
Lumi që rrjedh në ne…
Nekrologji për Jakov Xoxën – 15.04.1923 – 17.02.1979
nga Shaip Beqiri
Para një muaji vdiq shkrimtari i shquar shqiptar Jakov Xoxa në moshën 56-vjeçare. Vdekja e këtij shkrimtari është humbje e madhe për letërsinë tonë të ditëve të sotme, sepse ajo ndodhi në çastin kur para vetes ky autor i frytshëm kishte një plan krijues të gjerë dhe kur, pas kaq realizimesh të suksesshme, ndodhej në vlugun e punës së pandërprerë, në valën e së cilës e rrëmbeu edhe vdekja.
Jakov Xoxa u lind në Fier, në ç’vend ndoqi pastaj shkollimin fillor, për të vazhduar pastaj në Berat, Korçë e Tiranë. Më vonë i kreu edhe studimet e lartë të filologjisë. Qe pjesëmarrës aktiv në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, kur zuri të merret me krijimtari letrare dhe me gazetari. Pastaj, një kohë të gjatë, qe pedagog në Universitetin e Tiranës, ku jepte ciklin e ligjëratave nga stilistika dhe ishte anëtar i redaksisë i revistës “Nëntori”. Kohëve të fundit, sa qe shkrimtar i lirë me profesion, jetoi kryesisht në Apoloni, në mesin e kooperativistëve myzeqarë dhe të ndërtuesve të Ballshit.
Jakov Xoxa krijimtarinë letrare e nisi në moshë fare të re me reportazhe letrare e poezi, pastaj shkroi një mori tregimesh, novelash dhe dramën “Buçet Osumi” (1957). Një paraqitje kaq të gjerë, me interesime krijues të shumanshëm, sa ishte dinjitoze dhe e pjekur që në hapin e parë, paralajmëronte një krijues me potencë të pashtershme në letrat shqipe. Prandaj, në të ashtuquajturën fazë e konsolidimit të realizmit socialist, botimi i romanit të parë të tij “Lumi i Vdekur” më 1965, qe kurorë e të arriturave në fushën e letërsisë sonë, veçanërisht në gjininë e prozës, ku sot e gjithë ditën, me siguri gjithnjë më të madhe, mban kryet e vendit. Një dëshmi po kaq të madhe të punës së vet prej shkrimtari të zellshëm, Jakov Xoxa e bëri edhe me romanin e dytë “Juga e Bardhë” më 1970. Për krah tyre pa dyshim rri edhe romani i tij i tretë “Lulja e Kripës”, së paku, nëse më lejohet të them këtë së paku nga përshtypjet që mora pas leximit të disa fragmenteve të botuar së fundi, të cilin e arriti ta përfundojë në ditët e mbrama të jetës së vet.
Të them shkurtazi se Jakov Xoxa një meritë të madhe në krijimtarinë studimore letrare ka edhe sa i përket mendimit teoriko-letrar, qoftë si pedagog, qoftë si hartues i teksteve nga kjo fushë për nevojat e studentëve (“Hyrje në shkencën e letërsisë”, “Bazat e teorisë së letërsisë” dhe “Teoria e letërsisë – Stilistika”).

Në opusin e gjerë të krijimtarisë letrare të këtij autori të shquar, pa dyshim që romani është ana që e tërhoqi më së shumti. Me këtë lloj të prozës Jakov Xoxa çeli një udhë të patrazuar ndonjëherë më parë, në këtë masë, në gjithë letërsinë tonë të re. Vepra romanore e Jakov Xoxës në radhë të parë veçohet për frymën e gjallë të një epizmi të mbrusur me përmbajtje të thellë e me formë të gdhendur me mjeshtëri të jashtëzakonshme.
Veprën romanore të J. Xoxës është e pamundshme ta shohim e t’i qasemi jashta vizionit krijues të vetë autorit. Pra, para së gjithash, ajo projektohet në një kuadër të gjerë, ku mblidhen linja të shumta tablosh të krijuara me një subtilitet të rrallë artistik. Një qasje e tillë arrihet me harmoni në shumë plane dhe ata i japin veprës shtresa e nënshtresa të mjafta sa ta ngrenë deri në strukturimin e një epopeje të jetës shqiptare në kohën e re. Spikatet sidomos depërtimi mjeshtëror në botën shpirtërore të personazheve të lidhur ngushtësisht me situatat që rrjedhin e mishërohen me rrethanat e kohës përkatëse. Në një kontekst të tillë, pa lënë mënjanë asnjëherë frymën e epizmit të thellë, formimi i karaktereve del nga mozaiku i dendur i situatave të lidhura me njëra tjetrën në mënyrë të natyrshme e sugjestive.
Derisa në romanin e vet të parë “Lumi i Vdekur” Jakov Xoxa trajton dramën shpirtërore të katundarit të katandisur shqiptar para luftës, duke e venduar atë në një skenë tmerresh e mjerimi të thellë social, të ndriçuar vetëm nga drita e fortë e idealit të lartë të së ardhmes, në romanin “Juga e Bardhë” autori i thur himnin madhështor lulëzimit të jetës së re që lind si fryt i revolucionit dhe si rezultatet i formimit të vetëdijes së re në proceset e zhvillimit të gjithanshëm shoqëror.
Sa i përket romanit të tij të tretë “Lulja e Kripës”, tek i cili autorin e zuri vdekja derisa po i jepte dorën e fundit të redaktimit, trajton temën e punëtorëve ndër kriporet shqiptare në një kohë të rëndë të përshkuar ndër procese të ndërlikuara të jetës njerëzore në rrethana shoqërore shumë dramatike të historisë shqiptare.
Vdekja e papritur, kur ai ndodhej në zenitin e vet krijues, këtë shkrimtar të shquar e rrëmbeu pa mbaruar edhe dy romanet e tjerë, atë mbi Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, të cilin në një bisedë të hershme gazete, e pati paralajmëruar me titull “Dielli lind nga malet” dhe romanin mbi klasën punëtore që po ndërton Ballshin e ri industrial.
Mirëpo dihet tashmë që krijuesit me ambicie kaq të mëdha e me përkushtim krijues si Jakov Xoxa asnjëherë nuk kanë arritur t’i shterin gjithë energjinë që vlojnë në zemrat e tyre. Një punë kaq të madhe e me vlera të rralla, përveç një shkrimtari siç ishte Xoxa, nuk do të mund ta bënte ndokush tjetër, aq më pak po të qe një fanatik i rrallë në fushën e paanë të kërkimit të mënyrës së shprehjes artistike dhe të latimit të pashembullt të gjuhës nga çdo aspekt, siç ishte romancieri ynë i shquar. Them pa ngurrim, me rastin e vdekjes së shkrimtarit Xoxa, se nuk di nëse ka ndonjë autor tjetër prej të cilit mund të mësohet kaq thellë shkrimi i shqipes sa prej Jakov Xoxës! Artikulimit artistik të gjuhës shqipe, brenda tërë veprës së vet letrare, ky autor i dha përmasën e veçantë të bukurisë së rrallë stilistike. Ai vuri një gur shumë të çmuar themeltar në kështjellën që po lartësohet përditë të letërsisë sonë të sotme. Vepra letrare e Jakov Xoxës është një lumë i gjallë që prore rrjedh në ne.
Revista “Zëri”, nr. 12, fq.17, 17 mars 1979, Prishtinë,
Libri “Mozaiku i mbuzur”, fq. 603-605, SHB “Faik Konica”, 2022, Prishtinë
Në foto: Autori në studion e Jakov Xoxës në Apoloni, Qershor, 2016