back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Letra e Laurës… – nga Fritz Radovani

Gazeta

Laura Keçi në rininë e hershme
Laura Keçi në rininë e hershme

Letra e Laurës

nga Fritz Radovani

Lexova lajmin e vdekjes së parakohëshme
të Laurës… Po, botoj një letër të Saj.
Letra asht kopjue prej origjinalit
që më ka dërgue zonja Laura Keçi pa ndryshime.
Janë hjekë ato pjesë që kanë karakter personal,
si përshëndetjet apo opinjonet e zonjës Laura etj.
Kam kopjue me kujdes ligjëratat e drejta
dhe fjalët e Martirit, për të cilat e falenderoj zonjën Laura,
që i ka rikujtue me saktësi në këtë kohë,
kur shumica e bashkëvuejtësve të këtyne Heronjve
nuk kujtohen ma për ta, ose ma keq, i kanë harrue…
Laura, nuk më shkruen asnjë rresht për vuejtjet e saja.
Na që kujtojmë kohën e arrestimit të Laurës,
duhet të jemi ma të kujdesshëm në shkrimet tona
mbasi edhe 16 vjeçarja Laura Keçi,
zen vend në vargun e vajzave të nderueme shkodrane
që janë masakrue nga sigurimi i komunizmit gjakatar.
Gjyqi i kësaj vajze e trandi Shkodrën!
Me këtë rasë edhe e falnderoj zonjën që me letrën e sajë,
më ka nderue tue pranue botimin e saj prej meje dhe,
njëkohësisht i kërkoj të falun që ndër ato 17 faqe letër
të shkrueme me dorën e sajë, e kam ba me rikujtue
atë kohë të mjerueshme që Ajo, ka kalue në birucat
e Sigurimit komunist në Shkodër, kur Ajo ishte pa mbushë 16 vjet…
.
Dom Mikel Beltoja (1935-1974)
Dom Mikel Beltoja (1935-1974)

