back to top
10.5 C
Tirana
E diel, 15 Shkurt, 2026

Letërsia e mirëfilltë përballë kuazi-letërsisë – nga Zekirja Idrizi

Gazeta

Zekirja Idrizi
Zekirja Idrizi
Letërsia e mirëfilltë përballë kuazi-letërsisë
nga Zekirja Idrizi

Krijimtaria fine estetiko-letrare
përballë diletantizmit dhe lukunisë së
mediokritetit letrar

Të merremi vesh, ne sot nuk kemi gjenerata krijuesish si dikur, që në viset etnike jashtë atdheut, po shënonin “epoka letrare”, si: gjenerata e Rilindjes Kombëtare, ajo e Pasluftës së Dytë Botërore dhe gjenerata e viteve 70-80-90!
Ku qëndron problemi?
Në radhë të parë, konsideroj, problemi qëndron te shkëputja e kontaktit konstruktiv në raportin krijues – lexues, te “heshtja krijuese” si pasojë e shkëputjes kohore, e cila kërkon një hedhje të hapit gjigant në krijimtarinë letrare, si dhe si pasojë e “vdekjes” së kritikës letrare, e vërshuar nga indolenca dhe indiferentizmi i skajshëm në rrafshin e gjurmimit, vlerësimit dhe gjykimit kritik të krijesave letrare…
Është e bukur dhe fat përmasash kolosale historike për një letërsi dhe për një kulturë kur atyre ju shfaqet një gjeneratë poetësh, shkrimtarësh dhe mendimtarësh. Kjo, fatmirësisht, ka ndodhur disa herë në historinë tonë kulturoro-letrare e artistike. Mund ta përmendim, fjala bie, “letërsinë e vjetër”.
Siç dimë, krijimet letrare të autorëve të kësaj periudhe u përkthyen në shumë gjuhë europiane dhe u përbotësuan në shumë vende perëndimore, duke u vlerësuar lart nga kritikët letrarë të vendeve përkatëse. Mund ta përmendim edhe Rilindjen Kombëtare, elitën e viteve ‘30 dhe periudhat kohore që i përmenda. Por, ka edhe periudha kur një letërsie jo vetëm nuk i shfaqet ndonjë brez i fuqishëm, por i mungon edhe një emër i shquar. Kjo ka ndodhur edhe me letërsitë tjera evropiane…
Për sa i përket kritikës le t’i referohemi Fan Nolit. Ai tha se për zhvillimin e letërsisë dhe të artit duhet ambient kulturor dhe vlerësues. Sot kemi deficitet në ambientin kulturor dhe në ambientin vlerësues e gjykues kritiko-letrar. Sfera kulturore është në gjendje anomie. Dominon “filozofia e pallangës”, siç e quan një filozof. Kemi gjendje kaotike. Neorilindasi Branko Merxhani, duke iu referuar Niçes, kërkonte që shoqëria shqiptare të krijonte prioritete dhe ta organizonte kaosin kulturo-letrar, arsimor e ideo-politik, sepse në kaos ka humbje e shthurje energjish, frymëzimesh e krijimesh të mirëfillta letrare. Një rreth vicioz ky ku nuk dihet saktë kush se çfarë është…
“Sot jetojmë në kohën e simulakrave dhe simulimeve, në epokën e hiperrealitetit, kur banalja është bërë kategori estetike”, – ka konstatuar filozofi dhe kritiku i medias e letërsisë Jean Baudrillard. Letërsia nuk është në vëmendjen e këtij qytetërimi. Vendin e saj e ka zënë spektakli. Kësaj gjendje i shkon përshtat edhe alegorisë së shpellës nga Platoni (Alegoria e Shpellës, ose Shpella e Platonit, alegori e paraqitur nga filozofi grek Platoni në veprën e tij “Republica” (514a–520a, Libri VII) për të krahasuar efektin e edukimit dhe mungesën e tij në natyrën njerëzore; libër ku gravitojnë filozofë, të cilët synojnë të kuptojnë dhe të perceptojnë nivelet më të larta të realitetit, dhe njerëz të rëndomtë, të burgosurit e tjerë të shpellës, të cilët nuk mund t’i imagjinojnë e as shpjegojnë imazhet e hijeve murale dhe as që dëshirojnë të largohen nga burgu i tyre, sepse nuk kanë idenë për një jetë më të mirë dhe nuk e shohin realitetin, por reflektimin fantazmagorik të tij).
Kur jemi te kritika, duhet thënë se krijuesin e mirë s’e bën kritika letrare. S’ka ndonjë shkollë për t’u bërë shkrimtar o poet. Shumë shkrimtarë gjenialë s’janë çmuar fare nga kritika. Edhe më keq: janë përçmuar dhe akuzuar rëndë. Kësi shembujsh kemi nga antikiteti e deri në ditët e sotme.
Edhe kritika letrare shqiptare jo rrallë herë gjatë historisë ka vepruar si polici shpirtërore. Ajo ka folur e gjykuar me një diskurs që s’i shkon letërsisë.
Disa shkrimtarë u quajtën “dekadentë”, “reaksionarë”, “tradhtarë” etj. Kjo kritikë, madje, u bëri lexim të keq edhe veprave të mira. Kritika dogmatike, e ngulfatur nga rregullat, kufizimet apo dogmat ideologjike është e dëmshme për një kulturë. Është si Prokrusti. E gjymton letërsinë, duke ia prerë flatrat pasionit krijues.
