back to top
15.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Maj, 2026

Legjenda e Komunizmit shqiptar Zef Mala (1915-1979)

Gazeta

Ideologu i marksizmit shqiptar - Zef Mala (1915-1979)
Ideologu i marksizmit shqiptar – Zef Mala (1915-1979)
Legjenda e Komunizmit shqiptar Zef Mala (1915-1979)
Zef Mala lindi me 14 prill 1915.
Pas mbarimit të gjimnazit “Kolegjit Saverian” të Urdhri Jezuit në Shkodër me nota të shkëlqyera Zefi studioi në Vjenë për filozofi.
I frymëzuar, pas parimeve humanitare të vëllazërimit të popujve dhe ideve të së majtës evropiane, u aktivizua në tubimet antiqeveritare të popullit austriak dhe për pasojë u arrestua nga policia. Nga kjo pjesëmarrje iu pre bursa e studimit, nga raportet që bënte konsullata shqiptare në instancat përkatëse. I mirëformuar me kulturë të gjerë dhe bindje të thella filozofike gëzonte respekt dhe influencë në njerëz të shtresave të ndryshme përparimtare të shoqërisë dhe u bë udhëheqës i “Grupit Komunist të Shkodrës” në vitin 1937, me të cilin boton një vit më vonë “Buletini Jeshil”.
Aktiviteti i dendur i këtij grupi, i cili po shtrihej në të gjithë trevat shqiptare ra në sy të hafijeve të regjimit të “Zogut” dhe në vitin 1938, u arrestua mes dhjetëra të tjerëve.
Zefit iu dha dënimi me gjashtë vjet burg në Breshtan (Berat). Nga burgu u arratis së bashku me shokë të tjerë, për t’u bashkuar me grupet e rezistencës kundër pushtimit fashist. Në dosjet e pushtuesve italianë ai shfaqej si komunist i rrezikshëm dhe e internuan në Ventotene (Itali), ku ishin internuar krerët kryesorë të partive komuniste e socialiste italiane. Vlerësimi i tyre për Zefin ishte tejet i lartë dhe kjo klimë ndikoi në emancipimin e përgjithshëm të tij.
Ndërkohë, Enver Hoxha kishte mbjellë trillin, sikur Zefi kishte tradhtuar shokët. Por komunistët e “Grupi të Shkodrës”, nuk ranë prè e këtij trillimi. Vasil Shanto, Tuk Jakova dhe Qemal Stafa kishin besim të plotë tek Zefi dhe i përgënjeshtronin shpifjet e ulëta të Hoxhës dhe i kërkonin mendime të ndryshme për problemet të grupit edhe në internim.
Pikëpamja e Zef Malës për lidhje me parti homologe ishte se, duhej të lidheshin me Partinë Komuniste italiane, si më e avancuar dhe larg shovinizmit sllav. Mungesa e tij në tentativën e shkrirjes së grupeve komuniste në themelimin e Partisë, ishte një minus i madh dhe përfituan të dërguarit e Titos.
Kur armata III aleate zbarkoi në Itali, liroi të burgosurit politikë italianë dhe me kombësi të ndryshme, midis tyre edhe shqiptarët, të cilët i mblodhën në qytetin e Barit. Zef Malën e sollën me pranga për ta gjykuar sërish në Shqipëri. Me ndihmën e “Njësitit gueril të Tiranës” mundi të arratisej dhe u inkuadrua në grupin e Pezës. Enver Hoxha dhe Miladin Popoviçi ndodheshin në Pezë dhe patën diskutim me Zefin për rezolucionin e partisë.
Zefi, jo vetëm iu kundërvu ndaj gabimeve që i atribuoeshin “Grupit Komunist të Shkodrës” dhe atij personalisht (duke përfituar nga mungesa e tij dhe qëndrimi të ulët të (Kristo Themelkos), por shtroi dhe vërejtje të tjera ndaj vijës së partisë në përgjithësi. Pyetjes së Miladinit se ç’mendonte për çështjen e Kosovës, ai iu përgjigj: “Çështja e Kosovës pa diskutim duhet të zgjidhet me anë të plebishitit”.
Nga ky qëndrim kundërshtues i Zefit u vendos përfundimisht likuidimi në prapaskenë i tij. Por falë nuhatjes së Zefit dhe njoftimit të Myslym Pezës, ky plan ogurzi dështoi. Pas kësaj orvatjeje iu propozua nga Enver Hoxha që Zefi të trajtohej si të gjithë anëtarët e “Shtabit të përgjithshëm”, por ai pranoi të trajtohej si gjithë partizanët e thjeshtë dhe në besën Myslym Pezës.
