back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Maksim Rakipaj: Tri Rrëfime nga libri “Gjallë pas mbytjes së anijes…”

Gazeta

Maksim Rakipaj
Maksim Rakipaj 

Tri Rrëfime nga libri “Gjallë pas mbytjes së anijes…”

i Maksim Rakipajt

Dashnor Mamaqi në burg

Dikush me një pallto të rrjepur bojë kafe nuk po m’i shqiste sytë… U bëra kureshtar, sepse më ngjante si fytyrë e njohur dhe me kujdes, pyeta dikë që kisha afër:
-Kush është ai tipi atje?
-Dashnor Mamaqi është, pse nuk e njeh…
-Kaq sa është dobësuar nuk do ta njihja kurrë. Vetëm hunda i paska mbetur të shkretit…
Ndërkohë, Dashnori m’u afrua me shumë etiketë dhe me atë zërin e butë e melodioz (vetëm përmetarët e kanë këtë lloj zëri), m’u drejtua:
-Më falni… Fytyra juaj më kujton një mikun tim, kur kishte pak a shumë këtë moshën tuaj… Po i bie shkurt: Mos e keni gjë Xhafer Rakipajn?
-Po, është im atë, zoti Dashnor.
-Ah, edhe ju më njihni…? shperhu ai habi -Nuk e di në të ka thënë, por Xhaferrin e kam dashur shumë. E gjeta në shtëpi, në Mokricë më ’43. Asokohe Xhakua, (miqtë e tim eti kështu e thërrisnin shkurt) ishte ballist. Eh, kështu ishte Përmeti ato vite… Shkonte Ali bej Këlcyra – i merrte me Ballin… Shkoja unë, i merrja me Partinë, po vetëm të lëftonin armikun donin djemuria… Pastaj, kur u plagos Shpresa ime në operacionin e dimrit e unë s’dinja gjë… ishte Xhakua që e ka mbajtur me orë të tëra në kurriz. Nuk ia harroj kurrë…! Kujtoja një ditë me Shpresën: A mban mend Shpresë, i thashë, kur na erdhi në shtëpi komandanti ynë i dashuri, i madhi Enver…
Nuk u përmbajta dot, ia hoqa krahun që më kish futur në krahun miqësisht dhe i thashë duke i ndarë fjalët me rrokje: -Kjo është e fundit herë që rrimë bashkë. Me gjithë këto që ke hequr e po heq, me Shpresën dhe fëmijët në internim, ti vetë në burg… ende e do kriminelin Enver Hoxha? Apo mos ke frikë prej meje, dhe kështu më fyen edhe më rëndë akoma! Kur do të vijnë mëntë ty more… Apo kur të kesh përpara vetes skuadrën e pushkatimit, si shokët e tu? Edhe atëhere prap do ulërish: Rroftë ai kriminel?!
-Po prit more djalë, ule zërin, merre me avash, se ty vetëm 10 vjet të japin, po mua më pret plumbi! Pa kam edhe hallin e familjes, edhe fëmijët… dhe hapi sytë rreth e rrotull, dhe vetëm pasi u sigurua që nuk dëgjonte njeri dhe tha gati duke pëshpëritur: “Ah, sikur ta njohësh mor bir, atë qen ashtu si e njoh unë… duhet ta kesh vërtet frikë! Po ti s’e ke idenë se ç’kriminel përbindësh është ai!!”
-Mirë mo Dashnor, por nuk ka njeri tjetër që mendon si ty, atje në Byro… fjala vjen, po pse nuk e heqin qafe xhanëm…?!
-Sepse nuk ua mban asnjërit të bëhen bashkë, se vigjëllon e i përgjon të gjithë… është i tmerruar… dhe si gjithë diktatorët dhe ai i tmerruari të vret kotsëkoti… Dhe ky nuk ka të ngopur me gjak… Besomë, kështu është mor bir. Rrofsh që më bëre të them ç’mendoj prej kaq e kaq vitesh… Ikim tani se filloi apeli…
Vite më pas, mora vesh se i shkreti Dashnor Mamaqi vdiq në burgun e Shën-Kollit, në Lezhë, pa arritur t’i përqafonte i lirë të dashurit e tij…
Dhe nuk qe vetëm ai që pati një fat të tillë.

