back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Ligjërimi Funksional Poetik… Ilir Seci (fb)

Gazeta

Ilir Seci
Ilir Seci

Sadri Ahmeti –

nji buzqeshje e përjetshme midis poezisë dhe pikturës

nga Jozef Radi

Sadri Ahmetin e kam njoftë mbas ’91, aq sa m’ka lejue ajo kohë e paktë e takimesh dhe rastësish me njoftë nji njeri të qetë e të shtruem, me nji thjeshtësi të pakrahasueshme, me nji buzqeshje ironik të gjithhershme e shpesh të ndrojtun… Nji artist i dyfishtë, me nji ndjeshmëni të veçantë: dhe mundem me thanë se e gjeja ma shumë poet se piktor, po edhe pse si piktor ishte delikat, aq delikat sa të magjepste me at dritën dhe at butsinë që dukej se i buronte dhe i derdhej prej shpirti në çdo punim të tijin… Sadri Ahmeti si piktor ishte akuarelist klasi dhe epik si poet… Si njeri… sa ma shumë e njihja aq ma shumë besja se ishte vetëm shpirt… Me nji sens ironie mbi gjithçka që e rrethonte… po nji ironi e papeshë, që s’randonte askend, e që dukej sikur ajo ia kish gdhendë buzqeshjen eterne… Ecte solemn, gjithnji me nji dosje nën sqetull… dhe sa herë e takoja m’pëlqente t’i thoja “A po ma hap njat dosje o Sadri!”; “Po a s’ ke marrë vesh se nuk hapen dosjet…!” dhe qeshte ashtu lehtas si të ishte fjala për sekretet e shpirtit të vet, sepse brenda atyne fletëve kishte gjithnji portrete vajzash të bukura, pothuej hyjnore… ku derdhesh permes akuarelesh drite krejt shpirti eterik i Sadrisë…
Si duket bukuria njerzore dhe buzqeshja ishin jeta e tij… edhe atherë kur jeta ishte shfaqë e përbindshme, ai përsëri kishte qeshë… duke i bashkangjitë at ironinë e tij magjike, që ia përndriste krejt fytyrën… ironi dhe buzqeshje përzie bashkë, të cilës do t’i shkonte ma s’miri shprehja: sadriane – (buzqeshje dhe ironi dhe shumë mirësi mbrenda…)
Zgjedhjet e kësaj here, banë që askush të mos kujtohej për tre vjetorin e ikjes së nji komete si Sadri Ahmetit… ky artist që kurrë s’pati në kordat e tij vokale britmën, edhe pse jetën e tij plot shpërngulje, përjashtime, burgje dhe shpërfillje… ishte e gjitha nji britëm e mbetun pezull…
Për artistë si Sadri Ahmeti… Shqipnia do të ketë gjithnji nevojë, dhe do t’u mbetet gjithnji borxh atyne, edhe pse sot buritë e politikës përpiqen me i shty në hije dhe në heshtje artistë si ai… Gjej rast me falenderue zotin Ilir Seci… për kët kontribut mjaft interesant… të vendosun në murin e fb në përkujtim të artistin Sadri Ahmeti nga Vuthajt, e Malit të Zi!! 25 qershor 2013

Portret vajze - Sadri Ahmeti
Portret vajze – Sadri Ahmeti

Ligjërimi Funksional Poetik…

nga Ilir Seci (fb)

Përkitazi me krijimtarinë e Sadri Ahmetit, vështrim mbi poezinë dhe prozën e tij.

