back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Lin Delija (1926-1994), piktor kontemporan…

Gazeta

Lin Delija (1926-1994) - Autoportret
Lin Delija (1926-1994) – Autoportret
Kritiku i artit Vittorio Sgarbi në shenjë homazhi
ndaj artit të Lin Delisë ka shkuar vetë në Antrodoco…
Me rastin e kësaj vizite ku u prezantua edhe katalogu
“Lin Delija piktor i Nënqintës”, për të cilin ai,
në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore të Lin Delisë,
“Mountain Komunitete” dhe Komunës së Antrodocos kuruan kët paraqitje të piktorit shqiptar.
Sgarbi ka rrëfyer me pasion të veçantë karakteristikat e artit të Delisë,
të cilin e ka njohur personalisht, duke e kornizuar
“në kontekstin historik të pikturës të ‘900”
e duke vlerësuar me superlativa cilësitë e përkryera të këtij artisti
që ishte në pararojë të atyre që pasuan romanticizmin”.
Ndaj veprës së Lin Delisë, kritiku i artit italian Vittorio Sgarbi,
ka vlerësuar mbi gjithçka përfaqësimin e subjekteve atipike fetare të kësaj periudhe,
të përballuara me një personalitet të fuqishëm artistik.
7 gusht 2015
.
Vittoro Sgarbi - Lin Delija (7 gusht 2015)
Vittoro Sgarbi – paraqet Lin Deline (7 gusht 2015)

Lin Delija, piktor kontemporan (1926-1994)

Lin Delija pat lind në Shkodër me 3 shkurt 1926.
U rrit dhe u edukue në shkollën e Fretënve Françeskanë, ku edhe mori hov së pari talenti i tij artistik. Studjoi së pari në Hercegnovi dhe mandej në Zagreb në Akademinë e Arteve të Bukura. Mâ vonë, me ndihmën e Ernest Koliqit siguroi nji bursë studimi në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë. Mjeshtrat e tij të mëdhenj ishin Mario Mafai dhe Amerigo Bartoli – prej të cilëve ai mori njohunitë e teknikave bashkëkohore dhe përsosi më tej botëkuptimin e tij artistik tue ndërthurë në mënyrë harmonike modernen me elementin etnik: shqiptar dhe ballkanik. Edhe pse studjoi me mjeshtra të mëdhaj të ngjyrave, Lin Delija do të mbesin deri në fund ai që ishte, piktor origjinal me talent të rrallë të cilin nuk pranoi me e shitë dhe me e ba pjesë të tregut.
Në vitin 1969, Lin Delija themelon Akademinë e Artit “Gjergj Fishta” dhe në vitin 1983, krijon Akademinë e Artit “Carlo Cesi” në vilën Mentuccia në Antrodoko.
Piktori Lin Delija mbylli sytë me 9 prill 1994, në Romë në moshën 68 vjeçare. Sot veprat e tija ekspozohen në Pinakotekën e Artit Modern në Vatikan, në Muzeumin e Artit Bashkëkohor në Romë, në Muzeumin “Lin Delija” në Antrodoko, në Muzeumin Qytetës të Osimo-s, në Qendrën e Studimeve të Artit Modern në Brescia, në Galerinë e Artit Modern në Palermo, në Muzeumin e Shën Anës në Quebec të Kanadasë, në Universitetin e Erlangen-it në Gjermani, në New York etj.
Në qytetin e Osimos ekziston nji muzeum i kushtuem mjeshtrit Delija, ndërsa miqtë e tij të vjetër të Antrodoko-s i kanë ngritë nji muzeum në vitin 2002 në qytetin që i dha strehë bujare.
Marrë nga Wikipedia, Enciklopedia e Lirë
.
Lin Delia - Rënia e Stalinit
Lin Delia – Rënia e Stalinit

Uragani Lin Delija

nga Dr. Vat Marashi

Nuk thonë kot që rasti asht mbret i botës! Kur gjatë aktiviteteve ne kuadrin e “Javës së kulturës Shqiptare” që patëm organizuar si shoqatë “Albania in Toscana”, e gjendeshim në Komunën e Borgo San Lorenzo-s, rreth 30 km nga Firence, bashke me mikun e nderuar Kadri Metaj, profesor i filozofisë dhe estetikës, i ardhur apostafat nga Prishtina për këtë ngjarje kulturale, një mik italian që prej vitesh është një ndër miqtë më të mirë në ndihmë të emigrantëve shqiptarë të asaj zone, na prezantoi arkitektin Mark Lukoliç, ne na u bë qejfi, por nuk ishim aq kuriozë. Gjendja ndryshoi kur ky zotëri me thjeshtësi, por gati i shqetësuar filloi të na fliste për piktorin Lin Delija: “…ju që keni organizuar këtë javë të bukur kulture, mund të bëni diçka për veprat e Lin Delisë! Shikoni, ai është artist tepër i madh, i dimensioneve ndërkombëtare, komuna ku jetoi së fundi deri sa u nda nga jeta, së shpejti inauguron Muzeumin e qytetit me emrin Lin Delija, – insistonte ai, gati me shqetësim dhe ndërkohë që ne i treguam interes dhe gatishmëri për t’u njohur më mirë edhe me veprën e artistit tonë, ai gati u përmallua dhe vazhdoi bisedën me një shqipe që merrej vesh mirë. Ai paska qenë me prejardhje nga shqiptarët e Tivarit.
.
Lin Delija - Madona e Shqiptarëve (1970)
Lin Delija – Madona e Shqiptarëve (1970)

