back to top
31.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Korrik, 2024

Lazër Radi & Elez Braha në vitet e rinisë së përbashkët

Gazeta

Lazër Radi & Elez Braha qershor 1938
Lazër Radi & Elez Braha qershor 1938

Lazër Radi & Elez Braha

në vitet e rinisë së përbashkët

Kanga e Jetës nga Lazër Radi (1938)

I kushtohet shokut tim E. B. (Elez Braha)
 
I dashur shok!
Unë s’po të kuptoj. Nuk e dij, pse të pëlqen kaq shumë “Marshi funebër” i Shopenit. A s’të përkujtojnë vdekjen akordet e kësaj melodie të përvajshme? A s’të bëhet se shikon varrmihësin duke hedhë dheun e zi e të fortë mbi varr nën ritmin e këtij kompozimi gjenial?
Kët kangë Shopeni ia kushtoi vetes. E kompozoi pikërisht atëherë kur mori vesh se mikrobi i tuberkulozit i kishte hy në mushkritë e tij të shkatërrueme… dhe s’kishte asnji shpresë shpëtimi.
A e njef jetën?
Jeta! Ndoshta të duket si një pellg i madh gëzimi e mjerimi… ndërsa njerëzit jetojnë mbi të: pash e më pash. Dhe ke të drejtë. Ashtu asht jeta. Por mua më intereson se çfarë qëndrimi do të mbash ti kundrejt këtij pellgu.
Kjo asht nji pyetje mjaft e vështirë.
Jeta dhe njerëzit?
Gjithmonë dhimbjet dhe mundimet kanë qenë atribute të Jetës.
Gënjeshtra, grindja, urrejtja, fyerjet kanë qenë flamurët e saj. Njerëzit janë të këqij… dhe siç thotë filozofi: “Gjithmonë, qysh prej njeriut të parë e deri më sot, nëpër të gjithë metamorfozat shoqnore, politike e fetare njeriu ka mbajtë e mban në vetvete elementë shkatërrues ashtu si mban gjarpni helmin”.
A thua, vërtet ja vlen ta shohësh jetën nëpër këtë prizëm pesimizmi? Jo! Njimijë herë Jo! Vijat e jetës, përgjithësisht, nuk janë vetëm të zeza, por paraqiten edhe me ngjyra të tjera… me ngjyra të bukura…
.
Lazër Radi mes nji grupi shokësh e IV B në Fushë të Shtojit - Shkodër 19 shkurt 1935
Lazër Radi mes nji grupi shokësh e IV B në Fushë të Shtojit – Shkodër 19 shkurt 1935
I dashur shok!
Mos kujto se himni i jetës asht marshi i vdekjes i Shopenit. As pesimizmi ekstrem s’asht rruga ma e arsyeshme dhe ma e përshtatshme. Kjo rrugë nuk asht zgjidhja e problemit; për ma tepër i ngatërron edhe ma tepër punët. Çfarë do të ndodhte sikur të gjithë njerëzit të ishin pesimistë? A je në gjendje ta imagjinosh nji botë të tillë.
Çfarë do të bahej sikur njerëzit të mos besonin në evolucionin e jetës, sikur të mos besonin në forcat e veta, sikur të mos shpresonin që me punën e tyne do të fitonin nji lumturi të ardhme?
Sigurisht, jeta do të shkonte si nji qerre e thyeme.
Atëherë, entusiazëm dhe optimizëm!!
As kjo nuk e zgjidh mirë problemin, mund të thuash ti. Po çfarë rruge na mbetet të marrim. Entusiazmi i madh asht i damshëm, asht si njifarë të daluni mendsh dhe nuk të len që ta shohish jetën qartë dhe drejtë. Entusiazmi i madh i rrit pa masë edhe gjanat ma të vogla.
Po optimizmi?
Ky asht shumë ma i arsyeshëm dhe ma i preferuem se pesimizmi, megjithse edhe ky drejtim s’asht i plotë…
Jemi realistë.
Jetën s’do ta vërejmë me syze të ngjyrosuna, por ashtu siç asht. Do ta çmojmë e do ta mbajmë vlerën pozitive të jetës, kurse vlerat negative do të përpiqemi t’i përmirsojmë e për t’u përmirësue gjendja lipset të ngjallen forcat e fshehta të individëve, lipset të ndizen shkëndijat ndër zemrat e njerëzve. Lipset nji forcë. Sot jeta na paraqitet si nji dinamit… Jeta me të gjitha manifestimet e veta asht ndër duart e njerëzve. Ata e prishnin, ata e ndërtojnë; ata e ndërtojnë, ata e përkeqsojnë, ata e përmirsojnë.
A s’asht kështu?
Prandaj i dashur shok, çmoje jetën. Jo me marsha të vdekjes. Ti këndo, këndo gjithmonë, por jo kangë që ndjellin vaje. Këndo kangë që të nxisin të punojsh, që të përtërijnë forcat e tua e të çojnë tek nji e ardhme e lumtun!
(Shtypi, 25 prill 1938)
Elez R. Braha
Elez R. Braha

Katër skica nga Elez Braha

Bora

Agimi tuj ia zanë vendin territ të natës, sillte me vedi një të re aq tepër të dëshërueme prej të pasunve, por aq tepër të këqyrun me sy të venitun nga të vorfnit. Ishte ajo e kandshmja e bebeve, ishte bora, e cila binte ngadalas flokë-flokë tue u përhjedhë në atmosferë dhe së mbrami tue zanë vend në tokë.
Në këtë agim të bukur për një poet dhe një të pasun, në këtë agim të një forme tjetër, vallë sa të shkretë kanë ngelë pa dalë jashtë kasolles së tyne? Sa të mjerë vallë s’do mundin të punojnë dhe do të rrinë pa bukë?
-Mjaft!
20.12.1938
.

