga sedra me ia kaluar shokut në mundshin. Energji e humbur kot.
Por ka dhe raste të shumta ku shqiptari e bëri të shkëlqejë trimërinë tonë gojëdhanore me mend e me vend. 
Historia e kombeve të mëdhaja e të vogla që kanë një histori, zhvillohet nëpër rrugë shenjuar me murana të përgjakura trimash. Jeta kombëtare njihet e përtërihet në gjak fatosash. Gjaku i derdhur për një ide fisnike nuk thahet por njomë qindra vjet në qind vjet traditat jetësore të kombit. 
Mark Gjomarkaj ra në moshën 33 vjeçare theror i traditave më fisnike të rodit shqiptar. Ai, duke u flijuar për liri, për atë liri që viset e tij kurrë nuk e humbën as në errësirën e sundimeve më mizore të huaja vërtetoi se me ç’brumë ngjeshen shqiptarët që e kanë ruajtur në vete të paprekur vulën e fisit arbëror.
Sundime e regjime të ndryshme kaluan mbi shpinën e popullit shqiptar. Traditat mbajtën të paprekur fizionominë e kombit. Nëpër stuhitë shekullore, mbi shtigjet e nje historie fatkeqe, besimi në fisnikërinë njerëzore të trashëgimit stërgjyshor na shpëtoi nga kobi për të ndërruar emër e veti e na mbajti me një fizionomi tonën në rradhën e kombeve të botës. Si ishim jemi e kemi për të qenë.
Gjaku i dy pinjollëve të Derës së Gjomarkajve, i Markut dhe i Lleshit, i cili ndoqi trimërisht fatin e vëllait më të madh, një vit më mbrapa, në malet e Mirditës, si dhe flija e trimave që shkrinë jetën anë e kënd nëpër treva shqiptare për të pohuar para botës se shqiptari çmon më fort lirinë e vlerat gojëdhanore të jetës. Vlon si tharm përherë i gjallë e i fuqishëm në thellësinat e mistershme të shpirtit arbëror.
Ai tharm ka për t’ia shpërblyer kombit në të ardhmen vargun e vuajtjeve të djeshme dhe të sotshme duke lulëzuar në bashkëjetesë vëllazërore të shqiptarëve, rreth Votrës së Nanës Shqipëri ku do të ndriçojë rishtas e ndezur flaka e zakoneve nëpër të cilat e ndjejmë veten të pajisur me dy gisht nder në ballë në rradhën e kombeve të botës.
Solli për ju Ervina Toptani

Ndue Gjon Marku
Ndue Gjon Marku

Në kujtim të disa dëshmorëve

Nga dokumenti autentik i buletinit të parties Bllokut Kombëtar Indipendent “Lajmëtari i të Mërguemit”, kam shkëputur (siç do të vijojnë në rradhë herë pas herë shumë shkrime të tjera) fjalën e shkruar të Ndue Gjomarkajt, mbajtur me rastin e 25 vjetorit të themelimit të Bllokut Kombëtar Indipendent, në New York, në 2 nëntor 1971. 
Fotografitë bashkëlidhur janë marrë nga origjinali.
.