Ndryshimet që përfshinë Shqipërinë pas viteve ’90, sollën para shqipëtareve një botë të tërë kulturore e cila ishte mbuluar nën akullin e diktaturës dhe ishte fare e panjohur për kulturën shqipe. Në këtë kulturë përfshihen qindra artistë e krijues të të gjithë fushave të cilët u tretën burgjeve e internimeve duke mbajtur të gjallë artin në atë formë siç e thekson me të drejtë studiuesi I.Fohti: “Arti është i vetmi azil i shpirtit, ku subjekti njerëzor e ruan identitetin e tij historik!” Kjo pjesë e vyer e kulturës sonë është tashmë trashgimi kombëtare pse është shembull shpresëdhënës se humanizmi mbahet gjallë edhe në kohët më të errëta të burgosjes së fjalës pavarësisht prej çmimit që duhet paguar. Prandaj edhe studimi dhe vënia në vendin që i takon kësaj pjese të trashgimisë sonë kulturore është një nga detyrimet që shoqëria e sotme duhet të përmbushë. Njohja dhe studimi i kësaj trashgimie është njëherit edhe shpërblim ndaj sakrificës së gjithë atyre njerëzve që vuajtën vite me radhë pse nga shpresa e tyre u mbajt gjallë edhe shpresa e shqiptarëve si komb.
Nga kjo letërsi një prej poetëve që meriton studim e njohje është edhe Sadri Ahmeti, i cili pas viteve ’90, botoi disa libra të cilët tregojnë se ndalimi i këtij poeti ishte dëm ndaj poezisë shqipe më shumë se dëm ndaj poetit! Poezia shqipe ka merituar kaherë ta njohë këtë poet përmasën e vargut, thellësinë e ndjenjës shpirtin e madh e humorin e rrallë. Sadri Ahmeti lindi në Vuthaj të Plavës-Mali i Zi, me 1939, një fshat nga i cili kanë dalë shumë krijues e artistë me emër në kulturën shqiptare. Pas shkollimit të mesëm emigron në Shqipëri, në vitin 1957 ku edhe nis kalvari i tij jetësor. Ishte e vështirë për një artist si Sadri Ahmeti të mbetej i lirë, mik u ngushtë i Bilal Xhaferrit, Sadriu njihej nëpër rrethet kulturore të Tiranës per guximin e tij në fjalë. Nuk vonon dhe arrestohet kur ishte student në Akademinë e Arteve, dënohet me burg e pastaj me internim që nga minierat e Spaçit në kantieret e Elbasanit. Pas viteve ’90, përfundon studimet e lëna përgjysmë ne Akademinë e Arteve që ia pat ndërprerë burgu, një ëndërr e mbetur përgjysmë pasi ky poet është edhe një piktor i njohur e një nga akuarelistët më të mirë shqiptarë. Pas viteve ’90, boton këto libra: “Një e qeshur harbon nëpër errësirë”, “Dielli për në Ballkan nuk kalon nëpër Goli Otok”, “Masakra eTivarit”, “Aisbergu i preludit të katastrofës”, “Vallja e katrahurave”. “Kalëroj rreth botës mbi re”. “Tek lahem në dritën e Hënës”, “Loz era me gjethet e vjeshtës sime”, “A do mund tëtakohemi nesër?” si dhe librin me prozë, “33 vjet në mitrën e ferrit të fjalës”.

Ishulli Burg - Goli Otok
Ishulli Burg – Goli Otok

Përmasa e kuptimit
Kur e lexojmë në tërësi poezinë e poetit Sadri Ahmeti, lirisht mund të themi se teksti i tij realizohet përmes ligjërimit, vërtet të folurit mjaft funksional poetik. Për nga funksioni, të folurit e tillë përbën rrëfimin poetik, që paraqet qenësinë e kësaj poezie. Struktura e rrëfimit poetik, në planin teorik dhe në atë real, është një hapësirë e lirë brenda së cilës realizohet bota dhe botëkuptimi poetik i krijuesit, kurse në planin e zhvillimit është infinitive, e pakufishme dhe e pambarim. Themi se është infinitive, sepse del e ndërtuar nga elementet vargësore sintaksore të gjuhës poetike, që të lë bindjen e një thënieje të pambaruar kurrë, me ç’rast fitojmë përshtypjen e përjetësisë së ligjërimit:

“Ti që ke sy dhe sheh me verbërinë e të tjerëve/ je më i verbëri/
I verbëri i lindur sheh më larg në hapesirën/ ai shpon terrinën e ngjeshur/
me sythat e shpirtit të pandikuar/ të prekjes/
drita e tij nuk është as e zezë dhe as e bardhë/
me sytë e zemrës ai bredh nëpër poezinë anonime/ të natyrës së pangjyrë

