back to top
15.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Maj, 2026

Lirikë e imazhit sugjestiv – Shënim kritik nga Abdyl Kadolli

Gazeta

Lirikë e imazhit sugjestiv - Abdyl Kadolli
Lirikë e imazhit sugjestiv – Abdyl Kadolli
Lirikë e imazhit sugjestiv
Shënim kritik nga Abdyl Kadolli
“Mbi siparunt” Naime Beqiraj, Rilindja – Prishtinë 1990.

Që në vëllimin e parë poetik, “Mbi Siparunt” poetesha e re, Naime Beqiraj, përvijon profilin lirik origjinal, një botë poetike të pasur me motive, ide, emocione, imazhe, vizione të larmishme dhe një shprehje individuale poetike.
Të katër ciklet lirike “A hesht u(r)tija”, “Mbi Siparunt”, “Labirinti i fjalës” dhe “Grimi i çjerrë”të strukturara simbas motive dhe ideve poetike përshkrohen nga një ndjeshmëri e konceptim lirik modern. Kjo vetëdije artistike sublimohet në reagimin emocional abstragimin refleksiv dhe në ligjërimin metaforik po edhe si koncept poetik për fenomenologjinë e krijimit artistik, fshehtësitë dhe magjinë e fjalës poetike: “labirintin e fjalës t’ia gjejmë ia ndjej frymëmarrjen zërin ia ndjej” (Kopshti i babait) ose “tjegullave ua kthej ngjyrën në amshueshmërinë e fjalës në furinë e saj reve ua merr shiun” (Pas ardhjes). Gjakimi për njohje e vetnjohje intonohet si etje për njëjtësim me burimin, lumin, valët e shiun në lirikat “Kangjele e thellë”, “Këngë” e “Intermezzo”: “Do të kërkojë prejardhjen e njohjes/ ato të shiut që s’ia gjetëm amën” “Këngë”

Koha e hapësira e qënies
Ky gjakim imagjinativ i subjektit lirik është i përhershëm duke kërkuar identitetin dhe etnitetin e qenies në kohë dhe hapësirë që identifikohet me arkeologun e Diogjenin. Vetë titulli i vëllimit “Mbi siparunt” sugjeron antikën ilire të kësaj qenie me bijësinë që frymon sot “Dielli më zuri tek ia pastroja gërmadhat” Këtë identitet e gjen edhe në idiomën “Vena e Bilës” si arketip dionizian i gjenealogjisë së fisit dhe i vitalitetit të qënies.
Përmasa kohore e së tanishmes në poezitë “Histori”, “Prognozë sensacionesh”, “Dramë” dhe “Labirintet e fjalës” është konceptuar si grotesk i absurdit, me prapaskena e skena të hapura të tmerrit kafkian, ku hedh valle e shëmtuara dhe vdekja, ku mohohen dhe anatemohen të tri përmasat kohore të qenies dhe hapësira e së qenmes është shndërruar në një golgotë të linçit e të ankthit hamletian: “Në kabinete/ procesverbale/ t’i jemi a të mos jemi” (Në labirintet e jetës) Këto poezi janë një dialog polemik me absurditetet e paradokset e kohës, shpeshherë me situata parodike e tragjike, ku revolta e subjektit lirik intonohet me ironi lirike: “E ne po trumbetojmë/ aq shumë po trumbetojmë për civilizimin” (Histori) Sfidë e këtij ankthi janë dy poezitë sublime, “Shkaba” e “Vuthjançe” si shtegtimi i qënies historike artistike nëpër kohë dhe hapësirë.
“Me Relën meditojmë/ nëntëqindenjëzetekatrën
me Qosen arrijmë/ në të tetëdhjetë e gjashtën” (Vuthiançe)
Vizioni i dramës jetësore është metaforizuar si lumë e valë e trazuar e ciklit “Grimi i çjerrë” që është një portret i brezit të çiltër të poeteshës, i brezit të sprovave dramatike, të traumave dhe shqetësimeve. Tërë cikli është strukturuar në një trajtë dialogun në dyvargësh që rikumbon ritmin e valëve dhe mesazhin poetik: “Rilindëm për të hapur porta/ pa marrë hak për pritje për zjarre”.

