
Ma mirë vetëgjyqësi se sa pandëshkueshmëni…
Muç Nano bisedon me Primo Shllakun për Robert Ndrenikën…
Muçi Nano – Kam në studio Zotin Primo Shllaku, që përveç të tjertave është edhe miku im. A bëra gabim që e thashë?! Ndjehem mirë që je këtu. Mendoja që të ftoja në studio për të bërë një bisedë jo shumë tipike. Kohët e fundit nuk e di, shpresoj që të jeshe dakord. Kohët e fundit kemi 2-3 personazhe që i përkasin artit, letërsisë, kulturës që janë bërë të bujshëm edhe protagonistë për arsye jo kulturore, jo letrare, jo profesionale. Kam parasysh Robert Ndrenikën edhe Mimoza Ahmetin. E do të doja, që Primo Shllaku të jepte ndonjë konsideratë për bujën që kam provokuar. Primo Shllaku – Jo, ti kur nuk rren, je mirë! Edhe unë nuk e kam pritë si normalitet. Me thanë të drejtën, e kam e njoftë Robertin qysh në 63-shin, kur erdh në Teatrin e Elbasanit. Po edhe bashkëpunoi me babën tem si regjisor, e ma pas unë u bana edhe dhandër Vunoi, edhe ky ishte nga fshati i grues edhe kështu përveç kësaj, asht gjithmonë simpatia e disa roleve që mue më kanë mbetë në mendje nga repertori i tij teatral. Por ajo situata aty ishte sa teatrale aq edhe jo teatrore, nëse ndarja e këtyne dy kufizave, këtyne dy termave na ndihmon me kuptue se për çka e kam fjalën. Po që aty ishte nji situatë tjetër, jashtë roleve po brenda rolit. Jashtë roleve, po brenda rolit. Dhe tash çështja e drejtësisë tek ne asht ma e rrahuna në këto 30 vjet. Asht nji çështje shumë sensitive! Asht ba nji votim gjithëpërfshirës; janë thanë fjalë të mëdha, janë marrë rryme të mëdha, janë ba zmbrapsje të mëdha, derisa ky sistem i drejtësisë të veprojë jo për yrysh, por të veprojë për automatizëm, sepse kjo asht si puna e njeriut kur shkon në spital edhe menjiherë të vijnë, të shohin e të pyesin: ç’ka ke? ku të dhemb? e njena e tjetra, nuk ka nevojë me ba preambula e na duhet me pritë. Pra, ne jemi nji shoqëri e mësueme me pandëshkueshmëni, pse kaq e gjatë, ka qenë pandëshkueshmënia, sa ne kujtojmë se edhe nëqoftëse vazhdon edhe pak nuk ka me ndodhë ma, në kët pikëpamje Kanuni i Lekë Dukagjinit, e kam thanë e kam qejf me e përsëritë edhe për inatin e disa njerëzve që s’duen me arsyetue, kanuni i Lekë Dukagjinit kishte identifikue dy rreziqe edhe dy skaje të drejtësisë njerëzore. E para ishte…
Po e pyes veten, ku e ka fjalën ku do të dalë? Për çfarë e ka fjalën Primo, kur thotë kanuni? – Po. E para është pandëshkushmënia dhe tjetra vetëgjyqësia. Dhe legjislatori popullor ose anonim i Lekë Dukagjinit, kur i peshoi të dyja, këto skaje, tha: Ma mirë të bahet vetëgjyqësi se sa të ketë pandëshkueshmëni. Dhe ne jemi në një betejë të ashpër si shoqëri, si drejtësi, si organe, si mendësi, si konceptualitet; Ne jemi me pandëshkueshmëninë. Tashti, ne na duhet me e prezumue të pafajshëm njeriun! Se ka njerëz që mbas 20 vjetësh burg kanë dalë e kanë marrë pafajësinë, dikush tjetër e ka marrë pafajësinë edhe mbas vdekjes. Këto janë gabime njerëzore që bahen në kohë kthesash. Në kohë normalitetit, nuk ndodh kjo punë, po njeriu merr hapa.