Baba Mehmeti që i bëri karshillëk Mustafa Qemalit

Në kampin e Ballshit, midis të shumtëve, kam njohur edhe mjaft persona të veçantë…
Do të mundohem ti kujtoj e t’i sjell te gjallë për ju, jo sipas rëndësisë së tyre, as sipas ndonjë kronologjie, por thjeshtë ashtu si të më vijnë… dhe njëri prej tyre ishte një dervish: Baba Mehmeti i quanin, i teqesë së Frashërit…
E kishin arrestuar në vitin 1968, dhe dënuar me sa më kujtohet 15 vjet. Kur e njoha unë, më 1978, ishte rreth 85 vjeçar, por shumë i mbajtur.
Në kamp ishte të shumtë ata që me respekt e thërrisnin me titullin e bektashinjve “baba”, por ai, i sikletosur u përgjigjej “E ç’baba ziu… Baba pa mjekërr…!” Vetëm mua ma pranonte me kenaqsi kur e thërrisja me titullin “baba”. Që kur ishim prezantuar në fillim u habita, sepse i njihte shumë mirë të parët e mi, duke filluar nga gjyshi im, Sabriu, te xhaxhallarët e mi, dhe prindët e mi dhe i dinte mirë historitë e tyre. Kishte zë melodioz dhe ruante të folurën karakteristike përmetare të kohës së Naimi Frashërit, dhe kur fliste Baba Mehmeti të dukej sikur këndonte.
-Mirmëngjes Baba! – i thoja
-Mirmëngjes evlat! – ma kthente dhe i qeshnin sytë.
-Do vish të të jap kafen e takimit, se më erdhën dje të mijtë…
-çapë përpara, sa të mbaroj një punë, nja dy minuta dhe ardhçë…
…Ishte i muhabetit Baba Mehmeti…
-Ku ke studiuar Baba? – e pyesja gjithë kurreshtje
-Stamboll, evlat, Stamboll. Dhe kam takuar edhe Mustafa Qemalin atje.
-Vërtet? – habitesha unë -Po si, qysh?
-Ja ta rrëfenj unë evlat. Ishnja djalë i ri unë ato kohë, edhe pak dhe mbaronja studimet, kur një pasdite behari më ’24-ën, shkonj në një çajhane në Stamboll për një çaj, se thashë helbete, mos shoh edhe shoqërinë, se atje piqeshim me njëri-jatrin, nëpër çajhane. Kur do ti, nja 20 asqerë me pushkë, na futen brenda në lokal, duke thirrur: “Në këmbë! Shpejt, në këmbë! Dhe nderoni të madhin Kemal Ataturk! Unë kur ata bërtisnin s’lojta nga vëndi që thua ti… Po ke parë ti… Mustafa Qemali i vendosur e drejt e te tavolina ku jeshe unë. U ngrita në këmbë, s’kisha ç’bënja dhe e nderova…
-Qysh të quajnë? – m’u drejtua mua…
-Mehmet, i them unë…
-Nga je?
-Shqiptar! – i them… Dhe me pershendeti shqip, dhe… foli gati nja 10 minuta në këmbë me mua vetëm shqip…!
-Të njoha sa hyra që je shqiptar, – më tha – Pse s’u ngrite në këmbë kur të thanë ushtarët?
-U ngrita, efendi, – ia ktheva – por jo nga frika e tyre, por nga respekti që kam për ju… Mustafa Qemali qeshi me të madhe me këto llafet e mija…
Ishte vërtet burrë trim Baba Mehmeti.
Kur u sulën t’i shkatërronin teqenë e tij në vitin 1967, viti kur u prishën të gjitha institucionet fetare tek ne, Babai mori pushkën dhe qëlloi fillimisht në ajër duke thirrur si Ali Pashë Tepelena në Janinë:
-Prapsuni! Prapsuni jezitër…!
U afrua një sekretar partie,po hiç Babaj, s’lejonte njeri t’i afrohej teqesë. Vetëm kryetarin e Degës e lejoi të hynte në teqe. Kishin qenë bashkë partizanë në luftë. Se Babai kish qenë partizan, dhe kishte marrë bile edhe gradën major…
-Po pse lëftuam? Pa më thuaj njëherë? Që të na shtrohet Jeziti këmbëkryq në vatanin tonë?S’i patëm kështu llafet më dyzetetrenë…
Pas ca ditësh, e thirrën Babanë në Degën e punëve të brendëshme në Përmet: “Sa për një sqarim!” Ka qejf kryetari ta pijë një kafe me ty Baba! – i tha polici.
Dhe e piu kafen me kryetarin… Prej asaj dite s’e lanë më të dilte që aty Baba Mehmetin. E dënuan si armik të “Pushtetit Popullor”, dhe fatura qe 15 vjet burg…

