back to top
13.5 C
Tirana
E martë, 23 Prill, 2024

Leximi i poezisë “Sot është një nga ato ditët” nga Entela Tabaku – Sorman

Gazeta

Enkeleda Ristani - Nesër është e vona ime (poezi)
Enkeleda Ristani – Nesër është e vona ime (poezi)

Leximi i poezisë “Sot është një nga ato ditët”

nga Entela Tabaku – Sorman

një Poezi e Enkeleda Ristanit

Leximi i një poezie është përjetim më vete.
Sa më e mirë poezia, aq më shumë lexime kërkon ajo. Metodat dhe pikënisjet e leximit mund të jenë të ndryshme. Secila ka vlerën e vet dhe e pasuron leximin. Mua më pëlqen leximi i tekstit, ajo lidhje eskluzive që krijohet midis lexuesit dhe tekstit. Kontekstet kohore, biografike, shoqërore, estetike janë të gjitha jashtëzakonisht të rëndësishme, por mua më bind më shumë teksti. Tek teksti janë shtrydhur të gjitha këto kontekste dhe ai që më intereson është rezultati dhe çfarë ngjall tek lexuesi. Edhe lexuesi i mbart me vete kontekstet e veta. Leximi i poezisë është çlirim i të gjitha këtyre konteksteve në një pikë të vetme: në takimin e lexuesit me poezinë. Përtej këtij takimi asgjë tjetër nuk ka rëndësi. Është si puthja dhe reaksionet që të ngjall në trup dhe në zemër. Lexuesi dhe teksti, pra, të dy protagonistë me të drejta të barazvlefshme.
Në këtë perspektivë leximi i parë është leximi i së dukshmes: tema (për çfarë flet poezia) dhe gjuha poetike (çfarë e mban një poezi në këmbë figurativisht, cilat janë metaforat, gjetjet). Leximi i dytë nis e t’i zbulon sekretet e realizimit. Talenti i vërtetë qëndron në krijimin, shpesh spontan, të një ndërthurje metaforash, gjendjesh dhe emocionesh që e rishpikin poezinë në mendjen e lexuesit. Leximi i tretë është leximi i mendimit. Poetët e talentuar mbjellin mendime dhe përjetime në ne. Në leximin e katërt lexuesi e njeh mirë poezinë, tashmë. Në këtë lexim ka për ta ndjerë poezinë deri në fund, ka për t’ia ndjerë dehjen, magjinë, do të jetë a thua se e ka shkruar vetë, për veten e vet.
Pakti i leximit është një pakt i heshtur midis poezisë dhe lexuesit. Poezia e di se po shkruhet për t’u lexuar. Edhe poeti më i rezervuar dhe refuzues, në momentin që i jipet shkrimit, e ka pranuar atë pakt. Përndryshe do ta mbante në mendjen e vet. Siç bënim kur ishim adoleshentë, shkonim me kryet plot me poezi që refuzonim t’i shkruanim. Poezia që shkruhet shkon pashmangshmërisht drejt leximit, si shprehja e dashurisë shkon drejt puthjes. Lexuesi, nga ana e tij, ka idetë e veta përmbi poezinë, sidomos ka një ide të qartë se çfarë është dhe çfarë nuk është poezi, të krijuar nga tradita e leximit: jo gjithshka mund të bëhet poezi. Athua se poezia nuk është njerëzore, athua se jo gjithshka njerëzore mund të bëhet poezi. Athua mund të shpërthejë poezia me gjakun e menstruacioneve?

Enkeleda Ristani - “Sot është një nga ato ditët”
Enkeleda Ristani – “Sot është një nga ato ditët”

Leximi i parë (leximi i sipërfaqes)

A u skuqe? Apo u nxive? A u zverdhe? U zbardhe? Apo u mavijose? Jeshilose? Apo hiç? Leximi i parë i kësaj poezie është, me dashje a padashje, si i magjepsur mbas kësaj fjale: menstruacione. Leximi i parë është leximi i më së dukshmes në sipërfaqe, prandaj: menstruacione. Por pa e normalizuar ngjyrën e fytyrës në leximin e kësaj fjale, nuk mund të vazhdojmë të lexojmë poezinë. Dhe sa më shpesh e lexon aq më tepër normalizohet: menstruacione. A e vë re ndryshimin? Menstruacione. Nuk është aq e rrezikshme. Menstruacione. Tani merr frymë thellë dhe lexo poezinë.
A e sheh tash se për çfarë flet poezia? Flet për një një nga ato ditët kur gjithshka duket më e vështirë nga ç’është, kur boshllëku është më bosh se zakonisht, kur dështimet përjetohen më të rënda se zakonisht. Poezia mbartet nga një figurë po aq e vjetër sa vetë poezia: vendosjen paralele të një gjendjeje shpirtërore me një fenomen natyror a biologjik që i ngjason. Ashtu sikurse fryhet dhe bymehet trupi i gruas në ditët përpara menstruacioneve, ashtu në këtë ditë të poezisë fryhet dhe bymehet trishtimi. Është ai trishtimi i pafuqisë para asaj që ndodh, pa arsye dhe logjikë, vetëm pse është. Vetëm pse je njeri dhe me qenë njeri është e vështirë. Është pafuqia që krekoset në plehun e kujtesës, si gjeli i shprehjes popullore, për t’u harruar mandej. Kjo lojë midis kujtesës dhe harresës është ajo që e shtyn njeriun rreth e përreth pa e lënë të mbytet në moskuptimin e jetës.