Poetja Naim Beqiraj
Poetja Naim Beqiraj

Imazhi refleksiv
Naime Beqiraj ka një imagjinatë e intuitë të begatë artistike për intonimin e emocioneve Dhe abstragimin e ideve, duke krijuar situata poetike dhe konotacione të reja semantike e simbolike. Lirikat sublime të saj janë një emanacion shpirtëror, si katarzë e energjisë krijuese për të formësuar e edhe vetë qenien estetike. Të këtij tipi janë lirikat e imazhit dhe ato intime. Imazhi lirik është mjaft refleksiv dhe asociativ, ku alternohen nocione, reflekse, vizione e intonime lirike. Edhe sfondi vjeshtor i këtyre lirikave është një peizazh shpirtëror i reagimit estetik ndaj çështjeve ekzistenciale. Në lirikën “Motiv vjeshte”, në një alternim tingujsh e kontraste ngjyrash, krijohet profili shpirtëror i poetit, ndërsa te “Palca e gurit”, imazhi reflektiv i dialektikës së jetës dhe i mërgimit.
Në lirikat intime me motive të rrethit familjar e jetësor, shpaloset një botëndijim vashërie, shqetësimi, çastet e kujtimit e subjekti lirik, në të cilat dominon portreti i babait, përgjërimi e ngashërimi për të, si figurë tragjike po edhe e urtisë dhe qëndresës.

Morfologjia e ligjërimit
Ligjërimi i Naime Beqirajt, është një ligjërim spontan lirik, një dialog i hapur kryesisht në vargjet e lira dhe në dyvargësh, me një ritëm dramatik që shpreh intensitetin dhe ndjeshmërinë “Gllabëron, qësëndis, frymon, kapërdinë”, ky ritëm krijohet edhe nga përsëritjet e fjalëve e vargjeve si leitmotive por edhe nga shprehja e ngjeshur metaforike “Në copa stërkalash, sheh fytyrat e botës”, “Mallkimet shih si shalojnë atin”. Ironia është një element tjetër me efekt estetik në këtë poezi që shqiptohet më shumë si frenim i revoltës: “I kthjellët ky loti yt me cicërimë papagalli”, “U shemb dynjaja pse s’dëgjohet Vladi”, etje. Në funksion simbolik janë edhe figurat mitologjike antike, Diogjeni, Ponoma, Sfinksi, figurat e kujtesës kulturore dhe historike kombëtare dhe topografia poetike. Në funksion semantik janë aktivizuar edhe mjaft shprehje proverbiale dhe frazeologjike ose të ndërtuara sipas kësaj formule që nganjëherë përmbyllin vjershën e tingëllojnë si silogjizma dhe ligjërimit të këtij tipi ja topisin efektin estetik. “Rrëna është e lirë e vërteta ka çmim”, “E vërteta i përket njeriut, mashtrimi i përket kohës”, gjërat që fiksohen e kuptohen nuk duhen shpjegim në poezi.
Parimi etik për njohje dhe zotërim të vetvetes në çaste tronditëse është shndërruar edhe në parim estetik të reagimit racional si ndjeshmëri moderne, në shprehjen poetike sintetike me nëntekst të pasur asociativ dhe të çliruar nga emfaza dhe konvencionalizmi.
Kjo ndjeshmëri estetike shquhet edhe në prirjet refleksive për t’u kredhur në esencën e gjërave e të dukurive, për të sintetizuar tiparet qenësore duke krijuar situata e imazhe poetike. Ky parim estetik shquhet edhe në alkiminë e morfologjisë e fjalës poetike për t’u dhënë ngjyrime dihotomike dhe grafikisht fjalëve që tingëllojnë si homonime ur(t)ia, por edhe në frazën poetike ku krijohen korrelacione e referenca të reja semantike “Urtisë, i hap sy heshtja”.
Poezinë e Naim Beqirajt e shquan talenti individual, aftësia intuitive dhe imagjinative, lirizmi i ndjeshëm dhe refleksiv dhe ligjërimi komunikues e recepsues.

Rilindja – Prishtinë 1990.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.