back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Luan Myftiu (1933-2019) – si dhimbje në fjalët e atyrë që e njohën…

Gazeta

Luan Myftiu (1933-2019)
Luan Myftiu (1933-2019)

Luan Myftiu (1933-2019) –

si dhimbje në fjalët e atyrë që e njohën…

Luan Myftiu u shua… me dritë të ylltë… nga Visar Zhiti

Burrë i urtë dhe i ditur, i përvuajtur dhe qëndrestar, mik i rrallë… I përzemërt në burg me ne, i heshtur me të gjithë në liri, shkruajti pak, i mrekullueshëm në gjuhë, me thellësi të rrallë, me guxim intelektual dhe tregoi dhëmbshurisht…
Kujtoj ecejaket me “Luanin e mirësisë” në oborrin e burgut, bisedat për librat, letërsia franceze e tërhiqte së tepërmi dhe nuk flinte pa thënë përmendësh, pa zë, me vete, “racionin” e poezive, në frëngjisht dhe italisht. Ai s’kishte vetëm racion buke, por dhe racion shpirti, atje ku ishte e ndaluar…
Më pas në postdiktaturë drejtoi gazetën “Liria”, tjetër s’donte…
Aq i urtë, dukej sikur vdiste nga pak herë pas here. Tani vazhdimisht do të jetojë me ata që e kanë njohur, me këdo që do ta lexojë…
.

Luan Myftiu – Humbje e pazëvendësueshme! Shkëlqim Abazi

Dhimbje!
Humbje e pazëvendësueshme për gjithë të dënuarit politikë!
Largimi nga kjo botë i Luanit (që unë e thërrisja Engjëll) më ka shkaktuar një zbrazdësirë në shpirt, si unë besoj se ndihet gjithkush që pati shansin ta njihte nga afër këtë burrë me shpirt të virgjër dhe me tru shumë produktiv.
Me ndarjen nga Luani do na mungojnë këshillat e urta dhe do ta ndjejmë tepër mungesën e mësuesit të papërtueshëm e pasionant, që na trajtonte ne, nxënësit e tij, si i barabartë.
Për sot e kam humbur aftësinë shprehëse, ndaj po e mbyll duke i thënë: “Lamtumirë, miku im dhe të qoftë i lehtë udhëtimi në Parajsë, që askush s’e meriton sa ti! Adieux!”
Të falenderoj, Zot, që më privilegjova të isha mik dhe bashkëkohës i Luanit!
.

Njeriu që ndriçonte me hijeshinë e tij nga Sadik Bejko

Luan Myftiu ka qenë një nga figurat që ndriçonte dhe në hije- hijeshinë e tij, një nga më të fundit e fisnikëve që u rezistuan burgjeve të diktaturës dhe injorimit të pasdiktaturës që rehabilitoi monstër – monistët spiunët, anëtarët e KQ, gazetarët të ZP, që i bëri deputetë ambasadorë, puthadorë, plehra bastardorë të pushteteve të Berishës, Nanos, Edit e tjerëve
U prehsh në paqe Luan Myftiu!
.
Luan Myftiu
Luan Myftiu

Një diagnozë e diktaturës… nga Yzedin Hima

Luan Myftiu ndërroi jetë. Në nderim të jetës së tij prej martiri, ky shkrim. Eseja “Nën terrorin komunist” (Një diagnozë e diktaturës nga publicisti Luan Myftiu)
Ndër tekstet e parë me temën e dhunës së diktaturës në Shqipëri që pa dritën e botimit që në fillim të viteve ’90, qe eseja me titull “Nën terrorin komunist” e publicistit dhe fabulistit Luan Myftiu, i dënuar me dhjetë vjet burg politik nga diktatura. Ky tekst nuk është thjesht një libër memuaristik, por një ese si diagnozë për diktaturën dhe terrorin e ushtruar prej saj ndaj qytetarëve dhe familjeve të tyre për dekada të tëra. Publicisti Luan Myftiu, me talentin e tij letrar, vëzhgimin e hollë, analizat racionale dhe argumentat domethënës, ka përcaktuar qartë thelbin terrorist të diktaturës komuniste në Shqipëri.
.

