back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Leximi Metaforik i Pëllëmbës së Hapur nga Prof. Prend Buzhala

Gazeta

Prof. Prend Buzhala
Prof. Prend Buzhala

Pak rreshta për profesor Buzhalën

Shpesh ndalem te muri i fb. i Profesor Buzhalës… nji mur të cilin unë e quej model i komunikimit dinjitetshëm. Ndalem njaty dhe lexoj të përditshmen e tij… Nji e përditshme e shqetësueme, aktive, konkrete, e bukur… nji e përditshme model, ku statuset, shkrimet, fotot, takimet dhe miqtë e tij të shumtë të krijojnë nji afërsi t’atillë sa të duket vedi sikur je me të, mes tyne, sikur flet e debaton me ta, sikur ndalesh me pi diçka dhe kafja merr shije tjetër… Gjithçka në të përditshmet e tij asht me masë, edukuese, kulturuese…
Ai nuk trazon askënd me shkrimet e veta, ato janë njaty si malet që kush do i kqyr dhe e sodit, e të tjerë mund të kalojnë përskaj tyne edhe pa i vu re…
Edhe pamja e profesor Buzhalës asht befasuese, solemne, e përvuejtun, aktive… shpesh si e dalë prej e Epikës legjendare, o në mos prej Urtisë së Maleve Shqiptare, ku pleqtë ndanin kuvend dhe fjala e tyne kishte peshën e randë të shkambit, që zen vend dhe s’mundet kërkush në botë  me e luejtë
Edhe fotot e tij janë të gjithkundshme… diku buzë nji lumi a nji statuje, diku në takime poezie a festa folklorike, diku i menduem dhe i shqetësuem, diku mes miqsh me emën po edhe njerzish krejt të thjeshtë… nji harmoni e levdueshme midis mendimit, veprimit, njerzve dhe natyrës, që aq shumë vend zanë në dashninë e profesor Buzhalës…
Me u ndalë, qoftë edhe për pak, në murin e fb të Profesor Buzhalës asht nji leksion kulture i papaguem, asht nji kënaqsi njohje dhe komunikimi falas, asht nji këshillim urtie dhe letërsie që ndeshet rrallë, po gjithsesi asht nji borxh që ne i mbetemi atij, e që ndoshta kurrsesi s’do mundemi me ia shlye… j.radi

Leximi Metaforik i Pëllëmbës së Hapur

nga Prof. Prend Buzhala

(Çast Eseistik III, 47)

1.
Pëllëmbët e Hapura, Duart e Ngritura Lart, kah pafundësia e pafund, Dora që merr Dorën tjetër për të udhëtuar largësive, rrugës së hapur, – afrimi pranë vetes i hapësisë së pafund… pëllëmba, vijat e dorës, dora… Me bukurinë e hapësirës që hapet para njeriut, mund të krahasohet vetëm arti poetik. Sepse vetëm Poezia Hapet. Poezia e Hapur. Poeti del nga klaustrofobia. Nga mbyllja a izolimi i dhomës, hotelit… shpesh vende tjetërsimi. Posi tek rrugët e Hyjit, në këso gjendjesh, udhët e shtrembra drejtohen, brigjet anash shndërrohen në parqe të gjelbëruara, retë dhe qielli janë të mahnitshëm, njerëzit shndërrohen mandej, në zogj që fluturojnë… në Pëllëmbën e Frymëzimit Jetësor a në Duart e Zemrës. Mandej vjen nata. Edhe ajo të dhurohet, me qiellin yjor, që rri përsipër kokës sate, si një dhuratë kremtesh, me diadema yjesh. Rrezen e diellit e zëvendëson ajo e hënës. Drunjtë janë po ata, me frutat e pjekura të Natyrës e të Jetës. 
Dhe poeti i këndon këto bukuri të pafund, denjësisht të mrekullueshme. E, vetëm Njeriu di ta shijojë këtë mrekulli të pafund krijimi kaq të pafund. Dhe aty e vëren se e përcjell Një Dorë e Padukshme e Demiurgut. Në atë Pëllëmbë të padallueshme, ku merr frymë…

Profesor Buzhala... në persiatje
Profesor Buzhala… në persiatje

2.
E poeti, si poeti.
Historia e Ekzistenca, na janë të tjera “gjëra”. Shpesh e shpesh poetët përmendin dhe Shuplakën (për gjërat që shihen hapur, e jo mbyllur), ku Ekzistena dhe Jeta hapen si bozhure (si këndonte Beqir Musliu). Historia na shfaqet si në Shuplakë të Dorës, si fati e fataliteti. Demiurgu rikrijon formulën shqiptare të secilës pjesë të truallit që shënohet me gjak: “Toka ime digjet në çdo pëllëmbë të trupit tim – toka e mallkuar..” Trupi dhe Toka janë një – ato digjen, duke dhuruar dashurinë e pafund. Prandaj poeti vazhdon tutje gjakueshëm: “…e s’të lëshoj gjallë me gjak, pa të larë pëllëmbë për pëllëmbë/, eshtra e jetë në ty pa i lënë/ konak e më konak pa të ndezur flakë”!

3.
Në mendësinë popullore, Pëllëmba bëhet dhe shenjë e njohjes: “E njoh këtë vend pëllëmbë për pëllëmbë, symbyllur”! – bëhet shenjë e matjes, peshës, goditjes, përkëdheljes. Njeriut i mbetet të zgjedhë – nga gjymtyra e vet, tek vetvetja! Tutje, njeriu e shndërron në dije të kiromancisë (“një art që lidhet me përftimin e të dhënave mbi personalitetin dhe të ardhmen e një individi nëpërmjet leximit të dorës”). Poeti i lexon ato ndryshe nga kiromancia. Në Bibël flitet për vulën e fatit që Hyji e vë nëpër vijat e duarve e të ballit. Lexohen vijat e jetës, vijat e zemrës dhe vijat e kokës. Në letërsi ne ato VIJA i lexojmë si metaforë, si figurë letrare, si përshkrim i situatave jetësore, psikologjike apo shpirtërore. Poezia krijon besim dhe ndikim në Jetën Tonë. Sepse nuk ka jetë Pa Poezi.
(16 gusht 2014)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.