Pas kësaj darke ne mbajtëm lidhje dhe nga komuna Antrodoco na erdhi ftesa e inaugurimit të këtij muzeumi. E them se “ia vlejti barra qeranë”! Kur pas tre-katër orësh udhëtimi, u drejtuam në drejtim të kësaj komune, rruga filloi të bëhej gjithnjë e “keqe” dhe malet në të dy anët ngrinin shtatin progresivisht, duke na “kurthuar” në zona gjithnjë e më të thella, duke na kujtuar malet tona, kur i ngjitesh Malsisë së Madhe për në Theth. Më së fundi, pak si në mëdyshje ju afruam këtij lokaliteti, i cili nga larg nuk dukej veç një grusht apartamente pa jetë afër tri shpatmalesh ku gjarpëronte një si lume i vogël, i quajtur “Velo”, por atmosfera u bë festive menjëherë sapo ndaluam makinën, kur pamë njoftimet e vendosura kudo nëpër mure e rrugë si dhe një lëvizje e gjallëruar e njerëzve të gjithë në drejtim të një kishe ku do të zhvillohej ceremonia dhe brenda kishës puna kishte filluar paraprakisht me praninë e kryetarit të komunës, pasi njerzit ishin me dhjetra në radhë për të marrë zarfet e vulosura me një vizatim të Lin Delisë, dhe që dilte në qarkullim për postat italiane për të parën herë. Këtë fat e patëm edhe ne. Salla e mbushur plot e përplot, aq e ngrohtë për Lin Delinë me të ftuar jo vetëm nga gjithë Italia, por edhe miq nga Gjermania etj, e seicili fliste me të njejtën mënyrë: “I thjeshtë si ai, por edhe i rreptë…”, “Mjeshtri”, “I Madhi”, etj.

.

Lin Delija (1926-1994) - Autoportret
Lin Delija (1926-1994) – Autoportret
“Lin Delija ishte vërtet njeri dhe artist i madh!, – tha kryetari i bashkisë në fjalën hyrëse, pastaj vazhdoi: por jo gjithmonë Ai gjeti shpërblimin e merituar nga administrata dhe sot me dhënien e emrit të Tij Muzeumit të qytetit shpresojmë të paguajmë një pjesë të vogël të borxhit ndaj Mjeshtrit të madh”! Atmosfera vinte gjithnjë e bëhej më e ngrohtë; ku njerëz të thjeshtë, poetë e miq rrëfenin histori e lexonin poezi kushtuar Artistit e pedagogut të tyre. Siç doli nga tregimet, Ai kish kaluar rreth njëzet vjetet e fundit të jetës në atë komunë, duke patur fillimisht shumë dyshime nga ana e njerëzve dhe vështirësi, por me këmbënguljen dhe gjenialitetin e njeriut të madh në radhë të parë dhe të artistit më pas, ai kishte arritur jo vetëm të fitonte respektin e të gjithëve, por edhe të jepte një kontribut të jashtëzakonshëm këtij qyteti e krejt Rajonit, duke zbuluar gjatë studimeve të tij edhe piktorin e viteve gjashtëqind të atij qyteti, të harruar nga vetë vendasit dhe më vonë hap edhe akademinë e arteve “Carlo Cesi”, emri ky i piktorit të harruar dhe të zbuluar nga Lin Delija, duke e shëndrruar në një shkollë të vërtetë të Pikturës së stilit të Lin Delisë, falas për të gjithë pjesëmarrësit, shumë prej të cilëve profesorë në universitetet më të rëndësishme të Italisë, si Romë e Milano dhe që flisnin për Mjeshtrin e Madh shqiptar me një respekt të padiskutueshëm.
“Lin Delia ishte vërtet një njeri dhe piktor gjenial! – vazhdoi në ndërhyrjen e tij Këshilltari për Kulturën i Rajonit Lazio, Prof. Luigi Ciaramelletti, – dhe ju shqiptarët e pranishëm këtu ta dini se ju ka përfaqsuar si më mirë nuk bëhet!” – na u drejtua ne pasi pata rastin të kem përshëndetur edhe unë në emër të palës shqiptare.