Për aq pak sa e njoha Luan Myftiun nga Faruk Myrtaj

Kam pasur (edhe unë) fat ta njihja. Fare pak. Veç disa herë ndodha i pranishëm në ndonjë tavolinë kafeneje pranë “Shtëpise Botuese Naim Frashëri”, kur diku aty u vendosën zyrat e Ballit Kombëtar nën Pluralizmin e Dytë Shqiptar.
E kam dëgjuar si fliste, me zë të ulët fare, dhe s’ja hiqje dot sytë, në asnjë moment nuk linte të bëhej i paqartë asnjëherë i pa-arësyeshëm në linjën logjike të fjalës së tij, shterues në atë që donte të përcillte… Dhe, dinte të dëgjonte, si për të provuar papushim se vetëm ai që dëgjon e gëzon të drejtën e fjalës… Kam idenë se këmbyem diçka për të lexuar…
E kam parë, vështruar, dëgjuar heshtjen e tij, edhe kur të tjerët flisnin edhe për të, edhe për partinë edhe për Shqipërinë, në ditët kur u përfol se ai, Luan Myftiu, mund të hynte në Sallën e Parlamentit si Deputet…
Ai i dëgjonte si të flitej për një histori aq të vjetër, të përsëritur e të dalë bllof sa e sa herë në tërë ditët e jetës së tij, në tërë vjetët e pritjes së tij, i dëgjonte tërë pandehmat, pasionet por edhe lajkat, edhe lojrat i dinte, të gjitha, dhe vinte buzën në gaz…
Kur Zotëritë e pluhur-Alizmit thanë jo, dmth kur tjetërkujt i hapën udhën të hynte në Parlament, jo Luan Myftiut, dukej se vetëm ky, Luan Myftiu nuk u habit, nuk u befasua, nuk u hidhërua…
Sepse unë, prej atyre që u habiten për qetësinë e heshtjen e tij si syprinë deti në zbaticë të plotë, nuk e dija as edhe këtë historinë me Nënën e Tij…
S’mund të ndodhte të ishe Bir i një Nëne si Ajo, me atë fat, të ishe Myfti, dhe të mos bëheshe Luan…!
.

E vrau diktatura si shumë të tjerë… nga Violeta Demaj

Ngushëllime familjes!
Luan Myftiun e kam njohur që kur dola mësuese për herë të parë në vitin 1968. Ishim mësues në një zonë malore. Luan Myftiu ishte mësues i përkushtuar, i zgjuar, shumë i edukuar, shkrimtar dhe një intelektual që e vrau diktatura si shumë intelektualë e shkrimtarë të tjerë.
I paharruar kujtimi i tij!
.

