back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 26 Prill, 2024

Loro Boriçi – Bir’i denjë i Shkodrës deri në vdekje – nga Fritz Radovani

Gazeta

Loro Boriçi (1922-1984)
Loro Boriçi (1922-1984)

Loro Boriçi – Bir’i denjë i Shkodrës deri në vdekje

nga Fritz Radovani

Loro Boriçi, ka lé në qytetin e Shkodres me 22 Gusht 1922, në qytetin ku ka lé edhe futbolli shqiptar (1905), e asht edhe fidan i atij oazi të quejtun Gjimnazi i Jezuitëve të Shkodrës, ku kanë mësue dhe janë formue breza të tanë qytetarësh intelektualë dhe dijetarë të Shqipnisë.
Në një oborr të vogël shkolle ku mori arsimin e mesëm dhe kulturën qytetare shkodrane, dijti me ndërthurë mësimin, formimin qytetar me atë fizik, për me mbetë Yll i pavdekshëm jo vetëm për Shkodrën e mbarë Shqipninë, por edhe në plejadën e vet të lojtarëve të Europës.
Nuk kishte shkodran që nuk dinte ku asht shtëpia e Boriçve, kur pyetej se ku gjindet.
Një nga shtëpijat ma të bukra për nga pamja, e ndodhun në Rrugën e Badrave, po edhe i nji familjes nga ma të vjetrat e në zà të Shkodrës, e dallueme në shenjë për nga nderi e burrnija e të Parëve. Nji familje e pajisun me virtytet ma fisnike të trashigimisë së Shqiptarit të nderuem.
Edhe djal’i atij truelli, Loro, deri në diten e vdekjes në Tiranë me 22 Prill 1984, pa mujtë kush me i ndrrue asnjë cilsi, e mbylli jetën me të gjitha tiparet e një Biri të denjë të Rozafës.
Në oborrin e asaj shkolle, Loro binte në sy për naltësinë e trupit, mbi 185 cm, dhe pikrisht aty në at oborr veshi fanelën sportive, këpucët e futbollit dhe ishte ndër ma të zgjedhunit e djelmënisë së viteve ’30, për me u quejtë “e ardhmja e Shoqnisë Vllaznija”.
Në vitin 1937, asht lojtar i Shoqnisë “Vllaznija” të Shkodrës. Një nder futbollistët e parë dhe krejtësisht i harruem nga burgjet komuniste, mjeku Luigj Radoja, kur e ka pa tue luejtë për herën e parë Loron në oborrin e shkollës, ka thanë: “Një fenomen që s’e ka shokun n’Ballkan!”
.
SS. Lazio 1940 - Loro Boriçi i dyti majtas në këmbë
SS. Lazio 1940 – Loro Boriçi i dyti majtas në këmbë
Një tjeter bashkohës i Tij, Prof. Ernest Helepiani, tregonte vetëm fitore… fitore të një klubi shkodran “Vllaznija”, që trandi edhe gurt’e stadiumeve ballkanike me golat e bukur të Loros. Po Ai nuk mbeti vetëm mbrenda cakut të kufijve tanë, mbasi shumë shpejt bie në sy të disa specialistëve italianë, të cilët i venë gishtin dhe e marrin në skuadrat ma të njohuna të tyne. Në vitin 1941-’42 ka luejtë në Itali me klubin “Lazio”, ndërsa në 1942-’43 me Romën.
Kthehet në Shqipni dhe nuk pranon me ndejë jashta Atdheut, ndonse asnjëherë nuk mund të arrihej me u mendue nga askush e ardhmja e Shqipnisë me izolimin e saj hermetik.
Në vitin 1945, vazhdon me “Vllazninë” dhe fiton kupën e kampionatit kombtar të futbollit. Në vitin 1946, Shqipnia fiton kupën e kampionatit të shteteve ballkanike në Tiranë, në saje të golave të Loros, ku edhe me një teknikë të veten ban publikun me duertrokitë për fitoren e Kombëtares sonë. Edhe kur ishin marrdhanjet në prishje mes dy qeverive tona komuniste, Loro u ndodh në Beograd dhe iu ofrue mundsia e qëndrimit atje nga “miqtë” jugosllavë, po Loro refuzoi: “Jam Shqiptar dhe do të luej me Kombëtaren Shqiptare, mbasi Ajo më ka ba të njohun si futbollist të tillë…!”