Në Amerikë edhe sot ndodhin. Është e vërtetë. Në Amerikë, në Francë kanë ndodhë, edhe në Angli, shumë probleme, të kësaj natyre. Për shkak të komplicitetit ose kompleksitetit që ka çështja gjyqësore, ku ndërhyjnë disa koincidenca, të cilat e turbullojnë kuadrin e krimit. Unë desha me e theksue këtë, që nji aktor i madh mbetet prap i madh edhe nëse ka nji lajthitje, tashti ne po diskutojmë a asht lajthitje, a s’asht lajthitje? Sepse ai ka dashtë me i shprehë njilloj mirënjohjeje atij për diçka që publiku e ndjen, po s’e di, me saktësi se çfarë është. Po ç’është, as ti s’e di, as ne s’e dimë. Ne nuk e dimë, në ka pasur arsye të jetë mirënjohës? Po duhet ta ketë pasë, duhet ta ketë pasë nji ndihmë, për shembull një zgjidhje të favorshme, një zgjidhje edhe të kandshme edhe të pëlqyeshme edhe të pakontestueshme! Sepse në botë artistat i llastojnë, i llastojnë tamam, i kanë me kimet. Kur u ba Lufta e Dytë Botërore, Stalini i mori tanë shkencëtarët, artistët, dhe i çoi në nji vend që të mos ia kapte ushtria gjermane! Pra, u quejtën si aset i madh, si thesar! Edhe ajo që çalon këtu asht se ne, sidomos intelektualët, duhet ta përmbajmë vedin. Ka mënyra të tjera, jopublike për me shprehë mirënjohjen, ti mund t’i shkosh edhe në burg, me e pa! Dikku jashtë kamerave e me rradhë. Po në nji kohë kur ne kemi ra n’zhyt dhe duem me gjetë se kush asht ai që po na e prish shtetin, që po na i han paret, që po na e kompromenton të ardhmen… nji gjest i tillë tregon një padurim të pajustifikueshëm. E këtu hyn edhe mosha, po nëqoftëse njerëzit e familjes së tij e kanë dijtë se kah asht nisë me ba këtë punë, asht dashtë dikush me i thanë, me e këshillu që mos me të ndodhte kjo punë. Pse?! Sepse në botën tonë, shqiptare, për shkak të vogëlsisë, njohja me njeni-tjetrin asht nji ndër shkaqet ma të randësishme të mosdhanies së drejtësisë. Dhe asht ndër rastet e pakta kur njohja, nga faktor i qytetnimit kthehet në faktor kundra qytetnimit.
Unë s’e di pse në vende të tjera që janë të dimensioneve të Shqipërisë, fjala vjen në Slloveni, në Kroaci, ky faktori i njohjes së ndërsjellë, nuk e luan këtë rolin që e luan Shqipëria. Në Slloveni unë besoj që ka shumë më tepër drejtësi se sa jepet në Shqipëri. – Po patjetër, patjetër. Këtu është çështje e mbretnish. Te ne kanë ardhë mbretën pa qenë mbret? Dhe ata s’kanë mbrritë me e edukue shoqninë, me rregulla. Sidomos te organet supreme të krehjes së popullsisë, siç asht drejtësia! Suedezi, ke vjedhë nji panine të ka prè gishtin! S’ka pasë ngè me të mbajtë në burg edhe me të hangme edhe me të pimë edhe me doktor, e me të ndrrue edhe çarçafët. Ke vjedhë, ke vjedhëë bankën, t’ka pre kryet, asht krye punë, pra u ka ra shkurt, punëve. Ne jemi për një drejtësi tjetër, edhe shumë mirë që jemi për të. Ne nuk jemi pa ligje të thella në kohë, edhe e meritojmë me pasë edhe ligje klemente, edhe të buta! Pse, unë mendoj gjithmonë, se artistët qëndrojnë përtej të Mirës dhe të Keqes, sipas formulës së Nietzsches, dhe nuk duen gjykues të mirë ose të këqij. Por një artist i madh, si Roberti, duhej o ta kishte ndalë veten, o ta kishte ndalë dikush i afërt, se po niset të shkojë me puthë në ballë, nji njeri i cili nuk akuzohet se ka shtì kundër perandorit, që kishte ardhë me ja pushtue vendin. A më kupton çfarë them?
Po, me këtë rast mund të jap edhe unë një konsideratë timen, sepse s’kam pasur rast ta jap. Lidhur me këtë ngjarje, edhe mua më bëri mjaft përshtypje skena, edhe më erdhi keq sepse në memorien kolektive, Robert Ndrenika edhe kur mos jetë më, do regjistrohet edhe për këtë skenë, edhe do t’i mbajmë mend ndoshta edhe më shumë se ndonjë rol të tijin, fjala vjen fraza që “Do të doja t’i bëja unë ato që të kanë mbetur!” E dyta, unë jam dakord me normalizimin që bëhet, që ta njohim prezumimin e pafajsisë, ai Erion Veliaj po gjykohet, e mund të dalë i pafajshëm edhe. Edhe shumë njerëz edhe mund të pendohen që i janë vërsulë, ashtu siç i janë vërsulë. Por ai është në një proces gjykimi dhe unë mendoj që gjesti i dikujt që i shkon në gjyq, edhe solidariteti i tij apriori, pa e ditë se si do përfundojë gjyqi, në terma moralë nuk qëndron shumë? Po është e bujshme. Pra nuk, qëndron. Sepse, në ushtri ka pasur bedelë, kanë shkue për bedelllëk. Për shembull nji i pasun i ka thënë nji të vorfni: “I ka ardhë djalit tim thirrja për ushtar. A po shkon ti edhe unë po i paguaj familjes tande rrogën!” Dhe ai ka shkue bedel. Po në burg bedela unë s’e di se ka, si mund të hyhet bedel në burg? Nuk e di!