Ca kujtime të thjeshta për Luan Myftiun nga Natasha Pustina

Ishim në vitin e tretë të shkollës së mesme, aty nga fillimi i vitit, dinim që ish ndërruar mësuesi i letërsisë, të cilin e kishim edhe mësues kujdestar, e thjesht ishim mësuar me të. Prisnim të riun.
Hyn në klasë Luan Myftiu, i hollë, i gjatë, elegant edhe pse i veshur thjesht, por me shije dhe shumë i rregullt.
Bëri një prezantim të qetë, pa zbukurime dhe hyri drejt e në temë: “Jeta dhe vepra e Pushkinit.”
Ngelëm të mahnitur nga shpjegimi i tij.
Nuk pipëtinte as miza.
Ishte ora e parë e mësimit që, na erdhi keq të dëgjonim tingujt e ziles.
Ndërpreu shpjegimin, u afrua në katedër dhe tha: -Keni detyrë shtëpie, analizën e poezisë “Ciganët”.Do ju dëgjoj unë, juve.
Pak nga ne e kishin lexuar, midis tyre edhe unë, që e kisha shumë për zemër.
U ngrita me dëshirë dhe ai më dëgjoi me shumë kuriozitet, duke më ngacmuar herë pas here, mbaj mend që bëmë pak debat për dashurinë e lirë të Zamfirës, e për veprimin e Alekos.
Mësuesi ynë i dashur, ishte feminist, e kishte shumë respekt për dashurinë e lirë dhe sjelljen delikate e të ëmbël karshi femrave.
Çuditërisht edhe mua më erdhi mirë nga ky vlerësim i tij dhe fillova të flisja lirshëm.
Natyrisht u vlerësova maksimalisht dhe tërhoqa vëmendjen e mësuesit, që vazhdimisht në referate më kërkonte të thoja mendimin tim.
Kështu më qëlloi edhe në referatin e “Lumi i vdekur” në vitin tjetër.
-Për çfarë ke shkruar, më pyeti Luani.
-Kam shkruar gjatë, – i them, por më duket se jam shpërndarë dhe nuk di si ta quaj.
-Pa ec këtu, e na lexo! – tha.
Mbasi mbarova, më tha, por ke bërë një analizë të shkëlqyer të veprës.
Luan Myftiu, nuk qëndroi gjatë në gjimnaz, e dërguan në një shkollë 7 vjeçare! Ashtu ishte atëhere. Në atë shkollë ishte mësuese edhe ime më, e cila vjen një ditë në shtëpi, duke e lavdëruar shumë Luanin, midis të tjerave më tha: -Më habiti fakti që të njihte ty mirë dhe meqënëse, ne në atë kohë, plotësonim dokumentat e studimeve të larta, mos e lerë vajzën të studjojë degë të tjera. Dërgoje për letërsi, ka shumë talent, – i tha.
Si çdo prind, edhe të mijtë donin për vajzën e tyre diçka më të madhe. Kishte filluar industria kimike dhe unë u bëra kimiste, por prof. tim të dashur të letërsisë, Luan Myftiun edhe pse për pak, nuk do ta harroj kurrë.
U prehsh në paqe, më së fundi, zoti i nderuar Luan Myftiu.
.

Lexova Luan Myftiun, ligështim der në dhembje Kujtim Drishti

Lexova tregimin e Luan Myftiu. Në fakt ishte më shumë se e lexova, e jetova. Jetova çdo fjalë me lotë në sy.
Lexova çmendurinë njerzore të zyrtarizuar në vuajtjen e shpirtit të fëmijëve, pastaj të nënës, më keq akoma të nënës… e më pas të babës.
Inkuizicioni komunist paska qënë vërtetë më i egër se ai i shek. të XV.
Një tregim i tillë duhet të futet në antologjinë e tekstet shkollore që njerëzit të mos bëjnë më çmendurira të tilla, që njerëzit të njohin humanizmin në sfondin e errësirës, që njerëzit të ruajnë humanizmin që njerëzit të mbjellin humanizmin me dashuri. Por ata nuk mund të bëhen kurrë partizanë të humanizmit pa njohur tregime të tilla nga inoçenca e fëmijës që vuan kur i marrin babë e nanë.
E djathta e sotshme është një djathtë artificiale. E djathta e vërtetë do kishte qenë shumë humane. Ajo do kishte bërë edhe të majtën më kokëulur e modeste, por edhe e majta është po aq artificiale.
Ky tregim që të shkul shpirtin i sfidon sot njerzit arrogantë i sfidon me vuajtjen inoçente të fëmijës nga arroganca dhe krimi nga ajo që quhet inhumain
Dhe inumaniteti nuk ka asgjë të përbashkët me kafshën që vret nga uria. Inhumaniteti është i padimensionueshëm.
U ligështova fort me një gjë të bukur deri në dhembje.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.