***

“Kur isha ende pa u arrestue kisha ndigjue se një prift i ri predikon pa frikë për Jezu Krishtin dhe ban shërbime fetare, edhe pse Feja ishte ndalue me ligj. Kur u zhvillue gjyqi ai u dënue për agjitacion e propagandë kundër pushtetit dhe për propagandë fetare, tue vue gojë në veprimet e shëmtueme të Enver Hoxhës kundër Fesë.
Këta “faje” komunistët kërkonin me i la me gjakun e tij prandej edhe e dënuan me vdekje. Populli i Shkodrës u trondit shumë nga ky vendim kundrejt një njeriu të pafajshëm që me qëndrimin e tij burrnor, ringjalli në opinionin publik edhe njëherë kujtimin e Martirëve të Fesë.
Isha 16 vjeç kur u arrestova dhe shprehja e parë që ndigjova porsa më futën në hetuesi ishte: “Ç’ti bësh, po të ishte pak më e madhe në moshë do ta pushkatoja pamëshirë me priftin që sonte… dhe, më futën në një birucë aty afër tij.”
Dua të tregoj si e torturonin njeriun e Zotit: Komandanti Basri Temja nga Lushnja i sillte gjellën Dom Mikelit, që ishte i lidhun kambësh e duersh me zigjir në birucën e tij, ku priste vendimin e Tiranës për pushkatim. Gjella si duket ishte shumë e ngrohët mbasi nga djegia e sajë ndigjohej virrma e Priftit që nuk mund të kapërdihej. Kur mbyllte gojën dëgjohej krizma e tasit të aluminit që rrokullisej nëpër çimento mbasi ia hidhte fëtyrës “supën” përvluese. Kjo ishte një torturë që përsëritej gati çdo ditë ose edhe dy herë në ditë. Një polic i birucave me emnin Shefik, vinte me çizmët e tija të randa, hapte birucën e Dom Mikelit, veç, kur ndigjohej krizma e kockave të kupave të gjunjëve nga shqelmat që i binte të shkretit Prift. Goditjet ishin aq të forta sa që, betohem, se kam ndigjue me veshët e mij kockat e Dom Mikelit tue u thye…
Një ditë, personaliteti dhe vendosmënia e tij e friksoi antikatolikun Shyqyri Qoku, i cili shfreu dufin e tij patologjik prej sadisti tue e torturue aq shumë fizikisht Dom Mikelin, sa, kur, më mori mue fill mbas tij në zyrën e hetuesisë, u tmerova dhe gati nxora zorrë e mushkni nga goja, kur pashë një bluzë të bardhë me të cilën na mbështillnin gjatë torturës, të lame me gjakun e pastër të Martirit dhe me njolla ngjyrë jeshile të bame nga vjelljet, prej shqelmave të tyne… E mbajta vedin, u kapërdiva dy-tre herë për mos me kënaqë xhelatin e përbashkët të tonin dhe komandantin që ishte aty me te. Kur i pashë fëtyrat e tyne të zverdhuna si fëtyra të vdekuni që zbulonte ndërgjegjen e tyne të randueme me krime e që, shpesh edhe i kalonte në bisha të pavetëdijshme, m’u duk sikur, po analizonin pafajsinë e Dom Mikelit dhe peshën e randë të “fajeve” të mija, që nuk isha aspak ma shumë se 16 vjeçe… Mora zemër nga qëndrimi i mpimë i këtyne dy kafshëve të tërbueme e, u thashë: Shihni vehten në pasqyrë!… Shihni si jeni ba!… Moralisht jeni të dy të mposhtun nga Dom Mikeli, ju jeni si të vdekun para tij, Ai ka fitue mbi ju edhe pse fizikisht ndoshta, Ai asht i shkatrruem, ju jeni të shpartalluem në ndërgjegjën tuej mbasi nuk dini se për çka e torturoni. Kjo asht dëshmia ma e kjartë e fitorës së Jezu Krishtit përmes dyshepullit të tij Dom Mikelit, i cili, ju ban ju, me pa me sy praninë e Jezusit në tokë, kenjën e fuqisë së Zotit këtu, që na jep ne forcë për me përballue torturat tueja…
Përgjegja e tyne kje vetëm kjo: Prandej asht tue ju ndihmue…