.

Lin Delija- Tri Maritë
Lin Delija – Tri Maritë
Për familjen gjermane Shutz, që kishte dhuruar disa nga pikturat e Lin Delisë për hapjen e muzeut si dhe për profesoreshën Gabriela Trani nxënëse dhe mike e madhe e piktorit, e cila kishte dy albume përgatitur me detaje e shkrime që do të japin dritë mbi jetën e artistit, ai ishte një idhull. Duhet thënë se shumë familje me të dëgjuar hapjen e muzeut, kishin sjellë kush një kuadër e kush një tjetër për ta vënë në muze, përndryshe vepra e tij, për fat të keq, me sa u tha nga njerëz kompetentë, ishte vjedhur!Kjo më bën të shkruaj se edhe ajo pjesë e trashëgimisë së tij kulturore që nuk është vënë në muze, është në rrezik të madh.
Burime të sigurta flasin edhe për rreth 34 kuadro të përmasave të mëdha disametërshe, që piktori i pati përgatitur për Kishën e qytetit të vet, atë të Shkodrës.

.

Lin Delija - Tabllo
Lin Delija – Tabllo

Kjo ishte veçse një konfirmim i asaj që At Zef Plumbit ma pati thënë telefonikisht nga Shkodra, pikërisht ditën e inaugurimit të muzeut, i cili bashkë me At Ambroz Martinin qenë miq të ngushtë të piktorit Lin Delija. Këto të dhëna që mbyllin edhe shkrimin mbi këtë figurë të shquar shqiptare protagonist në kulturën evropiane e më gjerë, do të donin të ndikonin sado pak në shpëtimin e asaj që është e mundshme nga ajo pjesë e veprave të mbijetuara, e nga ana tjetër si dhe të shprehin dëshirën tonë që ashtu siç u kthyen në qytetin Antrodoco të Italisë, si Uragan siç donin ta krahasonin mjaft simptizantë të tij, ashtu një ditë le të shpresojmë se do t’i kthehet atdheut të vet bashkë me veprat e shumë atdhetarëve të tjerë të tretur nëpër botë e ndoshta nuk ju dihet as emri, që edhe pse ata u flijuan në mërgim pa patur as mundësinë të qajnë bashkë me atdheun e vet, të paktën mbas vdekjes le të bëhen pronë shpirtërore (edhe) e vëllezërve të vet!

Firence, 19.05.2002
marrë nga http://shkoder.net/lin_delija/
.
Lin Delija - Plojë mbi të pafajshmit
Lin Delija – Plojë mbi të pafajshmit

Ardian Ndreca për piktorin Lin Delia

“…Lin Delija, ndryshe prej atyne artistave që e vejnë artin e tyne në funksion të tregut dhe të fitimit, nuk u dorzue asnjiherë përballë mekanizmave që rregullojnë marrdhanjet mes artistit dhe tregtarëve të artit. Shumë herë, tregojnë miqtë e tij antrodokan që e deshtën me gjithë zemër, ai nuk kishte as paret që i nevojiteshin me hangër drekën, por veprat e tija nuk i shiste, nuk i lente me i ikë e me u zhdukë pa gjurmë. Andrra e tij ishte që nji të nesërme kur Shqipnia të fitonte lirinë e regjimi komunist të mos ishte ma, t’i çonte në atdhe veprat e tija, t’ia dhuronte galerive shqiptare, universiteteve, kishave, t’ua dorëzonte shqiptarëve. Asht e rrallë me gjetë nji shqiptar që ta dojë me aq forcë atdheun e tij si Lin Delija…”
.
Lin Delija - Krimet
Lin Delija – Krimet

