back to top
19.6 C
Tirana
E martë, 16 Qershor, 2026

Letërsia si “Dosje e Mbyllur” dëshirë e kritikëve të regjimit

Gazeta

Diktatura Njishit
Diktatura Njishit
Letërsia si “Dosje e Mbyllur” dëshirë e kritikëve të regjimit

Në historinë letrare të shqiptarëve, si në Shqipëri ashtu edhe në viset e tjera etnike, është ngulitur një pabarazi që vijon të përsëritet me një kokëfortësi të neveritshme: ajo ndërmjet shkrimtarëve të regjimit (jo që i shërbyen por që u shtynë nga regjimi) dhe atyre që u përndoqën nga ai. Sot, më shumë se tri dekada pas rënies së diktaturës, pas pluralizmmit, pastaj pas çlirimit të Kosovës, lexuesi, kritika dhe akademia nuk kanë ndryshuar qëndrim: vazhdojnë t’i festojnë, studiojnë, analizojnë e glorifikojnë emrat që u lartësuan nga regjimi, ndërkohë që mbajnë në terr të plotë ata që u burgosën, u pushkatuan, u detyruan të heshtin apo të mërgojnë për të mos u thyer shpirtërisht. Kjo nuk është më vetëm harresë; është bashkëfajësi në një padrejtësi të rëndë kulturore dhe historike.
Shkrimtarët e regjimit – jo vetëm ata që patin fatin të krijojnë në kohën e regjimit por edhe ata që përmes fjalës së tyre shërbyen si vegla të propagandës shtetërore, që letraren e reduktuan në kronikë partiake, që krijuan mitologji të rreme për “njeriun e ri socialist”, që patën përfitime të përditshme nga regjimi – sot ende gëzojnë lavdinë që ua fali diktatura. Në librat shkollorë, në katedrat e universiteteve, në analizat e kritikës “bashkëkohore”, emrat e tyre janë po aty, të pacënuar, të lexuar, të përkujtuar. A thua se nuk ka ndodhur asnjë ndryshim shoqëror, asnjë shpërthim i vetëdijes, asnjë nevojë për të rishikuar rrënjësisht se kush ishte i vërtetë dhe kush shërbëtor i ideologjisë. Kush nga popujt e mëdhenj në botë ka një Drita Çomo?
Ndërkohë, në skajet e harresës, qëndrojnë krijuesit që diktatura i ndëshkoi me burgje, internime, heshtje apo vdekje. At Gjergj Fishta, Kasëm Trebeshina, Frederik Reshpja, Vilson Blloshmi, Genc Leka, Zef Zorba, Liri Lubonja, Musine Kokalari, Drita Çomo, Havzi Nela, Arshi Pipa, Martin Camaj, Ernest Koliqi, Et’hem Haxhiademi, Teki Dervishi, Beqir Musliu, Adem Demaçi, Jusuf Gërvalla, Mehmedali Hoxha – janë vetëm disa nga emrat që nuk u shpërblyen as nga historia, as nga kritika, as nga lexuesi. Nuk u rindërtuan si figura kombëtare të letërsisë; nuk u ringjallën për të marrë vendin që ua mohoi koha. Janë “anonimë” në përfytyrimin kolektiv, jo pse mungojnë vlerat e tyre, por sepse i mungon guximi shoqërisë për t’u përballur me veten dhe me hipokrizinë e saj të gjatë. Kritika, institucionet kulturore, shteti nuk kujtohet që ta përjetësojë emrin dhe figurën e tyre, madje nuk i pengon as komunitetet fetare që mos të tallen me këta personalitete duke themeluar “çmime letrare” që mbajnë emrin e tyre! Teki Dervishi nuk ishte as hoxhë as prift e as sheh, ishte një shkrimtar që i la popullit të vet thesar letrar të papërsëritshëm për shekuj me radhë.
Fatkeqësisht, kritika letrare shqiptare nuk është çliruar kurrë nga skemat ideologjike të diktaturës. Edhe sot, shumë prej atyre që mbanin penën në shërbim të Partisë, që ngritën bustet letrare të shkrimtarëve të regjimit, vazhdojnë të jenë aktivë, madje të vendosur në rolin e “autoritetit moral” për të gjykuar vlerat. A mund të pritet drejtësi nga të njëjtët që heshtën për krijuesit që dergjën në Goli Otok e nëpër burgjet jugosllave, që nuk thanë asnjë fjalë për letërsinë e mërgatës, për poetët që vdiqën në vetmi e burg? Nuk shkruan as sot – jo për mungesë njohjeje, por për mungesë ndershmërie. Apo, kritikët tanë shkruajnë vetëm nëse ekziston aparati referencial ku mund të bazohen e të bëjnë ndonjë faqe “shkrimi kritik”
Pyetja është e rëndë dhe e pamëshirshme: a kemi të bëjmë me një harresë kolektive, apo me një dëshirë të fshehtë për të mos harruar regjimin e egër, por dhe okupatorin? A është kjo heshtje një formë nostalgjie e deformuar, një solidaritet i heshtur me kriteret e vjetra të diktaturës dhe të okupatorit se kush është “shkrimtar kombëtar” dhe kush “armik i popullit”? Sepse mënyra si i trajtojmë shkrimtarët e së kaluarës flet shumë për mënyrën si e përkufizojmë të vërtetën sot. Kritika edhe më tej si dikur regjimi ndanë “fetva” se kush është i vërtetë e cili “hermetik” e i pavlerë! Sot, për Beqir Musliun flet Gjilani në vend se të flasë Kombi Shqiptar! Për Ali Podrimjen e për Anton Pashkun flitet si për shkrimtarë nga një “provincë e humbur”! E njeh kush Ymer Shkrelin?
Deri kur do të vazhdojmë të adhurojmë mjeshtërinë stilistike të shkrimtarëve që ia falnin shpirtin regjimit dhe të injorojmë zërat që guxuan të shkruajnë të vërtetën, edhe kur kjo i çonte në varr? Deri kur do të mbahet nën heshtje letërsia e rezistencës, letërsia që nuk kërkonte dekorata, por liri?
Letërsia shqiptare ka nevojë për një rivlerësim të thellë moral. Ka nevojë të pastrohet nga glorifikimet boshe dhe të ndriçojë veprat që lindën në errësirë, por që mbajnë në vetvete dritën e vërtetë të shpirtit njerëzor. Derisa kjo të ndodhë, lexuesi shqiptar do të vazhdojë të ushqehet me kujtime të rreme dhe të mbetet në një modernitet të rrejshëm, që nuk ka guximin të përballet me vetveten.
Sepse pa vlerësimin e letërsisë së persekutuar, nuk mund të ketë as drejtësi historike, as ndriçim kulturor, dhe as fillim të vërtetë të një moderniteti letrar shqiptar.
Marrë nga HEJZA

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.