Kur pashë gjunjëzimin e tyne mora edhe njëherë zemër dhe ju thashë: Pse, ndihmë e vogël ju duket ju lutja e tij, ju e torturoni e Ai lutet për shpirtin tuej të kacafytun me djallin. Ai i lutet Nanës së Jezusit për shpëtimin tuej nëpërmjet të Birit të saj dhe ju e gjakosni, ju i bini me shqelma e, Ai, vazhdon me ju tregue ju, se keni kohë me u pendue për çka jeni tue ba… Pse, a ndihmë e vogël ju duket ju që unë një vajzë e re nuk frigohëm aspak para jush?… Hë… pse nuk keni forcë me na mposhtë?
.
Aranit Cela - 650 procese politike, si hetues, prokuror dhe gjyqtar
Aranit Cela – 650 procese politike, si hetues, prokuror dhe gjyqtar
Ku asht forca e atij kryexhelatit tuej?! Veç, një virrëm qeni ndigjova: Dil jashtë… jashtë! Aq shumë ishte torollosë sa kishte harrue se unë nuk kisha si me lëvizë, se isha e lidhun për karrigë. Kur u kujtue komandanti më zgjidhi, urdhnoi policin që ishte mbas dere me më çue në birucë. U shtrina përtokë si zakonisht por e kënaqun… fjeta pak…
Mbas pak kohe më doli gjumi nga zani i fuqishëm i predikonjësit të Ungjillit. Dom Mikeli ishte zgjue para meje dhe po bante lutjen e përditëshme për shpëtimin e shpirtit të torturuesve të tij: Mos torturoni vllaun tuej… Jam tue u lutë për shpëtimin tuej edhe pse ju më torturoni mue, kërkoni falje Jezusit, se Ai asht aq i mëshirëshëm sa ka me i falë gjynahet tueja… Pendohuni! Lypni falje!… Keni humbë logjikën, mos humbni shpirtin! Ai ka mëshirue kryqëzuesit e vet, Ai do të ju falin edhe ju!……
Tregoni atyne që me krimet që kanë ba kanë shkretnue familjet shqiptare dhe kanë vorfnue edhe kombin tonë… Hiqni dorë nga vrasjet e djelmëve, vëllazënve tuej, mos veshni zi nanat, motrat e gratë shqiptare që tash sa vjet nuk i kanë hjekë rrobat e zisë…
I thoni damave të tyne mos u kënaqni me vrasjet e gjakun e bijve e bijave të Shqipnisë! Keni harrue se jeni tue vra shqiptarë! Shkatrruet Atdheun!
Ndigjova se u hap biruca numur 3, ku ishin dy persona për çështje ordinere dhe u futën në birucën ku ishte tue predikue Dom Mikeli. Filluan me i ra me shqelma mbasi torturat që i banin ata Priftit, ishin mjet lehtësues për vuejtjen e tyne. Shpesh ata i çonin në dhomën e tij për me e zgjue nga dremitja e agonia e vuejtjes së vazhdueshme.
Këto predikime filluan me kenë një mjet forcimi për të gjithë ne që ishim ndër ato biruca ku vuejtja ishte e përgjithëshme. Erdhi një kohë që zani i tij ndigjohej ma rrallë, filluen me i ba gjylpana për me e vue në gjumë. Tashti e kuptoj se i banin gjylpana se, kur fillonte me ikë efekti, ndigjohëshin gjamët e dhimbjeve e si nëpërgjum fliste: Ah, moj nanë… nuk kam kockë të pathyeme… Ah, sa janë kah më dhambin eshtnat!
Mbas pak minutash që zgjohej hynin xhelatët e torturonin dhe prap nuk ndigjohej ma zani i Tij. Kishin kalue disa muej që Ai vuante pandërpremje e bashkë me te edhe unë, që ndigjojshe me veshë dhe, shpesh, nga një vrimë e vogël e derës e shihja tue e marrë rrëshqanë për me e çue në tortura, ose tue e kthye nga zyrat e tmerrëshme të hetuesisë ku, vuejtjet ishin ma të mëdha se ata të fundit të ferrit.
Asnjëherë nuk e pashë atë njeri tue u kthye me kambët e veta në birucë… por gjithmonë zharg… Përballë birucës numur 1 ku isha unë, në ditët e caktueme vinte bërberi që shërbente në degë të mbrendshme.
Vërejta një ditë një burrë me trup mesatar, pak zeshkan, me sy të zezë, i parruem prej shumë kohe dhe me një ngjyrë të bardhë të fëtyrës së papame nga dielli. E shikova pak me kurreshtje mbasi berberi që ishte një spijun i ndytë i Sigurimit, në fund i tha: Tashti, Prift, të kam ba gati për dhandërr! U sigurova se po shihja me sy Martirin e Fesë…
