back to top
31.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Korrik, 2024

Lemeria që nuk e mbulohet dot me “gjethen” e Rilindjes! nga Nebil Çika

Gazeta

Censurë komuniste...
Censurë komuniste…

Lemeria që nuk e mbulohet dot me “gjethen” e Rilindjes!

nga Nebil Çika

Thonë se nga fundi i jetës së tij, ish ministri i brendshëm famëkeq i diktaturës komuniste Kadri Hazbiu pyeti një bashkëfshatarin e tij të moshuar, rreth tek 100 vjetët se: çfarë veçonte me shumë në jetën e tij një shekullore? Plaku i urtë ju përgjigj me trimëri të rrallë për kohën duke ju referuar fazave të historisë sipas zhargonit popullor: Tre gjëra! Qetësia (rendi publik) e Zogut, Bollëku i Italisë dhe Lemeria e Partisë!
Kjo përgjigje e plakut lab m’u kujtua dje kur pash ne media një takim të organizuar nga Ministria e Kulturës ku me sa kuptova bëhej bilanci i një projekti qeveritar për historinë e diktaturës komuniste të njohur si “Shtëpia  e Gjetheve”, një bazë teknike e ish Sigurimit të Shtetit në Tiranë, e përdorur kryesisht për përgjime nga policia sekrete komuniste. Projekti është prezantuar dy vite më parë nga kryeministri Rama dhe i përzgjedhur i tij  për zbatimin e këtij projekti të financuar nga buxheti i shtetit është Bashkim Shehu, djali i kriminelit numër 2 të diktaturës komuniste – ish kryeministri Mehmet Shehu.

Apoetoza e Diktatures - projekt nga Lek Pervizi
Apoteoza e Diktatures – projekt nga Lek Pervizi

Nga sa ndoqa lajmet në TV dje dhe gazetat sot, projekti ende nuk ka përfunduar dhe shteti do të vazhdojë ta financojë ende atë. Në pamje të parë duket se ky projekt nuk ka ndonjë gjë të keqe, pasi synon dokumentimin e historisë se diktaturës, por si gjithnjë edhe këtu djalli fshihet në detaje…
Me sa u informova nga mediet dhe disa të pranishëm në takim, projekti i nisur si një histori e krimeve të Sigurimit të Shtetit ka përfunduar në një histori policeske përgjimesh që është në fakt krimi më i vogël i Sigurimit të Shtetit që i krahasuar me atë që ka ndodhur në realitet nuk mund të llogaritet fare si krim.

Rama - Kumbaro - Shehu... dhe Shtëpia e Gjetheve
Rama – Kumbaro – Shehu… dhe Shtëpia e Gjetheve

Po flasim për “lemeri” jo për një histori spiunazhi, përgjimesh të ngjashme me “Wikileaks”, 007-a apo të tjera praktika e imazhe te përafërta, aq tërheqëse për publikun, por për krime kundër njerëzimit. “Shtëpia  e Gjetheve” mund te konsiderohet si paradhoma e luksit e Sigurimit, krahasuar me qelitë e burgjet e tij të tmerrshme në të gjithë vendin, nga Shkodra në Konispol. Historia e vërtetë e Sigurimit është e mbushur me vrasje, njerëz të zhdukur pa lënë gjurmë, me rreth 4000 viktima pa varre, me  tortura nga më çnjerëzoret Ajo vërtet e madhja  nuk ka  teknika përgjimi e metoda hetimi bashkëkohore, por tortura e krime çnjerëzore që në historinë e botës së qytetëruar i gjen në periudhën e mesjetës. Nga vrasjet e mbytjet pa gjyq në qelitë e bodrumet e tij, djegiet me hekur të nxehur, preja e mishit dhe mbushja me kripë, shkulja e thonjve dhe dhëmbëve për së gjalli e deri tek përdhunimet e grave e vajzave, nga një herë edhe burrave, etje… janë krime që e kalojnë miliona herë imazhin  që projekti qeveritar i shtëpisë së gjetheve  u jep  shqiptarëve dhe të huajave për  përbindëshin komunist në Shqipëri. Sipas  burimeve mediatike i vetmi që ka ngritur këtë problem në takimin e djeshëm të Ministrisë së Kulturës për “Shtëpinë e Gjetheve” ishte historiani Çelo Hoxha që ka kërkuar një histori të plotë të krimeve të Sigurimit të Shtetit nga themelimi në 1943 e derti në fund 1990. Por Hoxha nuk është pjesë e këtij projekti, ata që janë nuk duket se janë në një mendje me të.
Ky projekt ishte i dyshimtë që kur nisi dhe  rrugëtimi i tij deri sot ka vërtetuar këtë. Ideatorë, zbatues  e financues të tij janë në konflikt interesi me këtë projekt ose më mirë të themi qëllimin zyrtar të tij. Kryeministri Rama, ministrja Kumbaro, zbatuesi Shehu, Drejtori përkatës në ministri Puto, etje janë drejtpërdrejt pinjollë të autorëve të krimeve të komunizmit. Paneli dhe në bilancin e këtij projekti nga emrat ishte një pjesë e byrosë politike të PPSH.