Ndamja

Ditën që u ndamë ndigjoi një tërheqje magjike kah ajo krijesë e bukur, por njëherit dhe fatzezë. Jeta plot vuajtje e mundime nuk lejon të përmbushen të gjitha premtimet dhe dëshirat: ajo i shpërndan populluesit e planetit tonë sa në një skaj aq në tjetrin. Buka, ah kjo e shkreta sa shtrenjtë u fitoka!… Duhet të ndahesh nga të dashunit e zemrës: nana, vëllaznit dhe nga vasha q’adhuron…
Por ka edhe më keq.
Kur sytë e Nanës, në përlotje, lusin udhën e mbarë dhe buzët e saja belbëzojnë fjalë t’amla e t’idhta njëherit… Atëherë ndigjohet një shtrëngesë, diçka në zemër lëviz: një nxehtësi mbulon fytyrën dhe një s’di çka ndalon kapërdimjen. Padashtas sytë përloten në të ndigjuem të këtyne fjalëve. Ai mundohet t’i fshehë lotët dhe me fjalë ngushëlluese t’i japë zemër nanës së vet…
Kur djali ndahet nga vasha q’adhuron atëhere diçka shtrëngon zemrat e tyne: një ndjenjë e pashpjegueshme lidh aty dy kreatura që kot mundohen t’evadojnë dallgët e jetës. Duhet të ndahen, kështu asht Jeta…
Vasha thotë:
-Ç’ka do të baj unë kur ti të jesh larg?
-Kur të jesh ndër çaste të vështira mendo për kohën e kalueme: një letargji e kandëshme ka për të të kapllue… Por andrra zgjat pak: ke për t’u zgjue ndoshta nga britma e ndonjë fëmije. Atëherë ke për t’u gjetë përballë jetës së zbrazun. Por mos u ligshto. Me guxim përvishi mangët dhe fillo punën, pse vetëm në punë mund të gjesh një ngushëllim, mund të ndijsh një kënaqje, pse puna nderon e nuk turpnon.
U ndanë. Udhë të largëta dhe shpresa të kota. Asht mbramje…
Jergucat, 3 shtator, 1940
.

Për një…

Ishte një kasolle e vorfën. Era frynte sa në një anë në tjetrën. Asht dimën. Fryn veriu.
Në kasolle ishte një shtrat: pak kashtë elbi bri votrës, një zhgun leshi dhe dy unë gati të fikuna.
Pranë votrës ishin shumë njerëz: burra e gra, djem e fëmijë. Kishin ardhë komshijtë të shofin, se ishte koha e mbarimit. Në shtrat shtrihej një formë njeriu: dyll në fytyrë, larg nga dallgët e jetës, ai tashmë jeton çastet e fundit…
Ai zgurdulloi sytë herë pas here kah njerëzit që e rrethonin. Së mbrami vështrimi i lodhun u ndalue në një foshnjë të njomë, i destinuem me përfundue në botën e vuatjeve. Ishte i verdhë në fytyrë, i veshun keq i dobët nga fiziku.
Pranë i rrinte një grua. Rrinte mendueshëm tue vështrue herë fëmijën e herë të sëmunin. Ishte e shoqja e vuajtjeve dhe skamit. Qyshse kishte lindë, fëmija nuk kishte buzëqesh, siç bajnë të gjithë fëmijët e “botës së gëzueme”.
Kalojnë çaste heshtjeje. Shokët e shoqet u larguen njeni mbas tjetrit tue i folë fjalë të mira grues së mjerë…
Koha kalonte dhe gjendja e të sëmunit bahej gjithnjë e ma e vështirë. Ai kishte një dëshirë të pambushun… Por momenti i fundit nuk mungon t’arrijë: sytë e tij vështruan për të fundit herë foshnjën e njomë dhe u drejtuen nga dera për të kundrue se mos vinte një… mjek! Por jo… sa qe gjallë nuk qe n’gjendje me marrë një mjek.
18. 6. 1941
.

E dashtuna N…

E shef dhe vetë se Jeta qenka e mundëshme. Por shpesh herë thehet kurajo, mprapsen përpara tallazeve të rrmyeshëme, tallaze që të lëkundin si një lundër velash, tallaze që munden me të lanë të shtanguem. O Jetë e Jetës s’ime!…
Por duhet të kesh durim dhe guxim: çdo gjaje i arrihet me vullnet, me vullnet të patundun, – pse asgja s’asht e pa mundun për një zemër me vullnet.
Psherëtimat nuk duhen, ankimet janë të kota; vështirësitë që do të ndeshesh në jetën tane duhet t’i përballosh si trimneshë: duhet të mos përulesh përpara dallgëve, porse si një detar i mirë t’arrish bregun. E atëherë ji e gëzueshme se bane detyrën tande…
I yti…
10 Tetor 1939

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.