Në kujtim të disa dëshmorëveFlija e Halil Alisë

Në atë vjeshtë të largët të vitit 1944, re të zeza kishin filluar të mbulonin qiellin e kulluar të tokës arbërore. Gjithçka paraqitej e turbullt e gjithçkaja ishte mbërthyer në një errësirë të trishtueshme. Vetëm një kand i kombit qëndronte ende: Shkodra zëmadhe.
Në qytetin ilirian, në Shkodrën kreshnike, në atë kala të përmendur të shqiptarizmit, në atë lulishte kulture e qytetarie ishte grumbulluar ajka e qytetarisë shqiptare e cila përgatitej me i dalë zot Atdheut në rrezik. 
E nëse në njërën anë, skutave e qosheve të rrugicave të kryeqytetit të Teutës, si hije të zbehta lëviznin fytyrat e hileqarëve të kombit, në anën tjetër, madhështorë si diva, buzë në gaz, nëpër rrugët e qytetit marrshonin shqiptarët e Shqipërisë, heronjtë e ardhshëm të kombit shqiptar. Në atë Shkodër lavdiplotë ndahej fati i Atdheut. 
Mbaroi Shqipëria! – bërtisnin të ligështit. Shqipëria do të rrojë e do të lulëzojë, këndonin zemrat e djalërisë shqiptare mbërthyer nën armë. E më të vërtetë, Shqipëria u përvëlua. U lënua, u lëvye në gjak, por krenar si gjithmonë lartësohet emri i saj. E atë lavdi të mrekullueshme ia dhuruan bijtë e saj, emri i të cilëve përjetësohet në historinë e kombit. 
Kështu paraqitej gjendja e Atdheut në atë vjeshtë të largët të vitit 1944. 
Në mbrëmjen e 26 nëntorit 1944 fuqia kombëtare nën prijën e Mark Gjomarkajt la Shkodrën dhe u drejtua maleve për t’u ngujuar në qëndresë. Marrshimi qe i gjatë dhe plot vështirësi por kombëtarët zemërçelikë vazhduan pa u ndalë deri në 12 dhjetor dhe kapën Myqin e Hasit. Mjerisht, Mark Gjomarkajt të cilit i ishin shtrënguar këmbët prej një reumatizmi të fortë nuk mund të ecte veçse në kalë, e gjykoi veten barrë të rëndë për fuqinë nacionaliste e ndaj vendosi ta shpërndajë atë. 
Me nji fjalim të shkurtë, por të thekshëm komunikon vendimin që kishte marrë. Ai vetë me 15 besnikë do të qëndronte në vend, të gjithë të tjerët me ecë përpara, të kalonin Drinin për të kapur malet e Lumës e prej andej për të kaluar në Mirditë ku do të qëndronin të bashkuar derisa Ai të mbërrinte. Mark Gjomarkaj kalon në Brrutë të Hasit ku qëndroi 15 ditë. Fuqia nacionaliste e komanduar prej Halil Alia, Alush Lleshanaku, Ndue Bajraktarit, Sefedin Biçakut, Ramadan Dodës e Osman Gazepit mësyen në Van e Gjonaj për të kaluar Drinin e Bardhë. Aty ndeshën në forcat komuniste ku shpërtheu një luftim i ashpër. Duke u gjendur përpara dy rreziqeve, para shkulmave të rrëmbyeshme të Drinit dhe përballë fuqinë komuniste, e përqëndruar gjatë bregut të përtejshëm u detyruan të shpërndahen në drejtime të ndryshme. Këtu Alush Lleshanaku, i cili kishte rënë në ujë për të dalë përtej Drinit për të lidhë konopët, mbytet dhe kapërdihet prej valëve të tmerrshme të lumit Drin. Pas disa orësh e shumë larg prej shokëve kap bregun dhe shpëton. Pa humbë kohë merr rrugën dhe mal më mal mbërrin në Martanesh dhe atje fillon përpjekjet e tij. 
Halil Alia bashkë me Sefedin Biçakun, kapiten Kurt Bozhiqin, Xhetan Gjonin e tetë shokë të tjerë pas një marshimi të gjatë e plot vështirësi e pengesa, në 21 dhjetor mbërrin në Kolesjan të Lumës e aty ndalen për të pushuar. 
Halili filloi të mbledhë lajmet e para. E kuptoi qartë se situata ishte shumë kritike prandaj vendosi të mos hutohej. Natyrisht Halili dëshironte të binte në kontakt me nacionalistët e Lumës, por vështirësitë e kohës dhe operacionet e forta komuniste ia prenë çdo mundësi. Për këtë arsye caktoi që të nisej për në Dibër. E ndërsa po përgatitej për udhëtim papritmas diktohet dhe më 23 dhjetor rrethohet prej brigadës së 18-të, komanduar prej Petrit Dumes dhe lufta filloi e ashpër.
Kolesjani filloi të dridhej prej asaj përleshjeje të furishme. Luma mbarë dëgjoi ushëtimën e asaj lufte burrash shqiptarë. 
Ngujuar në atë kullë bujare lumjane që nuk njeh marre e as frikë pas katërmbëdhjetë orësh luftimi që mrekulloi armiqtë e kombit, heroikisht ranë në fushën e nderit për Atdhe, Halil Alia, Sefedin Biçaku, kapiten Kurt Bozhiqi, Xhetan Gjoni me tetë shokë. 
Fuqia e këtyre sokolave duhet të jetë mësim për mërgimtarët e shembull heroizmi për brezat e reja të cilët përtërijnë me hove të mrekullueshme ardhmërinë e kombit. 
Ndue Gjomarkaj
.
Solli per ju Ervina Toptani
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.