Bashkim Shehu - Ministrja Kumbaro
Bashkim Shehu – Ministrja Kumbaro

Në këto kushte nuk besoj se ka shqiptar normal që beson se këta duan të tregojnë e të dokumentojnë historinë e vërtetë të krimeve të sigurimit e komunizmit që do të thotë historinë e krimeve të paraardhësve të tyre politikë e gjenetikë. Mendoni që krime të tilla si varja e Havzi Nelës me firmën  Kristaq Ramës, pushkatimet pa gjyq, masakrat e Mirditës, të Shkodrës e Postribës; e Zhapokikës, apo kampet e shfarosjes së Maliqit, Tepelenës, Burrelit etje me firmën e  Mehmet Shehut,  gjyqi special me dëshminë e Arben Putos vdekjet nga uria e mjerimi e sëmundjet të grave pleqve e fëmijëve në kampet e internimit me firmën e Piro Kondit do të jenë pjesë e këtij “muzeu” me këta autore të projektit? Unë besoj që jo!

Bashkëmendimtarët... në gjah dimëror
Bashkëmendimtarët… në gjah dimëror

***
Por çfarë është atëherë ky projekt?!  Pse pinjollët gjenetikë e politike të autorëve të krimeve të komunizmit e ndërmorën një projekt të tillë?! Sigurisht që edhe kjo e ka një përgjigje që është përpjekja e vazhdueshme e së majtës historike për të na sjellë një histori të diktaturës me syrin e ish komunistëve që nënkupton një fshehje të thelbit të asaj lemerie qe ka ndodhur për gjysmë shekulli në këtë vend duke përdoruar makijazhe të tilla siç është kjo përpjekje me “Shtëpinë e Gjetheve”. Synimi me sa duket është keqkuptuar nga publiku  pasi Rama, Kumbaro, Shehu, Puto e të tjerë protagonistë të këtij projekti synojnë historinë e Sigurimit sipas këndvështrimit të tyre politik e gjenetik, jo të krimeve të tij. Përpjekja për ta ngjyrosur në rozë krimin komunist në Shqipëri nuk është e re dhe vetëm ki projekt i gjethit. Rama ktheu në muze edhe një bunker të diktatorit Hoxha të përgatitur të mbronte atë në kohe lufte ku ekspozoheshin sende e  foto të tij, një përpjekje çnjerëzore për ta paraqitur si njerëzore historinë  figurën e një përbindëshi e lugati si ai, unik në llojin e vet.
Por sigurisht që këta nuk i ha meraku vetëm i Enver Hoxhës. Bashkë me historinë e Hoxhës, sigurimit e komunizmit, ata synojnë te fshehin e rehabilitojnë  historitë e familjarëve të tyre gjithashtu pjesëmarrës në këto krime. Një histori e shkruar nga Rama, Shehu, Kumbaro, Puto, etje nuk ka si të jetë ndryshe.
Prandaj them se kjo histori, ky projekt me Shtëpinë e Gjetheve është një përpjekje e dështuar e qeverisë për të mbuluar me gjethe të vërtetën lakuriqe të lemerisë komuniste në Shqipëri…
Marrë nga http://www.gazetaminerva.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.