Edhe as unë s’e di. Nuk e di, ndoshta mund të ketë ndonjë precedent. Mund të ketë ca raste paralele, analoge! Po unë nuk e di nëse ka pasë. Edhe kështu është vetë e rasti, drejtësia asht solemne, se janë policë aty, të armatosun, a thue se ka po vjen Gozilla aty brenda? Edhe ti çohesh edhe e sfidon dhe thua “Vij unë edhe hy në burg për ty!”, ti sfidon seriozitetin dhe rreptësinë e shtetit. Se rreptësia e shtetit aty tregohet, kur ka policë e ku ka gjykatës. Pjesa tjetër asht: Ashtu ë?! Po mirë pra, aty s’ka: Ashtu ë! Kështu që unë mendoj se ka qenë nji lajthitje e shumë personave, që nëse e kanë dijtë, s’ishte dashtë me e lanë me shkue! Mue, fjala vjen, grueja s’do më kishte lanë me shkue. Pikë! Unë do t’i tregoja kët gja, se jam tue shkue atje për këtë gjë… Jo ti s’ke punë me shkue atje! Se unë ta di shpirtin tand, e po na flet ndonjë fjalë si ajo që foli Roberti, e mandej po i harrohen edhe ato dy rolet e mira.
Se bukur e the ti atë që po i harrohet roli, tamam. Po pse ishte gja e fortë? Se ti përmende terma teatralë dhe teatrorë, dhe bëra diferencën. Unë duke e parë, kisha një lloj kolpoje teatrale. – Po pra, kolpo teatrore? Është surprizë teatërore. Pra, ai ka kaluar prej teatrit në jetë, pa u xhveshë prej makiazhit dhe prej rolit! Asht edhe e bukur nga ana psikologjike, po kjo punë, nga ana e tij! Unë e njoh mirë Bertin, ai asht burrë serioz, s’asht prej atyne që gajaset së qeshuri, për çdo gjë ai buzëqesh. Pra, ka doza të një natyre flegmatike? Edhe u çudita si shpërtheu ashtu.
Nuk është ky rasti me të cilin mund të ngrihet diskutimi që po bëjmë, por më shkon mendja këtu. Unë mendoj se Roberti çfarëdo që të bëjë mbetet një aktor fantastik? Historikisht në zgjerimin e teatrit tonë dhe përgjithësisht ti a je i prirur për ta ndarë personin nga personazhi, ose autorin nga aktori? Njeriun nga autori? – Në shkollën e aktorëve, studenti vjen me mësu një gja kryesore. Me hy e me dalë lirshëm, lehtësisht dhe në mënyrë variabile prej personazhit. Pra, ti futesh në kamerinën tande, te dhoma ku makiohesh, ku bën grimin, bahesh dikush tjetër, lën vedin në stol atje dhe del dikush tjetër. Për dy orë ti je dikush tjetër. Mandej kthehesh, fshihesh dhe je prap Primoja, Muçi, Roberti etjerë. Pra, shkolla i mëson studentit me hy e me dalë. Unë e di se nuk hymë e dalim dot, ose hyjmë dhe dalim, jo në mënyrë variabël. Simbas personazheve. Hyjmë njëlloj dhe fillojmë e përsërisim veten. Ata aktorë dhe ata artistë që përsërisin veten janë mundra ose ai llum në kuptimin jo moral, po llumi i vajit, pra kualiteti ma i dobët i aktorit dhe artistit asht ai që luan nji rol, dhe gjithë jetën luen njisoj. Që bën nji pikturë, dhe at pikturë e përsërit në mija telajo.
Unë e kam fjalën në përgjithësi, ndarja e autorit nga njeriu. E ka bërë Fan Noli një artikull të gjatë, gati libër, Bethoveni dhe Revolucioni Frëng. Edhe ai merret me Bethovenin e madh dhe sigurisht e thekson kët gjë, por në të njëjtën kohë evidenton një person i vogël, meskin, antisemit. E kam pasë lexuar dikur, ishte në anglisht. Bile ky diskutim është bërë lidhur me Kadarenë. Kadareja është njeri po është edhe autor. Për shkak të mëkateve humane kanë dashur ta sulmojnë si autor. Me problemet e personale, njerëzit futen për me tregue se sa komplekse është natyra njerëzore. Edhe biografi duhet të shohë lidhjet, si e shpjegon ai ekselencën e tij në zhvillimin e një arti origjinal, duke kërkuar e duke gjetur burimet e kësaj energjie. Po jo, a ka qenë burrë i mirë a i keq, se s’ka pasë burrë më të keq se Rikard Vagneri, që ia ka marrë shpirtin Franc Listit, edhe pse e kishte dhëndër! E në fund të fundit njeni i madh dhe tjetri i madh? Këtyne njerëzve u bëhet edhe kabull. Se kanë lënë monumentet e mëdha.
Biseda u zbardh nga Jozef Radi, nga Programi “Arnautistan”, 23 maj 2026