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Rudina Mane Dema
    Kam pasë fatin ta njoh atë artist të vërtetë. Kur kam ardhë për herë të parë në Itali, njeriu i parë që kam njoftë ka qenë Lin Delija. Në pamje të parë nga larg të jepte përshtypjen se ishte nji malsor verior i zgjuar, me nji trup mesatar, me flokë të gjatë prej artisti, dhe shumë i edukuar. Prezantimin e parë na e bëri nji zotëri italian që ishte punonjës në komunën e Antrodokos. Ua sa është kënaqur kur foli shqip me ne. Unë e flisja pak italishten, por ai me tha: Jo zonjë me mua fol shqip se e fliske mirë shqipen. Unë qesha lehtë dhe i thashë se isha shqiptare dhe sa kisha ardhë nga Shqipëria. Ai u justifikua duke më thanë se kishte pasë nostalgji për me ndigjue nji njeri duke folë shqip dhe kështu filloi miqësia jonë e u ntrash ma tepër kur mori vesh se kush isha unë. Ai kishte qenë dhe në Tepelenë se me moshë ishte ma i madhe se unë.
    Frekuentoheshim, e shpesh e ftoja për dreka të dielave e sidomos gjatë javës vinte shpesh. I pëlqente kosi shumë se unë e bëja vetë kosin dhe nji herë i bëra nji byrek me spinaq e të shoqëruar me kos. U kënaq shumë. Mundohesha me e kenaqë se më vinte keq. Vinte shpesh e ma merrte Megin me i dhanë nji akullore e më thoshte se ke nji zanë malesh, ke nji engjëll. Kam shumë kujtime prej tij i përmalluem ka vdekur, megjithëse i kishte ardhë edhe nji nip nga malësia dhe e ndihmoi përnjiherë për dokumentat. E ndihmoi për të marrë edhe Azil Politik dhe atij ju njoh shpejt azili politik. Ndërsa mua me erdhi nji muaj mbas të nipit. Më thoshte shpesh i shkreti: Mos u ban merak se njitash ka me të ardhë edhe ty.
    Uh sa u gëzua kur e mori vesh se më erdhi përgjigja nga kuestura, e duhej të shkoja të ndrroja dokumentat: Shpejt me shkue në Prefekturë me ba kërkesën për nënshtetesinë se vijnë punët ma mirë u thoshte shpesh antrodokanesve! Ah ta dini ju se çfarë familje asht kjo e sa kanë vuajtë!! Kishte pasë njohur edhe Sazanin kur Sazani kishte qenë në Itali. Ma deshte shumë edhe Haxhiun e ma respektonte. Edhe Haxhiu i thoshte të vish sa herë të duash, je i mirëpritur! Me thoshte se do t’i bëj nji portret kësaj Zane për Megin, por fatkeqesisht nuk me arriti të më bjerë në dorë kurrë portreti i Megit.
    Unë ndenjta pak kohë në Antrodoko, se ika. Nuk më pëlqente Amtrodoko se është fshat dhe nuk kisha prespektivë për vajzën atje se dhe shkolla ishte deri në 9 vjeçare. U detyrova që për 3-4 muaj ika prej aty. Kështu që u ndava nga artisti Lin Delia, por di një gjë se më te vërtet ishte nji piktor e artist i mrekullueshëm.
    Jetonte krenar se ishte shqiptar edhe pse ishte larguar e deshte Shqipërinë. Krenar që ishte nji malësor – e thoshte shpesh që “Veriu e sidomos malsorët e veriut kanë qitë burra shteti!
    Por nji gjë, në Antrodoko e kanë nderuare sa dhe nji rruge i kanë vënë emrin e “Lin Delia” dhe nji harku që lidh dy rrugica ia kanë venë emrin e tij. I kanë bërë edhe nji funeral madheshtor të gjithë Antrodokanasit e kanë nderuar me respekt të veçantë

    Kur Antodoko u mbush me shqiptarë, thonin magari të jenë si Maestroja i jone dhe këta që po na hyjnë në provincën tonë .Kam shumë gjëra për të thënë për pikturat e këtij Artisti se si kanë përfunduar. Ajo vilë kishte nji sallon shumë të madh e atje kishte mbledhë të gjitha pikturat e tij me vlera të mëdha. Dhe muzeumi ka nji pjesë, po jo të gjitha. Edhe ato bëjnë pjesë e politikës së shtetit të keq se dhe ato duhet t’i mbronte shteti ynë. Po cili shtet????
    Qofte i xhehnetit maestro Lini, piktori ynë shqiptar që e mbylli jetën në Antrodoko…
    Kam shumë për të shkruar për Artistin tone, por shumë gjera nuk shkruhen. Po qe fati të takohemi t’i them goja gojës se si ishte i shkreti kohët e fundit. Por dua ta theksoj se koha ka treguar se gjithë artistët e përfundojnë jetën e tyre shumë keq bashkë me shkrimtarë e kompozitore. Duhet të kalojnë shumë kohë që të dalin emrat e tyre dhe ateher dalin të pavdekshëm. Uroj që Sgarbi të këtë marrë ndonji pikturë të tijën dhe ishalla ka marë dhe ndonji nga ato që kishte me veshje malësore se aty demostronte se sa ka vuajtur shpirtersht për malësin e vet.
    Shqipëria duhet ta ngrejë varrin e tij, dhe t’i bëjë nji lapidar në mes të Shkodrës se ai iku me dhimbje të madhe!
    Asokohe ka qenë Sherif Merdani në ambasadën e Shqipërisë si përfqësues kulture dhe bëri nji vrime në ujë.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.