Kundër një kritike të këtillë ideologjike është rebeluar edhe shkrimtari Danilo Kish. Në sprovën “Për pluralizmin”, të botuar më 1974, ai e kritikoi kritikën tradicionale, pozitiviste e sociologjike. I kritikoi kritikët letrarë që dëshironin të dominonin me idetë dhe shijet e tyre në mënyrë tiranike, totalitare. E kritikoi kritikën letrare “realiste” që tentonte letërsia të ishte “imazh i jetës popullore”, “literaturë e kritikës shoqërore” dhe e “angazhuar në dobi të popullit”. Ai kërkoi pluralizëm idesh. “Pa këtë pluralizëm një kulturë s’e arrin dot lirinë elementare”, – konstaton ai.
Kundër këtyre kufizimeve ishin edhe shumë kritikë dhe shkrimtarë shqiptarë. Mjafton ta përmendim manifestin “Vox clamantis in deserto”, të qarkut të Prishtinës, që i kundërvihej realizmit socialist. Kritikët mendjehapur japin ndihmesë të madhe në rrafshin e një letërsie të mirëfilltë. Në vitet 80-të, në Prishtinë, kishte mendim të avancuar kritik, që ishte në të mirë të vlerës letrare.
Shtrohet tani pyetja: a mund të kemi sot kritikë bashkëkohore letrare në kohën kur po na ngulfat amatorizmi dhe diletantizmi në bërjen e “letërsisë”?
Mund të ketë nëse do të dëshironim. Ose, thënë më drejtë: duhet të ketë kritikë objektive letrare. Po cili i është përkushtuar sot kritikës letrare? Cili paguhet për këtë punë? Cili e ka profesion? Në vendet me zhvillim kulturo- qytetërimor libri ka edhe kritikë letrare. Mendimi i kritikëve letrarë në këto vende ndikon që një libër të bëhet edhe bestseller. Shtëpitë botuese e reklamojnë një libër të mirë, sepse kanë edhe përfitime materiale. Te ne mungojnë edhe recensionet në media. Në skenën e kulturës janë ngjitur ata që s’e dinë as domethënien e kësaj fjale. Ata që kulturën e kuptojnë si garë, si spektakël. Në kësi rastesh një kritik duhet të ketë nerva të forta. Ai do të sulmohet nga lukunia e mediokritetit, që kudo e valëvit flamurin e patriotizmit dhe artit e letërsisë i jep “misione”. Të tillët e ngatërrojnë letërsinë me atdhedashurinë. Sipas Konicës, letërsia dhe atdhedashuria janë dy gjëra të ndryshme. Mund të jesh atdhetar i madh, por jo edhe shkrimtar i madh. Dhe e kundërta: mund të jesh shkrimtar i madh, por jo ndonjë atdhetar i dëshmuar.
Kritika letrare duhet të bëjë punën e vet me përgjegjësi dhe kompetencë në rrafshin e letërsisë, kurse poeti dhe shkrimtari ka vetëm një detyrim: të shkruajnë sa më bukur, ta krijojnë poezinë dhe prozën -”formën më të lartë të ekzistimit të gjuhës”.
Ka që e ngatërrojnë ende letërsinë me ideologjinë. Letërsia s’njeh ideologji. Ajo qëndron përmbi ideologjitë. Letërsia e mirë, në fakt, mund ta ketë shtresën aktuale, por ajo s’mjafton kur veprës letrare i mungon shtresa universale. Letërsia nuk është gazetari. Letërsia e mirë u flet të gjithë kohërave dhe të gjitha shtresave të shoqërisë. Madje-madje, ajo u flet edhe lexuesve që ende s’kanë lindur, pra ardhmërisë…
Edhe shtetet tona, ministritë përkatëse të kulturës e arteve, duhet të kenë një rol vendimtar në favorizimin dhe mbështetjen e krijuesve të mirëfilltë letrarë, duke ndarë mjete nga buxhetet e tyre për financimin e librave të tyre, pra që të jenë nën përkujdesin institucional të shteteve tona shqiptare.
Është mëkat i pafalshëm për ministritë përkatëse të qeverive tona që të lejojnë situatën e mjerueshme e morbide ku krijuesit janë të detyruar që nga gjepi i tyre të financojnë botimet e librave të tyre! Është e domosdoshme të ketë sa më shumë gazeta, revista dhe portale për kulturë, art e letërsi. Portalet dhe mediat tjera duhet të përfitojnë nga fondet publike, por nëse udhëhiqen nga njerëz profesionistë. Mediat e reja duhet të ofrojnë sa më shumë të dhëna për krijimtarinë e shkrimtarëve. Pa e përjashtuar traditën.
Mjerisht, sot shteteve tona s’u intereson kultura, arti e letërsia.
Ministritë e kulturës janë për këtë punë. Sot ende shërbehemi me histori letërsie ku flitet për shkrimtarë “dekadentë” dhe “reaksionarë”. Librat e domosdoshëm për një kulturë duhet të financohen dhe të përbotësohen. Të prezantohen madje edhe në gjuhë të tjera në vende të tjera të botës, që ata të njihen me kulturën dhe letërsinë tonë kombëtare….
Zekirja Idrizi

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.