Prandaj, më shkoqur dhe më veçantë, imponohet mendimi se gjërat dhe ne ekzistojmë përderisa flitet për to, për ne. Po ashtu do të bindemi se të folurit, rrëfimi poetik nuk mjafton kurrë. Duhet të na flasë dikush, sepse ne nxjerrim njohje të reja nga të folurit dhe, mu përmes këtij akti depërtojmë në qenësinë, në thelbin e gjërave dhe të dukurive të ndryshme. Përderisa të folurit poetik është një akt, të themi, i posaçëm i krijuesit të poezisë, poetit, rrëfimi poetik është ajo tërësi e organizuar tekstore ku hyn të folurit dhe merr formën e vet të përhershme e të vazhdueshme, e që në vete mban mesazhin drejtuar njeriut dhe botës. Shikuar në pikëpamje të ndërtimit, rrëfimi është lakor, me rënie e me ngritje të herëpashershme dhe drejtvizor, i njëtrajtshëm, brenda të cilit të folurit shfaqet vetëm përmes një mënyre, ku më shumë kemi të bëjmë me këmbënguljen e tij kur flitet për gjëra të caktuara, me qëllim që t’i theksojë ato më shumë, të na heq mendjen pandërprerë. Po ashtu rrëfimi poetik, fuqinë e vetë bindëse e merr edhe nga ritmi, nga masa e lëvizjes së taktit të të folurit.
Rrëfimii kësaj poezie është një strukturë e thellë, që del nga një botë e krijuar, përafërsisht imagjinare. Poeti zgjodhi një prosede të tillë brenda fantastikës, ireales, me qëllim që mesazhi i tij të dalë sa më i plotë dhe më i lirë dhe të marrë një kuptim të përgjithshëm e më të qëndrueshëm. Ndërsa mesazhin e poezisë në fjalë nuk e kemi të dhënë më parë, po e nxjerrim nga tërësia e saj që përbën një strukturë të thellë, nga e cila dalin dimensionet e kuptimit. Strukturën e thellë e përbëjnë aspektet e realizuara kuptimisht në këtë poezi e që ne i marrim në formën e quajtur mesazh. Njëherësh ky mesazh shfaqet si rezultat i asaj që flitet mbi botën dhe mbi elementin kryesor të saj, njeriun:

“Netëve të thëllimta të dimrave/ kur shteti iu sul fjalës së thjeshtë/
si lubi e streshtë/ Ai, ngjitejtek gjiri shkëmbor/
aty ku derrat putheshin/ dhe ua zbrazte dallgëve të krisura dufin…”.

Mu për kët arsye, fare qartë mund të vërejmë se teksti i kësaj poezie është plotësishti përshkuar nga njëfarë shqetësimi që na jep rrëfimin e shqetësuar. Ky rrëfim i tillë nuk na flet në mënyrë ndjenjore, të dhimbsur, përkundër shtron çështjen e ekzistimit të njeriut në kohën bashkëkohëse dhe realizimin e tij si njeri. Kështu mesazhi nuk na del i mbivënë nga koncepte të caktuara të mendimit mbi njeriun, po nga përvoja e ekzistimit të tij në kohë e në hapësirën e caktuar vendore. Këtu shohim përpjekjen, insistimin e rrëfimit,(poetit), që njeriu të mos mbetet vetëm si koncept, si emër kuptimi që shpesh e gjejmë, gjatë gjithë historisë, vetëm në botën e fjalës së pavlerë që s’thotë asgjë, sepse nuk është adekuate me qenien njerëzore.
Njeriu real ka humbur dhe më kot.
Kështu mesazhi i rrëfimit të Sadri Ahmetit zhvillohet në kërkimin e pajtimësisë midis idealitetit dhe realitetit sa i përket çështjes së njeriut. Dhe siç dihet, sa herë që kërkohet idealiteti, e nuk gjendet, lind tragjikja. Përkundrazi në këtë poezi tragjikja del nga realiteti i ekzistimit të njeriut. Siç e theksuam edhe më parë, këto në mënyrë artistike i vendos në hapësirën imagjinare, pra gjen një fushë më të qëlluar të realizimit të botëkuptimeve dhe të pikëpamjeve reale. Prej këndej vështrimi i mvrejtur mbi ato çka sheh dhe kupton: i thotë. Poeti, gjithësesi do të ketë njeriun dhe po e krijon në imagjinatën, në mendjen e vet dhe na flet për të. Në këtë shtegtim mbas njeriut, rrëfimi dëfton se poeti niset nga uni i vet që e njeh më mirë për të arritur te temat e përgjithshme që e përfaqësojnë njeriun në përgjithësi.