.
Loro Boriçi - Vitin 1946, Shqipnia fiton kupën e kampionatit të shteteve ballkanike
Loro Boriçi – Vitin 1946, Shqipnia fiton kupën e kampionatit të shteteve ballkanike
E merr klubi “Partizani” në Tiranë, dhe mbas vitit 1946, ka qendrue në kryeqytet. Vazhdon me lujtë me skuadrën e ushtrisë “Partizani” tue e mbajtë në krye të klasifikimit.
Tiparet e sjelljes së Tij e vendosin edhe në krye të klasifikimit si qytetar i nderuem.
Me sjelljen, kulturën dhe edukatën Loro, ban për vedi edhe “ata” që e shikonin me synin e tyne prej fanatikësh, tue e konsiderue si nxanës t’nji “shkolle”, të cilën pothuej në asnji nga biografitë e tij të publikueme edhe sot “nuk tregojnë ku u formue dhe u zbulue ky talent i rrallë?”
Megjithatë, nuk asht as i pari e as i fundit që vazhdon të mbetet ndër labirinte “harresës”!
Mbas disa “akrobacive” të njohuna ndaj elementit katolik shkodran, nga vitet ’60, Loro gjindet në Durrës, Vlonë, me kombëtaren e të “Rinjëve”, me shpresat… derisa kujtohen se asht i domosdoshëm për me drejtue Kombëtaren e Shqipnisë.
.
Anton Mazreku i jep Kupen e kampionatit te vitit 1946 Loro Boriçit te Vllaznise
Anton Mazreku i jep Kupen e kampionatit te vitit 1946 Loro Boriçit te Vllaznise
Më ka tregue trajneri Cuf Pelinku, kur ishte në Hungari: posa ka hy në nji sallë të madhe të stadiumit Budapestit, ku në ballë ishte lojtari ma i madh i kohës Pushkas, rreth 250 X 130 cm., i shtati ishte Loro Boriçi nder dhjetë lojtarët ma të mirë të të gjitha kohëve në Europë.
Në vitin 1963, Loro merr “Medalje Argjendi” në lojnat e Ushtrive të Lindjes, në Hanoi.
Në një nga ndeshjet që trajneri i Kombëtares sonë mbeti në kujtesën europiane, asht ajo me Gjermaninë Perëndimore, me 16 Dhjetor 1967, në Tiranë, përballë trajnerit Helmut Shén, ku me një mjeshtri të madhe Boriçi eleminoi skuadrën gjermane nga kampionati Europian.
Në vitet ’70, Loro asht trajner i Kombëtares Kineze, ku përveç Kombëtares atje, Ai ka ndihmue edhe disa skuadra të tjera futbolli, të cilat kanë shprehë edhe mirënjohjen e tyne.
Në vitin 1943, me daten 14 Tetor, kur shtëpinë tonë e kishte mbulue vaji nga vdekja e Babës tim… Motrat e Loros, për me më largue prej tmerri, më morën e kemi shkue tek dhoma nalt, ku ishin vendosë shumë hurma për m’u pjekë. Si fëmijë aty u “habita”!
.
Loro Borici trajner dhe mesfushori Lin Shllaku
Loro Borici trajner dhe mesfushori Lin Shllaku
Sa kujtime të paharrueshme ruen njeriu prej komshijve të mrekullueshem si Boriçtë…
Në vitet 1983-’84, Loro smuhet nga nji kancer i përftuem siç mendonin mjekët nga pimja e pandërpreme e cigares… Ishte në Itali për mjekim. Një ditë mjeku që e kuronte e pyet Loron: “Besoj e keni kuptue diagnozën?” Loro i përgjegjet: “Po, doktor! Ju falnderoj fort për kujdesin dhe mjekimin Tuej… Ma shumë u jam mirënjoftës për kurimin shpirtnor, të cilin nuk do të kisha mundsi me e pasë kurrë në Atdheun tim “ateist”, në Shqipni!”
Loro Boriçi asht kenë Bir’i denjë i Shkodrës deri ditën e fundit të jetës…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.