
Majmuni i harruar i Michael Jackson
nga Artan Gjyzel Hasani
Quhet Bubbles dhe është shimpanzeu i famshëm i mbretit të muzikës pop, Michael Jackson.
Bubbles dikur ishte majmuni më i fotografuar i epokës së tij, superstar i mediave si i zoti i tij, rrethuar nga kamera dhe blice në ceremonitë e Oskarëve dhe Grammy, në festivalet dhe ngjarjet më të mëdha muzikore të kohës, duke darkuar në të njëjtën tryezë me Elisabeth Taylor, Kenny Rogers, Freddy Mercuri, duke pirë çaj në Osaka me kryebashkiakun Yasushi Oshima, duke shëtitur në Hollywood Walk of Fame apo vizitor në Shtëpinë e Bardhë.
Bubbles jetoi me këngëtarin e famshëm për rreth 20 vjet. Flinin në të njëjtën dhomë, ushqeheshin në të njëjtat restorante, kishte garderobën e vet dhe një bodyguard.
Por kur Bubbles u rrit mjaftueshëm për t’u bërë agresiv, filluan telashet me miqtë e familjes dhe kështu këngëtari e çoi në një azil për kafshët e plakura apo të vetmuara në Florida ku e vizitonte rregullisht e rrinin bashkë për orë të tëra.
Por një ditë Michael Jackson vdiq dhe Bubbles humbi të vetmin vizitor të dashur, e bashkë me të edhe privilegjet e jetës mes humanëve të famshëm. Filloi të rrinte i vetmuar, sidomos edhe pas vdekjes se një shimpanzeu plak me të cilin shoqërohej në azilin natyror të Floridës.
Sot Bubbles është një majmun 42 vjeçar, trupmadh dhe i shëmtuar.
Vitet e para pas vdekjes së të zotit, Bubbles reagonte me pasthirrma dhe ulurima gëzimi kur shihte videoclips muzikore të Michael, në disa prej të cilave shfaqej edhe vetë, por me kalimin e viteve nuk reagonte më. U bë i heshtur dhe i menduar.
Derisa një ditë te kafazi i tij u shfaq motra e të zotit të famshëm, La Toya. Bubbles i ktheu kurrizin përqafimit të saj dhe iku në cep të kafazit dhe qëndroi me fytyrën e mbuluar me duar derisa ajo u largua.
Marrë nga Muri i FB Artan Gjyzel Hasani, 24 maj 2025