I sëmurë nga sytë, dhe meqë i duhej një kurim sa më i shpejtë, e sollën ilegal në Tiranë. Në fillim të vitit 1945 iu desh të kryente një ndërhyrje kirurgjikale në sy, sepse gjendja ishte shumë e rëndë dhe e dërgojnë në Itali, ku u mbajt i shtruar për gjashtë muaj. Miq të shumtë antifashistë të Ventotenës e vizitonin shpesh në spital, si Luigi Longo, Pietro Neni dhe Sandro Pertini Presidenti i Italisë në vitet ‘80-të e shumë të tjerë, të cilët i propozuan të aderonte në ndonjërën parti në Itali ku do t’i hapej perspektivë e madhe dhe me problemin e syve do të ishte më mirë.
Zef Mala kthehet në atdhe dhe emërohet drejtor i Bibliotekave. Por ashpërsimi luftës së klasave dhe veçanërisht lufta kundër elitës intelektuale e gjen në burgun e Tiranës në vitin 1947-1949. Klika prosllave e Koçi Xoxes i mori të gjitha gjynahet e mëkatet dhe Zef Malaj doli nga burgu si i persekutuar nga kjo klikë dhe u “rehabilitua”.
Me ndjenjën e thellë për t’i shërbyer atdheut e popullit iu përkushtua punës si drejtor i Arkivit të Shtetit. Ai u ngarkua për të mbledhur material historike të periudhës 1912-1924, por ai sërish burgoset në vitin 1956 dhe nuk arriti ta përfundonte këtë punim. U dënua 5 vjet në Zvërnec të Vlorës ku klima ishte tejet e keqe për shëndetin dhe ia përkeqësuan shikimin deri në humbjen e 80% të dritës së syrit.
Nuk i njohën të drejtën e kthimit, as në qytetin e Shkodrës dhe as në rrethin e Tiranës pas mbarimit të afatit të burgosjes. Dhe Zefi plot humor shpotitës thoshte: “S’më mbetet veçse të ngreh një kasolle në pyll, ku ndofta do të kuptohem më mirë me egërsirat”.
I ndodhur pa familje, pa strehë, pa pension invaliditeti, iu njoh e drejta e banimit në Tiranë, një “Qarkullimi brenda kufijve periferikë”, më troç një internim në Tiranë. Pas një viti u thirr nga kryeministri Mehmet Shehu, i cili iu drejtua: “Mbase jeta jote është zhvilluar në kushte anormale, hyr e dil në burgje e në internime, kam këtë propozim: 1.Po të mos na ngacmosh, nuk do të të ngacmojmë. 2.Jam i disponuar të të plotësohen kërkesat e tua të mundshme.
Zefi i thotë: “Vetëm pikën e dytë do ta zbatoj. Konform ligjit kërkoj të më njihet e drejta e invaliditetit të plotë. Të më sigurohet banesë”.
Këto kërkesa me urdhër të Mehmet Shehut iu plotësuan. Por kalvari i vuajtjeve të Zef Malajt nuk ka të sosur dhe një ditë diktatori e kish parë në rrugë të shoqëruar nga Lec Mala dhe pas tre ditësh i komunikojnë internimin në Labovë për pesë vjet.
I shkruan një promemorje kryeministrit Mehmet Shehu në vitin 1978. Në zgjedhjet për deputet të “Kuvendit Popullor”, Zef Mala nuk pranon të votojë… I bëjnë gjyqin në Tiranë dhe i shtojnë vitet e internimit, ku edhe mbylli sytë në ditën e ndërrimit të viteve (dhjetor janar i vitit 1979), në spitalin e burgut të Tiranës.
Zefi, sipas miqve të tij, Henrik Gjoka dhe Skënder Haxhihasani, ka lënë shumë kujtime dhe ese filozofike, mbi 8 vëllime të cilat nuk dihet ku kanë përfunduar. Zef Mala ishte ndër përkrahësit e parë të ideve komuniste, por ai arriti në konkluzionin se “komunizmi si ideologji ishte një utopi, kurse si sistem politik, ishte një regres për njerëzimin…”
https://www.panorama.com.al
Marrë nga Almanaku Historiko Artistik

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.