Personazhe kampi

Jam në kampin e Ballshit, viti 1978.
Këtu ka shumë të moshuar, të sëmurë, ka njerëz që janë në burg qyshse ka hyrë “Pushteti Popullor”.
Këtu mund të takosh Zef Malën, kryetarin e grupit komunist të Shkodrës. Të gjithë e thërrasin profesor… është pothuaj krejtësisht i verbër, por mbetet një person që të imponon respekt me dinjitetin, urtësinë dhe kulturën e gjerë që zotëron. Një tjetër profesor mjaft i respektuar është edhe Nikollë Daka. Dikur profesor i latinishtes dhe greqishtes së vjetër, e një nga nxënësit e tij ka qenë edhe Ramiz Alia.
Mbas “çlirimit” si shumica intelektuale ka qenë o në burg, ose puntor në fabrikë tullash. Njeri i shkëlqyer, si shumica e shkodranëve. Ruaj shumë kujtime të dashura prej prej tij. Përkthente Petrarkën për mua, por kur më transferuan nuk mundi të ma jepte dot përkthimin, pasi nuk e lejuan t’i afrohej grupit tonë, që po largohesh për në Spaç.
Ishte edhe kampioni i burgjeve, një i moshuar gjirokastrit, i arrestuar dhe i dënuar pa gjyq qysh më tetor ’44. Deri më ’78 kishte qenë vetëm 10 ditë jashtë burgut. Pse e kishin futur në burg? Cili kish qenë krimi i tij? Kishte shoqëruar trupat gjermane si përkthyes, pasi qe marrë me forcë prej gjermanëve si përkthyes më ’43. Dihej që kishte studiuar për farmacist në Vienë, dhe se kishte shpëtuar shumë vetë nga vdekja me shërbimet e tij si përkthyes, por nuk i vlejti asnjë nga dëshmitë e tyre!!
Aty gjeta edhe një vlonjat, Kastriotin ose shkurt Kaçin, një marinar i anijes Dajti. Kaçi kishte rreth një vit aty dhe i njihte gjithë të burgosurit dhe historitë e tyre. Ditët e para Kaçi qe ciceroni i burgut për mua. Më tregonte me kënaqësi histori të burgosurve të ndryshëm dhe s’kishe nevojë ta lusje shumë, mjaft të të shihte që ja kishe hedhur sytë dikujt me kërshëri dhe Kaçi kurdisej menjëherë… “Uë, nuk e njeh këtë ti?! ça thua or? Dëgjo, dëgjo vëllain tënd ti…!”
Kështu më qëlloj të mësoja edhe historinë e F., një histori e denjë për film thriller…
Më kish rënë në sy, qysh në ditët e para ky F., i ri dukej, por mosha nuk i kuptohej mirë, mund t’i jepje 25-30 po edhe 40 vjeç. Fytyrën e kishte të shtrembëruar nga një paralizë faciale, një dorë thuajse të paralizuar që e mbante para gjoksit me pëllëmbën e hapur dhe gishtat që i dridheshin dhe njerën këmbë që e tërhiqte pakëz zvarrë… Nuk shoqërohej me askënd, veçse me një djalë nga Laçi, që e ndihmonte (Kaçi më tha se janë nga i njejti qytet të dy dhe njihen qysh në jetën e lirë). Kaçi, i kënaqur që po ma zbulonte i pari historinë e këtij personazhi, më ftoi të dëgjoja me hollësi… dhe ma tregonte sikur ta kishte jetuar vetë atë…