Poezi dhe muzg...
Poezi dhe muzg…

Leximi i dytë (leximi i teknikës)

Në fakt, tash që lexuesi mund ta lexojë poezinë pa ndërruar (dukshëm) ngjyrën e fytyrës, mund të vërejë se poezia është ndërtuar si një rreth. Forma e poezisë mbahet nga fjalët cikël, qark dhe qerthull:
ditëve paraciklore
ditëve të qarkuara
jam qerthulli
Domethënia e të trija fjalëve shënon një varg ngjarjesh që ndjekin njëra-tjetrën në një ritëm të caktuar, një varg ngjarjesh që përmbyllet aty ku nisi duke krijuar një figurë rrethore.
Tani mendoje veten me një kompas gjigand në dorë, ngule fort gjilpërën para teje dhe hiq një rreth me veten në qendër, nga e majta në të djathta, një rreth të mbyllur. Pika fillestare është para teje, aq sa mund të shtrish duart, pak majtas ndoshta. Mos u kthe nga njëra anë në tjetrën, ti qëndron pa lëvizur, ti vetëm zgjatesh mbas kompasit duke u munduar të mbërrish të gjitha pikat e rrethit:
Filloje rrethin në pikën sot, sepse sot është “një nga ato ditët kur kujtohem”.
Vazhdoje në pikën tjetër që është momenti kur ndien “sa ftohtë bën brenda meje krahasuar me stinën jashtë dritareve”, pikërisht aty ku nis enjtja e dëshpërimit. Uni e shtrëngon kompasin fort dhe e rrit intensitetin e vizatimit, vija lakohet pa vështirësi, pika vazhduese është pak në të djathtën tënde “jashtë është shëmti e brenda më shumë”.
Tashmë je zgjatur nga e djathta, lëkura kris.
Mbrapa teje vizato vijën e lakuar të derdhjes.
Mandej vazhdo me harkun e qetisë, të harresës. Vija rrethore aty mezi përvijohet, sepse është më e vështirë të arrihet, meqënëse është në kah të kundërt me ty. Vija mbrapa teje harkohet në të ardhmen (do qetohem me harresë).
Qarku mbyllet mandej aty ku filloi, para teje, ndoshta pak majtas, në ditët e qarkuara me buzë moskokëçarëse, ato ditët para së sotmes. Para kësaj dite të poezisë vinin ditët e harresës, kur brenda ishte po aq ngrohtë sa jashtë.
Vija e lakuar e rrethit para vetes është e dukshme qartë se është më e lehtë të vizatosh para vetes me kompas, mbrapa mezi shquhet. Por cikli mbyllet dhe me të një varg i plotë shndërrimesh që kryhen brenda një kohe të caktuar, një cikël që do të përsëritet sërish dhe sërish. Jo detyrimisht cikël menstrual. Kundroje tashti! A nuk të duket se ke vizatuar qerthullin e qenies njerëzore, pashmangshmërinë e fatit njerëzor?

Enkeleda Ristani
Enkeleda Ristani

Leximi i tretë (leximi i mendimit)

Që në leximin e parë kjo poezi ta mbush kryet me mendime, siç bëjnë zakonisht poezitë e gjendjeve shpirtërore. Por duhet t’ia pranoj vetes se kjo poezi ende mbetet së pari një poezi emancipuese. Jo emancipuese në kuptimin që po i tregon botës se ç’janë menstruacionet, edhe pse e bën edhe këtë. Apo sepse po i tregon botës se nuk ka asgjë të turpshme, të rrezikshme a të ndyrë me menstruacionet, edhe pse e bën edhe këtë. Ka edhe në shqip disa poezi të rralla që e trajtojnë këtë temë.
Kjo poezi është emancipuese për poezinë shqiptare, sepse është çliruese. Deklamon lirinë e gruas për të shkruar për përvojat e trupit të saj. Përvoja që mund të bëhen poezi siç mund të bëhet poezi çdo përvojë e mirë njerëzore. Sepse poezia nuk qëndron në pikënisjen, por në përjetimin e krijimit. Gjysma e lexuesve e dinë si ndihesh në ditët para, gjatë dhe pas menstruacioneve, për to cikli i menstruacioneve është cikli i jetës. Dhe nëse kjo është një nga ato ditët kur ndihesh ashtu, atëherë botë mbahu!, sepse rrugët e poezisë janë krejt të paparashikueshme.
Dhe vdekja mandej. Kjo e ardhme që na përvijohet mbas shpine, si një cikël që përsëritet sërish dhe sërish. Dhe derdhja si një metaforë e vdekjes. Trishtimi i jetës që nuk u ngjiz por derdhet. Athua vdekja është derdhje, zbrazje, ajo ndjesi e qetësisë së plogësht që të pushton më pas. Ajo pika e qarkut kur ti shkon në harrim, në paqë?

Leximi i katërt (leximi i vetes)

Mbahu! Me siguri do qetohem me harresë.

Poezia marrë nga libri “Nesër është e vona ime”
Shkrimi marrë http://si-ajo.blogspot.it/2016/11/entela-tabaku

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.