Sadri Ahmeti (1939- 2009)
Sadri Ahmeti (1939- 2010)

Metaforika e vetmisë
Në atmosferën e plotë të rrëfimit të Sadri Ahmetit ndeshemi me të këqiat e botës moderne, bashkëkohëse: me vetminë, me humbjen, me harrimin e qenësisë njerëzore, të cilat në mesazhin e tij shtrojnë kërkesën: te bëhemi të qëndrueshëm ndaj tyre dhe me vetëdijen tonë të krijojmë kuptime dhe qenie të reja. Përmes një poezie-metaforë, poeti e simbolizon dhe e metaforikon vetminë, izolimin e kohës që ekziston në shoqërinë njerëzore në këtë kuptim poeti hyn përmes ironisë metaforike:

“O, sa pak djersë e sa shumë thonj/ Dyzet gazeta, predikojnë eklipsin e lirisë/
dhe kolapsin e urisë/ Ulurijnë llapat duke i mbyllë gojën ditës me shumë/
diell/ dhe me pak dritë/… Njeriu zu të trembet nga vehtja e tij/
më ngjan se po humbas drejtëpeshimin/ dhe po bëj divorc me arsyen.”

Të shpjegojmë: po të fliste poeti kështu sikur folëm këtu, atëherë nuk do të kishim poezi, efekti i së cilës na godet për të na zgjuar, për të na bindur. Me anë të këtij akti poetik poeti godet me revoltën, me ironinë që e gjen në epokën ekzistuese dhe në histori. Rrëfimi i Sadri Ahmetit na sjell edhe te një qenësi e kotë, që njeriu, duke kërkuar veten jashtë vetes, thënia më e fortë e mesazhit të tij poetik: njeriu t’i kthehet vetes, sepse ai ekziston në të brendshmen e vet; të krijojë lidhje njerëzore me rezultatet e veta dhe të ndërtojë veten në botën njerëzore.
***
Interes paraqet edhe libri me prozë “33 vjet në mitrën e ferrit të fjalës” një libër me kujtime nga jeta e artistit nëpër burgje e kampe internimesh, të cilat shquhen me gjuhën e pasur e humorin e hollë. Në këtë vepër Sadri Ahmeti nuk rrin të qahet apo të sjellë tmerrin e burgjeve si një përshkrim dantesk, aspak, Sadri Ahmeti ka zgjedhur humorin si mjet shprehës, nëpërmjet paraqitjes së ngjarjeve në ketë mënyre ai sikur krijon një eufemizëm me tmerrin e asaj kohe. Dëshmitë në këtë mënyre bëhen edhe më interesante sepse e qeshura sikur e zbut përmasën tragjike të asaj kohe, të atij realiteti i cili në këtë vepër shfaqet tragji-komik, duke dhënë mjeshtërisht absurditetin e totalitarizmit.
Duke i dhënë fund leximit nëpër krijimtarinë e Sadri Ahmetit, rrëfimi i tij nuk mbyllet thjesht si nje tekst i rëndomtë, ai është i pakufishëm, por ne i mbajmë për vete kuptimet dhe domethënien e mesazhit të tij, njëherësh edhe ritmin e atij rrëfimi, që na bën të vëmë në lëvizje mendjen dhe qenien tonë.
Ilir Seci (fb 25 qershor 2013)

Peisazh - Sadri Ahmeti
Peisazh – Sadri Ahmeti

Sadri Ahmeti (1939 – 24/06/2010)

Lind në Vuthaj të Plavës (Mali i Zi) një fshat nga i cili kanë dalë shumë krijues e artistë me emër në Kujlturen Shqiptare.
Pas shkollimit të mesëm emigron në Shqipëri në vitin1957, ku edhe nis kalvari i tij jetësor. Ishte e vështirë për një artist si Sadri Ahmeti të mbetej i lirë, mik u ngushtë i Bilal Xhaferrit, Sadriu njihej nëpër rrethet kulturore të Tiranës për guximin e tij në fjalë. Nuk vonon e arrestohet kur ishte student në Akademinë e Arteve, dënohet me burg e pastaj me internim që nga minierat e Spaçit në kantieret e Elbasanit. Mbas viteve ’90, përfundon studimet e lëna përgjysmë ne Akademinë e Arteve, që ia pat ndërprerë burgu, një ëndërr e mbetur përgjysmë, pasi ky poet është edhe një piktor i njohur e një nga akuarelistët më të mirë shqiptarë. Pas viteve ’90 boton këto libra: “Një e qeshur harbon nëpër errësirë”, “Dielli për në Ballkan nuk kalon nëpër Goli Otok”, “Masakra e Tivarit”, “Aisbergu i preludit të katastrofës”, “Vallja e katrahurave”, “Kalëroj rreth botës mbi re”, “Tek lahem në dritën e Hënës”, “Loz era me gjethet e vjeshtës sime”, “A do mund të takohemi nesër?” si dhe librin me prozë “33 vjet në mitrën e ferrit të fjalës”. (Wikipedia) 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.