“Aty nga viti ’75, kapet nga kufitarët pasi e kishin plagosur rëndë, një djalë rreth 20-25 vjeç duke tentuar të arratiset për në Greqi. Lajmërohet Ministria dhe vijnë urgjent nga Tirana dhe e marrin… Gjatë torturave, i shkreti djalë u tregon se kishte pasur ndërmend të shkonte tek xhaxhai i tij në Gjermaninë Perëndimore. Me vete kishte të gjitha dokumentat dhe fotografitë që do t’i provonin se ishte djali i të vëllait të atij që jetonte në Gjermanisë, një ballist dhe eksponent i emigracionit antikomunist në Gjermani. Kaq dhe nuk dihet më ç’u bë me të kapurin në kufi. Do thuash ti, po ç’punë ka ky F., në këtë histori… Ka, ka… sepse ai kishte një ngjashmëri aq të madhe me atë që u kap në kufi, dhe ishin bile nga një krahinë… Një ditë e thirrën këtë djalë në mënyrë sekrete ata të Sigurimit, e bindin, e stërvisin, ia mësojnë gjithë historinë e fisit të atij fatziut që u kap në kufi, i mësuan edhe kodet dhe mënyrat se si do të lidhej me drejtuesit e operacionit dhe e nisën të kalojë kufirin, e gjitha kjo nja dy-tre javë pasi nipin e vërtetë e kishin kapur dhe e qëruar ata kasapët.
Tashti, detyra e tij ishte të takonte “xhaxhanë” në Gjermani, t’i fitonte besimin dhe të priste urdhërat nga Tirana për të vepruar më tej. Pasi ndejti pak kohë në Greqi, këtë na e tërheq “xhaxhai” në Gjermani, i informuar prej autoriteteve greke. Xhaxhai, tashmë i moshuar, dhe nuk kishte krijuar familje, ardhjen e djalit të vëllait (që kalbej burgjeve në Shqipëri) iu duk si dhuratë nga perëndia. Shikonte fotografitë e të afërmve që i kish sjellë nipi dhe lahej në lot… e adaptoi si djalin e tij, e regjistroi edhe në shkollë dhe e donte si sytë e ballit. Kur nipi nisi të interesohej për aktivitetet e xhaxhait, ky nuk i tregoi asgjë… “Ti gëzo jetën djali im, studio, mbaro universitetin dhe jeto si njeri, s’ke pse vret mendjen për gjë, pasuria ime do të jetë jotja një ditë… Mëso, bëhu njeri dhe martohu, ishalla shoh edhe unë një nip prej teje…Dhe jetoi kështu disa muaj F., duke bërë një jetë që as në ëndërr s’e kish parë… dhe e harroi porositë… dhe pse e kishin sjellë në Gjermani… Sigurimi që e kishte gjithnji nën vëzhgim, një ditë vendos t’i japë fund lojës duke e sjellë xhaxhanë “pako postale” në Shqipëri… Shfrytëzuan një shëtitje pranë Berlinit lindor – sipas informacionit të nipit – pasi e droguan, e paketuan dhe e sollën në Shqipëri së bashkë me “nipin” dhe F., u kthye në qytetin e tij të vogël… Për të dhe psiqikën e tij qe një goditje e rëndë… Jeta jashtë shtetit nuk ishte ajo që ai kish mësuar në shkollë…!!
E porositën të mos hapte gojë me njeri për asgjë, të mos i tregonte kurrkujt, se përndryshe…
Si duket, F. foli me dikë, dhe shpejt një ditë të bukur e pa veten në birucë, i torturuar dhe i larë i gjithi në gjak… I dhanë kostumin e 10 viteve dhe e porositën përsëri të mos e hapë gojë me njeri… Por tani, si ishte katandisur, edhe të donte, mezi fliste, madje edhe kur fliste, nuk i kuptohet se çfarë thoshte, për shkak të asaj paralize faciale, edhe pse ishte pak më shumë se 30 vjeç…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.