I ngula sytë n’at vrimë të vogël të derës sime, që nuk kisha si me e ba ma të madhe e, me kapë e me e pré në fyt me briskun e tij atë bërber, që për dy pare të ndyta po tallej me një Predikonjës të pafajshëm, vetëm se ishte Prift.
Mbas pak ditësh, nuk mora vesh sesi isha zhytë në një gjumë deke. Po shihja andrra të llahtarshme, vuejtje, tortura, gjak, një tmer i vërtetë më kishte pushtue, u dridhsha si thupra në ujë nga frika, një frikë që nuk e kuptoja nga vjen. Isha mbushë me vajë, vajë frike apo dëshprimi nuk e kuptoja, një tmer i vërtetë… isha e lame në djersë… Disi u skapullova kur pashë se jam në birucë por, si duket, ndër andrra kisha lëshue ndonjë thirrje, veç kur pashë sportelin e hapun të derës prej ku, shihej fëtyra e kriminelit Alush Bakalli, që me gisht vertikal para gojës lëshoi një shshsh…t!!, shenjë me të cilin urdhnonte heshtje… Një lëvizje rojesh jo e zakonëshme në atë orë. Nuk dija çka ka ndodhë… Edhe zhurma që më zgjoj ndryshonte, mujta me dallue zanin e katilit Shyqyri Qoku, që i vërriste Dom Mikelit: Pusho… pusho, po të tham… Këtë herë dallohej se nuk ishte vetëm. Në atë lamsh mendimesh përzi me zhurmën e vargojve ndigjova zanin e Dom Mikelit, e zemra m’u mbush me vajë.
Ishte mjedis kafshëve të egra që donin ta shkynin, e thërriste: “O Jezu Krisht! Zoti em, më jep forcën e fundit, o Shenjtja Mari, Nana e eme e përjetëshme për të fundit herë po të kërkoj, fali vëllaznit e mij, kij mëshirë për ta se nuk dinë shka bajnë! Fali o Krisht! O Zot ndihmoje Shqipninë me shpëtue nga këta kriminelë komunistë. Zoja e Bekueme, Nana e Krishtit dhe e gjithë Botës, lutju Birit tand Zotit tonë Jezu Krishtit, që të më pranojnë në Mbretninë Qiellore, në duert Tueja të Bekueme ardhtë Shpirti em! Rrnoftë Shqipnia, Rrnoftë Krishti!” Zani i tij sa vinte e fikej derisa nuk u ndigjue ma… U mbyllën edhe shulat e dyerve… edhe dryjtë. Isha me sy nga dritaria tue vështrue nëse ndigjohet prap zani i tij por, kuptova ma vonë se isha ngritë kot për një kohë të gjatë, derisa, u kujtova se iku! Iku në Mbretni të Qiellës…
Jam kenë interesue se çka u ba me Dom Mikelin, mbasi e morën atë natë, nga një roje që ndryshonte pak nga të tjerët me emnin Ndue. Ai më pat tregue se janë nisë për Tiranë dhe rrugës i kanë ba një ingjeksion dhe ka vdekë. E kanë çue të vdekun në Ministrinë e Mbrendshme dhe prej aty e kanë futë në një kasetë frigoriferike me nr. 7 (shtatë). Mendonte se ai asht coptue nga mjekët e besueshëm qeveritarë për studim, nga studentët e fakultetit të mjeksisë së Universitetit të Tiranës.
Atëherë, dhe sot, që ka kalue një çerek shekulli nga kjo ngjarje, i drejtoja dy pyetje vehtes për këtë njeri që torturohej aq mizorisht nga kriminelët komunistë:
1.Pse e torturonin ndryshej nga të tjerët dhe,
2.Ku i merrte forcat Dom Mikeli për me përballue ato tmere vuejtjesh?
-Gjithmonë e njajta përgjegje: E para, vetëm pse ishte Prift Katolik dhe e dyta, Ai fliste me Jezu Krishtin çdo çast që goditej nga kriminelët…
Vetëm Ai e forconte Até dhe mue…
Gjithmonë kam besue se Don Mikeli asht Shenjt i pashpallun në Mbretninë e Qiellit! Ai asht i përjetshëm në kujtimet dhe lutjet e mija!
Shkodër, 15 shtator 2000, Bashkëvuejtësja e Tij, Laura Keçi d.v.
.
Shënim nga FR: Letra e Laura Keçit asht botue në librin tim “Një Monument nën dhe”.
Melbourne, 14 Maji 2020.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.